back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Plagë Lulezonje… – tregim nga Ramiz Gjini

Gazeta

Lule dorezonje
Lule dorezonje
Plagë Lulezonje
tregim nga Ramiz Gjini

Shumë vite më parë, teksa bëja një gjumë të rëndë, pashë në ëndërr Mirgjina Didilin: u dha në kopështin tim në një orë të pasdrekës kur ajri dukej sikur avullonte e gjinkalla çmendej mbi drurë.
Sapo kisha kositur barin dhe po përpiqesha të ujisja tokën me pantallonat e përveshura gjer në gjunjë e me një këmishë pupline të lehtë në trup.
Duke ngritur me njerën dorë cepin e fustanit të saj të kaltër, Mirgjina kapërceu gardhin, shkeli lehtësisht mbi qilimin e blertë dalëboje të barit të kositur përgjat koridorit me dardhë dhe ndaloi fare pranë meje. Tamam si të qe një flutur e lodhur nga vjeshta e vonë.
Tani, shpesh mallkoj veten: përse nuk i dhashë rëndësi asaj të qeshure hakmarrëse, që ato çaste i pushonte mbi buzën e poshtëme; mbi buzën e saj si disku i hollë i një hëne të vrerosur, që vetëm një vajze fshati si ajo mund t’i shkojë.
E pata dashur Mirgjina Didilin qysh në kohën kur qe një fëmijë i rritur pa asnjë mëkat, dhe, asnjëherë nuk pata dyshuar për pastërtinë e ndjenjës time. Si më përshëndeti thjeshtë, zuri vend mbi një trumbë bari të kositur; ngadalë e gjithë kujdes, e bukur dhe e hirshme, a thua se kish frikë se mos bjerrej nga kujtesa ime. Lëkura e fytyrës së saj-bronx i çelët, sytë-shpuzë e gjallë, edhe më të bukur se ata të atëherëshmit; ndërsa flokët e shpupurisur, – në ngjyrën e një gështenje të njomë. Mbi fustan, ajo mbante veshur një triko me pikla ngjyrë kafe në të errët. Tamam një gjarpërushë që shullehej e qetë me sigurinë që të fal thumbi helmatisës.
Qemë rritur bashkë; dhe verimet, para se të shkelnim pragun e adoleshencës i patëm kaluar majë bjeshkëve të Korabit ku prindërit tanë ngrinin stanet. Asokohe, gati për çdo ditë, unë mblidhja luleshtrydhe, i vendosja mbi llapusha të mëdha dhe ia dhuroja Mirgjinës. I bëja edhe vargje: i shkoja kokrrat me kujdes në një fije të gjatë bari dhe ia vendosja si gjerdan rreth gushës.
Një ditë, – më kujtohet si sot, – Mirgjina erdhi tek unë disi e tjetërsojtë. Mezi e njoha. Kish bërë tualet duke i lyer buzët me lëngun e luleshtrydheve. Mbi flokë kish vendosur një kurorë lulezonjash. Ndërsa më vështronte në mënyrë të çuditëshme, lotonte në heshtje para meje, si të kishte qenë e detyruar të vendoste për një gjë, që ajo vetë kurrsesi nuk kish dashur ta bënte. Në vitet që rrodhën, do të kuptoja që, loja mes meje dhe Mirgjina Didilit, kish pësuar një ngërç, shkakun e të cilit, se mora vesh kurrë.
Dhe ja, përsëri, gati pas njëzetë vjetësh, ajo erdhi në ëndërrën time me një buzëqeshje hakmarrëse në buzë. Lotët, tashmë i qenë tharë, kurse në sytë i buronte një vështrim i rreptë. Qëndroi e ulur aty për një kohë të gjatë pa thënë asnjë fjalë, derisa zbriti brenda meje ai fëmija bredharak i livadheve.
-Sa mirë bëre që erdhe Mirgjina! – thashë, – Pothuaj të kisha harruar! Hajde lozim si dikur!
– Lozim, – tha ajo disi me hakërrim. Dhe, si nxorri prej dikah një thikë të mprehtë, me lëvizje të shpejta të dorës, më hapi në kraharor një plagë në formë lulezonje. Gjithshka e kreu me shpejtësinë e vetëtimës. Pastaj u largua qetësisht, pa e kthyer asnjëherë kokën prapa, duke më lënë të përpëlitesha përmes dhimbjesh.
E pashë kur mbërriti në rrethinën e fundit të kopështit: kapi me kujdes kindin e fustanit të saj të kaltër, kërceu gardhin dhe humbi prapa shelgjeve, degët e të cilëve, vareshin anës rrugës si krifa kuajsh në radhë.
Kur u zgjova, mendimi se gjithshka pati ndodhur në ëndërr më lehtësoi disi, por dhimbja nuk më kishte shterur. Ndërsa preka me dorë kraharorin, ndjeva që këmisha vërtet qe prerë me thikë, ndërsa në gjoks kisha plagën në formë lulezonje.
Çdo ditë, duke filluar që nga ajo kohë, e mira ime shoqe, më ndërron rregullisht fashot mbi plagë.
Marrë nga Muri i FB Ramiz Gjini, 12 tetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.