back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Poeti i Herës së Parë dhe i Frymës së Fundit – nga Shaip Beqiri

Gazeta

Azem Shkreli - (1938-1997)
Azem Shkreli – (1938-1997)

Poeti i Herës së Parë dhe i Frymës së Fundit

Azem Shkreli (10.02.1938 – 27.05.1997)

nga Shaip Beqiri

Fjala në tubimin përkujtues me rastin e vdekjes së tij

Ka një kohë që vdekja ka marrë një rol të rrallë. Është futur thellë në gjirin e kulturës dhe të letërsisë shqiptare. Dhe nga ajo thellësi i ka goditur majat e saj, duke e dëmtuar pjesën më sipërane të saj, e ka bërë një truall tërmetor pikërisht në pjesën më të çmuar dhe më të dhembshme të relievit shpirtëror e mendor shqiptar. Apo në këtë kohë dramatike që po kalon kombi shqiptar vdekja erdhi kaq shpejt si rrufeja: i goditi majat më të larta dhe la prapa vetes shkreptimën e përjetshme, nëpër dritën e së cilës mbeti e hapur udha që nuk mbyllet kurrë. E thotë edhe fjala e moçme shqipe: “Vdekja i zgjedh më të mirët!”. I zgjedh më të mirët! Pra, në letërsinë shqipe ajo mori rolin e një antologjisteje me kritere tepër të rreptë!
M’u qep për gjuhe vetvetiu kjo mënyrë të foluri, me figura, në këtë rast dhembjeje e pikëllimi të përkujtimit të Azem Shkrelit, njërit nga mjeshtrit më të mëdhenj të kësaj ane të sferës së shqipes.
Radhës që bëri vdekja me krijuesit tanë nuk po ia përmend asnjë emër, sepse atë na e përkujtoi në mënyrë tragjikisht të theksuar së fundi vdekja e Azem Shkrelit, kujtimin e të cilit e kemi kaq të fresktë, fytyrën e tij e kemi kaq të gjallë para vetes, sikur të kishte dalë pak më parë prej këtu dhe ne bëhemi sikur e presim të kthehet. Por ai nuk do të kthehet kurrë. Kjo është hera e vetme që ai do të përfillë deri në fund kryeneçësinë e vet, kurse ne do t’i falemi kujtimit të tij duke e rihapur veprën që la pas vetes. E vepra e Azem Shkrelit është e gjerë dhe shumë e thellë. Vetëm aty do ta rigjejmë ne që e njohëm, do ta gjejnë gjithmonë të gjithë brezat njerëzorë në trajtën më lapidare që e gdhendi ai vetë për afër gjysmë shekulli.
Azem Shkreli u nis në këtë udhë dyzet e pesë vjet më parë, pikërisht më 1952, me një vjershë për nënën në “Pionieri” dhe i ra në fund para një jave me vjershën “Harrim himnor”, botuar sot në “Rilindja”, e cila mbase qe hapi i tij i fundit në udhën e vështirë të krijimit. Dhe nuk është aspak e lehtë të matet një peshë shumë e veçantë e veprës së tij të krijuar intensivisht në një kohë kaq të gjatë dhe me një përkushtim të rrallë, sidomos kur atë duhet bërë së toku me peshën e hidhërimit për humbjen e krijuesit të asaj vepre. Është pikërisht humbja e krijuesit, shkrirja e tij në thelbin e artit të vet, pasi që tash e tutje ai përgjithmonë do të gjendet i tëri i strehuar vetëm aty, në veprën që mban emrin e tij. Ky është i vetmi egoizëm i krijuesve të mëdhenj. Atë strehë të përjetshme ata e bëjnë të mrekullueshme. Të tillë e bëri edhe Azem Shkreli.
Azem Shkreli është poet i herës së parë. Ai e pati tepër të shkurtë udhën e sprovave e të përpjekjeve letrare. Pjekuria qe shenja dalluese e krijimtarisë së tij që nga hapi i parë në botën e letrave shqipe. Atë frymë e mbajti deri në fund, sepse asaj i qe dorëzuar i tëri me përkushtimin më të madh, me tërë qenien, pa iu shqitur kurrë as në çastin e grahmës. Dhe ajo frymë do të mbetet përgjithmonë aty, në veprën e tij.
Azem Shkreli bën pjesë në brezin më të madh të shkrimtarëve shqiptarë. Nëse në një kësi rasti më lejohet të bëj edhe skicimin më themelor të atij brezi, do të thosha se ai brez i madh letrar erdhi me Ismail Kadarenë në ballë. Ndërkaq atë e mbyll duke e mbajtur përherë të hapur Ali Podrimja. Brenda tij hyjnë autorët më të shumtë nga më të shquarit, ndër të cilët njërin nga vendet qendrorë, mu atë shtyllën ku pesha rëndon më shumë, e zë Azem Shkreli.

Poeti Azem Shkreli (1938-1997)
Poeti Azem Shkreli (1938-1997)

Që në librin e parë të poezisë “Bulëzat” (1960) Azem Shkreli bëri konturët e një individualiteti të fuqishëm krijues. Pikërisht ky libër, së bashku me disa të tjerë të autorëve të këtij brezi krijues, do të përcaktojë kahet më të avancuara të poezisë bashkëkohëse shqiptare në përgjithësi. Poezinë shqipe këta autorë tashmë po e futnin rrjedhjes së një moderniteti me primesa të shquara individualitetesh krijues, duke e ndërlidhur atë me pjesën më të shkëlqyer të traditës së poezisë shqiptare. Ngjyrimi i fuqishëm me elementë të etnisë shqiptare, i dhënë me pamje autentike të jetës së pari herë të Rugovës, pastaj të Kosovës dhe të zgjeruara vazhdimisht me ato të gjithë botës shqiptare më vonë, do të bëhet një përcaktim i përhershëm krijues i Azem Shkrelit. Me fjalë të tjera, busulla e tij në udhën e krijimtarisë do të dëftojë një hapësirë që zgjerohet përherë, krahas njohjes dhe ecjes së tij, por në thelb ajo nuk do të ndryshojë pothuaj asgjë. Në këtë ecje poetit të ri do t’i ndihmojë e do ta kurajojë jo pak vepra poetike e fazës së parë e Martin Camajt, poashtu edhe një pjesë e poezisë së Mjedës. Po në këtë kohë, kur ende ishte nxënës i Normales, Azem Shkreli botoi romanin “Karvani i bardhë” (1961), të cilit do t’i kthehet sërish në fund të udhës së vet krijuese për t’ia dhënë formën përfundimtare dhe për të hequr gurin e një pengu krijues që i kishte mbetur gjatë në zemër (1996). Ngulmi krijues i Azem Shkrelit u provua në mënyrë më të theksuar edhe te libri i dytë i poezisë “Engjujt e rrugëve” (1963), kurse talenti i tij i gjithanshëm prej shkrimtari u shqua në dy librat e tjerë në vijim: te tregimet “Sytë e Evës” (1965) dhe te drama “Fosilet” (1968).
Një kapërcim të madh në udhën e vet krijuese Shkreli e bëri me librin “E di një fjalë prej guri” (1969), që është një nga librat themeltarë të poezisë shqiptare në përgjithësi. Ky libër nuk shpreh vetëm pjekurinë e plotë krijuese të autorit, për më shumë e zgjeron dhe e thellon modernitetin e poezisë sonë në përgjithësi. Në fakt ky dhe disa libra të tjerë të poezisë shqiptare të asaj periudhe do të çelin udhën e një brezi poetësh pasrendës, të cilët vazhduan ta pasurojnë poezinë shqiptare me një ngulm krijues shumë të madh.
Se një nivel kaq i lartë i poezisë nuk ishte një rastësi, që përqendrohet sall te një libër, dëshmon libri tjetër i Azem Shkrelit “Nga bibla e heshtjes” (1977), tek i cili autori para së gjithash shquhet për thellimin e meditacionit, për një shkallë shumë të lartë të abstraksionit poetik dhe për thellim të mëtejshëm të gjuhës poetike.
Ndërkaq Azem Shkreli do të provojë të kthehet edhe një herë te proza e drama, duke rimarrë motivet e një tregimi të vet të mëhershëm te drama “Varri i qyqes” (1983), për t’iu rikthyer apo më mirë të them për të mbetur gjithnjë te poezia: “Kënga e hutinit” (1986), “Nata e papagajve” (1990), “Lirikë me shi” (1994) dhe së fundi dorëshkrimi i mbetur “Zogj dhe gurë” (1997).
Jo pa peshë në këtë opus janë edhe tre libra me publicistikë të Azem Shkrelit, të cilët i botoi kohëve të fundit: “Shtatë nga ata – Çeta e Llapit”, “Muri përfundi shqipeve” dhe “Zoti nuk është shqiptar”. Po them shkarazi se kjo është vetëm një pjesë e veprës së Azem Shkrelit në fushë të publicistikës, sepse ajo është shumë më e gjerë. Këtu do të përkujtoja shkrimet e tij në faqet e gazetës “Rilindja”, sidomos gjatë vjetëve ’70, nën titullin “Këndi i tretë”.
Po ashtu duhet përmendur kontributin e madh të Azem Shkrelit në organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë kulturore-artistike shqiptare të Kosovës, që e nisi në të përditshmen “Rilindja”, e vazhdoi në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe sidomos në Teatrin Popullor të Kosovës e në Kosovafilm etj.
Kjo është vetëm një pamje e veprës së Azem Shkrelit, disa të dhëna për të, të bëra kaq shkurt dhe ndoshta jo në mënyrën si e meriton ajo, që shprehin veç disa ide që më erdhën të parat me lajmin e hidhur të vdekjes së papritur të autorit të saj, të dala kështu së bashku me dhembjen e pikëllimin për humbjen e një krijuesi ndër më të mëdhenjtë që kanë shqiptarët. Në një rast si ky, pra në rastin e humbjes së madhe, edhe ngushëllimi ka përmasa të mëdha. Është vepra e madhe ajo që e ndreq këtë drejtpeshim. Për ata që mbeten të vazhdojnë jetën, ky është një ngushëllim i bukur. Ndërkaq poeti për veten, në psalmin që i bëri Kosovës, në përgjasim me mjeshtërinë e vet jetësore të shkrimit bukur, edhe atdheut ia shtroi të vetmen kërkesë: Më mëso të vdes bukur!
Azem Shkreli është poet i frymës së fundit.
Cyrih, më 31 maj 1997

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.