back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pjetër Budi, kalvari i pranimit të tij si poet dhe prozator nga Behar Gjoka

Gazeta

Behar Gjoka - studiues i Pjeter Budit
Behar Gjoka – studiues i Pjeter Budit

Pjetër Budi,

kalvari i pranimit të tij  si poet dhe prozator

nga Behar Gjoka

Moti i sivjetmë shënon 450-vjetorin e lindjes së Pjetër Budit. Në këtë kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, përkujtesa e Budit nuk mund të jetë e plotë pa qëndrimin e studimeve letrare dhe gjuhësore ndaj vetë autorit dhe librave të tij, të shtrira në kohë dhe hapësirë. Në këtë mot të rikthimit të vëmendjes nga jeta dhe vepra e tij, nga prania dhe mungesa e librave të aurtorit, vëmë re një qëndrim të dyzuar ndaj vlerave që përçon vepra e Budit, aq sa ende hamendësohet se a ishte poet apo jo? Dyzimi ekzistencial ndaj veprës shkrimore të Pjetër Budit, ende sot e gjithë ditën, vijohet në dy largpamje:
A-Vepra e tij ka qenë e pranishme në hapësirë dhe kohë, në arealin e letrave shqipe.
B-Mëdyshja e pjesës së dytë të shekullit të njëzet për të përcaktuar përmasën e poetit dhe të prozatorit. Prania e Budit, e librave të tij, vjen në dy përmasa:

Pjeter Budi - Peshkop dhe Shkrimtar
Pjeter Budi – Peshkop dhe Shkrimtar

1.Katër librat e Budit, Doktrina e Kërshtenë, Pasqyra e të Rrëfyemit, Rituali Roman, brenda të cilit është edhe libri i katërt, Kush thotë meshë këtë kafshë duhet me shelbuom, qysh në momentet e botimit janë bërë pjesë e pasurisë shpirtërore të bibliotekave të Romës, Parisit, Londrës, Kopenhagenit etj., pra e salloneve të kulturës dhe qytetërimit evropian. Kjo tregon se librat e Budit, bashkë me autorët e letërsisë së shek. 16-17, Buzuku, Matrënga, Bardhi, Bogdani dhe Kazazi, nxorrën nga mugullimat e kohës gjuhën shqipe, fytyrëzuan periudhën e parë të ligjërimit të shqipes dhe po ashtu hodhën urat e komunikimit dhe ndërlidhjes shpirtërore të botës arbënore me qytetërimin perëndimor, me gjasë me vetë Rilindjen Europiane.

2.Libri “Doktrina e Kërshtenë”, në tërësinë e vet, me tekstet e ceremonialit fetar, si dhe me 19 poezitë, ka qenë në përdorim të shqiptarëve në dy forma: Së pari, si tekst mësimor, në shkollat fetare të kohës të ritit katolik, por ka të dhëna dokumentare, që ky libër është përdorur edhe si tekst mësimor në shkollën e Dhërmiut në vitin 1632. Së dyti, alfabeti i librit të parë të Pjetër Budit, Doktrina e Kërshtenë, është përdorur në tregti, sipas Kalendari Kombiar, Shoqëria Dija – Vjenë 1908. Pra, Budi hyn ndër autorët e letërsisë së hershme shqipe, që ka qenë i pranishëm në komunikim me grigjën katolike, por edhe me botën e arbënorëve, pra shqiptarëve, më përtej besimit, vizion dhe mesazh, që megjithatë formulohet në letrën drejtuar Kardinal Gocadinos, shkruar në italisht më 15 shtator 1621.

Mëdyshja dhe refuzimi për të dhënë përcaktimin e poetit dhe të prozatorit. Askush nuk ka vënë në dyshim se është shkrimtari më prodhimtar i letërsisë së shekujve 16-17, madje që si trashëgimi vjen me katër libra. Madje, ka të dhëna që ka edhe tekste që kanë humbur, ose që do të dalin në dritë, në prozë apo poezi të përshpirtshme. Studimet gjuhësore, përkatësisht Kol Ashta, përpos analizave të thelluara të dëshmisë gjuhësore, më herët ka përcaktuar se vepra e Budit ka leksikun më të gjerë, krahasimisht me shkrimtarët e tjerë të asaj periudhe. Kjo rrethanë e thellon dhe qartëson mëdyshjen e studimeve albanologjikë.

-Vepra shkrimore e Budit është studiuar e zbërthyer si dëshmi historike dhe gjuhësore, edhe në këtë ndërkohë.
Nga ana tjetër, në shumicën e herëve, refuzohet vlera letrare, madje në jo pak herë, pa e pasë lexuar veprën e Budit, si tërësi dhe jashtë paragjykimeve biografike. Vihet re se refuzimi si vlerë letrare e librave të Budit, pra si poet dhe prozator, ka ardhur në dy forma:
-Duke përcaktuar drejtpërdrejt trashëgiminë poetike si të përkthyer dhe të përshtatur, si dhe përgjithësisht, duke e lënë jashtë vëmendjes prozëshkrimin.
-Duke e përqasur me veprën e Bogdanit “Çeta e profetëve”, pra në një qasje tërthore. Lidhur me përcaktimet e drejtpërdrejta, pavarësisht faktit se qysh me kohë ka qenë shqyrtim i mjeshtërve të shkrimit letrar, Konica, Mjeda, Koliqi, Henrik Lacaj, Selman Riza e deri te Martin Camaj, përgjithësisht ka pasur një përpjekje për të lenë në hije të paartikuluar vlerën letrare të pozisë së Budit. Po përmend këtu një fakt të hershëm: Ende nuk është botuar monografia studimore e Henrik Lacajt, megjithëse dorëshkrimi i zbërthimit të poezisë, të vlerës së saj, të hetimit dhe të shenjave poetike, është dorëzuar qysh në vitin 1949, pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë.
Fil pas këtij momenti në Shqipëri nisi leximi antifetar i librave të Budit, ku pranohet shenja gjuhësore dhe historike dhe gati fshihet aspekti i krijimtarisë origjinale të shkrimtarit. Nga ana tjetër, në Kosovë, në vitin 1986, nën kujdesin e Rexhep Smajlit, botohet e gjithë poezia e autorit, e shkruar në gjuhën shqipe. Dritarja e hapur për të lexuar poezinë e autorit solli në vëmendje një punim të Zeqirja Nezirit, “Poezia e Budit” (1995), që merr në shqyrtim poezitë e librit “Doktrina e Kërshtenë”. Në ndërkohë, periudha e parë e letërsisë shqipe, si dhe e vlerave letrare të zbërthyera përmes optikës së teorive moderne, vjen në librat e Anton Berishajt, Kujtim Shalës, me gjithë zanafillën e teksteve mësimore të këtyre trajtimeve.
Përmasa e poetit dhe e prozatorit vjen në librin e Anton Berishës, “Poeti dhe prozatori”, botuar në 2015. Në këtë ndërkohë, si një përpjekje për të shënuar tiparet e shkollës letrare të kësaj letërsie nga Sabri Hamiti futet termi letërsi biblike apo filobiblike, që më tepër ndriçon aspektin e tematikës. Pra, tani ka marrë udhë leximi fetar, që vështron përmbajtjen dhe brendinë, por që lë në pozitë rtë midistë dhe në hije letraren që bart poezia dhe proza e Budit.
– Përqasja e Bogdanit dhe e Budit, sidomos në Shqipëri është sipërfaqësore dhe e rastësishme. Është sipërfaqësore sepse flasin për epërsinë e Bogdanit ata që nuk e njohin ose e paragjykojnë vlerën letrare të poezisë dhe prozës së Budit. Është sipërfaqësore për faktin se katër librat e Budit janë të ndryshëm nga “Çeta e profetëve”, që ndërkohë vetë ky tekst është vijim i traditës shkrimore të Budit, por njëherit edhe një moment unik.

Pjetër Budi - "Paschyra e të rrëfyemit", Rome 1621
Pjetër Budi – “Paschyra e të rrëfyemit”, Rome 1621

Tashmë, ka ardhur moment i leximit të librave të Budit vetëm si tekst letrar, që bashkëlidh fetaren dhe letraren, në kontekst me kohën dhe vijueshëmrinë e pranisë së poetikës së endur prej autorit, e në mënyrë të përveçme të shenjave estetike që bartin poezitë origjinale, si poezitë e rishkruara, siç e formuloi Selman Riza, po kaq edhe prozëshkrimin, që shkëlqen në faktologjinë e letërkëmbimit. Dija njerëzore dhe letrare në vetvete ofron dy momente të dritëhijeve të përqasjes:
A-Komedia “Bretkosat” e Aristofanit përqeshi përpjekjen e formësuar qysh në antikitet, për të krahasuar dhe përplasur Euripidin me Eskilin.
B-Aksioma e gjermanëve se çdo krahasim çalon, që i përkon mendësisë bashkëkohore.
Pasi të lexohet, madje pasi të botohet edhe proza e Budit, 170 faqe tekst, që gjendet e shtrirë në të katër librat e shkrimtarit, të pranohet dhe vlerëesohet vlera e poezisë dhe e prozës së Budit, ka kuptim të flitet për përqasjen, në mes autorëve, teksteve të tyre, por pa lënë jashtë vëmendjes vijueshmërinë e Bogdanit gjuhësisht dhe letrarisht, si njohës i librave të Budit me siguri më të madhe kjo i “Doktrinës së Kërshtenë” Në përvjetorin e 450-të të Pjetër Budit, dita e sotme le të jetë një parakalesë-fjalë e Budit, për të vlerësuar martirin e fjalës, si poet, njeri dhe bari shpirtëror, që 29 vite të jetës gjalloi në Kosovë, ka madje u përkundën poezia dhe prozë e tij, që duam apo jo, hodhi themelet e letërsisë shqipe, bashkarisht me veprën e Buzukut, Matrëngës, Bardhit e Bogdanit...

Marrë nga http://shqiptarja.com 15 Qershor 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.