back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Poema Pashallarët e Kuq, e Ismail Kadaresë dhe ca refleksione të vona të një poeme që e kapërceu kohën e vet… – analize letrare nga Jozef Radi

Gazeta

Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

Poema Pashallarët e Kuq, e Ismail Kadaresë dhe disa

refleksione të vona të një poeme që e kapërceu kohën e vet.

analize letrare nga Jozef Radi

Poema Pashallarët e Kuq e Ismail Kadaresë, ka jetuar gjatë në tehun midis të botuarës dhe së ndaluarës; midis shërbimit të verbër ideollogjik dhe disidencës së kërkuar me insistim; midis idesë që diçka po ndrronte dhe diçkasë që s’do të ndrronte kurrë; midis misterit dhe terrorit; midis autoritetit të autorit për sfidë ndaj pushtetit dhe poemës më të nënshtruar që mund të ketë krijuar letërsia shqipe e periudhës komuniste…
Por ajo që na mbetet mbas rileximit të sotëm dhe që mund të thuhet pa asnjë mëdyshje është se, kjo poemë është maja poetike e letërsisë dogmatike të Realimit Socialist.
Poema “Pashallarët e kuq”, përtej çdo glorifikimi të djeshëm diktatorial apo çdo tendence të sotme për ta paraqitur përtej asaj çka është në të vërtetë, do të mbesë si një poemë me një jehonë mediatike të mistershme që udhëtoi ndër kohra, (ndoshta do ta vazhdojë udhëtimin e saj) me mesazhet e frikshme të një kohe të egër e të përgjakur, (në poema përmendet 7 herë fjalën gjak) ku autori ka veshur shpirtin e fjalës dhe mendimit me një kapotë e qendrim të tillë ushtarak, sa kur e mbaron lexim e saj sot, mendon se poezia e ka humbur përfundimisht misionin e lartë të saj. Ajo tashmë merresh me punët e shtetit, si buri e zgjimeve në alarme revolucionare, për të mbështetur dramat dhe tragjeditë që diktatura i krijonte vetë me të vetët, pa harruar për asnjë çast asnjëherë armikun e klasës…
Leximi i saj sot, të lejon ta riformatosh kohën brenda vetes, e të kuptosh se s’ishte thjesht “faj i kohës”, (siç trajtohet rëndom) por konformim intelektual i zellit për të shërbyer përtej çdo gjëje njerzore, që n’atë kohë kishte mbrritur përmasa të tilla katastrofike, sa të frymëzonte poetët më përfaqësues në një poemë e tillë terroriste, të flashkët e të paprinciptë, ku përgjakja e klasave të shtypura dhe armiqve të rinj, një ditë mund të shitej si disidencë, ndërkohë që poema mbetet shembull i një shërbimi i tejet agresiv, ndaj atyre që kishin pushtuar burgjet po më shumë ndaj atyre që kishin tridhjetë e kusur vite burgje e interrnime. Leximi i sotëm sigurisht, të vendos në një rrafsh tjetër gjykimi e reflektimi edhe nga pikëpamja artistike e stilistike.
Nga pikëpamja artistikë, poema është e dobët, bile mund të thuhet se aty nuk gjen asgjë varg, e asnjë strofë, me të cilin të krijosh një impakt pozitiv, as reflektiv. Ndërtimi i saj, më të shumtën e herëve është i përfaqsuar nga katërvargëshi, ku shpesh vargjet thyhen mes tyre pa krijuar asnjë lloj impaki rimues e as as ritmiko-melodik.
Poema u paraqit ashtu e zhurmshme dhe e potershme nga mesi i viteve ’70. Koha e fushatës më të madhe të spastrimeve në ushtri, në ekonomi, në kulturë, në industri e kudo… çdo javë kishte arrestime të pafundme… Dukej sikur i gjithë shteti qe çmendur e nuk shihte asgjë tjetër, veçse armiqve në të katër anët… Sigurisht në një shtet të tillë të çmendur, letërsia duhej të ishte e çmenduar e parë, si vilolina e parë, e si e tillë, solli periudhën më të begatë e letërsisë së indoktrinuar deri në qelizë.
Duke iu përgjigjë flakë për flakë realitetit, poetët ishin të parët që valvisnin flamurin e fitorjeve… prandaj produkti poetik, s’mund ta kapërcente nivelin shterrues të kësaj poeme, përfolja e së cilës, mendoj se vetëm e ka dëmtuar autorin e saj, dhe çdo tendencë për të siguruar prej saj ndonjë përfitim shpëlarës të së keqes, u kthyen thjesht në bumerang.
Nuk ka poemë të letërsisë shqipe, prej fillim të realizmit socialist, ku begatie e termave ideologjikë të ketë tejkaluar çdo përmase të mundshme të ekuilibrit poetik. Bile unë do të guxoja ta quaja, vepër humanitare të diktaturës, që nuk e lejoi të qarkullojë ndër lexues, aq më tepër të futej ndër shkolla e asaj kohe, ku Kadareja kishte ekskluzivitetin e trajtimit me përparësi, si primadonë e letrave shqipe…
Leximi i sotëm i këtyre termave, të krijon një situatë të tillë të pabesueshme, sa nuk mbrrin ta perceptosht se si poezia mund të mbingarkohet ideollogjikisht deri në atë masë, sa të shkaktojë edhe humbjen e shijes së leximit. Njëra pjesë e këtij i përket terminologjisë entuziaste të dhe ilustrative të realitetit, kurse pjesa tjetër ajo e ngjyrosur negativisht, e që është dëshmia e një luftë të ashpër klsash të cilën e kishte marrë përsipër letërsia, e në mënyrë të veçantë, pjesa me delikate e artit poezia. Mendoj se ky trajtim i poezisë me ngarkesa të këtij niveli ideollogjik, e ka tjetërsuar dukshëm fluiditetin dhe spntaneitetin e saj… Në kohën e sotme ajo i ngjan një kashte që përdornin kafshët në stinën kur asgjë e gjelbërt nuk kishte në qarkullim.
Për ta bërë pak më konkrete këtë ndarje me thikë të shoqërisë shqiptare dhe ngjyrosjen ideollogjike të tekstit këmi përzgjedhur këtë terminologji kontrastuese e cila përfaqëson më së qarti atë luftë klasash, e cila sot e kësaj dite vazhdon të prodhojë efektet negative të ndarjes së shoqërisë, dhe mospasjes së një kohezioni shpirtëror, midis shtresave të ndryshme të këtij populli.
Terminologjia e entuziazmit (ose teksti i kuq) është i përfaqësuar prej fjalëve dhe shprehjeve, që sot janë të dala nga qarkullimi si fjala vjen: Populli, byroja politike(3), proletariati, prodhimi, shteti socialist, gara socialiste, socializmi, pankartat, heronjtë e punës, gazeta lokale, një Maj, telegrame urimi, diell i ndritur, mitingje, letrarë të rinj, , Partia (5), Enver(4), burokracia(4), bojë pelikan, themelet e revolucionit, trupat e dëshmorëve, gjakun e dëshmorëve, plenumet e partisë, ushtarët e revolucionit, patrullat partizane, kontroll punëtor, Komitet Qendror, autokritikë, pishtar i kuq, klasa punëtore, amanet, ideal, veteran,
Kurse terminologjia e terrorit (ose teksti zi) është i përfaqësuar nga një terminologji tejet e ashpër dhe kërcënuese, gjurmët e së cilës edhe pse janë zhdukur, por kanë ende sot një impakt me të djeshmen, mbasi politika nuk u kujdes kurre per kohezinin e shoqërise dhe krijimin e ekuilibreve të reja dhe sheshimin e një pjese të padrejtësive të shkaktuara. Terminologjia e e kësaj frymë përfaqsohet nga fjalët dhe shprehjet: ish-kastat e mëdha, gjak(7), tumor i zi, armiqtë e klasës(2), kufijtë (3), skuadër pushkatimi, klasë e përmbysur, vula e gjakut, pashallarë, bejlerë, familje të mëdha, të përmbysur, rrobe sundimtarësh të përgjakta, grusht, pushteti me kamçik, diktaturë (4) Pashallarët e Kuq, duar të përgjakura, tabut i revolucionit, etje.
Sigurisht kjo poemë meriton të studiohet nëpër shkolla për të kuptuar se gjuha e drunjtë e revolucionit dhe diktatura letrare kishte mbrritur në përmasa të tilla, sa të mos mos konceptohej dot jashtë shërbimit të nështruar ndaj politikës. Raporti i saj me autorin, mund të vazhdojë, në kërkim të një impakti sa më përfitues, kur dihet që efekti i realizmit socialist dhe kësaj pjese të errët ideollogjike, vazhdon të punojë në heshtje, e jasht stdimeve serioze që meriton kjo periudhë, e cila si duket ende nuk është lodhur duke prodhuar efekte të cilat kjo shoqëri nuk i meriton, e që me kohë duhej të ishin ndjerë në faj ata që zellshëm na kanë lënë një trashëgimi të tillë…
2017-2018
.
Dritero Agolli (1931-2017)
Dritero Agolli (1931-2017)
Unë, në atë kohë thashë se “Pashallarët e Kuq” është si kinezishtja.
Ideja përfundimtare ishte se të gjithë gjeneralët do t’i fusim në burg
dhe vetëm shoku Mao do të jetojë i lirë. Ja kjo ishte.
Ismaili e kishte çuar te gazeta letrare “Drita” dhe unë i thashë që nuk shkon kjo, lëre!
Ke gjithë ato poezi të mira, si kinezçe më duket kjo.
-Jo, më tha, mua as redaksia e “Dritës” dhe as të tjerët,
por vetëm Komiteti Qendror mund të ma ndalojë veprën.
Unë ia dërgova këtë poemë Pirro Kondit, ndihmësit të Ramiz Alisë.
I thashë që e ka botuar Shaban Sinani te “Drita”, unë nuk mund ta gjykoj,
ju shikojeni vetë, por unë nuk kam aq fuqi sa ta ndaloj. Ju gjykoni vetë.
Ai ia dha pastaj Enverit.
Dritëro Agolli për poemën “Pashallarët e Kuq
.
Ismail Kadare dhe pjese nga botimet e tij
Ismail Kadare dhe pjese nga botimet e tij

Pashallarët e Kuq

poemë nga Ismail Kadare

1.
Në mesditë Byroja politike u mblodh.
Valle ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.
Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos lëvizën klasat e përmbysura,
Mos ka katastrofë në prodhim.
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim.
Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.
Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.
Dhe nën diktaturë të proletariatit.
Dimërojnë kokëulur ish-kastat e mëdha.
Dhe prodhimi është normal dhe ditët
Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…
Po ahere pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike
u mblodh?
 
2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.
Shumë, shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet ata prishen
Këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.
Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës, haj.
Dhe pankartat dhe heronjtë e punës
Në gazetë lokale në Një Maj.
Telegrame urimi, diell i ndritur
Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj
Kurse poshtë
pikërisht në themelitë
Rritet ngadalë tumor i zi.
Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë
dhe konsuj atje s’ka.
 
3.
Midis shkresash, telefonash,
letërthithësesh
Ata skenat mbushin gjithnjë
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse
Burokratët janë tjetër gjë.
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,
Por të kobshëm
me duar të përgjakura
Gjer në brryle unë ata i shoh.
I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha
Ata sulën, trupat kthejnë përmbys e nisin
Që t’i zhveshin me një vrull hata.
Rrobe sundimtarësh të përgjakta
Me nishane e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.
 
4.
Dhe mëngjezi erdh,
Të zbehtë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e me kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije
Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.
Në kortezh të zymtë, nën himne liturgjie
çojnë tabutin e revolucionit për në varr…
 
5.
Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe
Buzëqeshje, tundje grushti në miting
Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,
Dhe fjalët “Enver” “Parti”, “autokritikë”.
Kështu ishte ditën,
kurse natën
Zbrisnin në themel ata sërish.
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit
Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.
 
6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
-Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj! –
Por ai i mvrejtur
me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.
 
7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa
Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha
Dhe në ditëlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo e mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur
tek Bulevardi i Madh.
 
8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët
E revolucionit
në stuhi.
Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhë oqean
Dhe n’u mbledhtë prap Byroja Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.