back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Po na gajase o Malo… na gajase!! nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci
Ilir Seci

Po na gajase o Malo… na gajase!!

nga Ilir Seci

“Askush,
nuk është aq i pasur
sa ta blejë të shkuarën e vet!”…
Oscar Wilde

Intervista e fundit e Ismail Kadaresë, dhënë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, na shpaloi një faqe mjaft interesante të personalitetit shumëfaqesh të Ismail Kadaresë…
Intervista u dha me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit me emër dhe kjo intervistë dëshmoi edhe njëherë, më qartë se krejt herët e tjera përpjekjet e shkrimtarit për të retushuar dhe  blerë të shkuarën e vet, në këto vite jete aktive që i kanë mbetur…
Ka vite që Ismail Kadare e ka lënë letërsinë dhe është duke e ri-shkruar të kaluarën e vet – në fakt edhe kjo ri-shkruarje mund të konsiderohet letërsi, sepse edhe në këtë ri-shkruarje ka më shumë fantazi se në veprën e tij! Një soj i ri krijimtarie edhe kjo ri-shkruarje e vetvetes!
Kadare duke shfrytëzuar emrin që gëzon, prej vitesh rreket të fshijë kapituj e errët të jetës së tij 80-vjeçare. Kaherë e ka lënë Kulturën dhe po merret kujdesshëm me Kultin e vetvetes, si në nji operacion plastik letërsie… Sipas tij kjo është një ndërmarrje historike për të mirën e shqiptarëve dhe këtë e pohon me plot gojën dhe pa më të voglën modesti: “Shqiptarët e kanë kuptuar që unë përfaqesoj kulturën e tyre, si të thuash një simbol më tepër mbi flamurin e Shqipërisë…” (Intervista)
Në këto vite të sprasme të jetës së tij aktive, Kadare po mundohet me një zell të habitshëm në ri-shkruarjen e së shkuarës së vet, përkunder asaj çka nënvizon Oscar Wilde se: “Askush nuk është aq i pasur sa ta blejë të shkuarën e vet!”… Kadare në fakt po mundohet, shumë… dhe sigurisht ka një avantazh të madh në këtë mision – atë që ka të bëjë me një brez që nuk e lexon më veprën e tij – por thjesht dëgjon jehonën e saj! Shumica e atyre që sot mburren me Kadarenë, nuk kanë lexuar qoftë edhe një vepër të tij! Breznia e sotme janë brezni që ngarend pas asaj që është “trendy”, asaj që gjendet në “Google”, në “smart phones” …këto janë breza që ndjekin famën siperfaqësore, tip Kim Kardashian, pa u thelluar në gjëra, për këtë brezni mjafton njohja e Kadaresë në botë dhe s’duhet asgjë më shumë!…
Po të kthehemi te intervista e fundit në “Opinion” ku ai deshmoi dozat në shtim të ngutisë për të ri-shkruar të kaluarën e vet…Kadare nuk ndalet vetëm në aspekte të jetës së vet, ku ai ishte dhe del i kompromentuar kokë e këmbë me regjimin më të egër diktatorial të Europës… Kadare mundohet të ri-shkruajë gjjthçka… edhe fëmijërinë e vet, bile edhe kohën para se të lindte!?… Bile ai nuk ngurroi të thoshte: “Unë jam nga një shtëpi e vjetër gjirokastrite, atë e quajnë familje, si të thuash rrënjëse të vjetër të qytetit. Nga ajo shtëpi jam unë. Shtëpia ka qenë e madhe por në Gjirokastër zakonisht shtëpitë ishin të mëdha, kështu që vetvetiu shkriheshin këto dy nocione… Qytetarë gjirokastritë të mirëfilltë do të thotë ndër të tjera, kishte dhe një shtëpi të madhe me një kronikë pak a shumë që e dinin të gjithë, me një lloj historie, me një lloj biografie, familja ime bënte pjesë në këto familje të vjetra.” …Qyteti i Gjirokastrës ka pasur vetëm dy familje të njohura me emër në mbarë Shqipërinë z. Kadare, ata kanë qenë, Familjet Kokalari dhe Karagjozi… Të tjerat kanë qenë familje të nderuara por normale! Profesor Eqrem Çabej e ka shpjeguar shumë mirë këtë gjë kur bënte etimologjinë e mbiemrit të familjes së vet “Çabej” që sipas Profesorit vinte nga shprehja cinike gjirokastrite: “Ça Bej”, pasi në bisedat e familjeve të medha e hijerënda qytetare, kur përmendeshin disa familje të tjetër sëre, thuhej “Aman po Ça Bejsh janë ata!”
…Me tutje në intervistë gazetari Blendi Fevziu, me një servilizëm të përjargshëm e miklon Ismailin me termin “Familje Senjorale”!?… Senjorale !?… Si mund të ketë qenë Senjorale një familje që s’ka pasur një libër në shtëpi – siç pohon vetë Kadare për familjen tij – kur flet për mjedisin familjar ku u rrit, po në këtë intervistë në “Opinion”: “…në kishim një shtëpi jashtëzakonisht të madhe ku kishte rrangulla nga më të çuditshmet e botës, kishte dhe gjyle topash kishte dhe hanxharë, pushkë… te oxhaku kam një kamë, është e vetmja që ka mbetur nga… Por nuk kishte lidhje, unë s’kisha ndonjë mjedis kulturor në shtëpi, im atë kishte mbetur hereto a baba dhe kishte bërë shkollë të pakët si të thuash, dhe nuk kishim bibliotekë në shtëpi, pra unë s’kam pasur asnjë kusht kulturor nga kjo anë. Por megjithatë unë kam qenë… që në shkollë 10 -11 vjeç me ka lindur pasioni për të lexuar, u mrekullova nga leximi i parë që kam bërë dhe m’u hap një botë e re si të thuash, lindi thjeshtësisht dhe bashkë me leximin paralel më lindi dëshira të shkruaj dhe vetë, kaq shumë e desha këtë gjë që bëra këtë zbulim, këtë gjë që bëra sa që dhe kisha bindje që unë isha një shkrimtar…”
“Mos e dvetë se të tregon vetë!” – thotë Populli!
…Gjatë intervistës Fevziu i kadareosur në çdo qelizë, e pyet idhullin e vet për Enver Hoxhën, diktatorin e urryer që ka qëlluar të jetë edhe ai gjirokastrit dhe… Ismaili përsëri retushoi të vërtetën duke dashur ta largojë Enverin nga rrugica e vet, pikërisht komshiun përballë do ta largojë nga Sokaku i të Marrëve!?… Kadare siç duket do ta mbajë vetëm për vete Sokakun e të Marrëve, nuk do ta ndajë me gjitonin e famshëm!… Do ta fshijë Ismaili shokun Enver, pikërisht atë, shokun Enver, për të cilin dikur thuhej plot mburrje se: “Shoku Enver e deshte shumë Ismailin dhe e mbante afër! …Bile me përkëdheli e thërriste Malo!” …Sa herë theshte Enveri për Malon se: “Kemi të bëjmë me Malon!”; “Mo má ngani Malon ore!” – u hakërrohej shoku Lavir Hoxha, atire që guxonin të ngisnin Malo Kadarenë!…
Eh ç’na gajase mo Malo!…
Po hajde njëherë le të sjellim këtu se ç’ke shkruar ahere për shokun e shtrenjte Lavir Hoxha, pikërisht në vitin 1963 kur “Malua” punonte si gazetar te gazeta “Drita”:  “…Punoja si gazetar në gazetën “Drita”, kur revista “Nëntori” botoi poemën time “Përse mendohen këto male”. Ishte paradite kur më kërkuan në telefonin e redaksisë. – Jemi nga sekretaria e shokut Enver, – më tha një zë. – Qëndroni te telefoni, shoku Enver dëshiron të flasë me ju. U hutova kaq shumë, saqë nuk arrita t’u thosha shokëve, me të cilët punoja në një zyrë, asgjë. U bëra vetëm një shenjë me dorë të mbanin qetësi, ndërsa shtrëngoja fort pas veshit receptorin. – Kadareja? – dëgjova zërin e shokut Enver, me timbrin e plotë karakteristik. Nuk jam në gjendje të riprodhoj fjalët e sakta që më tha, sepse isha tepër i emocionuar për t’i fiksuar ato në kujtesë. Më uroi për poemën “Përse mendohen këto male?”, më tha se përse e kishte lexuar dhe se e kishte pëlqyer shumë. Më uroi sukses në punën e mëtejshme krijuese. Nga hutimi dhe emocioni, unë nuk arrita t’i them diçka, përveç fjalës faleminderit, që e përsërita shumë herë. Kur shoku Enver mbylli telefonin dhe unë e vendosa receptorin në vend, shokët e redaksisë, të cilët e kishin ndërprerë ndërkaq bisedën nga që u kishte bërë përshtypje sjellja ime në telefon, më pyetën: – Ç’pate kështu? S’të kemi parë ndonjëherë kaq të emocionuar. Unë i thashë atëherë, se me cilin kisha folur në telefon dhe atëherë ata m’u grumbulluan përreth të emocionuar, për të marrë vesh çdo detaj të bisedës…” – Vertetë o Malo!?
Pastaj kohë më vonë, siç shkruan vetë Malua, ka privilegjin te takohet me Shokun Lavir Hoxha vetë, në person… Ja se ç’shkruan: “Më 24 mars 1971, unë, gruaja dhe vajza ime shkuam për një vizitë në shtëpinë e shokut Enver. Na pritën shoqja Nexhmije me vajzën, Pranverën… Shoku Enver nuk ndodhej në shtëpi dhe ne nuk e dinim nëse do të kishim fat ta takonim apo jo. Ishim duke biseduar gjallërisht, kur u hap një nga dyert e sallonit dhe në të i gjatë dhe i qeshur u duk shoku Enver. Meqenëse unë isha përballë derës, e pashë i pari kur hyri dhe u ngrita menjëherë në këmbë, duke i habitur për një grimë bashkëbiseduesit, të cilët me siguri kanë thënë me vete: Ç’pati ky? – Pastaj të gjithë kthyen kokat andej nga kishte hyrë Enveri – Të vij dhe unë? – tha ai duke qeshur, – s’besoj se ju prish muhabetin. Megjithëse disa herë gjatë kohës që po bisedonim dhe sa herë që më dukej se dëgjoja zhurmën e ndonjë makine, përfytyroja sesi mund të vinte shoku Enver, asnjëherë nuk mund të përfytyroja një ardhje më të natyrshme, të gëzueshme e njerëzore. Ai u ul midis nesh, duke krijuar aty për aty një atmosferë jashtëzakonisht të përzemërt. Ai pyeti me radhë për shëndetin, e mori në prehër vajzën tonë 6 vjeçe dhe i tha duke përdorur një fjalë të vjetër gjirokastrite: Ngalasëm ti, të të ngalas edhe unë (përqafomë ti, të të përqafoj edhe unë). Shoku Enver më pyeti se ç’kisha shkruar kohët e fundit dhe unë i thashë se kisha në shtyp një roman për Gjirokastrën, me titull “Kronikë në Gur”. “Do ta lexoj me kënaqësi, – tha ai – Gjirokastra është pasionante dhe këtë e themi jo se jemi andej, – shtoi ai duke vështruar me një buzëqeshje ngacmuese të tjerët, – por se kështu është e vërtetë. Apo jo? Kur shoku Enver më pyeti pastaj se me se po merresha aktualisht, unë iu përgjigja se po shkruja diçka për prishjen me sovjetikët! Në të vërtetë kisha filluar punën për romanin, Dimri i madh, por në përgjigjen time, në vend të fjalës Roman thashë diçka dhe këtë e bëra pa menduar, si një mbrojtje instiktive, ngaqë ende s’isha i sigurtë nëse do ta përballoja temën e madhe së cilës i kisha hyrë. Për fat, shokut Enver nuk i tërhoqi vëmendjen ky detaj. Sapo dëgjoi fjalët prishjen me sovjetikët, fytyra e tij u bë në çast serioze. Ai tundi kokën ngadalë si të thërriste një kujtim jo të këndshëm dhe ndërsa pinte kafenë, filloi të fliste me një ton të ndryshëm nga ai që kishte folur gjer ahere, të rëndë e të menduar. Ai foli shkurt për disa nga takimet e tij me “Hrushovianët”, duke bërë krahasimin e tyre me takimin e parë me Stalinin. Pastaj tregoi një episod të vogël me Kosiginin në darkën e Kremlinit, në prag të mbledhjes dhe kalimthi diçka për vilën ku ishte rezidenca e delegacionit tonë dhe për vizitat e mysafirëve të natës, Nikojanit, Torezit etj. Do të dëshiroja që ai të fliste me orë të tëra për këtë, por për fat të keq ëndrra ime, për të dëgjuar sa më tepër hollësi nga ngjarja monumentale, personazh qendror i së cilës ishte ai vetë, qe e shkurtër. Shoku Enver hapi një bisedë tjetër dhe unë s’pata guxim ta pyesja për Moskën…”
Servili Fevziu nuk bën asnje pyetje lidhur me faktin pse Ismail Kadare ishte zgjedhur dy herë deputet i Kuvendit Diktatorial komunist!? Asnjë pyetje lidhur me faktin pse Malua kish qene Zv/Kryetar i Frontit Demokratik dhe kryetare kishte pasur vetë Nexhmije Hoxhën?! Bash atë kryekriminelen e mbiquajtur “Merimanga e Zezë” e kishte pasur sipër Malua… bile kishte qenë ajo vetë që e kishte kërkuar Malon poshtë si zëvendës, sepse ja ç’na shkruan Vejusha e Zezë: “Kur pranova postin e kryetares së Frontit Demokratik… me kërkesë të Ramiz Alisë, isha unë që propozova Ismail Kadarenë si zëvendëskryetar. Ne kemi punuar së bashku tre vjet. Ja hapa dyert e arkivave e të korrespondencës së E. Hoxhës. I shpjegova vendimet e Komitetit Qendror me qëllim, që të mund të shkruante librat e tij. Nga ana e tjetër, ai (d.m.th. Kadare) na i kushtoi veprat e veta me fjalët: “Me dashuri dhe mirënjohje.” (Nexhmije Hoxha, Gazeta “Le nouveau quotidien”, (Zvicër), 06. 12. 1991)… Dhe më tutje ne interviste me të ziun Fevziu, Malua rrokaniset fare… e zë e tregon se si paska qenë i burgosur njëherë në fëmijëri, paskërka bërë edhe dy ditë burg Malua, sepse kishte fallsifikuar monedha, një vepër penale kjo e dënueshme në çdo lloj sistemi! Kadare ndoshta do ta paraqesë këtë vepër penale si një formë të disidencës sociale por për fat të keq kjo orvatje nuk shkon gjatë po të kemi parasysh humorin në shkallë kombëtare për gjirokastritët dhe paranë!
Eh more Malo ç’je rrokanisur fare! Paske bërë burg për para fallco!? Dhe babai yt të paskërka nxjerrë me mik nga burgu kurse shoku yt 13 vjeçar e paskërka ngrënë dhe paska bërë 3 muaj burg!?.. Po të nisemi nga metodat e analizave frojdiste, atëherë këtë prirjen e Malos për fallsifikim duhet ta gjurmojmë deri te ky moment me rëndësi në formimin e tij si njeri, pikërisht këtë kohën kur fallsifikoi monedha… …Shkrimtari flet pastaj për kohën kur ka dashur të “arratisej” dhe përmend një shembull së si ndejti një paradite në një hotel në Pragë… Hëm… tregojua këtë shaka familjarëve të atyre të rinjve shqiptarë që u vranë nga kufitarët në kufi në përpjekje për t’u arratisur drejt Lirisë!

Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

Malua paska dashur të arratiset…!? Malua që ka shkruar këtë poezi per Qenin e Kufirit… Simbolin-Cerber të diktaturës, rojes kufitare që merrte jetët, qe vriste rininë në kufi teksa përpiqej të arratisej në liri… Poet disident Malua! Ja edhe “Qeni i Kufirit”

Merr frymë shpejt/ Me sy nervozë/
Shikon përqark,
një rryp i blertë i shtrëngon qafën muskuloze
tek ec në pyll me hap të lehtë.

Bilbilat që nga drurët e shohin me nderim
Sorkadhet brirët e bukur i ulin në blerim Dhe ujqit vetë po t’u dilte përpara
do t’i hapnin udhën kafshës ushtare.
(Ismail Kadare “Shekulli im”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1961, f. 6)...

“Malua Disident”!? – po nuk mbahet dot në këmbë një teori e tillë ngado ta vërtisin kadareistët e thekur…!!
Në janar të vitit 1990, në numrin e parë të revistës “Nentori” , disidenti Ismail Kadare shkruan: “Ka gati gjysmë shekulli që populli shqiptar ushqehet me letërsinë socialiste shqiptare. Nevoja e tij për të është e madhe… Kjo nevojë e nënvizon përgjegjësinë tonë përpara socializmit për të cilin kemi dyzet e pesë vjet që punojmë e luftojmë papushim.” (Ismail Kadare, “Letërsia e sotme dhe koha e sotme”, revista: “Nëntori”, Tiranë, Nr. 1, 1990, f. 56, 67)… Dhe kjo vetëm disa muaj para se të ikte për në Francë?!… Këto rradhë përbetimi ndaj PPSH-së “disidenti” Ismail Kadare i shkruan në Janarin 1990, pikërisht disa ditë mbas demonstratës së 14 Janarit në Shkodër!… Gjatë gjithe kohës së vënë në shërbim të tij në “Opinion”, Kadare retushon pa droje të kaluarën e vet prej shkrimtari oborri… Anashkalon fakte me rëndësi, e stërzmadhon detaje ekuivoke që janë tashmë mjeshtëria e tij, përmend shkarazi ngjarje siç bën me faktin që përkthyesi i tij Jusuf Vrioni ka qenë në burg, pa detajuar sa ka ndejtur në burg dhe përse është arrestuar!… Mjeshtri Jusuf Vrioni vërtet e ka përkthyer Kadarenë, po me urdhër nga shteti diktatorial dhe jo “në mënyrë spontane” siç mundohet ta paraqesë Malua!

***
…Ismail Kadare nuk arriti të bëhej kundërshtar i regjimit në kohën kur duhej, por megjithatë ai mundohet t’i bëjë një operacion plastik të kaluarës së vet dhe të dalë kundërshtar sot!… Nëse Kadarenë vërtet e bën të ndjehet keq disidenca e munguar, ai s’ka përse të ndihet keq për atë kohë! Përsëri ka kohë të bëjë kundërshtarin e së keqes që ka ngërthyer shqiptarët, sepse ajo Parti është përsëri… Vërtet e ndarë në Bijëza, por përsëri po ajo PPSH është… Prap mund të bëhet dalazotës i shqiptarëve Kadare, i atyre shqiptarëve siç thekson vetë në Intervistë: “shqiptarët e kanë kuptuar që unë, përfaqesoj kulturën e tyre, si të thuash një simbol më tepër mbi flamurin e Shqipërisë.”  Përsëri në kohë jeni zoti Kadare… Denoncoje të keqen që po mban peng atë vend për 25 vite me rradhë! Përdoreni emrin tuaj, famën tuaj në dobi të shqiptarëve që ju adhurojnë… Ngrije zërin për korrupsionin, për krimin që ka zaptuar vendin këto 25 vite pseudo-demokraci! S’ju kemi dëgjuar asnjëherë ta bëni këtë gjë!? Po nuk e bëtë këtë gjë atëhere kot sulmoni mullinjtë e erës… Vetëm sa bëheni qesharak…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.