back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Peshkatari i Zgjuar – Përrallë Arabe – nga Rashid Abdyl

Gazeta

Peshkatari dhe familja e tij e varfër
Peshkatari dhe familja e tij e varfër

Peshkatari i Zgjuar

Përrallë Arabe – nga Rashid Abdyl

Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica

Jetonte dikur një peshkatar shumë i varfër me gruan, dy çupat dhe një çun. Sado punonte i gjori nga mëngjesi deri në mbrëmje, mezi e ushqente veten dhe familjen.
Një herë, pa zbardhur dita mirë, kur hëna dukej ende lart, me rrjetën në krah, ai mori udhën nga qyteti për në det. Sa doli në breg, bëri përpara duke ecur përmes ujit, vërviti rrjetën sipër valëve dhe priti sa ajo u hap e u zhyt. Pas pak, mblodhi litarin dhe filloi ta tërhiqte duke gulçuar. Hiq e tërhiq, hiq e tërhiq, e më në fund e hodhi në breg. I gëzuar porsi fëmijë, vrapoi ta hapte. Ç’të shihte! Tek rrjeta e hapur sa gjatë e gjerë i zunë sytë një qyp të madh, por brenda nuk kishte asgjë. I dëshpëruar, se gjithë puna e mundi i shkuan kot, tha me vete se ai ishte vërtet një gjah i çuditshëm. Megjithatë, iu fal Zotit, pastroi e ndreqi rrjetën, pastaj e nderi të thahej në diell. Mbas ca, u fut prap në ujë, bëri disa hapa, e hodhi më thellë dhe priti sa rrjeta u zhyt. Si kaloi njëfarë kohe, e tërhoqi dhe doli tok me të në breg. Kur e hapi, iu mbushën sytë me lot, se pa brenda saj një goxha kërcu të kalbur.
“Sot, qenka një ditë e çuditshme!” – përsëriti. E nderi prap rrjetën të thahej e iu fal Zotit. Dhe kur rrjeta u tha, e hodhi për herë të tretë në ujë. Priti sa ajo u zhyt dhe, kur e tërhoqi në breg, pa se në rrjetë kishin ngecur shishe të thyera dhe gurë me myshk. I gjori peshkatar, duke u qarë për fatin e tij të zi, ngriti sytë drejt qiellit dhe u lut:
“O Allah! Vetëm Ju ma dini hallin tim! Tani do ta hedh rrjetën në ujë për herë të fundit. Me kaq puna ime mbaron. Të bëj rixha, o Allah i pashoq, thuaj detit të më ndihmojë!”
Më pas, kur e tërhoqi rrjetën, nuk mundi ta lëvizte aspak. Mesa kuptoi, brenda saj duhej të ishte diçka e rëndë, ndoshta ndonjë arkë me florinj. E zhyti atë prapë në ujë dhe punoi me ngulm, tund e shkund për një kohë të gjatë, deri sa e nxori zvarrë në breg. Kur e hapi, pa një qyp prej tunxhi të mbyllur me tapë. U gëzua aq shumë sa nisi të fliste si nëpër gjumë: “Këtë qyp do ta shes në pazar e do të marrë shumë para!”
Dhe u mundua ta tërhiqte gjatë bregut, por qypi ishte aq i rëndë, sa nuk mundi as ta lëvizte nga vendi. Atëherë mendoi t’i hiqte tapën, ta pastronte për ta lehtësuar, duke derdhur jashtë sendet, që kishte brenda. Iu desh të përdorte thikën e, më në fund, e shqiti tapën. E mënjanoi qypin pak, duke e rrotulluar, por, për çudi, nga ai nuk doli asgjë. Mbeti gojëhapur e i shqetësuar.
Pas pak, papritur nga qypi u shpërnda përpjetë një tym i zi si re e madhe dhe u ngrit lart e më lart, saqë e errësoi ditën. Për një kohë të gjatë tymi vazhdoi të dilte nga qypi, derisa u mblodh dhe mori trajtën e një xhindi me këmbët në tokë e kokën në re. U duk si kala me gojën si shpellë e me dhëmbët e mëdhenj – çatall.
Ajo pamje e tronditi aq peshkatarin, sa iu tha pështyma në gojë. Pasi e mblodhi pak veten, e pyeti xhindin:
-Më thuaj si u mbylle ti te ky qyp!?
-Gëzohu! – ia ktheu xhindi.
-Po përse!?
-Gëzohu, se së shpejti do të të vras!
-Do të më vrasësh, se të ktheva në botë!?
-Lëri llafet e thuamë një nga dëshirat e tua!
-Si? Një nga dëshirat e mia?
-Po, de! Më trego se si ke qejf të të vras!
-Ky qenka shpërblimi pse të nxora nga qypi?
-Peshkatar, tani hesht dhe dëgjo historinë time! Dikur e zemërova Allahun, prandaj ai më dënoi të jetoja i mbyllur në qypin prej tunxhi dhe kësisoj më hodhën në det. Ç’të bëja? Fillova të endesha nëpër thellësirat e ujërave. Po edhe të mendoja: “Atë që do të më lirojë nga qypi, do ta bëj të pasur!”, por asnjë nuk më liroi. Shkuan kështu njëqind vjet dhe unë vendosa: “Atë që do të më shpëtojë, do ta bëj mbret dhe do t’i plotësoj tri dëshira çdo ditë!” Por, prap asnjë nuk më shpëtoi. Kur ikën edhe njëqind vjet të tjerë, unë mendova: “Atë që do të më lirojë, do ta vras!” Dhe ja, pa kaluar shumë kohë, erdhe ti edhe më lirove. Pra, tani, siç të thashë, tregomë se në ç’mënyrë dëshiron të ta marr jetën!
Peshkatari, kur dëgjoi se ç‘tha xhindi, iu përgjigj:
-Ne të dy i përkasim Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Në fund të fundit, këtë vit, me gjithë hallet e mia, të shpëtova dhe fitove lirinë. Mos më vrit dhe Allahu me shpirtbutësinë e Tij do t’i fal mëkatet e tua. Por, në qoftë se do të më shkatërrosh, dije se Allahu do të të shkatërrojë ty! Xhindi ia ktheu i nxehur:
-Më trego se si të të vras, po të them!
Vetëm tani peshkatari e ndjeu rrezikun më pranë, kujtoi me lot në sy fëmijët, ndaj i foli xhindit përsëri:
-Për hir të Allahut, më lër të kthehem në shtëpi, si shpërblim për lirimin tënd!
-E kam vendosur: Vrasja është shpërblimi për lirimin tim!
Peshkatari u mendua thellë: “Xhindi është qenie jashtëtokësore, ndërsa unë jam njeri, më i zgjuar se ai!”
Dhe i tha xhindit:
-Atëherë, para se të më vrasësh, a mund të të pyes për diçka?
-Pyetëm!
-Më thuaj, të lutem, vërtet ishe në qyp ti?
-Po, vërtet isha i burgosur të rroja brenda qypit!
-Gënjen! – thirri peshkatari – Qypi nuk është aq i madh. Asnjë nga duart e tua nuk merr dot, lëre pastaj të të marrë të tërin!
-Nuk më beson se isha brenda?
-Jo, nuk ma mbush mendjen!

Xhindi
Xhindi

Xhindit i erdhi inat, u shndërrua sakaq në tym, u ngrit lart e u hap mbi det e tokë. Pastaj u mblodh shtëllungë në breg e filloi të hynte në qypin prej tunxhi. Kur tymi i zi u zhduk, u dëgjua zëri i xhindit:
-E, o peshkatar i trashë, a më beson tani!?
Peshkatari nxitoi si era, mbërtheu tapën mirë e mirë dhe thirri:
-Më thuaj, o xhind, ç‘dëshira ke? A të pëlqen të të kthej në det?
Xhindi e kuptoi se peshkatari ia kishte hedhdur. Foli me një zë si ulërimë:
-Mos, mos! Nuk doja të të vrisja me gjithë mend! Ato fjalë ishin vetëm një shaka!
Peshkatarit i shkuan buzët vesh më vesh, teksa nisi të qeshte fort e më fort.
-Ç’thua, mor xhind! Prap kërkon të më mashtrosh!?
-Jo, jo, nuk po të mashtroj! Të lutem, më beso!
-Hajde, lëri ato, se nuk i ha unë! Ku ke besë ti!
Këtë herë zëri i xhindit u dëgjua i mekur:
-Po e hape grykën e qypit, do të të bëj të pasur!
-Ti prapë po më gënjen, ndaj do ta zhys këtë qerrata qyp në fund të detit, merr vesh?
Xhindi bërtiti:
-O peshkatar, të lutem shumë, mos kështu! Liromë, se të jap fjalën që nuk do të të bie më në qafë. Të betohem në emër të Allahut!
Në çastin, kur xhindi u betua, peshkatarit iu mbush mendja. Ia hoqi tapën qypit dhe tymi i zi që doli prej tij filloi të ngrihej prap lart e më lart. Sapo xhindi u shfaq sërish, shkelmoi menjëherë qypin prej tunxhi duke e vërvitur tej në mes të detit. Peshkatarit iu drodh trupi nga frika, u mbush me frymë dhe i foli xhindit:
-Ti m’u zotove të më bëje të pasur dhe, në emër të Allahut, të mos më bije më në qafë. Por, me ç’po shoh, përsëri dashke të tregohesh i pabesë me mua!
Sa dëgjoi këto fjalë, xhindi qeshi e tha:
-Peshkatar, ec pas meje!
Dhe peshkatari e ndoqi pas deri sa hipën te një kodër mbi qytet. Që andej u ngjitën te një mal matanë dhe hynë në një pyll. Në mes të pyllit dukej një liqen i kaltër. Sytë e peshkatarit u shqyen nga habia prej bukurisë përreth, sidomos kur pa i habitur liqenin plot peshq ngjyra – ngjyra.
Xhindi i tha atij të hapte rrjetën në liqen. E ai e hodhi me gjallëri. E la brenda ujit për pak kohë dhe kur e tërhoqi, vuri re se kishte kapur katër peshq, një të bardhë, një të kuq, një blu e një të verdhë
-Tani merri këta peshqit, o peshkatar, – u dëgjua i urtë zëri i xhindit, – çoja mbretit në qytet dhe ai do të të japë aq shumë para, sa ti, nga i varfër, do të bëhesh më i pasuri nga të gjithë. Por, mos peshko këtu më shumë se një herë në ditë!
Pastaj xhindi goditi tokën me këmbë. U hap një gropë e gjerë dhe e thellë, që e gëlltiti menjëherë të tërin.
Peshkatari bëri ashtu siç i tha xhindi. Në çdo ditë të javës nisej për peshkim në liqenin misterioz, hidhte rrjetën vetëm njëherë, kapte katër peshq, një të bardhë, një të kuq, një blu e një të verdhë dhe shkonte e ia shiste mbretit. Qysh atëherë ai, gruaja e fëmijët i kishin gjithë të mirat dhe jetuan të qetë e të lumtur.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.