back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 15 Dhjetor, 2024

Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës dhe i stilit – nga Martin Camaj

Gazeta

Imzot Pjetër Bogdani, në Katedralen Nënë Tereza, në Prishtinë
Imzot Pjetër Bogdani, në Katedralen Nënë Tereza, në Prishtinë

Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës dhe i stilit

nga Martin Camaj 

“…Ashtu ende prej i meje bukuriin e gjuhësë nuk e kee ndjerë nd’anët, përse tue kjanë unë prej Gurit ndë Hast’, Sangjakijet së Dukagjinit, dioçezit së Prizrendit, m’ashtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndrequn ndë dheet e Shkodërsë; e tue kjanë vepra fort e naltë, e hollë, giuha jonë, qi me dijet dvuer ende fjalëtë fishtiir mundetë gjithë punëtë e ndjerë ndë skanjt me i çtjellë…”
Kështu shprehet Pjetër Bogdani përmbi gjuhën shqipe në hymjen e veprës së vet “Çeta e Profetëve (Cuneus Prophetarum). Nga ky tekst merret vesh qartë se autori ynë e ka lodhë fort menden rreth gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj në mënyrë të përshtatshme në të parin libër origjinal (veprat e autorëve tanë të vjetër para këtij shpallen si përkthime) të gjuhës e të letërsisë shqiptare.1]
Shprehja se ai nuk i përket drejtas trevës ku ruhej tradita letrare e gjuhësore, dmth Shkodrës, dhe se për këtë arsye e tjera që shfaq në të Primitë përpara letrarit (dmth Hymjen), duhen kuptue: 
a)se ai me gjithë mend e ka kërkue “bukurinë e gjuhës”, dmth nji stil të përsosun, dhe se për t’ia dalë qëllimit, si shkruen mâ andej, s’ka lânë gjâ pa bâ; 
b)se ai në këtë mes ndjek mënyrat e retorikës se kohës tue tregue [80] përvujtni e seriozitet, në mënyrë që vetë lexuesi që ka përpara veprën të mund t’i kundërshtojë autorit të vyeshëm. 
Dr. Martin Camaj & Prof. Georg Stadmuller
Dr. Martin Camaj & Prof. Georg Stadmuller
Vepra flet vetë dhe gjuha tingëllon fort bukur. Të lumtë mendja e dora, o Mjeshtër i madh!
Këtë ia shkruejnë edhe miqtë e adhuruesit, njerëz të ditun shqiptarë e të huej, në gjuhë të ndryshme në kushtimet përlavduese në fillimin e librit, e po ia thomi edhe na Bogdanit, mbas plot 304 vjetësh nga vdekja e tij, në dy kontinentet, këtu në Nju Jork të Amerikës e në Evropë.
Por nderimet e lavdet e të tjerëve nuk ia rritën mendjen Bogdanit sa me ia mbyllë sytë të mos shihte gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar në atë periudhë ngjarjesh tronditëse, 1660-1690. Shkaqet ishin luftat turke që prunë me vete një varg kryengritjesh shqiptare për të dalë zgjedhe së pushtuesit: në këto në këto ngjarje Arqipeshkvi i Shkupit dhe Vizitatori apostolik Pjetër Bogdani mori pjesë aktive si organizues dhe diplomat në anën e Perandorisë austriake. Si rrjedhim i humbjeve të luftave, ndodhën salvime të klerit të Bogdanit: në popull u ndie presioni i pushtuesve që ky të kalonte në islam.
Shthurjet e shoqnisë, vorfnia, epidemitë që ndiqnin gjithherë mbas luftave, shpërnguljet, shkaktuen edhe mjerimin e pajës shpirtnore e kulturore. Po në këtë periudhë fillon në mënyrë masive copëtimi i gjuhës shqipe në të folme e variante të folmesh, sidomos në veri të vendit tonë. Dalja e një vepre kaq madhështore në gjuhën shqipe në këtë gjendje të mjerueshme do mbajtë si gjâ fenomenale. Sipas mendimit tim, qe një reaksjon e një mendje së ndritun, e vetëdijes së gjendjes tragjike, një përpjekje që i kalon kufijtë e të gjitha fuqive ekzistuese, bile edhe fuqitë e gjuhës shqipe në vetvete, e shkëputun nga tradita dhe, si u tha, në një farë coptimi ashkla-ashkla, që âshtë sintom i një depresioni të përgjithshëm. Sot kemi të dhâna të sigurta se mbas disfatës së luftës turko-austriake, ndër qytete shqiptare një pjesë e popullatës përpiqet të flasë turqisht. Nga relacionet që Bogdani i dërgon Kuvendit të Propagandës në Romë, marrim vesh se edhe dija e klerit katolik kishte rá, sa që priftënt mezi ia dilnin me nxanë shkrim e këndim që të kuptonin atê çka lexonin në meshë.
Sot, mbas tre shekujsh, habiten njerëzit kur marrin në dorë këtë vepër e lexojnë në një shqipe kaq të pasun një përmbajtje kaq të rândë për shqipen në atë fazë zhvillimi, tepër e pasun me emërtime mbi filozofi e çështje doktrinore të ndryshme, prej kristianizmit te mitolog¬jia e lashtë, mbi shkencën e kohës rreth fenomenesh natyrore dhe sistemit të korpnave qiellorë. Si e ka vû në dukje Ibrahim Rugova, “…prej traktatit të Bogdanit zû fillë teoria e letërsisë në gjuhën shqipe.” Autori ynë shkoqit çështje retorike mbi parimet themelore të filozofisë81] mesjetare dhe të estetikës me inovacione të gjuhën [-ve? AM] evropiane. Kemi të parat citate nga letërsia klasike në përkthim në gjuhën tonë. Bogdani na jep prova se âshtë e mundun të shprehet në gjuhën shqipe mbarë dija mbi rruzullimin konkret dhe mbi pajën shpirtnore të trashëgueme nga kultura e periudha të ndryshme. Në shprehjen e këtyne përmbajtjeve gjuha jonë pajiset me kategori shprehjesh e regjistra emërtimesh si çdo idiomë e shkrueme në Evropën e zhvillueme..
Pyetjes se kujt i ishte drejtue vepra, besoj se i âshtë përgjegjë vetë autori me studjuesit e ndryshëm të tij. “Çeta e Profetënve” (Cuneus Prophetarum) u sillet shqiptarëve të arsimuem të kohës, kryekreje klerit të ri shqiptar si libër mësimdhanës (didaskalik), por edhe asaj pjese njerëzish të arsimuem tjera konfesionesh e besojmash. Toni âshtë apologjetik në mbrojtje të fesë katolike në një kohë të caktueme të historisë së popullit shqiptar nën zgjedhën turke. Disa citate kup¬timplote të Shkrimit të Shenjtë në gjuhën klasike arabe u kanë dhânë shkas gjurmuesve të mendojnë se Bogdani i sillet edhe asaj elite shqiptare muslimane që kishte përvetësue kulturën orientale. Aty-këtu kam përshtypjen se prelati shqiptar argumenton tue shtie në punë metodën krahasuese mes parimesh kristiane dhe asosh islamike, pa përmendë prejardhjen e këtyne të fundit nga Korani apo ndoj shkrim tjetër. Fjala u përket atyne që njohin të dy doktrinat të gjykojnë mbi këtë pikë.
Në Shkodër, Cuneus Prophetarum ka qenë lexuem dhe studjuem në çdo kohë dhe ka ndikue thellësisht në gjuhën dhe stilin e shkollës letrare shkodrane. Mark Harapi (përkthyesi mjeshtror i romanit “Të fejuemit” të A. Manzonit) e pat botue gati krejt te Lajmëtari i Zemrës së Krishtit (vjetët 1941-1943), me shtesë komentimesh morfologjikë, si mbi përemnat dhe tjera pjesë të ligjeratës.
“Çeta e Proftënve” nuk âshtë përkthim, andaj gjuha mbështetet mbi shqipen e popullit fare e çlirueme nga kalke apo modele sintaksore të gjuhëve të hueja. Ka pjesë të gramatikës në këtê që e dëshmojnë qartë këtë ndërlidhje si, për shembull, në sistemin foljor kombinimi i foljeve flektive dhe jo flektive, në ndërlidhjet sintaksore mes foljeve modale të tipit do me thanë do me thënë, due, duhet, mund, zâ, zë dhe foljeve paskajore (infinitive), dhe në përdorirnin me vend të përcjellores (gjerundit) dhe të pjesores (participit) në variacione të ndryshme. Për shkak të mungesës së vendit këtu po kufizohemi në dy shembuj: “Pra tue kjanë Zotynë nja ndër natyrë duhet ende me thanë se ashtë ndë tre vetë. Nuk mundetë me i ra mboh…”
.
(Cuneus Prophetarum) - Pjeter Bogdani
(Cuneus Prophetarum) – Pjeter Bogdani
Konstruktet me pjesëmarrjen e paskajores janë të përjashtueme prej82] gramatikës së gjuhës së njësuar dhe zavendësohen prej lidhores, ndonëse duhet me thânë dhe duhet të them ndryshojnë në kuptim. Me këtë vêhet në dukje se paskajorja në gjuhën shqipe âtshtë e pazavendësueshme. Arsyet shpiegohen përmes karakterit të sistemit foljor të shqipes tue qenë se në të shprehen ndryshimet modale dhe të aspektit foljor. Edhe tek Bogdani hasim përdorimin e dy foljeve sinonime të tipit u nis e shkoi, apo e bâni ende e kreu. Ky rreshtim kuptimesh, që gjendet deri në tepri te Budi, shpesh nuk do të marrë si njehje (aliteracion) stilistike apo shprehje modale apo aspekt foljor që përcaktojnë mënyrën e veprimit (shpejt ose ngadalë, mënyrë urdhnore apo këshilluese: duhet ta bâsh/duhet me bâ.) Veshi i hollë i shqiptarit këtu zbulon ndryshim kuptimi. 
I dyti burim i landës gjuhësore shqipe duhet të jetë ambienti shqiptar ku Bogdani lindi, Guri i Hasit, dialekti gegë veri-lindor, dhe, mâ vonë, të gjitha trevat shqiptare veriore prej Shkupit e Ohrit e deri në Shkodër me Ulqin e Tivar. Ishte nji ves i gjithë autorëve shqiptarë të gjeneratave të vjetra të shkonin në takime shoqnore apo përudhë me një fletore në xhep për të shënue thânie e fjalë shqipe. Këtê Bogdani sigurisht e ushtroi në zonat e gegnishtes veri-lindore, nji variant i shqipes që ai e çmoi si formë e bazë e traditës së shkrueme. Prej dispozicionit të veprës dhe landës së “Çetës së Profetënve” mund të vërtetojmë se autori ynë ishte pajisë me një talent të posaçëm për veprimtari teorike dhe organizëm ideshë. Na duket si vehtje e prirun kah refleksioni shumë mâ tepër se si njeri i aksioni dhe administrator. Andaj lândën gjuhësore që ai mblodhi prej gojës së popullit dhe prej shkrimeve shqipe ekzistuese e përpunoi tue ia përshtatë lândës ideore që kishte përdorë. Në këtë mes vërtetojmë parimet që vijojnë: 
1.Bogdani në veprën e vet u shmanget fjalëve të hueja që nuk ishin përvetësue apo integrue në natyrën e gjuhës shqipe. 
2.Farkon fjalë të reja apo asosh të cilat nuk i gjejmë tek autorët e maparshëm pothuejse në çdo faqe të veprës, tue iu përmbajtë rregullave të fjalëformimit në përshtatmëni të plotë me natyrën e gjuhës shqipe. Ndonëse në hymjen e librit si pak me ironi ankohet se qenka nga Guri i Hasit e s’e ditka shqipen e traditës letrare, ai shtie me shumicë fjalë të dialektit të vet. Edhe në tingëllimin e periudhës ndëgjohet muzikaliteti i kuvendit (mbas mendimit tim, fort elegant i së folmes së Lugut të Drinit) edhe pse mes së folmes së sotme e asaj të Bogdanit ka midis përmbi 300 vjet.2] 83]
Bogdani ishte poliglot në kuptimin e plotë të fjalës. Posë shqipes, ai fliste, nga gjuhët sllave të jugut, serbo-kroatishten dhe bullgarishten. Iu dha rasti të përvetësojë edhe turqishten, sigurisht për ta folë e lexue, ndërsa studimeve të gjuhëve orientate ia nisi në Romë, dhe të cilat, si shihet nga vepra, i njihte vetëm teorikisht. Ndër gjuhët me të cilat ishte formue si doktor i filozofisë e i teologjisë ishte kryekreje latinishtja, por edhe italishtja, kurse greqishten liturgjike sigurisht e lexonte. Me të gjitha këto njohuni teorike gjuhësh të tipave të ndryshëm, edhe me kuptimin modern, Bogdani duhet të mbahet shkencëtar gjuhësie. Dija teorike e praktike sigurisht qe për tê ndihmesë e madhe për të zgjidhë probleme të vështira me karakter gjuhësor dhe stilistik në shqipen e tij që e ngriti në shkallën e një gjuhe kulturore të shkrueme. Në universi¬tetin e Munikut zhvillojmë tash disa vjet nji program mbi gjuhën e “Cuneus Prophetarum”,3] në të cilën aspekti i dijes poliglote të autorit tonë ka rândësinë e vet mbasi ai ndikon dashtë e padashtë gjithmonë në stilin e shkrimtarit. Qëllimi ynë ka qenë e mbetet të zbulojë një “regularitet” tipik në strukturën morfologjike e sintaksore të “Çetës së Profetënvet” Përmes metodës dhe mjeteve teknike moderne sot vêhemi në kushte të favorëshme të zbërthejmë edhe këtë tipar të veprës.
Stili dhe gjuha e shkrimtarit patjetër lëshojnë gjithmonë dritë edhe mbi personin për ne sot shumë i komplikuem. Edukimi në vetëdije etnike shqiptare me krenari fisore dhe zgjuetësia e epërt e aftësueme qenë përcaktuese në formimin e një prelati fort mendjehollë. Pa dyshim (kjo pohohet nga të gjithë ata që janë marrë me veprën e autorit) te Bogdani zbulojmë, ndonëse të vonuem, humanistin auten¬tik të kohës së tij në një zone kulturore ballkanike ku shkrihen qysh në lashtësi kultura dhe ndija e botnave perëndimore dhe lindore. Përvoja e një jete të pasun me ngjarje, si prelat në pozita fort delikate dhe të rrezikshme që i sollën edhe anmiqësi sidomos nga ana e klerit jo¬shqiptar, në një anë, dhe si ilegal i përndjekun nëpër male, në tjetrën, e komplikojnë karakterin e njeriut. Rrethanat e nxisin të jetë edhe mâ i vendosun në drejtimin e vet ideor e shoqnor. Këtu tregohet thelbi i karakterit të tij njeri pasioni dhe njëkohësisht i matun në veprime, bile edhe në stilin e veprës, në të cilin pasqyrohet strategjia stilistike (nëse mund ta quejmë kështu mënyrën e rafinueme të argumentimit). Nga84] një qëndrim objektiv akademik, autori përpiqet, përmes krahasimit, të qesë në pah vëtetësinë e besojmës së vet, qoftë kjo parimore fetare apo vetjake, tue iu vû përballë ideologjisë apo mendimit kundërshtar, të cilin e citon dhe mandej e shkoqit simbas rregullave të logjikës e të retorikës të humanistit të saktë. Besimi në atê që mendon e thotë i bân periudhat e tija, ndonëse fort të gjata, të sigurta dhe të përsosuna në formë: Zef Valentini e cilëson autorin tonë si “njeri me pikëpamje të gjâna, i cili shtie në punë metodën e apologjisë të stilit modern” (Riprodhim, Munich, 1977.) 
Përmbajta “e naltë [e] e hollë gjên vetvetiu trajtat e përshtatuna gjuhësore që i shohim në lidhjen e fjalive kryesore me ato të varuna në struktura të kapërthyeme sintaksore. Periudhat e gjata me arkitekturë të qëndrueshme kushtëzojnë qe filli logjik i të menduemit mos të këputet, por të rrjedhë deri në fund për të trajtue tanësi ideore të bindshme. Kështu, në të parën vepër origjinale shqipe kemi prozën mâ të kapër¬thyeme deri më sot në letërsinë tonë. Këtë ligjërim Bogdani nuk e përdor në prozën ekspozitive, kur shpjegon pika doktrinore, si për shembull në përkthime të ungjillit, ku stili âshtë konciz. Periodizimi i stërgjatë âshtë për argumentime emocionale me qëllim të bindë atê që lexon apo ndëgjon. Fjalët e shprehjet janë rreshtue në mënyrë që të kumbojnë bukur në gjuhën shqipe. Njëna ndër këto cilësi âshtë pasunia e variacio¬neve në sistemin e tingujve zanorë ku ruhet ë-ja në pozicion të pathek¬suem në trup e në mbarim të fjalës, sikur në disa dialekte periferike të shqipes dhe sot e kësaj dite, si në të folmet e Atikës e të Peleponezit. Për shembull: “Aty tue dashunë e Zotynë me bam e me kryem Evënë me mos lanë Adamnë ndë shoqni të shtazëve… trajtoi e bani të parënë grue.” Përdorimi i zanores ë si edhe shkallëzimi i tre gjatësive: 
a)zanore e shkurtë e patheksueme, 
b)zanore e theksueme, 
c)zanore e gjatë e theksueme shënue me zanore të dyfishtë (“shoqnii”), 
i japin ligjërimit të Bogdanit dhe të autorëve tanë të vjetër në përgjithësi llojshmëni të pasun muzikaliteti që rrallë gjindet në ndonjë gjuhë indoevropiane në fazën e tyne moderne. Shtoni mandej këtij sistemi vokalik me kaq variacione tingujsh edhe opozicionin fonologjik zanore hundore/ zanore jo hundore: ashtë/ asht. Reformuesit e gjuhës zyrtare e kanë shlye në shkrim këtë ndryshmëni tingujsh; në këtë variantë pranohen vetëm cilësi zanoresh, të thek¬sueme e të patheksueme. Ky cungim i tipareve fonologjike të shqipes shtrihet edhe në morfologji e sintaksë. Kategori gramatikore të tilla u përjashtuen pa asnjë shpjegim apo arsye, kundër çdo rregulle shken¬core. Nga specialistët e gjuhës nuk u argumentue as qëndnimi përse âshtë përjashtue gjuha e autorëve të vjetër, sidomos ajo e Bogdanit, si komponente ku përmbahen struktura themelore të gjuhës shqipe në përgjithësi.85]
Lexues të dashtun, âshtë e para herë që shprehem botnisht mbi këtë problem tejet të kapërthyem e të randuem nga faktorët gjuhësorë e jo gjuhësorë, d.m.th. shoqnorë e politikë.
Askush prej lavruesve e letrarëve tanë sot as në të shkuemen nuk âshtë as nuk ka qenë kundër njësimit të gjuhës së shkrueme. Mosmarrëveshja nis me pikëpamjen se si duhet bâ normalizimi. Metoda e ndjekun prej 1952 e këndej ka krijue probleme thelbësore në lamën teonike e metodologjike. Normnalizuesit nuk janë nisë prej bazës së traditës gjuhësore të dokumenteve, dmth, nga autorët e vjetër, nga baza kur shqipja ende nuk ishte aq e coptueme si sot në diaiekte. Si shembull, le të krahasohet gjuha e Bogdanit me të folmen e Hasit sot në mënyrë strukturale, dhe do të shihet se çka ka ndodhë mbrenda treqind vjetëve. Në fazën kur u nis normalizimi i gjuhës në Tiranë, gjuha e autorëve të vjetër (gegë, arbëreshë e toskë) nuk ishte e studjueme në sistemin e saj fonologjik, morfologjik e sintaksor. Kjo mungesë nuk i justifikon normalizuesit, përkundra. Ata shpesh flasin për normal¬izimin e gjuhës së kulturave të përparueme tue u përpjekë me gjetë paralelizma. Tek italishtja, për shembull, apo anglishtja, ka pasë nji kontinuitet zhvillimi qysh nga fazat e lashta deri më sot; format e soçme të shkrueme, gjuhët letrare, janë rezultate të fazave gjuhësore tradicionale. Përkundra ndër ne i âshtë sjellë shpina traditës, shqipja e lashtë e dokumentueme nuk âsht marrë si komponente në këtë njësim gjuhësor. Normat për standardizimin në disa anë janë farkue nga nalt në mënyrë autoritare, jo demokratike. Ato mbështeten në një formë sinkronike të gjuhës shqipe në një variant toskë. Në këtë formë “gjuha e njësuar” e sotme mund të quhet thjeshtësim, por jo njësim, mbasi në tê nuk janë integrue komponentet historike dhe kategoritë gramatikore bazore të trungut dhe trevës kryesore të shqipes. Këtë trung indo-europeistët e quejnë tash mâ se 100 vjet “allgemeinalbanisch”. Pra âshtë e provueme shkencorisht se shqipja e ka një bazë të vetën themelore.
Historia e gjuhës shqipe, si dhe lânda dialektore që po mblidhet e shtohet dita ditës janë tue na bindë se asnjë variantë e shqipes (as gegënishtja veriore, dialekti mâ i pasun e me traditë mâ të gjatë) nuk i përmbledh në vetvete të gjitha kategoritë ose fenomenet gramatikore të shqipes së përgjithëshme. Për derisa mos të sqarohen aspektet e ndryshme përmes studimeve mâ të thella të komponenteve të ndry¬shme të gjuhës, në këto kushte, edhe për të mos krijue ma tepër pshtjellim, do të ishte e përshtatshme lânia e lirë e varianteve gramatikore në gjuhën e shkrimit së paku në gjuhë artistike. Kjo duhet bâ edhe për hir të klasikëve tanë, arbëreshë, toskë e gegë, që ata mos t’u86] bâhen të huej gjuhësisht breznive të reja. Ndryshe nuk do t’i lêhej shteg i hapët gjuhës letrare për zhvillim të gjithmbarëshëm, tue ruejtë cilësitë themelore të gjuhës shqipe. I vetëdishëm se ka një tradite gjuhësore, âshtë Bogdani kur shkruen se më humbjen e gjuhës shqiptari humbi edhe fjalët thjesht shqipe. Me këtë pohim prek palcën e funksionit të gjuhës si mjet përçues i mendimit. Edhe ky mendim âshtë i aplikuem gjânësisht në gjuhësinë moderne, që lyp në përshkrimin e gjuhës formë (kategoritë e gramatikës) dhe përmbajtje (semantika apo kuptimi që paraqesin format e gjuhës). Bogdani dëshmon se ka kuptue që përmbajtja (idetë e “nalta [e] të holla”) lypin gjuhë fort të pasun kur përpiqet të rifitojë fjalët plaka, gjuhën e traditës. Kështu ai qëndron në trashigimin e Budit, Bardhit dhe Buzukut. Ka gjasë që t’i ketë rá në dorë në Romë një ungjill shqip që duhet të jetë para Mesharit të Buzukut.[4]
Humanisti e ka të qartë se pa gjuhë të pasun nuk ka letërsi të ngritun dhe se poeti apo shkrimtari pa mjete gjuhësore të mjaftueshme s’ka si ia thotë lexuesit të vërtetën e plotë artistike. Por mâ së pari për të kuptue një vepër të tillë si këtë të Bogdanit, u duhet gjurmuesve jo vetëm dija shkencore dhe zotësia, por edhe mjetet për t’ia bâ të dijtun një publiku të gjânë të interesuemësh. Ata që merren me gjurmimin e veprës së Bogdanit edhe me letërsinë e vjetër shqiptare mund të njehen maje gishtave të dorës. Mâ së pari këto vepra duhen sqarue grafikisht për të mundë me i lexue pa vështirësi dhe drejt. Deri tash janë sqarue grafikisht Meshari i Buzukut, mâ parë nga profesoi Namik Resuli e mandej nga profesori fort i çmuem nga të gjithë këndej dhe andej Adriatikut, Eqrem Çabej, si edhe e dyta vepër arbnore në radhë të kohës, Katekizmi i Matrangës nga Piana e Arbëreshëve, botue para 25 vjetësh nga Matteo Sciambra. Tekstet e vjetra gege tash së fundi po interesojnë albanologët kosovarë, ndër të cilët duhet përmendë Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismaili. Autorët tanë të vjetër janë të studjuem, në krye të vendit Buzuku, edhe nga gjuhëtarë e profesorë me famë ndër universitete evropiane, ku lânda e albanologjisë si specializim universitar âshtë tue marrë hov zhvillimi. Shumë prej tyne kanë nxjerrë leksikun prej “Mesharit” të Buzukut, zhvillimi i të cilit ka revolucionue studimet e historisë së gjuhësisë shqipe, tjerë kanë në skeda format morfologjike të Budit. Shpresoj se edhe në Amenikë do të vendoset për së shpejti albanologjia si lândë univensitare, dhe, ndër të tjera,87] do të gjurmohen edhe çashtjet e shqipes së lashtë pa të cilën nuk ka zhvillim në këtë lâmë shkencore.
Ndër autorët tanë të vjetër mâ i vështiri âshtë Bogdani. Vepra e tij ka pasë faza të ndryshme përpunimi, ndoshta qysh kur ai studionte në Romë deri gjashtë vjet para vdekjes. Por vendimtare për gjenezën e veprës ka qenë rrethana se ajo u shkrue shqip së pari, dhe mandej, me urdhën të Kuvendit të Propagandës në Romë, iu desh vetë autorit ta përkthente italisht.5] Gjatë kësaj pune Bogdani ndërroi vende-vende tekstin e origjinalit shqip për arsye të koordinimit të dy gjuhëve. Si shkruen ai vetë, gjâ fort e vështirë, por ai ia doli edhe sepse në Padovë ku u shtyp “Çeta e Profetënve” gjeti qetësinë e dëshirueme me vjete për t’iu kushtue përpunimit të tekstit në një ambient të kulturuem, me biblioteka dhe mundësina kuvendi konsultues me njerëz të ditun. Nga krahasimi i dy teksteve shqip e italisht vërtetohet se gjuha në të cilën Bogdani mendonte dhe e kish në mish e gjak âshtë gjuha shqipe, kështu që italishtja si gjuhë e dytë ashtë në këtë rast nën ndikimin e tekstit shqip. Në të zbulojmë frazeologji e proverba të përkthyem fjalë për fjalë nga shqipja. Me këtë dëshmohet se “Çeta e Profetënve” âshtë vërtetë vepër origjinale.
Due me mbyllë këtë kumtesë mbi gjuhën e stilin e një mjeshtri të madh të prozës shqiptare me citimin e vargjeve përlavduese të Don Lukë Sumës prej Shkodre nga Vjena me 30 gusht 1685, botue në fillimin e libnit bashkë me përurimet e admiruesve të Pjetër Bogdanit:
Bogdan Lavdi të qëndroftë/ Sa breshka rrozullmnë
Anë e pranët e kërkoftë/ Ende të mos jetë gunë...88]
.
Pjetër Bogdani - Ceta e Profetëve
Pjetër Bogdani – Ceta e Profetëve

Bibliografi

Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore mundi et ejus euangelica veritate italice et epirotice contexta et in duas partes divisa a Petro Bogdano Patavii MDCLXXXV. – [Botim fotostatik (riprodhim) me titull Cuneus Prophetarum a Petro Bogdano, Patavii MDCLXXXV 1685). Dr. Rudolf Trofenik, München, 1977. Me nji hymje prej Zef Valentinit dhe çelës për leximin e veprës nga Martin Camaj].
Selman Riza, Pesë autorët më të vjetër të giuhës shqipe (skripta). Universiteti shtetëror i Tiranës, 1961, fq. LVII.
Matteo Sciambra, Bogdanica. Studi su Pietro Bogdani e l’opera sua, Volume II: Saggio sul lessico scientifico e culturale del Bogdani. Casa Editrice Prof. Riccardo Patron. Bologna 1965.
Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit (1675-1685). Rilindja, Prishtinë 1982.
Zef Mirdita, Recherches épigraphique en Albanie… Arheoloski vestnik XXXI. 1980.” Lubjana.
Rexhep Ismaili, Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbënit (1706). Rilindja, Prishtinë, 1985. [89]
-[Marrë nga ALBANICA nr. 1, 1990,
1]Autori ynë pati fatin me pasë mjeshtër të gjuhës shqipe mbas gjase një lavrues fort të aftë, të ungjin, Ndre Bogdanin, arqipeshkv i Shkupit. Në “Të primitë” shkruen për tê. “Ky zot fort i urtë më dha fort zemërë me votë paret këtë vepërë, ende tue më ndihmuem pa kuer fort ndë shumë fjalë t’arbënesha, të sijat i kish udob e për duer, tue pasunë bâm ende aj nji gramatikë fort të godiçme latin e shqip.”
2]Midis dialektit të sotëm të Hasit apo të tipit të gegnishtes veri-lindore kemi nji zhvillim afërsisht prej 340 vjetësh. Karakteristikat gjuhësore të kësaj treve tek Bogdani i gjejmë në një fazë përkatëse paraprise: “kjanë” (qenë) “kanë”, formë e sotme e dialektit verilindor. Pos zhvillimit fonetik, i cili na shtie në parafazat e dialektit të sotëm, të quejtun kosovar, janë indikatorë të mirë tiparet morfologjike dhe struktura frazeologjike.
3]Fjala âshtë për një botim kritik të Cuneus Prophetarum nga prof Walter Breu, Martin Camaj dhe Dr. Elvira Glaser: janë në përgatitje tri vëllime mbi grafinë e fonologjinë, morfologjinë e sintaksën, dhe fjalorin. 
4]Këtë të dhânë e kemi prej Bogdani vetë nga një dokument që gjindet në arkivin e Kuvendit të Propagandës në Romë, citue nga M. Sciambra (chih bibliografinë). Bogdani e cilëson tekstin e gjetun “ungjill shqip”.
5]Mbasi kje për hiirtë Tinëzot, qui omnia disponit, mbaruem vepëra e nkryem gjithë arbë¬nishtë m’urdhënoj S. Kuvend, qi ende italianisht ta kthenjë ashtu qi të mundeshinë jo veçë t’arbneshëtë me zânë italianisht, pa ende këta arbënisht, tue u sherbyem posi t’ish nji kalepij (“Të primitë”). “Kalepij,” ital. “calepino” fjalor latinisht,” botue në Reggio nga Ambrogio da Calepio, 1502. Mbasi qe i pari fjalor latinisht i shtypun për t’u përdorë ndër shkolla, u mbeti emni “calepino” edhe fjalorëve tjerë që u botuen mâ vonë. Në lidhje me citatin e prumë këtu nalt sjellim vërejtjen mbi dy pika:
a)Bogdani jep si shkak të përkthimit të veprës së tij në italisht mundësinë praktike që nga ky tekst dygjuhësh të mësohet italishtja nga arbëneshët dhe shqipja nga italianët. Në mënyrë fort diplomatike lên në heshtje punën se arsyeja kryesore e botimit në dy gjuhë ishte kontrolli i inkuizicionit për shmangien e gabimeve doktrinore.
b)Për emnin shqiptar autori përdor formën mbiemnore i arbënesh: edhe në dialektin e sotëm verilindor të gegënishtes shënohet me mbiemën kategoria e fjalëve me vështrim patronimik; “i shkodran” shkodran, “i pukas” banor i Pukës, pukjan.
 .
Marrë nga muri i Fb i Agim Morinës, 12 mars 2021
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Agim Morina ka lene kete shenim per vepren e Pjeter Bogdanit: Për kureshtje, 30 fjalët ma të përdoruna në vëllimin e parë të Çetës së Profetëve:
    e 3386 – tè 2346 – me 1746 – ndè 1088 – se 1009 – pèr 978 – i 910 – chi 715 – tue 600 – ansctè 487 – giξξè 475 – gni 471 – mbè 369 – ma 342 – ù 334 – prej 311 – nuκè 300 – ende 294 – κa 267 – possi 265 – ξξanè 256 – pèrse 249 – vet 235 – κjè 233 – tijnaj 228 – pò 220 – κjanè 200 – janè 195 – pa 195 – si 179

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.