back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Petro Zheji, ose kur flasin të mëdhenjtë… nga Shpëtim Kelmendi

Gazeta

Shpëtim Kelmendi
Shpëtim Kelmendi

Petro Zheji, ose kur flasin të mëdhenjtë…

nga Shpëtim Kelmendi

Shënime rreth veprës studimore

të Petro Zhejit, “Shqipja dhe Sanskritishtja”

Petro Zheji - “Shqipja dhe Sanskritishtja”
Petro Zheji – “Shqipja dhe Sanskritishtja”

Fatmirësisht, në historinë e trazuar të këtij vendi, ka patur e vijon të ketë individë të shquar, prania e të cilëve na ka ndihmuar e na ndihmon të ndjehemi dikushi si komb. Janë individë me zemër të madhe e mendje të gjerë, të cilët kanë ditur e dinë t’ia kushtojnë jetën kombit të tyre. Është fjala hiç më pak, po për individë prania e të cilëve na e nxitin në mënyrë të vetvetishme ndjenjën e krenarisë e të vetëdijes kombëtare. Një nga këta individë është z. Petro Zheji. Për mendimin tim e, me sa kam arritur të di, edhe për mendimin e atyre pak njerëzve përnjëmend të kulturuar, z. Petro Zheji vezullon si një nga figurat më të shkëlqyera që ka nxjerrë ndonjëherë kultura shqiptare: një iluminist i madh, një rilindas i njëmendtë i epokës moderne shqiptare, një demiurg i përmasave europiane e botërore, një mendje universale e gjithëpërfshirëse, që nuk është se gjendet lehtë në kohët tona.
Personalisht, e them me plot gojën se: mendja e këtij individi ka përmasa gjeniale dhe nuk përfshihet në asnjë nga sistemet aktuale të krahasimit dhe të vlerësimit, që ekzistojnë ndër mjediset kulturore shqiptare. Pra, Zheji është jashtë gare, ose përmbi garën. Shumica e njerëzve e njohin si përkthyes, sidomos si përkthyes të “Don Kishotit” të Servantesit.
Punë e jashtëzakonshme: është e lehtë të konstatohet që e ka kapërcyer plotësisht nga ana artistikisht pjesën e parë të përkthyer nga Fan Noli. Askush nuk mund të më kundërshtojë për këtë. Për më tepër, mendoj se z. Zheji do të qe në gjendje t’i rimerrte veprat e përkthyera nga Noli, duke ia dalë mbanë t’i realizojë më mirë. E jo vetëm veprat e përkthyera nga Noli. E jo vetëm sa i takon përkthimit. Sepse dihet: aty ku shfaqet z. Zheji, mitet e idhujt rrëzohen në mënyrë krejt të natyrshme.

Petro Zheji 1929
Petro Zheji 1929

Po të lexojmë veprën e tij madhore “Shqipja dhe Sanskritishtja”, vërejmë se epërsia dhe veçanësia e zotit Zheji janë të padiskutueshme, por me këtë që po themi mund të bien dakord vetëm individët përnjëmend të kulturuar, të vetmit që mendojnë shqip, të vetmit që e kapërcejnë egoizmin e sëmurë dhe janë në gjendje të entusiazmon çiltërsisht për arritjet e të tjerëve. Sa për mendjengushtët, cinikët, cmirëzinjtë, mediokrit, për ata që thjesht janë të llangosur me pakëz kulturë, nuk ia vlen të merren fare në konsideratë.
Jam i bindur se zoti Zheji, duke patur parasysh faktin se përmasat kulturore dhe dija e gjithanshme ia kanë zgjeruar pa masë horizontin shpirtëror, ndjen për ta keqardhje dhe dhimbsuri të sinqertë. Por epërsia e zotit Zheji ndaj studiuesve të tjerë të gjuhës shqipe, vijon të mbetet në këmbë, do apo s’do ai vetë, në mënyrë të vetvetishme e jo si qëllim më vete; si rrjedhojë e një përkushtimi thjesht e vetëm profesional dhe shkencor, e jo si pikësynim; si rezultat i paqes e jo i luftës. Dikush mund të këmbëngulë se epërsia e tij qëndron në faktin se ai njeh shumë gjuhë të huaja. E vërtetë: një njeri që lexon, fjala vjen në dhjetë gjuhë të huaja, i ngjan një deti që ushqehet nga dhjetë lumenj. Nëse lumenjtë mungojnë, deti shndërrohet në një moçal. Si rrjedhojë, gjeografia jonë studimore është përplot me moçale. Kemi jo pak frymorë që vetëquhen historiografë, gjuhëtarë, etnologë, etj, të cilët dinë vetëm një gjuhë të huaj, edhe atë sa për të komunikuar me policin e doganës. Ose hiç! Dhe, për turp, këta individë kanë goxha zë në kapitullin e shkencës sonë akademike. Normalisht, të paaftë dhe frikamanë e sidomos të paditur siç janë, këta shkenctarët e sotëm të gjuhës shkojnë mbas qerres së indoeuropianistëve dhe albanologëve të huaj, të cilët kanë bërë dikur zbulimin e madh se shqipja na rridhka nga latinishtja!
Pse? Sepse këta gjuhëtarët tanë, duke mos njohur latinishten, greqishten e vjetër, sanskritishten, etj, nuk mund të kenë kurrfarë njohjeje as për limfën pellazge që rrjedh në pemën e gjuhëve indo-europiane, pemë tek e cila besojnë thjesht pse besojnë gjuhëtarët e huaj; dashtë Zoti, e inshallah e njohin mirë shqipen.

Gjergj dhe Petro Zheji
Gjergj dhe Petro Zheji

Një leksion i vogël:
të njohësh gjuhën shqipe nuk do të thotë të njohësh thjesht standardin zyrtar, por të njohësh gegnishten dhe të gjithë mozaikun e larmishëm të nëndialekteve të veriut e të jugut, të cilët përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme. I njohin? I flasin?
Nuk e besoj. E, normalisht, si mundet të kuptosh se ç’është shqipja, si mund ta pranosh idenë se shqipja është e stërlashtë, nëse korpusin e saj leksikor nuk je në gjendje ta krahasosh me korpusin leksikor të dhjetë gjuhëve të tjera, ose së paku të atyre gjuhëve që na u konsiderokan si mëma, halla apo teze të shqipes, si për shembull latinishtja, greqishtja e vjetër e sanskritishtja?
Kush tha që injoranca nuk është argument?
Është që ç’ke me të, sepse prodhon “realitet” me bollëk! Në Shqipëri ka prova të pakundërshtueshme e të mjaftueshme që injoranca është argument i paepur; tekefundit, kjo është arsyeja pse gjërat shkojnë kaq mirë…
Në mënyrë të tërthortë, përmes cilësisë së veprës së tij, Petro Zheji na porosit që të bëjmë kujdes për të mos i ngatërruar shkenctarët me rrogtarët. Me këtë rast, e gjej të udhës që, disa pseudoshkenctarë, t’i konsideroj stratiotë apo spahinj të shkencës së gjuhësisë. Punojnë pse paguhen. Po të mos paguhen nuk punojnë. Pse, kjo është shkenca? Ky është shkenctari?!
Petro Zheji nuk është vetëm poliglot. Mes tjerash, ai zotëron edhe dy cilësi madhore: këndvështrimin e mahnitshëm origjinal, metafizik e zanafillor, si dhe guximin për të thënë një të vërtetë që, shkenca jonë zyrtare, e ideologjizuar, e politizuar dhe e inferiorizuar siç është, nuk ka këllqe ta bëjë.

Sanskritishtja si nënbashkësi e shqipes
Homeri i quan paraardhësit tanë pellazgë hyjnorë, ndërsa të folmen e tyre e quan gjuhë të perëndive. Pra, Homeri u ka kënduar madhërishëm popullit e gjuhës sonë të lashtë, duke i himnizuar e lartësuar sa s’ka më. Sa i takon cilësimit të parë, ka shumë hamendje, por të gjitha hamendjet, pak a shumë, duan apo s’duan një pjesë e studiuesve shqiptarë e të huaj, qendërzohen në një: Pellazgët njihen si një ndër popujt më të lashtë, origjina e të cilit humbet shumë e shumë përtej historisë. Pra, cilësimi i parë, në një mënyrë apo një tjetër, dihet. Por, kur është fjala për cilësimin e dytë, askush nuk ka ditur e as di të na sqarojë në mënyrë bindëse se, përse Homeri e ka lartësuar kështu gjuhën e pellazgëve, pra gjuhën e paraardhësve tanë të lavdishëm. Përse gjuha e pellazgëve hyjnorë ishte gjuhë e perëndive? Sigurisht, jo thjesht pse nëpërmjet kësaj gjuhe u kënduan Iliada e Odisea; jo thjesht pse përmes saj u krijua teogonia e parë në botën antike të njohur; jo thjesht se nga pellazgjishtja u krijua Kroni, Zeusi, Poseidoni, Hermesi, Rea, Demetra, etj; jo thjesht se më pas pas kjo gjuhë polli greqishten e vjetër dhe latinishten, por sepse qëndron në themel të të gjitha gjuhëve të tjera, sepse është matricë e tyre, sepse është kazani më i vjetër në të cilën janë gatuar të gjitha gjuhët e tjera.
Gjithsesi, është një njeri që na sqaron më së miri se pse pellazgjishtja është hyjnore, dhe është gjithashtu një libër që na bind në lidhje me këtë. Dihet: ky njeri është Petro Zheji. Dihet: vepra është “Shqipja dhe Sanskritishtja”.
Që në fillim të librit, Zheji thotë diçka që mendoj se duhet mësuar përmendësh nga gjuhëtarët tanë:
“Përsa i përket shqipes, megjithë meritat që kanë librat e studiuesve të huaj dhe shërbimet që i kanë sjellë disa prej tyre çështjes shqiptare, e sidomos në periudhën e Rilindjes sonë, duhet pohuar se ato lënë shumë për të dëshiruar. Përgjithësisht, duke lexuar këto studime, bindesh përherë e më tepër se për shqipen mund të flasin me siguri të plotë vetëm shqiptarët”.
Diku tjetër, duke trajtuar gabimet dhe keqkuptimet e G. Majerit, i cili e nxjerr shqipen borxhleshë dhe huamarrëse të gjuhëve të tjera, Zheji, mbasi shprehet “shqipja shquhet si huadhënëse e jo si huamarrëse”, citon dhe shprehjen e thukët që Çabej ka thënë në lidhje me gjuhëtarin gjerman: “Në këtë mënyrë, ky dijetar s’pati mundësi ta rrokte gjuhën shqipe prej trungu, por e rroku prej degësh”.
Në “Shqipja dhe Sanskritishtja”, sa i takon tezës së lashtësisë zanafillore të gjuhës shqipe, Zheji e shpërfaq veten vazhdues të denjë të dijetarëve të Rilindjes shqiptare, si: Jeronim de Rada, Sami Frashëri, F. Bilotta, V. Pasha, Naim Frashëri, K. Kristoforidhit, etj. Duke u bazuar në dijet e tyre, por ndonjëherë edhe në mënyrë profetike, rilindasit pohuan njëzëshëm që gjuha shqipe është shumë e lashtë dhe mëmë e greqishtes dhe e latinishtes. Përgjithësisht pohuan, por nuk argumentuan. Ai që argumenton në mënyrë thellësisht shkencore është Petro Zheji. Ai beson plotësisht në pikëpamjen e rilindasve, dhe i përvishet punës, duke arritur t’i vërtetojë, ashtu siç Shlimani besoi fjalët e Homerit dhe arriti të zbulonte Trojën. Sigurisht, krahasimi çalon shumë sa i takon kriterit të profesionalizmit, sepse Zheji është një gjuhëtar klasi, ndërsa Shlimani një arkeolog diletant. Gjithsesi, kemi të bëjmë me dy zbulime të mëdha, të cilat mbështeteshin në dy dëshmi fjalësh, të pandehura si hipotetike.
Për gati një shekull të tërë, studiuesit e mëvonshëm vijuan të mendonin se këndvështrimi i rilindasve tanë në lidhje me lashtësinë e gjuhës shqipe, i kishte bazat në nevojën urgjente për të rimëkëmbur vetëdijen dhe krenarinë kombëtare tek shqiptarët, pra në sajimin e një iluzioni që do ndihmonte në çlirimin shpirtëror dhe kombëtar. Por nuk është kështu. Iluzioni ka të bëjë me studiuesit e mëvonshëm, ndërsa rilindasit thonin të vërtetën e vetëm të vërtetën. Petro Zheji na bind për këtë, në nivelin më të epërm shkencor, duke shtuar se shqipja nuk brendashkruan veç greqishten e latinishten dhe gjuhët që derivojnë prej tyre, por gjer dhe sanskritishten, gjuhën e indianëve të lashtë, gjuhë që konsiderohet më e vjetra. Ai merr njëqint fjalë sanskritishte dhe u vë përballë njëqint fjalë shqipe.
Për mungesë hapësire, po paraqesim vetëm disa prej tyre:

Sanskritishtja
Sanskritishtja

Sanskritisht – Shqip
varga        –    varg
vatsa        –    viç
vatsa        –    vit, vjet
bhara        –    barra
antara    –    antar
ulka        –    yllka
krimi        –    krimbi
arya        –    ari
lipsu        –    lypës
lap        –    llap
vrana        –    e vrame, vrânë
koça        –    koqe
tris        –    trish
cud        –    cyt
tata        –    tata

Ngjashmëria është e pabesueshme. Ma merr mendja se, në këtë rast, studiuesit “seriozë” nënqeshin e zgërdhihen, duke thënë se ngjashmëria është normale, duke qenë se është fjala për dy gjuhë indoeuropiane. Nënqeshin e zgërdhihen… Por Petro Zheji ua ngrin nënqeshjen e zgërdhimjen në buzë, kur shpjegon se rrënjët e fjalëve rezultojnë shqipe, se rrënjët e fjalëve kanë kuptim vetëm në gjuhën shqipe, se vetëm shqipja është në gjendje t’i ndajë në struktura elementare semantike e t’u japë domethënie! Sidomos kur është fjala për fjalët e përbëra sanskritishte, të cilat kanë vlerë kuptimore ashtu siç janë, teksa të zbërthyera në elementë më të thjeshtë nuk thonë asgjë në këtë gjuhë. Ai na bind se fjalët rrënjëse të shqipes ndërfuten në gjuhët e tjera duke formuar fjalë, të cilave gabimisht e qëllimisht u mohohet çertifikata shqiptare. Në procesin e tij të krahasimit me shqipen, Zheji përfshin për ilustrim edhe gjuhë të tjera si latinishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, etj., dhe këtë e bën e bën me liri e aftësi mbresëlënëse.
Zheji merr në shqyrtim disa fjalë kyçe, të cilat i gjen të pranishme në shumë gjuhë të tjera. Përshembull, kemi operatorin da, dmth daj, me da, me nda, i cili është i barazvlefshëm si në shqip ashtu dhe në sanskritisht.
Ky operator që në shqip bën damun, në frëngjisht krijon donner, në gjermanisht. Po nga ky operator i lirë krijohen në frëngjisht fjalët damner = dënoj, mallkoj; condamner, dommage = në shqip, dam, në latinisht damnus, në italisht danno, fjalë që në të gjitha rastet lidhen me idenë e ndarjes. Në gjermanisht verdammt = i damë, demon, i dënuar, i mallkuar, që në shqip reduktohet kësisoj:
verdammt = verdammen = ver + dammen = bër + damun.
Në vijim të kësaj logjike, rezulton se edhe fjala demonos = demon, djall përmban idenë e ndarjes, ndarjes nga e tëra, nga Zoti. Demon = Damun (i damun, i damë, i ndamë). Operatori da, është i lirë vetëm tek shqipja.
Gjuhët më të lashta të njerëzimit janë monosilabike, kjo dihet, por z. Zheji, ndryshe nga ç’mendojnë shumë gjuhëtarë shqiptarë e të huaj, na thotë se “shqipja është një sistem i tillë gjuhësor, ku edhe një silabë e vetme mund të merret si njësi semantike (sememë), domethënë është një sistem i tillë gjuhësor në të cilin ekzistojnë dimensionet më të shkurtëra të sememave”.
Kjo që shpall z. Zheji, i jep fund çdo ideje sipas së cilës krijimi i monosilabave është një fenomen i rastësishëm. Duke marrë në shqyrtim bashkëtingëlloret “p” dhe “d”, kemi:

p + a = pa (me pa)
p + i = pi (me pi)
p + o = po (me pohue)

dhe:

d + a = da (me da)
d + o = do (me dashtë)
d + i = di (me ditë)
d + y = dy (dy, numër)

Nisur nga kjo, buthton edhe më tepër ideja e z. Zheji, që: “sistemi i gjuhës shqipe e përfshin atë të gjuhës sanskritishte, e pra, rrjedhimisht, është më i lashtë nga ai”.
Z. Petro Zheji na bind në mënyrë të padiskutueshme se fjalët e parme shqipe, rrënjëse, kuptohet gjithmonë njërrokëshe, siç janë da (ndá) gur, ar, yll, e mjaft të tjera si këto, janë fjalë jo vetëm zanafillore të ligjërimit njerëzor, të cilat patën shtrirje dhe ndikim në formimin e shumë e shumë fjalëve të tjera në gjuhët e krijuara më vonë, janë fjalë me karakter të qartë mistik e hyjnor. Le të marrim vetëm shembullin e fjalës gur, e cila në shqip, përveç nocioneve të njohur, ka edhe shumë kuptime të tjera, figurative dhe mistike. Operatorin “gur” e gjejmë në një mizëri fjalësh të gjuhëve të tjera. Përdorimi i këtij operatori të lirë në shqip, në gjuhët e tjera rezulton krejt mekanik. Kjo pasi çelësi i njëmendtë i kuptimeve të tij është vetëm në gjuhën shqipe. Nga fjala e parme “gur” krijohen fjalët prejardhura e të përbëra: guru, giri (guru, sanskr), gravis, gravidus (i rëndë, lat), e vijojnë me radhë: gorà, grud, granica, grus, gruft, greis, gram, Graal, grab, grave, gravel, grief, grembo, gero, geras, giurare, guarire, gar, gor, gorm, gärive, gurestan, gärdäne, guranz, gordojh, etj, etj, një plim i vërtetë fjalësh të huaja që kanë si rrënjë fjalën shqipe, gur. E njejta gjë ndodh edhe me fjalët ar, yll, etj. Fjalët e prejardhura nga këta operatorë, të lirë vetëm në shqip, Zheji i zbërthen në mënyrë të mahnitshme. Nën dritën e vështrimit tejet shkencor të Zhejit, na zbulohet vlera sakrale e kuptimeve fillimore të këtyre fjalëve monosilabike, duke dalë në pah edhe arsyeja se pse Homeri e quante “gjuhë të perëndive”. Kësisoj, Zheji na shpërfaq mrekullinë e njëmendtë të rolit parak të shqipes, duke ia rikthyer asaj dinjitetin e një gjuhe mëmë, të nëpërkëmbur deri më sot nga shumë studiues diletantë, apo mosnjohës të gjuhës shqipe.

Petro Zheji e Thanas Jorgji
Petro Zheji e Thanas Jorgji

Heshtja e bukur e të mëdhenjve
Në rrethin e ngushtë të miqve të mi, z. Petro Zheji është një mit, shembulli i asaj që duhet të jemi: një punëtor i heshtur i fjalës, një idealist i madh që qëndron përtej çdo tollovie mediatike, një demiurg, një dijetar i madh që e koncepton dijen si një dhuratë të Zotit, si paqe të thellë shpirtërore e jo si luftë për të dalë mbi të tjerët. Ai nuk përpiqet të dalë mbi të tjerët, por në mënyrë të thjeshtë, të pavërejtshme e sidomos të vetvetishme, ai qëndron në një majë ku askush që i përket kësaj epoke nuk mbërrin. Është përnjëmend rast i rrallë: çdo punë që bëri dhe bën, rezultoi dhe rezulton e shkëlqyer. Nuk kemi asnjë figurë të kulturës, që krahas gjërave të mrekullueshme, të mos ketë bërë edhe gjëra që duhen harruar. Por mund të thuhet me plot gojën: Petro Zheji bën përjashtim.
Por, mjerisht, ai që del nga rreshti, ai që refuzon të jetë ushtar, ai që bën diferencën me të tjerët, ai që bën përjashtim, përfundon të jetë i përjashtuar! I përjashtuar nga përkujdesja dhe vëmendja. Por z. Petro Zheji është njeri i urtë. E të urtët nuk kanë nevojë për përkujdesje dhe vëmendje, sepse përkujdesjen dhe vëmendjen ata nuk i kërkojnë por i blatojnë: i blatojnë për kulturën, për gjuhën, për dijen dhe për rritjen shpirtërore e morale të kombit të tyre. Këta individë nuk janë pasuri, por pasuria e një vendi. Këta individë nuk kanë nevojë për ne, por sa turp që ne nuk kemi nevojë për ta!
Zotërinë tonë të madh, Petro Zhejin, nuk e njoh. Nuk kam folur kurrë me të, nuk e kam takuar kurrë, e madje nuk e kam parë kurrë as si fizionomi. Me gjasë, mund të kem kaluar ndonjëherë pranë tij, dhe më vjen keq nëse nuk e kam ditur që pranë meje po kalon një njeri i madh. E me gjasë, në ato çaste kam qenë duke menduar se njerëzit tanë të mëdhenj janë kaq të pakët, por megjithatë nuk dimë t’i çmojmë. Ata janë të mëdhenj pavarësisht nëse ne arrijmë t’i vëmë re apo jo. Por, nëse përnjëmend duam t’i njohim ata, jemi ne ata që duhet të rriten. Dhe, atëherë, dashuria dhe respekti që do të kishim për njerëz të mëdhenj si Petro Zheji, do të shfaqej si mënyra më e mirë e dashurisë për veten.
Marrë nga Dielli 29 gusht 2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.