back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Piktori i Paharrueshëm Ferdinand Paci* nga Fritz Radovani

Gazeta

 Ferdinand Paci (1940-1975)
Ferdinand Paci (1940-1975)

Piktori i Paharrueshëm Ferdinand Paci*

nga Fritz Radovani

75 vjetori i lindjes së piktorit

Ishte “streha e mëkatnorëve” ase Shkolla Pedagogjike e Shkodrës, ku na jepej e vetmja mundësi me vazhdue shkollën e mesme, atëherë… rreth vitit 1952-53, që na njohu… dhe prej asaj kohë fëminije mbetëm miq të përjetshëm. Mbrenda ndërtesës së Gjimnazit të Shtetit “29 Nandori”, ishim edhe ne… të konsideruemit të “deklasuar”…
Edhe Ferdinand Paci, asht le në vitin 1940, me 30 Maji… Ishim moshatarë. Ferdinandi ishte djali i argjentarit Nush Paci, një familje fisnike shkodrane që trashigoi traditat ma të mira të qytetit lashtë, edhe pse “lufta e klasave” përditë vetëm shkatrronte të mirën dhe të bukrën e ruejtun me mundim e djersë nga qytetarët e Shkodrës. Nana e Tij, Luçia edhe Ajo, vinte nga një oxhak tjetër i njohun Rasha, me Burra të nderuem…
Nji Prind i gjetun në oborrin e asaj shkolle ase fidanishte mësuesish, me Emnin e Tij të Madh në artin e Popullit Shqiptar, Profesor Simon Rrota, na lidhi përjetsisht me shokun e paharrueshëm, të dashtun, të thjeshtë dhe mbi të gjitha besnik i paster dhe trim, me piktorin e ardhshëm Ferdinand Paci. Ishte salla e vizatimit ku Prof. Simoni, punonte me një përkushtim të madh për edukimin tonë, na limonte karakterin tue na pastrue nga të gjitha papastërtitë e “shkollës së re komuniste”, dhe tue farkëtue në mes nesh virtytet e nalta të qytetarisë shkodrane, që ishin piksynim zhdukje nga antiveriorët marksistë.
Në kjoftë se atëherë ne kemi kuptue fjalët Atdhedashuni, Besë e Bujari, ishte nji “lapsë dhe penel” i Prof. Rrotës që na zbukuroi Shpirtin përjetë të jetës!
Vazhduem me shkue në rrethin e pikturës së Shtëpisë së Kulturës, ku me kujdes punonte piktori Vladimir Jani, edhe Ky një ish nxanës i Prof. Simonit, që kishte vazhdue studimet në Itali dhe ishte ndër figurat e njohuna të artit në Shkodër. E gjithë kjo punë e Këtyne Burrave, që bahej pa asnji interes dhe me nji qëllim të vetëm: “Formimi ynë si piktorë, për me evitue rrugët e largëta malore e me rreziqe ndër skajet e humbuna të Shqipnisë”, formoi në mbrendsinë tonë një karakter ku nuk kishte ma të voglën shkëndi egoizmi. Personifikimi i këtyne perpjekjeve të kultivueme në Shkodranin artist dhe mësues, ka mbetë edhe sot në kujtesë per të gjithë ata që e kanë njoftë Piktorin Ferdinand Paci.

Ferdinand Paci - Peisazh
Ferdinand Paci – Peisazh

Mbasi përfundueme shkollën Pedagogjike, Ferdinandi punoi piktor pak vite në repartin e pikturës së ndërmarrjes komunale, prej ku, ma në fund mbrrijti me vazhdue Institutin e naltë në Tiranë për pikturë, sigurisht, i vlersuem me maksimalen e notave sepse, edhe atje “nota maksimale” u fitue prej Tij me sjelljen dhe edukatën qytetare. Njiheri u ba edhe pjesmarrës i ekspozitave kombtare, vetëm me aftësitë e veta artistike.
Ferdinandi erdhi në Shkodër në vitin 1966, pikrisht në pragun e “Revolucionit kultural” dhe pa fillue mirë punën si mësues vizatimi, u “këshillue” nga “shokët e Lidhjes” se, “nuk kishte veprue mirë kur me rasën e hapjes së ekspozitës sime personale, në Klubin ‘Vllaznia” në dhjetë vjetorin e maturës, Ferdinandi mbajti fjalën e hapjes… Kjo, nuk i përkiste Atij, se Ai nuk duhej të më vlersonte punën time si i deklasuar…!” Ferdinandi jo vetëm, më vuni në dijeni, po edhe më këshilloi tue më tregue rrezikun që po përgatitej nga dashakëqijtë e Lidhjes së Artistëve të Shkodrës, kryesisht nga Franc Ashiku me Foto Stamo, të Lidhjes së Artistave të Tiranës, në bashkpunim të ngushtë me sekretarin e ardhshëm të partisë së Rrethit të Shkodrës: Xhemal Dini.
U rrokullisën shumë ngjarje në atë “Revolucion” të mënershëm…
Me 3 Shtator 1975, në Shkoder u hap lajmi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në malet e Thethit të Dukagjinit, dhe pikrisht atje, humbi jetën edhe Ferdinandi…
Një ngjarje e shëmtueme si shumë të tjera pranë Rozafës, që vizituem dikur bashkë…

Ferdinand Paci - Gjyshja Nine
Ferdinand Paci – Gjyshja Nine

***
Veprat e piktorëve të mëdhej nganjëherë mbesin ato të viteve të rinisë së tyne.
Ndoshta, një rasë e tillë asht edhe krijimtaria e atyne pak viteve të jetës së shkurtë të Piktorit Ferdinand Paci, i cili na la ndër disa të tjera vepra edhe dy portretet e Kolë e Nine Gurashit, ku spikat arti, mjeshtria dhe vlera etnografike e veprave.
Kur veprat e artit ashtu si në rasën e Ferdinand Pacit, vishen edhe me cilësitë Atdhetare dhe morale të Autorit, ato Piktorin e bajnë Artist të Përjetshëm të Kombit vet!
Ky ishte dhe mbetet përjetsisht edhe Ferdinand Paci…
Vërtet jam larg… Shumë larg… Po, kurrë larg Teje, Mik i shtrenjtë Ferdinad Paci!
Melbourne, Maj 2015

*Titulli i origjinalit “Piktori i Pavdekshëm – Ferdinand Paci*

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.