back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Po muejtëm së bashku m’e vazhdue… – Ernest Koliqi i shkruen Mustafa Krujës

Gazeta

Mustafa Kruja & Ernest Koliqi
Mustafa Kruja & Ernest Koliqi

Po muejtëm së bashku m’e vazhdue…

Ernest Koliqi i shkruen Mustafa Krujës

“Kurr qëllime mâ bujare
dhe forca mendore e morale mâ të kullueta
nuk u shkrinë për dobi të nji kombit
tue humbë kaq keqas në terr e në heshtje.”
Ernest Koliqi
 .
Marr shkas nga nji botim i një shkrimi tek “Peizazhet e fjalës” për të kujtu sërish kush burrni pat në zemër e në ballë dy gisht nder për me i shërby Shqipnisë me ç’ka pati e mundsi.
Ulem me lexue “Kuvend letrash me miqtë”. Aty, zemra qetohet e hijet e fisnikëve shfaqen!
Lexoj fjalët e mëposhtme të Prof. Ernest Koliqi dhe e di që terri ende vazhdon!
nga Gentiana Kone
.

Ernest Koliqi & Mustafa Merlika - Kruja, në një foto të rrallë
Ernest Koliqi & Mustafa Merlika – Kruja, në një foto të rrallë
Romë, 3 nanduer 1957
Piazza Ungeria, 6
 
I dashtuni Mustafë,
 
Të falem nderit për fjalët trimnuese për sa i përket botimit të rivistës e sidomos për artikullin e çmueshëm i cili âsht në shtyp dhe tetë sy do të përpiqen m’e bâ qi të dali pa asnji gabim. Këta tetë sy janë: dy të prof. Koliqit e gjashtë të dr. Martin Camaj, të dr. Petro Vuçani e dr. Viktor Koliqi. Si shef ké rá butë në nji grumbull laresh akademike…
Kah fundi i javës tjetër kryhet së shtypuni numri dyfish (2-3) i “Shêjzave” me artikuj të Valentinit, t’Ekrem Vlorës, të disa arbreshvet me vlerë, të Lok Limthit (Tahir Kolgjini), të Karl Gurakuqit etj. etj.
Mbas numrit të parë, shkresa lavdimi e nxitimi mjaft, – pajtime pak. Edhe ata pak nga njerz të thuesh të pa-mênduem!
……..
Ti do të thuesh: -Pse i a hîne, more makalush?
Pata premtime të forta edhe, jam prap i bindun se, herët a vonë, prej dikah përkrahja do të dali përkrahja. Atëherë, po qe se del, me shka të teprojë nga fondet, e kemi vendosë me Martinin të botojmë Hyjt e Shêjzave (I quaderni delle Pleiadi). Ndër të parët libra (jo tepër të mëdhenj), nji t’andin.
E shof, nga letrat, se jé tue kapërcyem nji fazë të rëndë pesimizmi. Do të habiteshem, po t’ishte ndryshej.
Por, Mustafë i dashun, kjo e pat! Jemi nji ndër brezni mâ fatmjera qi njofti historija njerzore. Kurr qëllime mâ bujare dhe forca mendore e morale mâ të kullueta nuk u shkrinë për dobi të nji kombit tue humbë kaq keqas në terr e në heshtje. Disa të rij (shty prej ndonji plaku dinak) këlthasin e shesin patriotizëm edhe mênd, por s’kanë shtatin moral që kishin krénat e zgjedhun të breznis porsa të kalueme apo në kalim, se mâ vullnetin e tyne në punë kurrkund.
 
***
Nejse… Ti mos u lodh. Njâna n’dysh: Ja do të két Shqipni e asobote ti do të përmêndesh kur të gjithë prozhmuesat do të jenë me kohë të harruem, ja Shqipnija mbaron e mbetet shprehje e shprazët gjeografike e popullsue me bastardha kozakësh e atëhere s’kemi ç’të bâjmë e do t’i shtrohemi fatit të zi.
Rivista ka dalë për me u dhânë shteg disave nesh me lânë nji trashigim shpirtnuer. Djelmia shum gjâna nuk i din, tjera i gjikon e verbuem nga pasjoni: prej soje asnji zâ i naltë deri tash nuk tingulloi. Kanë nevojë për drejtim e për shêmbuj. “Shêjzat” dolën për me i udhëhjekë e për me u lanë nji traditë. Ishem i bindun se ti, Valentini, Gurakuqi, Marlekaj, Ekrem beu, etj do të pranojshi ftesën t’eme për bashkpunim. Prandaj e qita. Po muejtëm së bashku m’e vazhdue, do të çuditemi edhe na vetë (në krye t’vjetit) për efektet mirbâse qi do të prodhojë…
Të përqafon me mall
I yti vllaznisht Ernest Koliqi
.
Mustafa Merlika - Kruja - Letra me Miqtë
Mustafa Merlika – Kruja – Kuvend Letrash me Miqtë

.

(Fragment nga letërkëmbimi i Mustafa Merlika-Kruja me Ernest Koliqi)
.
 
 
 
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.