back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Pjetër Mëshkalla – dhe një dorëshkrim poetik për Krishtlindjet

Gazeta

Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)
Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)

Pader Pjetër Mëshkalla –

dhe një dorëshkrim poetik për Krishtlindjet

Krishtlindjen’ Shkodër 1909 At Pjetër Mëshkalla S.J.
Guri i Parë i Katedrales u vue Në 1867.
Mbas vitit 1909 qeveria Turke, në Shkodër, për shkak të lëvizjeve Shqiptare për liri,
(pushka vlonte, shpesh deri në afërsi të qytetit), i ndaloi disa shfaqje tradicionale
“Të Natës së Këshndellave”, tue i hjekë diçka poezisë së bukur të Festës.
 
***
Dha lajmin kumbona
me tinguj argjandi,
theu muzgun jehona,
gjithë zemrat i trandi:
Vinë festat e lume,
Krishtlindje e bekueme,
me shndet e me gëzim!
Kumbonat e randa,
kumbonat e lehta,
këndojnë me t’pasë ânda
me notat e veta:
Ushtojnë kumbonarët!
Larg zani përdarët
tue ra pa pushim…
Sa kandshëm dikohet
kjo valë e harmonisë,
krejt shpirti naltohet
ndër sfera t’hyjnisë:
Kah shpresa e ngushllimit,
kah rrezja e shpetimit,
drejt paqës që vjen!
Në atë kupën qiellore
o hyjë xhixhilloni,
o male, prej bore
në dritë të hanës zbardhoni,
që zemrat e dlira
të gëzojnё, vullnet-mira
me atë fé që na ushqen.
 
Krishtlindjet ne vitet '20
Krishtlindjet ne vitet ’20

***

Tarabat kërcasin,
po mbyllën dyqanët,
gra e burra hitasin,
vrapojnë përgjith-an’ët:
Përshëndetje e përgëzime,
ma të bukrat urime
gjatë rrugës ndigjon.
Tash hargjet e mbrame
s’ka mbetë kush pa i krye,
gjithkush do n’këte mbrame,
n’shtëpi ngutshëm m’u kthye:
Shegêrti e tregtari,
ngarkue, prej Pazari
ma thekshëm vrapon.
Plot dritë janë shtëpijat
plot zjarmi te oxhaku,
pёlcasin dëllinjat,
luejnё fëmia te praku,
e gratë nuk pushojnë,
pa dá vinë e shkojnë,
vëlon puna gjithkund…
Në familje krye-pare
ka sonte gjithë të mirat,
në ato mesatare
plotësohen dëshirat;
po edhe unë fukaraja
në këto festa të mdhaja,
do të gëzoj edhe unë!
Pak baba fitimet,
pak qiti edhe nana,
e shkreta, kursimet
me blemun do gjana;
por… erdhi té dera
dikush e, si era,
la i shportë edhe shkoi.
Vetë bana “Betlemin”,
sa i bukur që më doli!
S’e ka kush si t’emin
Në mahall’n “Gjuhadol”:
me drrasa e pёlhura,
me letra e piktura
ka kohë që unë punoj.
E tash, q’e mbarova
unë punën të tanë,
te baba flut’rova
me nanën e vëllanë,
njirendi tue shkue
gjithë sëbashku me u vu
te votra “n’gjuj të mdhaj”.
Dhe ngrihet em atë
qirin ndezë atëherë,
premton ndonji uratë
dhe ulët me t’tjerë,
n’sa na me ngadalë
e flasim pa u ndalë,
uraten si ai…
Por, mue nuk më zë vêndi,
lëshoj zanin e hollë,
më rrah zemra prej shêndi-,
tham vjershat si n’shkollë,
nga “shpêlla”- tue ba,
nga Prindët – temena –
– andej – edhe këtej.
E, kthehëm të rrokë prindën…
por, baba ka ulë kryet,
e nana merr kinden
e shpejt i fshinë sytë…
Nuk dij çka u ndin zêmra,
por, mue më dridhet thêmra,
më vlon gjaku ndër dêj…
A thue janë lot gëzimi?
A por janë lot malli?
O ndoshta pikëllimi,
pse mblue na ka halli
në ket të shkretë jerevije,
përdhese vorfnije,
si Krishti në Stan?!
Por, çka! Jezuin kemi
ndër zemra të vajtueshme;
të ngrohun na jemi
me hire të hyjnueshme:
 
I drejti në këte jetë
ka paq’n e vërtetë,
që të tjerët nuk e kanё.
Me Jezun na kjajmë,
e gëzimet ma të thêllat
me Jezun i ndajmë:
E, i lusim Këshndellat
me aq të mira që Zoti
na i fali në ditë soti,
me Jezun e Lumë!
Oh, sa ambël sahati
rrjedh sonte në strèh’ tonë!
Kaq ambël!… por s’gjati
ra’i tingull… kumbonë…
Mesnatë!… Krisë batarja,
jehon Kumbonarja,
vlon pushka ma shumë.
 
***
Në këto vala festuese
gjithë zemrat na qeshën,
si rryma vërshuese
njerëzia rrugës ndeshën,
kumbon’t ajrin çajnë,
e, pushkët nuk ia ndajnë
për festën që na erdh’.
Na pret Kisha e Madhe
Krejt mbushë me kandile,
Vinë rradha mbas rradhe
me tuba familje,
e, në Kishë, prej pesë portash,
çdo moshe e gjithë ortash,
mbrendë populli u dêrdh.
Sa dritat, si ylberi!
sa jone të mallngjyshme!
Sa priftën te Elteri
me petka të shkёlqyeshme!
Timjani me shtille,
naltohet drejt qielle,
fjollë-fjollëza plot!
Shkon lart si timjani,
urata e lirë,
-i kangës ushton zani,
me Engjujt e mirë:
“Ka lindun Mesia,
vjen paqa e dashnia!
Lumni të Naltit Zot!”
.
BB 1950
Shënim nga F. Radovani: Poezia asht me kujtime të fëminisë së Autorit, të vitit 1909.
Asht shkrue nga At Mëshkalla në vitin 1950, në (BB), Burgu Burrel. Nga ana ime nuk asht ba asnjë ndryshim.
Melbourne, 23 Dhjetor 2019.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.