back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Poeta i Kabashit… nga Dom Lazer Shantoja

Gazeta

Lahutari legjendar Prendush Gega
Lahutari legjendar – Prendush Gega (1847-1938)

Poeta i Kabashit… Prendush Gega

nga Dom Lazer Shantoja

“I Kabashit?”. Po çka àsht Kabashi, e ku rri? A thue kùnd me ndoj skàj të Misirit?
Jo zotni: me pasë kènë n’Afrikë o ma lerg, ja kishim ndìe zànin, pse na gjeografin e huej e dìm mà mirë se t’onen; por t’a dini se Kabashi à nji her bajrakë e Pukës, e prandej nuk kena faj… në mos dishim mirë se kù gjindet.
Kabashi à nji ner bajrakë mà të parë, e motit ner lufta, fillë mas bajrakut t’Oroshit pritè aj i Kabashit. Katundi rri në skaj të Qelzes, shtrìhet për të giatë të Gominës, qi àsht nji ujë i rrmyeshëm fort i perbàm prej ujit të Blinishtit e ujit të Bhotit të perpjekun në fushë të Shenkollit.
Kà për kufi Palamicajt, Shkallën e Arstit, Lum Shtyllë (pak permì Shkozë), e àsht dà në kto mahallë: Lushajt, Bicajt, Bhoti, Kokejt, Micojt, Mecajt, Çafalija e Hadrojt. Gjithmarë bàhen nja 130 shpì.
Pik mà së parit u patne ngulë në Kabash 4 vllazën: Kok Leka, Lush Leka, Djegë Leka, Hadar Leka, të krishtènë. Lushi e Djega mohuene fèn e të parve e diqne. Hadari desht me bà edhè ky si vllaznit besthyesa, por ju vue mrapa i vllaj Koka, i cili e ndoq deri në Và të Spasit, e si e pau Hadarin andej Vaut, ja lshoj në pushkë të giatë e e la dekun në tok bri kalàs. Kshtù të krishtènët e soçëm të Kabashit vinë prej Kok Lekës, i cili vetun ndej në fè të parve. Edhe sot vèndasit flasin për burrnì të Kokës, e un prej gojës së tyne i kam marrë kto pak shënime qi po rreshtoj pse nuk do t’i lamë me hupë sèndet qi pak a shumë mùnden me vjeftun për ata qi herët a vonë kan me shkrue historin e Shqipnìs.
Me i pvetë se ç’fisit janë, thonë se vìn prej Kolonjet (Toskënì).
Kabashas gjejmë edhe në Prisrènd, në Dardhë, në Hajmel e n’Iballë (zotnit e Hallës).
Kishtarisht sot Kabashi shkon me famulli të Qelzës. Në kohna të para qela e famullis kà kènë në Kabash; veç ma von, si met nji vlla i vetun, ky s’mujt me e majtë meshtarin, e kshtù u ngreh qela në Qelzë. Sot aty qindet nji kishë kushtue Shèjtit Sh’Pàl. I zellti zotni D. Gaspër Thaçi, qi ndej 8 vjet famullitàr n’ato ana, kù me veprim të vetin të palodhshem si fetàr ashtù edhe atdhetàr fitoj nji simpatì të jashtzakonshme, u mundue me grrye bashkë me ata malcorë përbrì t’asajë kishë, e kan dalë do mure të gjana e të forta; por masi gropimi nuk u krye, nuk mund të caktohet mirë cilsija e asajë ndërtese të moçme.
Gojdhana difton se Sh’Pali njiherë kishte pasë përpjekë në Kabash e nji herë në Sh’Pàl të Mirditës (vèndi i kuvendeve, përfùnd të Oroshit). Kallxohet edhe Guri i Sh’Pàlit e don me thanë, se u gjet gjurma e mushkut kuer i Sh’Pali ndjekë prej gjurmë, si thonë malcorët. Por àsht e ditun se kjo gojdhanë àsht pa themel.
Banorët e Kabashit janë burra të naltë, të fortë e të pashem kah trupi, e të ndershëm, beset e të meçëm fort. Per me diftue se janë të meçëm e veleta thohet aty edhe nji fjalë popullore qì àsht: Në Kabash pjellë delja pa dash.
Me gjithket njerzt e panafakë do t’i kèn pas edhe Kabashi, pse ata vet thon: mos kènke Koca, Kica, Gjura e Batica (katër shpì) Kabashi kjè t’u bà Vezir në vedi.
Ky Kabashi. Po e poeta?
Kur në dimen qi shkoj u nisa për Pukë, kù ndèja 5 javë pritun krejt vllaznisht prej të Nd. Famulltar Dom Nikoll Dedës, kishe marrë me vete porosin e kshillin m’u përpjekë me poetën e Kabashit.
Kishe ndì edhè parandje se kangët mà të bukura na vìjn prej Puket, e tash me shkue shi në Pukë e m’u pa shi me at burrë qi me nji dhantì natyret të bindueshme amshon trimnìt e burrave t’onë, me ndì kët zà të gjallë të lahutës shqyptare, ishte për mue, si thonë tash në Shkodër “il colmo” (maja).
Si mrrita në Qelë, e lypa, e kërkova, por s’mujta me e pa kërkund. Kur nji ditë tuj ndejun në Komandë të Pukës, po më thotë nji za: qe, kqyr, tuk à Prendush Gega, poeta i Kabashit! Sillem e shof nji burr të giatë, ende të fortë, sado plak 70 vjeç; ballin e gjanë e si të vrantë: mi sy do vetlla të shpeshta; syt e mdhaj e si xhixha; gojën si në të qeshun nërmjet të fjeshtit e t’ironikut. Kjo përshtypja e parë. Masi s’paçë kohë me ndejë aty, nuk u ndala me të, veç se i dhamë dorën shoqishojt (me thanë u prezantueme, kishte me kenë tepër elegant për Pukë), e masi m’dha fjalën se do të vite në krye t’javës me m’pa në Qelzë, u dame.
U dame, por fizionomia e tij nuk u da prej fantazis s’eme. Nuk dijshe me e kuptue! Ishte për mue si kashë e lashë!

Dom Lazer Shantoja (1891-1945)
Dom Lazer Shantoja (1891-1945)

Më ka ndollë me pa disa pinakoteka e me mbetë para ndoj statues o kuadrit porsi i shtangun, pa ba za e pa luejt aspak, kaq e madhe e e fortë ishte përshtypja qi më bane ato vepra artit. Me thanë se përshtypja qi më bani aj të pam i parë e i shpejtë i ftyrës të Prendush Gegës, i giet krejt asaj përshtypje të sprovueme ner pinakoteka të Munchen-it e në Gallerinë Pitti të Firences, ndokush kishte me qeshë; e pra nuk kje ndryshej. Shkndija e artistit qi të ndezë prej nji gurit të dekun e nji pëlhurës pa shpirt, pse s’ka mujt me më ndezë menden tuj e pa para vedit nji nieri të gjallë? E, ven oroe! M’nji nieri natyret, (Narturmensch, si thonë Alemant,) m’nji nieri qi s’din me shkrue as me kndue, qi nuk njef as Omerin as Vergilin as Dantin, m’nji nieri qi s’din as çka asht vjersha as çka asht rrokja, m’nji nieri për të cilin tetrrokshat e njimdhetrrokshat janë shati e vanga, tamra e lahuta.
Pra mundet m’u marr vesht sa fort m’u ngiat deri sa të vite ajo ditë e premtueme. E erdh! Hin Prendush Gega me buzë në gaz n’odë, m’a puthë dorën, e i tham me ndejë. Ulet e më thotë: Erdha zotni. Por drue se po të bezdisi pse kam nji kangë me m’a shkrue se do të ja çoj dikuej në Naraç. Un mezi ç’prita me e kondendue; e mandej nisa me e pvetë, e tuj e pvetë çuditej e nuk dite me i dhanë arsye vedit për gjith ato të pvetuna të mija.
Leu pra ky poetë (e emni poetë ma fort se askuj i përket ktyne poetë krejt të natyrshëm) ne Kabash sot nja 70 vjet o aty pari. T’et i thoshin Gjek Paloka, e s’amës Lenë Prendja prej Qerretit të Poshtën. Më diftoj se edhe i ati kish kenë bejtar, e qi aj vetë bejtat e para i pat qitë kuer ishte 30 vjeç. Asht i martuem por fmi s’ka përposë dy nipa. Kur e pveta se si qitëte bejtat, më diftoj se s’mund t’i qittëte, kuerdo por kuer t’i vite ajo terezija e vet (estri poetik). Ma e shuma e kangve të qituna prej tij janë kangë trimninash. Kishte me kenë nji punë shumë e vjefshme e interesante me i mbledhë të tana këto kangë e me i botue veças me nji komentim letrar-psikologjik.
Nji palë thonë se ne Shqyptarët s’kena çka me shkrue!… i kan shkrue të tjerët para nesh gadi gjithçka.
Po, kan shkrue por Shqypnija asht edhe mjeft e panjofun, sidomos në letratyrë të vet, ma fort se në gjeografi. Kangët popullore janë padyshim nji visar komtar, si bukur mirë pat shënue i përmenduni e i vlerti shkrimtar P. A. Vinçenc Prennushi, i cilli edhe na e botoj nji ble të par të kti visarit. Prandej letrarvet t’onë nuk u mungon landa, por shpesh herë… vullneti!
Mjaft paçë dishirë me i mbledhë vetë kto kangë, por n’ato pak orë qi mujta me ndejë me ket poetë, si mund të mblidhshe përmi 60 kangë të qituna prej tij? S’mujta me shkrue veçse kangen e Gjin Lekës, t’Gjok Dodës, t’Esad Pashës, t’Islam Hajdarit e të Zek Jakinit.
Kangët e Prendush Gegës, më sa ndjeva un, jan kallxime të fjeshta me të tana rrethanet me do thanie të forta e krejt shqyptare. Kaj herë asht lakonik e si i thon italiant: scultorio: s’mundesh as me i shtue as me i hjekë fjalë; për pa prish bukurin e poezis.
Kur nji natë në Bicaj shtrimun në firi e në dushk ndjeva tuj kndue nji kangë të veten përcjellun me lahutë, m’u përqeth krejt shtati, e m’u duk se kishe ba në jetë t’eme nji të kthyem mbrapa 4000 vjetësh… e i delshin fjalët kaq natyrisht, kndote kaq me ndjesi, i bite saj lahutë me kaq shijim, qi meta fare i shtangun e i knaqun.
Ky asht pra poeta i Kabashit!
Me ju thanë se nuk asht i pasun nuk asht nevoja. Poetnit e pasun janë të rrallë si mizat e bardha e s’gjinden kollaj, ani ma në Pukë!…
Nuk u bate darsëm o gostë pa te, e se t’lshote kurr me gjithnduer prrallash e kallxime gazit me u habitë.

Lahuta shqiptare
Lahuta shqiptare

* * *
Oh natyrë e poetës! Si kenke gjithkund nji! Çka don me thanë qi poetnit janë kaq fort të kundershtuem gjithkund e gjithherë?
Ja ka gjetë arsyen poeta i ynë At Gjergj Fishta qi shkruen:

…Letrarve të ngratë
Jau ka lanë lija zanatë
Me i thirrë sendet të gjitha me emen
Mashkullin mashkull e femnen femen. (Anxat e Parnasit)

Qe pra ritrata e poetës së Kabashit. Në mos pastë dal mirë ajo qi bana me makinë fotografike për arsye të shiut qi bite, majë uzdasjë se me kto dy faqe shkrimit ritrata e ti morale do të ken dalë.
Të falem o poeta i Kabashit, e zana shqyptare mas sodit të ndimoftë me amshue në kangë jo ma ata qi derdhin gjak vllaznuer, por vetun ata të ndershëm qi me vepra burrnijet e përparimit orvaten me i dhanë atdheut nder e lulzim.
Dom Lazer Shantoja, kalendari i vepres pijore, 1921

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.