back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Plëngprishësi – tregim nga Armenida Qyqja

Gazeta

Armenida Qyqja
Armenida Qyqja
Plëngprishësi
tregim nga Armenida Qyqja

Nuk po e kuptonte nëse ishte zgjuar apo në ëndërr. Një zjarrmi e madhe, frymëzënëse e kishte pushtuar. I bëhej sikur ishte i vetëm nëpër një shkretëtirë, si një i dëbuar, i mallkuar, që endej nga sytë këmbët me forcat e shteruara. Këmbët i ngatërroheshin me njëra-tjetrën nëpër rërën e nxehtë dhe si një mirazh i turbullt i shfaqej fytyra e të vëllait, diku në largësi mes kreshtave të dunave. Diçka i thoshte, por zanoret bymeheshin me ajrin përvëlues dhe ai nuk arrinte t’i kapte. U nis drejt tij dhe pa kuptuar as vetë, u gjend në një shtrat spitali, brenda trupit të vëllait të tij. Tani ai ishte ai, ashtu siç kishin qenë dikur në fëmijëri: bashkë, të pandashëm.
Mungesa e ajrit e detyroi të shkundej dhe dilte nga ajo gjendje. Gati pa ekuilibër, u ngrit mbi bërrylat dhe u mundua të merrte frymë thellë me gojë. Iu deshën disa përpjekje radhazi derisa të ngopej me ajër dhe normalizonte frymëmarrjen. Ishte bërë ujë i tëri. Nuk dinte se ç’dreq gripi ishte ky që e kishte mbërthyer kaq keq, me ethe, kollë, marrje mendsh, therje kockash dhe bllokim mesi. Po bënte gati një javë në jerm, por as që e kishte marrë mundimin të vizitohej e as kishte ndërmend të merrte mjekime, siç bënte rëndom. E kishte humbur tashmë besimin tek mjekësia. Më keq akoma, e urrente çdo gjë që kishte lidhje me mjekët, spitalet, farmacitë, vaksinat… Kush e di ç’na kanë futur në gjak me ato dreq vaksinash. Apo s’bëmë dhe tre me detyrim, si bagëtia në vathë! Më mirë mos t’i kisha bërë. E humba që e humba punën.
Ai e dinte shumë mirë që të gjitha këto mendime që i erdhën në kokë në ato çaste, ishin vetëm çorientime të vogla, dritëshkurtra. Ai s’do ta hiqte dot mendjen nga ajo që kishte parë në ëndërr. Shkretëtirën, endjen, mallkimin, veten e tij brenda trupit të vëllait, tubat e lidhur dhe grahmat e vdekjes.
Priti sa t’i mësoheshin pak sytë me errësirën dhe u ngrit ngadalë. E shoqia flinte e dërrmuar, ajo nuk i kishte ndier lëvizjet e tij. Dhe ajo ndihej e këputur këto ditë. Mesa duket ia kishte ngjitur dhe asaj këtë virus të shpifur, që s’dihej nga e kishte marrë. Duke u mbajtur tek shtrati, arriti para komodinës, hapi sirtarin dhe nxori një bluzë që i kapi dora. U ndërrua dhe qëndroi një copë herë i ulur mbi shtrat. Të shtrihej apo të kalonte matanë, në sallon? Shkoi nga salloni. Gjumi i kishte kapërcyer tashmë. Kot të rrotullohej e të kollitej në shtrat e t’i prishte gjumin gruas. Doli, ngadalë mbylli derën e dhomës pas vetes. Kolla kishte filluar ta ngacmonte tashmë me gjithë përpjekjet e tij për ta mbytur.
Mbi sobë kishte mbetur ende ca çaj bliri, që kishte zier më herët e shoqja. Ndezi sobën për ta ngrohur, bëri një filxhan gati dhe shkoi pranë dritares. Një tis i hollë dëbore i ishte veshur nga jashtë parvazit. Bora e parë e këtij dimri, mendoi ai, dhe mendimet e tij shkuan larg në fëmijërinë e tij, kur bora në Tiranë ishte gjë e rrallë. Dy-tre centimetra, mjaft për të shkaktuar gëzim tek fëmijët, por kurrë për të bërë një njeri bore. E megjithatë, të gjithë fëmijët e lagjes i hynin me zell mbledhjes së borës në sheshin para pallatit për ta bërë një të vogël. Për një çast e pa veten atje në sheshin e zbardhur bashkë me fëmijët e tjerë, motrën dhe vëllanë. Iu duk sikur dëgjoi zërin e nënës që i thërriste ata të tre nga dritaria e katit të katërt të vinin brenda. I paralajmëronte se do t’u mpiheshin e do t’u dhembnin gishtat. Por asnjëri s’e dëgjonte e bindej në ato çaste, as ai që ishte më i madhi, kapo i bandës, që e kishte për detyrë të kujdesej për ta. E shkriva, e qava me lot! Si atëherë dhe tani! – mendoi ai duke kujtuar lotët e motrës kur ishin futur brenda në shtëpi, gishtat e skuqur që nëna po ua ngrohte me frymën dhe duart e saja, para se t’ua lante me pak ujë të ngrohur në ibrikun e çajit mbi sobë. Ata të dy janë atje tek nëna dhe ajo i di të gjitha.
Shushurimat dhe aroma e çajit, që filluan të mbushnin dhomën, e përmendën. E donte fort këtë aromë që gjithnjë e kthente mbrapsht në kohën kur mblidheshin rreth sobës, buka e thekur mbi stufë me pakëz gjalpë, ngrohtësia që përhapej valë-valë që në kafshatat e para, nga stomaku nëpër tërë qenien. Po ashtu, si atëherë, ai ndjeu po atë qetësi të brendshme t’i zinte vend thellë në qenie. Fiku sobën, mbushi filxhanin dhe u sheshua në divan. Gjysmë i shtrirë, filloi të rrufiste pak nga pak çajin dhe ndezi televizorin. Ia uli krejt zërin dhe vuri titrat. E si vijnë kohët: Atëherë nuk shihnim thuajse fare kanalin shqiptar dhe pse ishte e ndaluar dhe mund të shkoje në burg po të spiunonin që shihje kanalet e huaja. Sajonim antena, një a dy majë tarrace, vetëm për të parë Rai-n. Tani jam prej kaq vitesh në Itali dhe shoh kanalet shqiptare. Eh, djall o punë!
Njëri kanal po ritransmetonte lajmet e orës së fundit. E kapërceu se nuk kishte ç’t’i shihte, një tjetër po transmetonte një debat politik pas gjurmëve të Tigrit dhe zhvillimet e reja të Spak-ut. E la aty, megjithëse fjalë boshe ishin të tëra, hidh e prit nga tigri te mbreti i xhunglës. Gjashtëdhjetë milion eurot e avulluara as do të kthehen më në arkën e shtetit, ndërkohë që ministrat luajnë kukafshehthi… Gjashtëdhjetë milion euro! Ndërsa ai ishte prishur me vëllanë e tij për tridhjetë mijë euro! Nuk kishte arritur t’ia falte kurrë vetes. E kishte sharë hajdut, hileqar, plëngprishës, maskara… dhe prap se prap ai ishte vëllai i tij i vetëm dhe tani s’ishte më. Nuk i kishte gëzuar ato tridhjetë mijë eurot për të cilat nuk kishin folur gati dy vjet.
-Tridhjetë mijë euro, – kishte thënë motra duke i bërë me shenjë të bijës që t’i linte vetëm pasi u kishte sjellë kafetë. Nuk donte që ajo të ishte pjesë e një debati të shëmtuar mes vëllezërve të saj. E bija, fëmijë akoma dhe pse kishte hedhur goxha shtat, e kishte parë pak me habi, por i kishte lënë vetëm.
-Kaq na bie secilit në pjesë. Mua më duhen ndoshta edhe më shumë se ty, por nuk ia vlen të humb vëllanë.”
-Më shumë se mua! Po se më dini jashtë shtetit, se atje i kam paratë me thasë unë! Po që më del shpirti në punë nga mëngjesi në darkë?
-Po të paktën ke punë. Këtu as punë s’po kemi dhe rrogat janë…
-Po kur ka kërkuar ai dhe unë s’e kam ndihmuar? Më thuaj, kur? As kam pritur të m’i kthejë ndonjëherë. Ia kam falur. Dhe ai të ma bëjë këtë?! Do ta hedh në gjyq maskaranë! Ti, falja pjesën tënde po deshe. Si e shiti shtëpinë e prindërve pa na pyetur, pa na marrë firmat?! Ç’i bëri? I falsifikoi? Moj, a e ke idenë si u ndieva kur më doli burri i botës në derë? Kisha një orë gërr-vërr me bravën si idiot. – tha ai dhe rrotulloi dorën në ajër me nervozizmin, njëlloj sikur dera të ishte aty para fytyrës së tij dhe refuzonte të hapej. – Thoja, çfarë dreqin ka dera që s’hapet? Derisa doli tjetri e më pa, o si hajdut, o si të lojtur nga mendja. Ti e dije që ai e kishte shitur e s’më lajmërove.
-Vonë e mora vesh edhe unë. – tha e motra,- më thanë fqinjët. Takova një ditë Donikën rastësish, në rrugë…
-Po pra, bukur e merr vesh nga dynjaja! – e ndërpreu ai tërë ironi dhe i ra gjunjëve të veta, -Po pse s’më more në telefon të më tregoje?
-Ç’do ndryshoje? Ishte bërë tashmë. Ç’do zgjidhje që andej. Kur të vije do ta thoja. Nuk më shkoi mendja që ti do të vije pa lajmëruar e pa të dalë ne para. – zëri i saj po acarohej tashmë. Nuk e mbanin më nervat.
-Doja t’ua bëja surprizë pra, që më hëngrët mortja mua dhe surprizat!
Kishte ardhur fiks për ditëlindjen e motrës, të cilën ai e kishte pasur gjithnjë dobësi dhe nuk e kishte fshehur kurrë që e donte më shumë se vëllanë. Kishte menduar të shkonte të bënte një dush e të ndërrohej, e pastaj t’i mblidhte të tërë për një drekë iashtë qytetit e ç’të dëshironin ata.
Ai u ngrit në këmbë dhe filloi xhirot nëpër dhomë. Pastaj u ul prapë dhe hodhi vështrimin mbi filxhanin e tij. As që e kishte pirë kafenë dhe ajo tani ishte bërë me padyshim akull.
Mirë që e bëri, po si nuk na jep pjesën që na takon.
Në gjyq, që ç’ke me atë punë! Do t’ia nxjerr për hundësh qumështin e nënës, plëngprishësit.
E motra kishte ulur kokën e dorëzuar. Ishte dobësuar shumë kohët e fundit, por s’ia kishte thënë askujt arsyen.
Mendoje mirë! Të bëhemi gazi i botës! Paraja shkon e vjen. Lërja kohës dhe Zotit!

Vepra të Armenida Qyqjas
Vepra të Armenida Qyqjas

Ai kishte turfulluar sa kishte pasur frymë, por gjyq nuk kishte hapur. Shpenzime kohe e lekë, avokatë, të sorollatej poshtë e lart kadastrave e gjykatave, por mbi të gjitha nuk mund ta bënte. Nuk mund ta ulte veten gjer aty sa të hapte gjyq kundër vëllait për tridhjetëmijë euro.
Kurse këta palaçot vetëm në një dorë kanë avulluar gjashtëdhjetë milion euro dhe populli s’ka bukë të hajë e po hamë njëri-tjetrin rrugëve.
Nuk po e ndiqte më debatin. Ai kishte humbur sensin. Ndjeu t’i rëndonte kraharori dhe t’i ngushtohej frymëmarrja. Në vesh i erdhi përsëri gërhima e tmerrshme e respiratorëve, e shoqëruar nga tingujt e ajrit të ngushtuar rrugëve të frymëmarrjes. I vëllai, mezi kishte arritur t’ia shqiptonte emrin dhe t’i thoshte më fal. Kaq. Zhurma e një agonie të një njeriu që s’mbushej dot me ajër, kërcitja e telefonit të rrëzuar dhe pas pak linja qe mbyllur.
Dritan! Dritan! – kishte thirrur, por më kot. Në anën tjetër i përgjigjej vetëm heshtja boshe, një heshtje që sëmbonte në pafundësinë e saj.
Kishte qarë me ngashërim dhe më pas kishte bërë të dilte nga shtëpia, ashtu siç ishte me shapka e me pizhame. Gruas së tij i ishte dashur shumë forcë ta ndalonte të mos dilte jashtë tani që qarkullimi ishte i ndaluar.
-Këlyshët e bushtrave, po na vdesin të gjithëve, të ngujuar si mijtë e laboratorëve, ku i sajojnë vetë viruset. Do të dal! Ma hap rrugën! Le të më fusin në burg! Qelbësirat! Nuk u ngopën që kurrë mos u ngopshin!
-Burgu është lule, do hamë ndonjë gjobë që hajde të ngremë kokë. Ulu të bëj një kafe njëherë, ndërrohu, pastaj ik, dil bëj xhiro ku të duash. Të paktën të jesh i veshur po përfundove në polici. – ishte munduar ajo ta zbuste. Por atij i kishte hipur keq në kokë, donte të dilte rrugëve, të bërtiste e të ulërinte me sa kishte në kokë.
Gjithë pallati i dëgjonte ulërimat e tij, që s’dihet sa vazhduan. Tashmë gjëra të tilla ishin bërë normale me njerëzit që po shkallonin të mbyllur dhe telefonat që pikonin pareshtur lajme zije. Via Emilia i kishte parë të gjitha: njerëz që bërtisnin e ulërinin, qanin e këndonin ballkoneve. Hidhnin e prisnin në solidarizim me një njëri-tjetrin nga njëri pallat në tjetrin përkarshi. Ishin bërë tani si një familje e madhe e ngujuar në të njëjtën çmendinë.

Ajo telefonatë kishte qenë e fundit që i kishte bërë i vëllai, në çastet e fundit të jetës.
Ai e lau ndërgjegjen e tij. Po unë timen? Si ta laj unë timen? Po pyeste ai veten për të qindtën herë. E mohova vëllanë, dalë nga i njëjti bark, për tridhjetëmijë euro. E bëra hasha. I mbajta mëri vite me radhë. Nuk e pyeta as motrën: pse të duhen ty më shumë se mua ato para? U ftoha pak nga pak edhe me të, dhe pse? Sepse ajo kishte një shpirt më të madh se timin! Se ajo dinte të falte! Jam i keq, më keq se ky që po kujit këtu pa pikë turpi para kamerave. Për vëllanë e tij, familjen e tij, ky ndoshta është i mirë. Kurse unë, unë i dështova të gjithë!
Pa mbushur të dyzetat vëllai, kishte ardhur lajmi i kobshëm për motrën. Kancer në fazën e fundit e ai s’kishte ditur asgjë. Mesa duket sëmundja i ishte shfaqur që atëherë, në vizitën e tij të beftë. Si kishte qenë kaq egoist e kaq lekist sa mos t’i kushtonte vëmendje shëndetit të saj! Para syve i doli sërish fytyra e saj e hequr dhe rrathët e rëndë poshtë syve. Ah, sa i verbër kam qenë. Sa budalla! Sa i vogël! Ajo s’ka dashur të më rëndohet, ndaj s’më tregoi. Më pa sa keq reagova por ato tridhjetëmijë eurot e qelbura dhe s’më tha kurrë një fjalë, të më kërkonte ndonjë ilaç të paktën. Po ta kisha marr këtej e të kurohej, ndoshta do shpëtonte.
Ai kishte humbur në fund të atij dimri të tmerrshëm vëllanë dhe motrën dhe as kishte mundur t’u shkonte në varrim, për shkak të kufizimeve nga pandemia. Prindët kishin vdekur të rinj, njëri pas tjetrit, tani që kishin ikur dhe vëllai dhe motra nga kjo botë ai ndihej si një jetim dhe pse kishte familjen e tij, grua dhe fëmijë, dy djem burra tashmë.
Thonin që vdekje të tilla, brenda të dyzetave, pasohen nga një e tretë. Kishte pritur. Një zot e di si kishte pritur. Përveç peshës psikologjike të dhimbjes dhe dënimit të vetes, asgjë tjetër nuk i kishte ndodhur. Kishte menduar kaq herë infermieren e vetëmbytur në lumë, atje në Lombardi, pasi rezultoi me covid dhe sa herë që e kishte menduar, njëlloj kishte gjykuar. Vdekje e shpejtë. Disa minuta agoni nën ujin e akullt, që për dreq e prezervon trurin pa oksigjen edhe më gjatë sesa mbytja në ujë të ngrohtë, sidoqoftë vetëm disa çaste në vend të ditëve të tmerrshme, i lidhur në një krevat, me thasët e plasmastë gati. Shumë mirë e kishte bërë, për çfarëdo motivi që ta kishte bërë, brejtje ndërgjegjeje e të qenurit transmetuese dhe pse padijeni, frikë nga vuajtja, përllogaritje e ftohtë shansesh për t’ia hedhur, sido që të ishte. Patjetër që gjitha arsyet ishin ngatërruar keq rreth njëra-tjetrës me gjithë atë tmerr që i shihnin sytë çdo ditë, niveli astronomik i stresit dhe orët e pakta të gjumit. Kështu pra, infermierja tridhjetekatër vjeçare kishte qenë viktima e shtatëqind e dyzetë e tretë, duke i dhënë vdekjes një shifër në harmoni të plotë. Shuma e dy numrave të fundit barazonin numrin e parë dhe çuditërisht apo rastësisht ato dy numra ishin në shifrën e viteve të saj të jetuara, tresh dhe katër.
Vetëm universi nuk loz me rastësira! Ai planifikon me shpejtësinë e dritës qindra e mijëra vite përpara. Kambana për të kishte rënë, ishte vetëm çështje orësh, përpëlitjesh dhe një agonie të pamëshirshme. Aq mirë e kishte bërë!
Ai dinte mirë not dhe s’mbytej dot dhe po të donte. Ballkoni, mund ta mbaronte shpejt punën, por kjo nuk ishte aspak një vdekje burrërore.
Zonja vdekje nuk erdhi. Mori “plëngprishësin”, mori një shenjtore të përvuajtur të dashurisë vëllazërore, që në heshtje sfidoi vetveten, dhe e la atë me mëkatin e mohimit të gjakut të vet për tridhjetëmijë euro. E la që ai të shpenzonte tërë ditët e mbetura duke e vrarë mendjen, si të lante mëkatin, si ta falte veten. Tani dhe kjo çerek jete e mbetur ndoshta, po i dukej një zvarritje kërmijsh nëpër përjetësi. Padyshim ai ishte i mallkuari, i vetëdëbuari në shkretëtirën e madhe.

Debati në televizor kishte mbaruar dhe lajmet kaluan në parashikimin e motit, që lajmëronte mbërritjen e të ftohtit Artik.
Mendja e tij shkoi tek ata të dy, vëllai dhe motra, varret e tyre pak larg nga njëri-tjetri në fakt. Vëllanë e kishin varrosur tek eshtrat e babait, kurse kunati kishte blerë prej kohësh një parcelë për familjen e tij, në fund të varrezave. Si kishin ardhur kohërat dhe varret atje ishin shtrenjtuar, madje po mbaroheshin.
“Dhjetë mijë e pesëqind njerëz të vrarë vetëm për çështje pronash, në këto tridhjetë vitet e fundit.” E ndoshta dhe më shumë, gati sa nuk tha me zë. Mendoi se sa qindra a mijëra vëllezër ishin përplasur dyerve të gjykatave. Gjyqe të llojeve të ndryshme, sa nuk i rrok fantazia njerëzore. Sa vëllezër ishin bërë hasha dhe sa kishin shkuar larg, në krimin e parë të njerëzimit. Në gjoks ndjeu shpimin e ftohtë të një kame të vjetër, vetëm se aty brenda nuk kishte mbetur më asnjë pikë giaku për të rrjedhur.
Hodhi sytë nga dritarja. Tashmë bora ia kishte shtruar mirë. Përfytyroi varrin e të vëllait, borën që mbulonte fytyrën në foto dhe gërmat e gdhendura të emrit të tij të shtuar në pllakë, krahas emrit të babait. Ti ndoshta ke ftohtë tani, mendoi ai, ndërsa ndjeu t’i hynin përsëri dridhmat e forta. Pas kaq vitesh ndjeu dëshirën për ta ndezur një cigare. Do t’i shpifet njeriut një gjë që ta vdesë, e nëse nuk i shpifet, ia sjellin me zor në derë.
Trupi i bëshëm e i gjatë i të vëllait i doli përpara syve, kaçurrelat e kuqtë plot shkëlqim dhe sytë e kadifenjtë, që shkrin tërë stalakmitet brenda shpirtit të tij, pikë-pikë.. . As alkool, as duhan… e hëngri covidi! E zuri kolla përsëri dhe e shkundi mirë të tërin. “Ah, ç’na bënë këta bijë bushtrash!” – tha ai kur mundi të marr frymë përsëri.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.