back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Pitagora dhe Shkolla e tij – nga Klodi Stralla

Gazeta

Figura e Pitagoras - në artin e Mesjetës
Figura e Pitagoras – në artin e Mesjetës

Pitagora dhe Shkolla e tij

nga Klodi Stralla

Çdo nxënësi shkolle emri i Pitagorës i kujton formulën e famshme të trekëndëshit këndrejtë: a2+b2=c2 (shuma e katrorëve të dy kateteve është e barabartë me katrorin e hipotenuzës), por të paktë janë ata që e dinë se me emrin e tij lidhet një “Shkollë mendimi” e Greqisë të Lashtë, krahas Shkollës të Thalesit nga Mileti apo Akademisë të Athinës të Platonit.
Për jetën e tij mund të themi pak fjalë: u lind në ishullin grek Samos, aty rreth vitit 580 p.e.s. Që i vogël shfaqi dhunti të shumta. Merr pjesë në Lojrat Olimpike ku edhe bëhet kampion në mundjen e lirë. Më pas udhëton në Egjipt ku njihet me misteret e Memfidës dhe Heliupolit. Në Finike dhe në Halde mëson astronominë dhe gjeometrinë. Rikthehet në Samos dhe themelon shkollën e tij me rreth 300 nxënës. Fama dhe ndikimi i tij shqetësoi pushtetarët dhe kjo e detyroi të largohet nga ishulli. Në të gjithë jetën e tij u mundua të jetë një shembull për njerëzit e tjerë, dhe kjo përbën bazën e doktrinës të tij për jetën. Vdes rreth vitit 495 p.e.r, duke lënë pas shumë dishepuj.
Doktrina e tij është një “formulë” që udhëheq njeriun në të kuptuarit e ligjeve të Natyrës dhe në zhvillimin e aftësive të tij krijuese. Kjo “formulë” është Matematika, dhe në qendër të saj janë numurat. Numrat janë Perëndi – do të thoshte Platoni më vonë, që për shumë mendimtarë është pitagorieni i fundit i madh, pavarësisht se kurrë s’e njohu Pitagorën.
E famshmja e Pitagores: a2+b2=c2
E famshmja e Pitagores: a2+b2=c2
Sipas Pitagorës Matematika është pika ku takohen dhe harmonizohen Feja, Shkenca dhe Arti. Doktrina e tij është kombinimi harmonik i konceptit fetar, kërkimit shkencore dhe eksperimentit. Simbolet matematike kanë një rëndësi të madhe në doktrinën pitagoriene. Duke përdorur simbolet matematike, bëhej lidhja midis një gjendje psikologjike dhe një shprehje bukurie. Si shembull ishte numri iracional Φ (Φ = 1.618033…), raporti i “Prerjes të artë”, që është shprehja e rregullit të bukurisë të Natyrës.
Për t’u pranuar nxënës në shkollën e Pitagorës, duhej fillimisht të kaloje disa testime, sidomos të tipit psikologjik. Shkolla e tij kishte 3 nivele: Fillestari, Dëgjuesi dhe Matematikani.
-Në nivelin e Fillestarit testimet kishin si qëllim të zgjerohej imagjinata krijuese, duke izoluar dhe kufizuar fantazitë. Imagjinata krijuese është e kontrolluar, ka objektiv dhe jep rezultate praktike. Përkundrazi, fantazitë na tërheqin në mendime utopike që janë krejt të pamundura.
-Pasi të ketë mësuar të mbizotërojë anët negative të personalitetit të tij, nxënësi mund të kalojë në nivelin tjetër, atë të Dëgjuesit. Në këtë fazë ai mëson si të përmirësojë fuqitë dhe virtytet e tij. Pasi kish edukuar personalitetin e tij, nxënësi mund të thellohej në temat e Natyrës dhe të Perëndisë dhe të bëhej politikan.
Politikani, për pitagorienët, ishte njeriu që, pasi kishte mësuar filozofinë, rikthehej në shoqëri për t’u bërë i dobishëm për komunitetin. Nuk ishte një njeri që interesohej për poste dhe për pushtet, përkundrazi interesohej për përmirësimin e shoqërisë. Ai që zgjidhte të bëhej politikan nuk do të mund të kalonte në fazën e Matematikanit.
-Matematikan, për pitagorienët, ishte ai që mund të jepte mësim – Mësuesi. Ata që ishin në këtë nivel kishin favorin që mund të jetonin afër Pitagorës.
Pitagora i ofroi njerëzimit një “eksperiment të suksesshëm” për atë që Platoni më vonë do ta quante: Edukim me gjimnastikë dhe muzikë. Pavarësisht se shkolla e tij pushoi së funksionuari me një mënyrë dramatike, fama e pitagorienëvë vazhdoi të ekzistonte dhe të ndikonte shumë breza dijetarësh për shumë e shumë vite pas.
Pitagora (570-495 p.k)
Pitagora (570-495 p.k)

Sentenca të Pitagorës

***
“Bëj vepra të mëdha, por mos premto vepra të mëdha!”
***
“Nëse mund te jeshë shqiponjë, mos u mundo të jeshë i pari mes sorrave.”
***
“Në jetë ca lindin të etur për lavdi, ca – për fitim! Filozofët – vetëm për të vërtetën.”
Mblodhi Adri Koçi

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.