back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pjestarët e Familjes Gjika nga Dhërmiu, në shërbim të Mbretërisë së Napolit – nga Lutfi Alia

Gazeta

Prof. Lutfi Alia
Prof. Lutfi Alia

Pjestarët e Familjes Gjika nga Dhërmiu,

në shërbim të Mbretërisë së Napolit

nga Lutfi Alia

Mbreti Karli Borbon, pasi u ngjit në fronin Partenopeo, që në fillim u impenjua për legjitimitetin e pozicionit të tij si mbret. Ndonëse Karli mbretëronte që nga viti 1734, Gran Bretagna, Austria dhe Sardenja nuk donin që mbretëria më e madhe e gadishullit Apenin të kalonte në duart e Borbonëve, që ishte familje që mbretëronte në Spanjë dhe në Francë. Deri në vitin 1738, sovraniteti i Karlit në mbretërinë e Napolit, nuk njihej zyrtarisht nga fuqitë e Europës, sidomos nga Austria, por situata u ndryshua pas fitoreve të ushtrisë të Karlit në betejat e kundër austriakëve, sidomos pas Betejës së Velletrit më 1744, ku roli vendimtar i fitores i dedikohet batalionit të arbërorëve, i komanduar nga koloneli Strati Gjika. [Galasso G, Storia del Regno di Napoli, Novara, Istituto Geografico De Agostini, 2008-2011].
Konti Strati Gjika ishte nga Dhërmiu. Fillimisht kishte shërbyer toger në ushtrinë e Venecias, por pas kontradiktave me komandën, e shkarkuan nga detyra, madje e dënuan me vdekje dhe në këto rrethana u detyrua të braktisi Serenissimën e të vendoset në Napoli, i emëruar oficer fillimisht në Batalionin e më pas në Regjimentin Mbretëror Maqedono-Ilir. [Antonio D’Onofrio, Una famiglia di esuli. Viaggiatori. Circolazioni scambi ed esilio, Anno 1, Numero 2, marzo 2018.] [Archivio di Stato di Venezia, Provveditori di Terra e di Mare, filza 81, 15 settembre – 10 novembre 1737, filza 1293, 25 novembre 1738].
Konti Strati Gjika rekrutoi shumë arbërorë për forcimin e ushtrisë të Karlit. Ardhja e arbërorëve në Napoli nuk ishte eksod vullnetar, por rekrutim ushtarësh në shërbim të kurorës të Borbonëve, një praktikë që në shek. XVIII, kryhej edhe nga shtete të tjera europiane. Në këtë kohë, në brigjet e Arbërisë ankoroheshin anije napolitane, engleze, ruse dhe franceze, që kërkonin rekrutimin e banorëve të provincës së Himarës, madje repartet e stratiotëve arbërorë shërbenin në mbretëritë e Spanjës, të Francës, të Anglisë, në mbretërinë e Napolit, të Montekarlos, në Republikën e San Marino dhe në Venecia. [F. Barra, Il regno delle Due Sicilie: 1734-1860. Le relazioni internazionali. Vol. I: Avellino, Il Terebinto edizioni 2017].

Shqiptarë në ushtrinë e mbretërisë së Napolit, me veshjen tradicionale me fustanellë
Shqiptarë në ushtrinë e mbretërisë së Napolit, me veshjen tradicionale me fustanellë

Në vitin 1737, në sheshin Kapua në Avellino u organizua batalioni Mbretëror me komandant Strati Gjika. Me shtimin e të rekrutuarve, më 1739, ky formacion u organizua në Regjimentin Mbretëror Maqedono-Ilir me dy batalione. Në vitin 1755, Komandant i regjimentit ishte gjenerali Strati Gjika. Pas vdekjes të mbretit Karli, në fron u ngjit Ferdinandi IV, i cili në vitin 1778 e riformoi në mënyrë radikale ushtrinë dhe marinën. Në të gjitha njësitë ushtarake u emëruan oficerë të huaj, mes tyre shquheshin 300 oficerë albanezë, të cilët krijuan një aparat ushtarak të fuqishëm dhe me efikasitet drejtues, që e shndërroi armatën mbretërore në instrument luftarak efiçient. Regjimentin e albanezëve e quanin dhe “Coppoloni – kapuçanët”, sepse mbanin festen tipike albaneze. Në vitin 1798, Ministria e Luftës e Mbretërisë mobilizoi përsëri shumë albanezë, të cilët i organizoi në “Batalionin e pushkatarëve vullnetarë Albanezë – cacciatori albanesi”, i njohur dhe batalioni i “Camiciotti – i fustanellave”, për veshjen tipike shqiptare me fustanella. [M. Schipa, Il regno di Napoli al tempo di Carlo di Borbone, Milano, Società Dante Alighieri, 1923, vol. I]. [Acton H. I Borboni di Napoli (1734-1825), Firenze, Giunti, 1997]

Athanas Gjika, Mikele Gjika dhe Strati Gjika i Riu

Pas vdekjes të gjeneralit Strati Gjika, komandant i regjimentit u emërua djali i tij, gjenerali Athanas Gjika. Në reformën e vitit 1800, batalioni i pushkatarëve albanezë u inkuadrua në Regjimentin Mbretëror, madje deri në vitin 1812, Athanas Gjika vazhdoi të dërgoi misionarë, për të mobilizuar rekrutë shqiptarë në Provincën e Himarës dhe Çamërisë. [A. Leh, Cenno storico dei servigi militari prestati nel Regno delle Due Sicilie dai Greci, Epiroti, Albanesi e Macedoni in epoche diverse, Corfù, 1843, p. 15.]
Pjestarët e familjes Gjika jetonin në Napoli, kryeqyteti i mbretërisë, me detyra komanduese në rradhët e Regjimentit Mbretëror, ku krahas Athanasit, militonin dhe dy vëllezërit konti Mikele Gjika, me gradën major, dhe vëllai i vogël Strati Gjika (i riu), me gradën toger. [Archivio di Stato di Napoli, Ministero degli Affari esteri, b. 5319, f. Esteri 5316/III].

Revolucionari Mikele Gjika

Gjatë dy viteve të fushatës të trupave francezë të Napoleon Bonapartit në Itali, njera pas tjetrës u shpallën republikat “motra” filofranceze dhe jakobine. Më 23 janar 1799, ushtria franceze e komanduar nga gjenerali Shamponjè, hyri në Napoli. Atë ditë u shpall Republika e Napolit, me një qeveri me 20 antarë, mes tyre dhe katër arbëreshë. Eleonora Fonseka Pimentel, në numrin e parë të gazetës Monitor Napoletano shkruan: “…Jemi të lirë, më së fundi arrijti dhe për ne dita kur mund të shqiptojmë fjalët e shenjta liri, barazi…”
Me këto ndryshime politike, majori Mikele Gjika i braktisi borbonët dhe u bë republikan revolucionar dhe aktivist për mbrojtjen e indipenencës të Republikës Partenopeo. Konti Mikele Gjika u njoh dhe u miqësua me gjeneralin francez Guillaum Philibert Duhesme, i cili e gradoi Mikelin gjeneral brigade i Republikës dhe e emëroi komandant batalioni në Legjionin I Napoletan. Gjatë periudhës të Republikës Partenopeo, gjenerali Mikele Gjika ishte pjemarrës aktiv dhe protagonist në shumë ngjarje të asaj kohe.
Në gazetën periodike “Monitore Napolitano”, njoftohet se më 26 shkurt 1799, batalioni i komanduar nga gjenerali Mikele Gjika, marshoi për në Benevento, për të arritë komandantin e brigadës Hektor Karafa dhe për t’u bashkuar me legjionet franceze në Pulja. [Monitore Napoletano, giovedi 26, Piovoso anno VII della Libertà. I della Repubblica Napoletana, febbraio 1799]. Në kronikat e 16 marsit 1799, të periodikut Monitore, tregohet se majori Mikele Gjika, së bashku me vëllanë e vogël togerin Strati Gjika, gjatë marshimit për në Solofra në ndihmë të forcave të Hektor Karafa, në afërsi të Acerra-s u sulmuan nga monarkistët, të cilët plagosën togerin Strati Gjika dhe gjeneralin Mikele Gjika, por ai nuk u ndal dhe duke thirrur “Rroftë Republika”, i sulmoi dhe i theu grupet e armatosura dhe vazhdoi marshimin në krye të batalionit për në Foxhia. [Monitore Napoletano, giovedi 26, Ventoso anno VII della Libertà. I della Repubblica Napoletana Una e Indivisibile, sabato 16, 1799, Numero 13].
Republika e Napolit nuk u legjimitua nga asnjë traktat ndërkombëtar dhe pas disa muajsh, me ndihmën e anglezëve dhe armatës të koalicionit, borbonët u rikthyen në pushtet dhe filluan ndëshkimin e të gjithë atyre që tradhëtuan kurorën mbretërore. Me fundin e Republikës dhe si pjesmarrës në rezistencën popullore të Kastel Nuovo dhe si tradhëtar i kurorës borbone, mbreti Ferdinandi IV e dënoi me vdekje kontin Mikele Gjika, por kjo sentencë nuk u zbatua, sepse e morën në mbrojtje bashkatdhetarët arbërorë, të cilit i kërkuan me insistim Ferdinandit IV ta falte Mikelin, për hirë të besnikërisë së tyre në shërbim të Mbretërisë së Napolit. Mbreti e pranoi kërkesën e ushtarëve të tij dhe e fali Mikele Gjikën, siç rezulton edhe në dekretin mbretëror të botuar në numrin 22 të Monitore Napoletano.
Më 3 maj 1800, dënimi me vdekje u kthye me burgim në kështjellën e Shën Katerina në ishullin Favinjana, ku qëndroi deri në paktin e Paqes në Firence në vitin 1801, kur u lirua. [Benedetto Croce, La Rivoluzione Napoletana del 1799; biografie, racconti, ricerche, Bari, Giuseppe Laterza & Figli,1912., p 3-83].
Si ndodh shpesh në situatat e ndërlikuara politike, pozicioni i kontit Mikele Gjika nuk ishte i sigurt edhe pse amnistia i dha lirinë, ai gjithmonë ishte person politikisht i djegur si jakobin dhe në këto rrethana mbretëria e konsideronte një person i padëshirueshëm për idealet e tij politike. Ishte Franca e Napoleonit që e ndihmoi Mikelin të largohet nga Italia dhe Ai zgjodhi rrugën më të mirë, u kthye në vendlindjen e tij në Dhërmi, ku jetoi me familjen në vitet 1801-1807.
Në fakt Mikele Gjika nuk ishte vetëm një arbëror i kthyer në atdheun e tij, por ishte dhe një ikanak i persekutuar nga Mbretëria e Napolit, ashtu si ishte dhe konsull i Francës.

Konti Mikele Gjika, Konsulli i Përgjithshëm i Francës

në Republikën e Shtatishujve Jonike

Me paktin e paqes në Firence të Francës me Mbretërinë e Napolit, si dhe me disa traktate me fuqitë e tjera Europiane, u shuan armiqësitë mes tyre, por gjithmonë në favorin e francezëve. I fundit ishte traktati i Amiens
i 25 marsit 1802, por kjo paqe ishte afatshkurtër, sepse pas një viti rifilluan konfliktet me Britaninë e Madhe,
të pasuara në vitin 1805, me luftën e koalicionit të tretë. Në fjalimin para ushtarëve në Schönbrunn më 27 dhjetor 1805, Napoleon Bonaparti shpalli rrëzimin e Mbretërisë e Napolit dhe në fron vendosi vëllanë, gjeneralin Joseph Bonaparti, i cili mbretëroi deri në vitin 1808.
Më 17 tetor 1806, mbreti Joseph Bonaparti e emëroi kontin Mikele Gjika, Konsull i Përgjithshëm i Francës në Republikën e Shtatishujve të Bashkuara, e krijuar si një unitet i ri territorial me ishujt kryesorë Cefalonia, Cerigo, Korfuzi, Itaka, Pakso, Santa Maura dhe Zante, ku përfshiheshin dhe me ishujt e vegjël rreth tyre.
Konti Mikele Gjika u vendos në Korfuz dhe kur dilte në bregun lindor të ishullit shihte përballë Albaninë, atdheun e të atit Strati Gjika. Emërimi i Mikele Gjikës nuk shprehte detyrën zyrtare si konsull, por urdhërohej të vendosej në një vend sekret, ku të shmangte dyshimet nga banorët, pra ishte ngarkuar me detyra vëzhguesi, si ishin specifikuar në instruksionet që i dërgoheshin të adresuara jo konsullit, por “Zotit Konte Mikele Gjika”, me udhëzime për të mbajtur nën kontroll situatat e vendeve në detin Adriatik. [H. Acton, I Borboni di Napoli (1734-1825), Firenze, Giunti, 1997, p. 584-585]. [A.S.N. Ministero degli Affari Esteri, b. 5319 – f. Esteri 5316/I. Anno 1806].
Konti Mikele Gjika më shumë ishte informator i Francës, se sa konsull, si rezulton në detyrat e ngarkuara:
-Të survejonte lëvizjet e forcave tokësore dhe detare të rusëve në Korfuz dhe në ishujt e tjerë të Jonit.
-Në instruksion theksohet: “Zotëria e Juaj e Shkëlqyer autorizohet të udhëtoi në Albania, në Grykën e Kotorrit dhe në Raguzë. Në këto vende mund të dërgoni njerëz besnikë, për të vrojtuar nga afër dhe për të verifikuar forcat ushtarake, vendosjen e tyre, armatimet në dispozicion dhe për t’u informuar në se kanë vendosur të sulmojnë forcat franceze.
-Punoni me kujdes për të verifikuar marrëdhëniet e rusëve me Albanezët dhe Malazezët dhe me popujt e tjerë.
-Verifiko dhe na informo për të gjitha aksionet ushtarake në territoret e Raguzës dhe Grykës së Kotorrit, nga ku mund të kryhen sulme nga rusët, kundër forcave franceze. [A. D’Onofrio, Il consolato del regno di Napoli a Corfù (1806-1808), Napoli, Università degli studi di Napoli “L’Orientale”, laurea in Scienze politiche e delle relazioni internazionali, A.A. 2011/2012]. [A. D’Onofrio. Le isole Ionie negli equilibri del Mediterraneo napoleonico, Napoli, Università degli studi di Napoli “L’Orientale”, laurea magistrale in Studi Internazionali, A.A. 2013/2014, 2 Volumi]. [A.S.Na, Ministero degli Affari esteri, b. 5319, Fascicolo Esteri 5316/III].
Konti Mikele Gjika vizitonte me rradhë ishujt, që asokohe njiheshin Republika e Shtatë Ishujve të Bashkuar, Republika e Ishujve Jonike, Republika Shtatishullore, Eptaneso dhe Shteti Jonik. Për këto shërbime që kryente Mikele Gjika si “konsull”, i paguhej rroga me 600 dukate në vit, për shpenzime kançellarie dhe të segretarisë i paguheshin 300 dukate, ndërsa shpenzimet postare i rimborsoheshin në veçanti, ashtu si i ishte dhënë një shumë e veçantë, që ta përdorte për pagesë informatorësh, por pa u kompromentuar publikisht. Është plotësisht e qartë se konti Mikele Gjika kryente kryesisht funksionet e konsullit-spiun në favor të Francës, me rëndësi të madhe për mbretin e ri të Napolit Joseph Bonaparte, i cili ishte i interesuar të informohej për numrin e trupave ruse të dislokuara në Korfuz, sepse rusët me forcat angleze në Siçili, përbënin kërcënim për francezët.
Mbretëria e Napolit me mbret Joseph Bonaparte nuk u njoh nga fuqitë europiane, andaj nuk kishte të drejtë të dërgonte konsull në territoret e kontrolluara nga shtete të tjera si nga Rusia që kishte trupa në Korfuz, për më tepër që Rusia ishte në gjendje lufte me Francën. [E. Rodocanachi, Bonaparte et les Iles Ioniennes, un épisode des conquétes de la République et du premier Empire (1797-1816), Parigi, Félix, 1899], [R. M. Delli Quadri, Il Mediterraneo delle costituzioni. Dalla repubblica delle Sette Isole Unite agli Stati Uniti delle Isole Ionie, Milano, Franco Angeli, 2017].
Këto pengesa u kapërcyen me emërimin konsull të kontit Mikel Gjika, me origjinë arbërore, emri i të cilit rezultonte i regjistruar si shqiptar në Librin e Artë të fisnikërisë të Korfuzit, sipas kushtetutës të Republikës të Shtatishujve, çka e favorizonte të lëvizte lirshëm në këto ishuj, ashtu si shfrytëzonte njohjet në atdheun e tij, si në trevat e Provincës së Himarës dhe Çamërisë. Duke e autorizuar të udhëtonte në shtetet e tjera ballkanike, deri në Raguzë dhe në Grykën e Kotorrit, tregon se i ishin ngarkuar detyra me rëndësi strategjike të spiunazhit, të mbante nën kontroll dhe të pengonte rekrutimin e albanezëve nga Britania e Madhe dhe nga Rusia, që ishin dy forcat më aktive në pellgun e Adriatikut. [G. Paulini, Memorie storiche sulla fondazione della Repubblica Jonica ossia delle sette isole unite. Roma, Libreria G. Gallarini, 1802].
Ndonëse ishte emëruar konsull i mbretërisë së Napolit, Konti Mikele Gjika u ndodh para disa të papriturave, që ia ndërlikuan qëndrimin në Korfuz. Në raportin me numër 334, e informon sekretarinë e Joseph Bonapartit,
së sapo zbritën në ishull së bashku me të vëllanë Strati Gjika i Riu, policia e Korfuzit i urdhëroi të largoheshin familjarisht nga ishulli, me anijen e parë që nisej për në Otranto dhe të ktheheshin në mbretërinë e Napolit. Mikele Gjika protestoi ndaj këtij urdhëri, duke theksuar se kishte zbarkuar në ishull për motive personale, kështu mundi të qëndroi edhe tetë ditë në Korfuz. Gjatë këtij qëndrimi të shkurtër mblodhi informacione për situatën në ishull, të cilat i dërgoi sekretarisë të shtetit në Napoli, nëpërmjet zotit Vigoroux, që ishte konsulli i Francës në Republikën e Shtatishujve. [ASNa Rapporto numero 3 dell’11 novembre 1806. ASNa, b. 5319, f. Esteri 5316/III 33].

Zbarkimi i kontit Mikele Gjika dhe i familjes së tij në Dhërmi

Në këto rrethana, konti Mikele së bashku me familjen, në fillim të nëntorit 1806, u detyrua të largohet nga Korfuzi. Pasi pagoi një varkëtar, zbarkoi në Albania, pikërisht në Dhërmi, ku u vendosën familjarisht dhe ku qëndroi deri në gusht të vitit 1807. Gjatë qëndrimit në atdheun e vet, konti Mikele Gjika, i shoqëruar nga tetë kalorës arbërorë, vizitoi fshatrat e Provincës së Himarës dhe të Vlorës dhe për situatat në këto treva, dërgoi informacione sekretarisë të mbretërisë së Napolit. Mikele Gjika ishte i bindur se idealet e tij revolucionare si republikan, do ta ndihmonin popullin arbëror, madje shpresonte ndërhyrjen e francezëve dhe njëkohësisht vazhdonte të rekrutonte arbërorë në shërbim të mbretit të Napolit. Mikeli lëvizte lirshëm në trojet arbërore, nuk pengohej nga autoritetet turke, sepse Perandoria Osmane ishte aleate e Francës, çka e favorizoi të vizitonte Vlorën, Durrësin, Raguzën dhe Grykën e Kottorrit, si rezulton në relacionet e vitit 1806, dërguar sekretarisë të mbretit Joseph Bonaparti. [ASNa: Rapporto numero 5, del 22 novembre 1806]
Në nëntor 1806, Mikele Gjika organizoi një takim me gjeneralin francez César Berthier, Guvernatori i Përgjithshëm i Republikës të Shtatishujve, të cilit i prezantoi të deleguarit e Provincës së Himarës, të cilët kërkuan ndihmën e Francës, për të formuar një regjim kombëtar Albanez, që do të ishte në shërbim të Napoleon Bonapartit. [ASNa, b. 5319, fasc. Esteri 5316/III. Anno 11. Novem 1806 – dicem 1807]. [Corrispondenza del generale César Berthier conservata agli ANP, Fonds Général Berthier (an IX-1879), Répertoire (33AP/01-33AP/43)].
Megjithë premtimet e guvernatorit Bertier, nuk u ndërmor asnjë veprim konkret, për të ndihmuar himarjotët të çliroheshin nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe as në formimin e Republikës së Himarës, si i kërkuan Francës, ashtu si i kishin kërkuar një shekull më parë Vatikanit dhe mbretit të Napolit. Himara dhe Çamëria prej shumë vitesh shfrytëzoheshin për rekrutimin e banorëve për të shërbyer në ushtritë e shteteve europiane, por asnjë prej tyre nuk ndihmoi në shpalljen e pavarësisë dhe as në formimin e një shteti arbëror. [ASNa: Rapporto numero 5, del 22 novembre 1806].
Në këtë periudhë, si rusët dhe inglezët vizitonin fshatrat e Provincë së Himarës, me synime të rekrutonin ushtarë. Në dhjetor 1806, menjëherë pasi Perandoria Osmane i shpalli luftë Rusisë, një anije angleze ankoroi në brigjet arbërore. Oficerat anglezë vizituan fshatrat bregdetarë për të rekrutuar sa më shumë arbërorë, kundrejt pagesave tepër joshëse, por Mikele Gjika, i mbështetur nga bashkatdhetarët iu kundërvunë këtyre tentativave, madje arritën të bllokojnë rekrutimin e shumë banorëve. [ASNa, b. 5319, f. Esteri 5316/III. Anno 11. Novembre 1806 – dicembre 1807].
Gjatë qendrimit në Dhërmi, në zbatim të detyrave të ngarkuara me funksionet konsull- informator, vizitoi dhe ishujt e Republikës të Shtatishujve dhe në relacionet dërguar mbretit, shprehte indinjatë për sjelljet e rusëve me banorët e këtyre ishujve, duke theksuar se banorët nuk ishin të sigurt në trojet e veta, nuk gëzojnë liri qytetare, sepse rusët i ndëshkonin dhe i detyronin të braktisin vendlindjen, andaj i quanin rusët pushtues, barbarë, tartarë shtypës, ndërsa aristokracia greke e ishujve, ishte bashkuar me rusët. [ASNa: Rapporto numero 6, del 24 novembre 1806. Ivi.].
Në fund të vitit 1806, gjendja financiare e Mikelit u rëndua, sepse nuk kishte marrë pagesaat mujore, si pasojë e ndërprerjes të lidhjes detare me Dhërmiun nga korsarët anglezë, që kontrollonin detet Adriatik dhe Jon. Në këto rrethana, për të kryer misionet e ngarkuara, Mikele u detyrua të përdorë të ardhurat e veta financiare, madje në muajt e fundit të vitit u detyrua të hypotekonte pasuritë e familjes, shtëpinë dhe tokat, shiti dhe stolitë e gruas, madje dhe shtëpinë që kishte në Korfuz. [Rapporto numero 18 del 7 gennaio 1807. Rapporto numero 20 del 11 gennaio 1807. Rapporto numero 23 del 25 gennaio 1807. Rapporto numero 36 del 23 marzo 1807; A. S. Na, Ministero degli Affari Esteri, b, 5319, f. Esteri 5316/III.]
Vetëm pas paqes të Tilsit më 7 korrik 1807, kur Republika e Shtatishujve kaloi në vartësi të Francës, konti Mikele Gjika u kthye ne funksionet e konsullit në Korfuz, ku qëndroi 10 vite në këtë detyrë. Krahas misioneve
diplomatike, Mikele Gjika vazhdoi traditën e familjes, i impenjuar në projektin e rekrutimit të arbërorëve në rradhët e ushtrisë franceze. [A.S.Na. Ministero degli Affari Esteri. Rapporto numero 62 del 16 settembre 1807].
Për kohën e qëndrimit dhe të aktiviteteve në territoret e Albanisë, konsulli Mikele Gjika shkruan: “Qëndrimi im në Albania, më shërbeu për realizuar objektivat e caktuara dhe krahas shërbimeve ndaj Shtetit, më ndihmoi dhe ndikimi i gjendjes në Albania, atdheu im, për të cilin ndjej dhimbje që ende vuan nën shtypjen e egër të Perandorisë Osmane”. [Rapporto numero 58 del 30 agosto 1807. ASNa, Ministero degli Affari Esteri, b. 5319, f. Esteri 5316/III. Anno 11. novembre 1806 – dicembre 1807].
Konti Mikele Gjika vazhdoi funksionet e Konsullit të Përgjithshëm të Mbretërisë së Napolit në Republikën e Shtatishujve Jonikë, deri në fund të dominimit francez.
Vdiq dhe e varrosën në Korfuz në vitin 1818. [A. Leh, Cenno storico dei servigi militari prestati nel Regno delle Due Sicilie dai Greci, Epiroti, Albanesi e Macedoni in epoche diverse, Corfù, 1843, pp. 52].

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.