back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Petro Zheji – nga Edison Ypi

Gazeta

Petro Zheji (1929-2015)
Petro Zheji (1929-2015)

Petro Zheji

nga Edison Ypi

Mua letargut, mua gjarpërit të përgjumur në pritje të zgjohesha kur të ngrohej moti, nuk më interesonin të tjerë, më mjaftonin dhe më tepronin Lasgushi dhe Kadareja. Pata lexuar Don Kishoti, Foma Gordejev, Ringjallja, Zoti President, dhe të tjera, por mjeshtrin e përkthimit të këtyre kryeveprave Petro Zhejin nuk e njihja. Kureshtja për ta njohur Petro Zhejin mu ngjall një behar, te shtëpia e Lasgushit në Pogradec. Atje, gjatë një pasditeje të trishtë kur në breg të Liqerit qante Nositi dhe kërciste çizmja e kufitarit, Kadare, me ton konfidencial tipik të muhabeteve të zararshme, u sugjeroi të pranishmëve të lexonin “Zoti President” nga Migel Asturia përkthyer nga Petro Zheji. E lexova me një frymë romanin e hatashëm latinamerikan me rezonim shqiptar. Për ta njohur Petron nga afër prita ndonjë rast. Rasti erdhi. Punoja në një ndërmarrje afër Kino Studios. Atje rrotull në një barrake-kafene, u njoha me Adhurim Lako, Ndoc Papleka, Jamarbër Marko, dhe të tjerë me të cilët flisnim e bërtisnim për Letërsinë, Poezinë, filmat. Lako çmendej pas vargjeve “Do të buças në krisma jete/ prej buçim-heshturit durim” që ja klithja me zë të ulët rrëzë veshit dhe më lutej t’ja përsërisja pafund. Duke më dëgjuar që ulurija Lasgushin dhe citoja Kadarenë, një piktor i kinostudios që ndodhej atje, më tha; Duhet të njohësh Petro Zhejin. Mori në dysheme një paketë cigaresh bosh, e shqeu, mbi të bëri një skicë me laps. Vajta te Petro sipas udhëzimeve të skicës në katin e pestë të një parafabrikati në Allias. Më priti me dashamirësi. Nuk më pyeti kush ma dha adresën tij e qysh e tek. U mahnita nga jeta e heremitit që bënte. Në kuzhinë kishte një shtrat dhe ca rraqe. Çdo herë që e vizitova, ndoqi të njëjtin ritual. Çajin tim, pastaj kafen e vet, i zjeu në një xhezve të vjetër mbi një plitkë të rrezikëshme me telat e korentit zbuluar. Në dhomë kishte një dërrasë të zezë si të shkollave, dhe asgjë tjetër. Para dërrasës, me shkumës në dorë, bënte skicat përkatëse për spjegimet që jepte. Petro kishte energji dhe shkathtësi cerebrale demoniake. Për gjithçka që ta pyesje përgjigjej bindshëm përmes një elaborimi të thellë filozofik, teologjik, linguistik, historik, matematik. Petro fliste për zero-n, brenda së cilës ndryhej asgjëja dhe gjithçkaja, për origjinën e gjuhëve, historinë e qytetërimit, historinë e kohës, fillimin dhe fundin e botës, ekzistencën, ëndërrat, cakun e dijeve, pas të cilit cak shkencëtarët hiqen mënjanë për tua lenë fjalën teologëve etj. etj. Prej Petros dëgjova për “Gjeomtrinë fractale”, kodet zhvillimore të paracaktuara nga Krijuesi, të cilën gjeometri e aplikojnë matematicinët-filozofë për të studiuar zhvillimin të botës dhe të jetës duke udhëtuar mbrapsht nga e sofistikuara e tashmw tek e thjeshta e mëparshme. Petro thoshte se në gjuhën hindiane historia e botës shprehet në një fjalë të vetme onomatopeike me tre tinguj, “Aum”. A, fillimi shpërthyes. U, vazhdimi i rrëmujshëm. M, fundi i shurdhët. Hera-herës Petro më lemeriste duke shqiptuar përmendësh kapituj të tërë nga romane që i kishte përkthyer prej vitesh. Fliste për karakterin relativ të njëkohshëmisë së ngjarjeve, fundin e të gjitha fundeve ose “horizontin e eventeve”, tkurrjen e Universit, supernovat, kolapsin e materies, sidomos për rolin e transhendencës. Tregonte episode groteske me të vdek së qeshuri nga shtëpia botuese ku kishte përkthyer me normë. Bisedat me Petron më kënaqnin pafund. Çudia ishte se, me përjashtim të dy herëve, një herë kur te Petro gjeta Artur Zhejin që nuk tha asnjë fjalë, por vazhdoi gjithë kohën të pikturonte në një letër kurmin e një femre, dhe tjetrën herë kur te Petro shoqërova Dan Klosin, të pesë apo gjashtë herët e tjera, sapo hyja unë, një tjetër dilte, sapo dilja unë, një tjetër hynte. Kjo lloj rrokade më zbaviste dhe më kallte tmerrin njëkohësisht. Unë dhe miqtë e mi ishullarë me të cilët na lidhnin internimet, burgjet, varjet, pushkatimet, hynim e dilnim në shtëpitë e njëritjetrit për të klithur kundër kurvit spontanisht, pa teklif, pa rend, pa kode, pa rrokada. Te shtëpia e Petros lëvizjet ishin të programuara. Nisa të dyshoj se rrokada te dera ishte këmbimi që Petro më bënte mua letargut me një spiun. Mu forcua kjo bindje më vonë kur u muar vesh cilët ishin frekuentuesit e tij. Shtëpia e Petros nuk kishte pra lidhje vetëm me gjeometrinë fractale, Obllomovin, Don Kishotin, kolapsin e materies, por edhe me Sigurimin. Megjithatë, përtej këtyre supozimeve, që supozime ishin dhe të tillë mbetën, Petron vazhdova ta adhuroj, madje më tepër se më parë.
.
Petro Zheji (1929-2015)
Petro Zheji (1929-2015)
I thashë një ditë; I beson ti këta që thonë “Jam nxënës i Petros” në stilin “Jam nxënës i Aristotelit”? Janë hajvanë, tha me përbuzje.
Një herë tjetër më kërkoi ta qartësoja për një inxhinier të përndjekur që, siç i kishin thënë, kishte bërë një shpikje që do revolucionarizonte motorristikën planetare. E njihja atë inxhinier, dhe “shpikjen” e tij. I thashë se inginieri në fjalë është një njeri tmerrësisht i vuajtur nëpër internime dhe burgje, që për të mos e mbajtur gjithë kohën në burg, hiqet si shpikës dhe beson deliret e veta. Petro për mitomanët e mi të shumëvuajtur gjysëm të çmendur, unë për sigurimsat aristotelianë të Petros, ja plasëm gazit të dy.
Iku në Itali pak para shembjes së regjimit. Mori me vete një numur audio-kasetash ku kishte regjistruar me italishten e tij absolutisht mahnitëse ligjërime teologjike-linguistike-filozofike. M’i pat’ vënë t’i dëgjoj ato kaseta. Janë përçartje. Ndonjë spiun mund ta mohojë. S’ka problem. Unë letargu jam më i besueshëm dhe më i fuqishëm se krejt ndyrësirat e botës.
Audiokasetat i çoi në Vatikan ku ja dëgjuan kardinalët, ndoshta vetë Papa. Buja e shumëpritur prej “nxënësve aristotelianë” nuk ndodhi. Pastaj iku në Amerikë, ku edhe atje nuk pati sukses. Më kanë tmerruar endjet e tij rraskapitëse në kërkim të asgjësë.
Petro erdhi në Shqipëri. Por Petros nuk j’u ndje zëri. Petros i mungon një spjegim sado i shkurtër për arsyen e heshtjes. Është rraskapitës fakti se kur shumicës goja ju hap, Petros ju mbyll. Ndoshta për të qënë pak më i lirë në vendin ku proletarët të nxirrnin sytë, pranoi të mbante afër një tufë mediokrish që Sigurimi ti kontrollonte lehtësisht. Kjo nuk e prek Petron. Madje po të kesh parasysh se askush pranë Petros nuk përfundoi në burg, kjo ja shton lavdinë. Sigurimi që zaptoi Zërin e Amerikës me dhjetra vite, dhe sot e kësaj dite po e mban në zap, e pamumdur të mos gllabëronte një llokëm aq të shijshme. Ndonse të tërthorta, për këtë kam prova. Pak pas demonstratës së heshtur, një skuth që punonte në spitalin psikiatrik dhe hynte e dilte tek Petroja (kombinim interesant ky me skuth, Petro, spital psikiatrik) më tha një ditë; “A formojmë një parti?” Nuk ju përgjigja. Pas pak skuthi u zhduk.
Një tjetër frekuentues i Petros, një libohovit krushqi e largët me mua, duke i cilësuar të dy “Korifej”, më foli disa herë për miqësinë e Petro Zhejit me Namik Hotin. Namik Hoti e thoshte vetë që ishte i Sigurimit. Libohoviti më thoshte se Petro dhe Hoti bënin diskure të larta dhe të ashpra, duele intelektuale, si dhe vej e vinin më këmbë në Elbasan për Yoga. Të vërteta ose trillime, këto lidhje të Petros, ishin njëlloj të pakëndëshme dhe dëshpëruese. Edhe libohoviti pas pak s’u bë më i gjallë.
Prandaj duhen hapur urgjent dosjet. Për të qartësuar edhe dilema të tilla. Që shqiptarët të mësojnë se Sigurimi nuk ishte vetëm ai që burgoste fshatarët e pabindur sikur gjoja i kishin vënë zjarrin mullarëve apo kishin helmuar ujësjellësin, por edhe ky me Don Kishot, Obllomov, Gjeometri fraktale.
Çfarë po thonë se Petro ka zbuluar që Gjuha Shqipe është Gjuha e Gjuhëve, dhe të tjera marrina, janë hajvanllëqe.
Petro Zheji nuk ishte filozof, matematicien, gjuhëtar. Petro Zheji ishte një përkthyes gjenial, një i çartun bukur, një mendimtar rrebel, antikonformist i vendosur, vizionar që diti ta ruaj nderin e vet duke u larguar nga skena një çast para katastrofës, kur çfaqja mbaroi, perdja ra, dritat u ndezën, plateja u ndriçua.
.
Marre nga Muri i Fb i Edison Ypit, 30 gusht 2020
 .
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.