back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Poeti i paharrueshëm Ahmet Tahir Kolgjini L. Çekaj e T. Mirakaj

Gazeta

Ahmet Kolgjini 1996
Ahmet Kolgjini 1996

Poeti i paharrueshëm Ahmet Tahir Kolgjini

nga Luigj Çekaj dhe Tonin Mirakaj

Në fillim të vitit tonë kalendarik 2014, Mithat Gashi më solli një dosje plot me poezi të shkëlqyeshme të autorit tashmë të të ndierit Ahmet Kolgjini, të birin e mikut tim të vjetër Tahir Kolgjini. Jo vetëm se u habita, por sapo i mbarova së lexuari dy a tri herë me radhë, i fotokopjova një për një dhe i paketova në një zarf dhe ja postova si me urregjencë mikut tim, poetit te njohur z. Luigj Çekaj, mbasi në telefon i shpjegova sa me pëlqenin këto poezi. Luigji shpjegimeve të mia në telefon, që ishin edhe sentimentale natyrisht, ju përgjigj shkurt dhe prerazi pikërisht me këto fjalë mjaft kuptimplote: “Të mbijetosh në letërsi, dhe sidomos në poezi, ndryshe do të thotë, që të bësh edhe njëfarë heroizmit sadopak, në ketë zhanër marramendës arti, i cili sikur e sofistikon dhe e mbron njeriun, edhe nga ditët më orëliga”.
Kështu që së bashku me Çekajn, vendosëm që t’i bënim njëfarë komenti vjershërimit befasues të Ahmet Kolgjinit, i cili ashtu siç do ta shijoni edhe ju vetë, na ka prekur edhe ne deri në thellësitë e shpirtit.
Po si duhej bërë ky koment, dhe për çfarë dhimbjesh të mëdha duhej që të shkruanim më parë? Mandej, ku duhej që të përqëndroheshim më fort? Tek persekutimi gati gjysëmshekullor i këtij poeti si të mbijetuar në diktaturë, apo tek vetëqëndresa, dhe tek prodhimi i tij i begatë shpirtëror të mbetura bukur gjallë në poezitë që la mbrapa? Në fakt, Ahmet Kolgjini ka vuajtur rreth 40 vjet burgje dhe internime politike, për të vetmin “krim” de fakto se ishte djalë i vetëm i Tahir Kolgjinit, i cili të tërë jetën ja dedikoi atdheut të tij, Shqipërisë. Nipat e tij, Mit’hat Gashi dhe djali i Ahmetit, Neritani, po mbledhin materiale e artikuj të Tahirit botuar në periodikun shqiptar në Perendim, kështu që do kemi rast, si ne, dhe breza të ardhshëm, të njofim një burrë shteti dhe patriot të vërtetë.
Tashti dhe pa u vonuar, le të shqyrtojmë së bashku disa nga vargjet më brilante të Ahmet Kolgjinit, si p.sh. në vjershën e bukur me titull “Poezia”:

Ahmet Kolgjini - Libri Poezia
Ahmet Kolgjini – Libri Poezia

“Ti je masë, ti je trajtë, je gjallni,
Në rrëmujë ti të hedh,moj e brishtë!
Ti je temp, je muzikë, melodi
Zbulon hiret në kullë të fildishtë…”

Duke ditur se një proverb i yni thotë shprehimisht se “një fillim i mbarë, është gjysma e punës së kualifikuar”, ky portretizim i vetë poezisë që vazhdon më poshtë, na jep të kuptojmë, se prej këtij poeti të talentuar, jo vetëm që duket, por surprizat kanë për të qenë edhe më të mëdha se kjo:

“Zemra ndjen, zemra ndjehet,
Zemra deh, zemra dehet,
Zemra shihet, zemra sheh
Zemra njihet, zemra njeh
Zemra pritet, zemra pret,
Zemra vritet, Zemra vret…”

Ahmet Kolgjini - Lushnje vitet '70
Ahmet Kolgjini – Lushnje vitet ’70

Kjo poezi perlë do të thoshim, për mendimin tonë është edhe vjersha më e realizuar e Ahmet Kolgjinit, si edhe njëra nga vjershat më të bukura të letërsisë së pa censuruar shqipe në këto vjetët e fundit. Themi se meriton një trajtesë dhe një studim krejt të veçantë, mbasi është projektuar dhe ngritur tërësisht mbi shpatullat e “Mbretëreshës” së figurave stilistike, siç i kanë thënë grekërit e lashtë metaforës. Ahmet Kolgjini me ketë xhevahir të rrallë përpos gjërave të tjera, na rikujton edhe shpërthime të revoltave poetike të Dritëro Agollit, kur pothuajse ulurinë kundra dhunës, dhe reprezaljeve të çdo lloji:

“Ka njerëz që hanë me dhambë,
Ka njerëz, që me dhambë mbytin?
Ka njerëz, që ecin me këmbë,
Ka njerëz, që me këmbë shtypin?”

Porse edhe Ahmet Kolgjini, nuk mbetet shumë mbrapa Dritëroit. Ahmeti shkruan:

“Ecim në mjegull, po vijmë vërdallë
Se si ta nxijmë ma fort atë tjetrin
Shpirta të këqinj me hije në ballë.
Urrejmë të riun, përbuzim të vjetrin!
Në vorbull t’urrejtjes s’u gjetka shteg
Vdesim përmbrenda pa dalë në breg…”

Mirëpo, dhe sikur nënkuptohet kollaj, janë pikërisht ata “shpirtna të këqij me hije në ballë”, të cilët si për fatkeqësi nuk i mungojnë asnjë populli, dhe që duke i zhvendosur edhe në hapësira më të gjëra se sa Shqipëria janë emblematike; vjersha vetvetiu duket se fiton edhe përmasa ndërkombëtare, me synimin e qartë të riedukimit të shpirtërave njerëzorë nëpërmjet forcimit të bestytnive, nevojën konkrete të cilave, më thjeshtë se askush tjetër, e ka thënë poeti i ynë i madh dhe real Frederik Rrepshja me këtë varg të vetëm: “Ardhtë një Zot, ventë dorë mbi stinët!”.
Si motivi më i dhëmbshur, dhe më i gjetur në të gjith këtë cikël me poezi të zgjedhura, dhe të përgatitura posaçërisht për gazetën shqiptare-amerikane “Illyria”, neve na ngjanë se është soneti me titull “Marku”. Fati i Markut të A. Kolgjinit, dashtë ose edhe pa dashtë, na sjell te kujtesa e romanit “Les Miserabiles” të shkrimtarit vigan francez Viktor Hygo, ku personazhi kryesor i kësaj kryevepre të letërsisë botërore, Jean Valjean vuan një dënim të tmerrshëm, për rreth njëzet vjet radhazi, nga se kishte “vjedhur” vetëm një bukë prej gruri, natyrisht sa për të ushqyer fëmijët e uritur të motrës se vet, mjerimi dhe varfëria e së cilës ishte aq e tejskajshme, sa vetëm një prozator siç ka qenë Hygoi, ka ditur që ta pershkruajë me hollësi si të pabesueshme, dhe gati si një Fantinë të dytë, e cila pikërisht nga kjo varfëria e shfaqur aso kohe në Paris si një kolerë, është shtërnguar që të shesë dhëmbët e gojës për të ushqyer vajzën e saj të vogël. Kështu pra që edhe “Marku” i A. Kolgjinit, i sëmurë dhe i uritur, ndoshta edhe më shumë se nipat e Veljeanit dhe foshnja e Fantinës, merr fshehurazi një kothere bukë nga çanta e një të burgosuri. “Vjedhjen” e denoncon tek komanda Gavroshi, që simbas fjalorthit të autorit, definicioni i kësaj fjale është: “emën përgjithësues me të cilin të burgosunit politikë quenin bijtë e komunistëve ose vetë komunistët e burgosun që ishin në shërbim të komandës”. Marku, i shkatërruar përfundimisht sa nga shëndeti, sa edhe nga e “koritura”, pasi kërkon falje përpara të gjithëve, së mbrami jep dhe shpirtin, duke vdekur, pa i shkuar mendja asnjëherë se do të mbetet gjallë tek poezia… Në rubrikën shënime, në faqen 67 të librit me poezi, Ahmet Kolgjini shkruan: “Cikli i fundit ‘Prap dhimbje’ përbahet nga tri njësi: Marku, Nana Zadrimore dhe Lili. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.