back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Peshorja e Fateve – nga Adem Istrefi

Gazeta

Adem Istrefi
Adem Istrefi (1942)

Peshorja e Fateve*

nga Adem Istrefi

…Dhe për fjalën e shkruar fati gjithmonë
ndërron masën në peshore
 
Fati i librave në shumëkohësi nuk mund të jetë si fati i shkrimtarëve në njëkohësi. S’mund të ketë lidhni e gjithmonë përndjekje gjer në lidhnyje. Përndryshe, mund të flitnim për të dhe për përkatësinë gjinore mushkë. Por, gjithsesi, më mirë të flasim pse gjithmonë harrohet dhe nuk është fat i mbarë kërkuarja dhe “gjetja” më në fund e shkrimtarit më të madh të një letërsie (domosdo me përmasa gjithëkohore të saj). Se në letërsi, veçanërisht në këtë tonën me aq mangësi studimi e zbrazëti përfshirëse autorësh të të gjitha hapësirave gjuhësore e frymuese shpirtërore, që përbëjnë nyja e lidhni rrjedhash vijimësie të pandërprerë dhe jo rrallë shfaqje madhërie të përmasave të lakmueshme europiane, ky gjykim, sa naiv aq dhe primitiv idhujtar i miteve të vdekura, përbën më tepër se një të keqe, që jo vetëm nguros mendimin e gjykimit për vlerat e mirëfillta letraro-artistike, por madje i kushtëzon ato sipas fryrjes së erërave e sipas parapëlqimeve, raporteve e marrëdhenieve të mira krushqie shkrimtar-shtet. Kjo varësi e këtij gjykimi i madhëron ose i zvoglon tej mase librat e shkrimtarëve. Nga kjo varësi, peshorja e këtij fati të librave në duart e këtyre gjykatësve s’mund të mos jetë parapërcaktuese fatale, që masë e përmasë ka përshtatshmërinë në shtratin e Prokustit. Lidhur me këtë përshtatshmëri shkrimtarët e mirëfilltë, shkrimtarët, pra, që i janë përkushtuar tërësisht vetëm letërsisë, që atë e kanë pasur zonjë e perëndeshë të vetme pa mëtuar e synuar ta ndrrojnë botën përmes saj, pa asnjë shkuarmendje të përfitojnë prej saj në kohëjetesë, të fitojnë lavdi e të shpallen kulte për blatim, në të vërtetë vetëm sherrin ia kanë parë dhe gjithsesi jo vetëm që kanë mbetur të papërshtatshëm, por edhe disi ndesh me rrjedhat e kundërta të ujërave e fryrjet e erërave. Sepse ata sikur kanë qenë të pajisur me një shqisë më tepër e me një vatër trunore të re, të zgjuar dhe prandaj botën e kanë kundruar e vështruar me një sy të tretë kur bota, ndonëse kishte dy sy, i duhet ta mbyllte njerin sy si të tepërt.
Gjithsesi pra, ata s’kanë mundur të vijnë në përshtatshmëri e ujdi as me normat e kodin moral të kohës, as me kuptimësinë e kategorive estetike për të bukurën, sepse kanë përfytyruar përsosmërinë më të skajme, qoftë edhe kur këto praktikisht kanë qenë deri-diku të përsosura. Pra, në njëfarë mënyre, ata kanë rënë ndesh e kanë qenë në kundërvenie me vetë ideologjinë e shtetit, qoftë edhe të atij tepër ideal e me demokraci shumë të përparuar. Prandaj fati i librave të këtyre shkrimtarëve do të mund të peshohet e drejtpeshohet jo me kohëjetesë fizike të vetë shkrimtarëve, po me një kohëlargësi, në një shkëputje të përkohshme shkrimtar-liber, për të marrë frymim e gjallim dhe për bashkim në kohëzgjatje të papërcaktuar…
Dhe mbas këtyre parashtrimeve disi eliptike, edhe pyetja e lëshuar vetvetiu mund të vijë për kësi fare shkrimtarësh në letërsinë tonë bashkëkohëse, për pranine e tyre të pavënë re, apo pritmërinë në ardhmëri. Dhe, ndonëse shfaqja e tyre ka gati 40 vjet që ndjehet dhe është dukur e pranishme, për arsye jashtëletrare, të tepërta për t’u përmendur e radhitur, ata kanë mbetur krejtësisht të hijësuar e në jashtëloje – po të shërbeheshim me një term joletrar. Por kur të shkoqitet shumëçka e në peshore të fateve të matet e zerë vend vetëm rëndesa e mirëfilltë estetike, pa kurrfarë kushtëzimesh të tjera, do të mund të flitet edhe për veprën e atyre shkrimtarëve të mëdhenj bashkëkohës: për veprën krijuese të Martin Camajt, Anton Pashkut e Kasëm Trebeshinës. Që të tre këta shkrimtarë jo vetëm veçanësia e fatit tragjik i përbashkon (ata sikur ngrehin dhe mbajnë të shpalosur si velë lundrimi një pëlhure të shkruar, ku përmblidhet e nyjëzohet fabula e një miti që fsheh mnershëm dridhmat tronditëse të shumësisë së kohëve që vijnë, dhe leximi i mirë tekstor e nëntekstor mundëson parapritën ndaj të këqijave), por rrebesheve që i kanë përcjellë ata vetë letërsia u është gjendur në parapritë e si kapërcyell shpëtimtar. Prandaj edhe ngarkesa e tyre që sjellin, e bartur gjithnjë si gur Sizifi, përmban në vetvete edhe thelbin e farëzimit të shumë urtive jetësore, filozofinë e shumë përvojave të përthithura, rrezatimin kulturor e të holle të paraqitjes së shndritshme. Pra, për ta mund të thuhet se bota e vizatuar prej tyre me ngjyrimet më moderne të shprehjes, nuk është bota imagjinare e përfytyruar vetëm për çlodhje ose ikje nga bota e mundimshme e përjetuar, as një kohë në daljet dhe trallisjet për ta grahur në ecje, e në pamundësi për të zbrazur shfryrje e mallkime, po një kohë e rëndur për udhë e në vijim – udhë të pandalshme, një kohë që për t’u lexuar kërkon gjithsesi një sy të tretë.
.
Anton Pashku (1937-1995)
Anton Pashku (1937-1995)
Leximi me këtë sy s’do të mund të mos na nxirrte nga thellësitë e shpirtit një “Oh” si në romanin e Anton Pashkut me të njëjtin titull. Sepse fati i këtyre tre shkrimtarëve sikur ka një lidhni të fortë me vetë fatin e fisit tonë të shkapërderdhur, të ngujuar e të gjymtuar e shpesh në shëmti i ndotur, në leqe i zënë prej të tjerësh e më shumë edhe prej vetvetes, e megjithatë cung që lëshon rrënjë e mbetet trung për të lëshuar degëza e mbledhur zogj për të kënduar.
Se Martin Camaj dyzet e ca vjet do të duhej të shtegtonte Europës, pa gjetur kurrkund prehje e paqe. Dhe paqe e shpëtim prej klithmave e thirravajeve që e ndjekin do të mund të gjente vetëm kur do të përgjigjej me zë shkrimi ndër libra, me atë zë që shumë plumba zërash gjuan përnjëherësh për të vrarë e për t’i penguar rrungajat që i sillen mbi krye fisit të tij. Në njëfarë mënyre kështu do të bënte edhe Anton Pashku. Fati i tij ish disi i përngjashëm me fatin e Franc Kafkës, veç jo edhe i veprës që do të përkujdesej për botim mbas vdekjes një Maks Brod, po sa i përket mbylljes; edhe ky një nëpunës disi i skajuar dhe në një qoshe të mbytur brenda guackës – shtet, të një shteti të huaj e brutal që sa herë rrapllon Kosovës, aq më mizorisht vogërrohet e mbyllet në atë qoshe. Kjo farë rrudhjeje ndjehet edhe në veprën e tij. Shumë herët e nis e shumë herët e mbaron shkruarjen e tregimeve. Aty nga fundi i viteve ’60 dhe në moshen 29 vjeçare. Që në tregimet e para shfaqet me prirje të theksuara modeme. I gjithë shtrati dhe konceptimi i tyre përvijohet kështu, konsekuent deri në fund i kësaj fryme të të rrëfyerit e paraqitjes shumëpërmasore e shumëkuptimore e veçanërisht nëntekstore. Do të formësohet si shkrimtari modern më i hershëm i letërsisë sonë, ndoshta më kompleksi e më i zorshmi në të zbërthyer, e veçanërisht në romanin “Oh” dhe në drama.
.
Kasem Trebeshina - Dosja 1338
Kasem Trebeshina – Dosja 1338
Por nëse mund të thuhet se vepra e Anton Pashkut është disi më me fat, mbasi botohet e përmbledhur në Prishtinë dhe kritika jo rrallë e ka zënë në gojë dhe është kacafytur me të, sido që në publikun lexues të Shqipërisë së këndejkufirit mbeti e panjohur, për këtë fat nuk mund të thuhet për veprën e Martin Camajt. Ajo vërtet pat dy vëllime poetike të botuara në Prishtinë, por si tërësi u botua në Gjermani dhe mbeti krejtësisht larg syrit të lexuesit shqiptar në përgjithesi. Pra, këtij lexuesi nuk iu bë e njohur vepra poetike (mbasi edhe proza e tij është vijim i poezisë) e njërit prej poetëve më të mëdhenj që fisi ynë ka patur, siç mbeti pa iu bërë e njohur edhe vepra e Kasëm Trebeshinës. S’iu bë e njohur se autori për shumë vite qe i persekutuar, kundërshtari më i rreptë i diktaturës komuniste, intelektuali me guximtar e më i pakompromis ndaj parimeve për lirinë intelektuale e lirinë e shkrimtarit, disidenti i parë dhe më i denji për t’u quajtur kështu. Vete Promemoria e vitit 1953, përbën shkallën më të lartë të këtij guximi qytetar, guximi ballëpërballë, si para togës së pushkatimit, siç përbën analizën e dërrmimit të “realizmit socialist” kaq shkencërisht të arsyetuar e po aq profetikisht të paraparë për asgjësim. Pra, kjo vepër e vëllimshme në poezi, prozë e dramë, përjashtuar ajo e hershmja fillestare, mbetet ende e pabotuar. Dëshmi se kjo vepër paraqet interes jo të zakonshëm, si për lexuesin dhe studiuesin, se në të njejtën kohë mund të shpalosë përmasa hapësinore madhore, janë libri i parë në prozë, botuar në Prishtinë tash së fundi, si dhe novela e cikli poetik në Drita.
Por fati si fati. Fati i fjalës së shkruar kur të matet në peshore, si masë rëndese duhet ta ketë vetëm vlerën e mirëfilltë estetike të saj e jo edhe hijen e autorit. Ndryshe nuk ka barazpeshim, as drejtpeshim. Ndryshe si mund të çlirohemi prej hijeve të kulteve dhe përndjekjes së tyre, se tempulli i letërsisë i paska dyert e mbyllura për të tjerë, kur kaq shumë ka vende bosh e kaq shumë jemi të pasur e fanatikisht, si mbrapshtanë, këmbëngulim që të mbetemi të varfër?!
.
*Botuar ne Gazeten Drita, 8 nëntor 1992

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.