back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poeti ilir Publius Papinius Statius(45-96) – nga Lutfi Alia

Gazeta

Portreti i poetit ilir Publius Papinius Statius (45-96)  Luka Signorelli (Kortona 1445-1523)
Portreti i poetit ilir Publius Papinius Statius (45-96)
Luka Signorelli (Kortona 1445-1523)

Poeti ilir Publius Papinius Statius(45-96)

(Publio Papini Staci – ose Stasi)

nga Lutfi Alia

Ilirët popullonin pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik, ishin popuj me histori e me kulturë dhe flisnin gjuhën ilire. Në trojet ilire kanë lulëzuar shumë qytete si Durrësi, Shkodra, Rizoni, Dioklea, Ulqini, Dimali, Valona, Bylis, Butrinti, Ulpiana etj, etj dhe në veçanti Gylacea, të cilin helenët e quajtën Apollonia, atë qytet madhështor e hijerëndë, metropol i botës ilire, ku krahas tempullit të Artemises, shkëlqente dhe Gymnasium, një shkollë me famë në botën antike, për të cilën ka shkruar edhe Straboni.
Në Gymnasium të Apollonisë janë shkolluar oratori i famshëm Ciceroni, shumë patricë ambiciozë romakë si Oktaviani (i biri i adoptuar i Jul Çezarit), që u shpall perandori Augustus, por kanë studiuar dhe shumë ilirë, disa prej të cilëve pas shkollimit shërbenin si scriber (shkrues) dhe krahas latinishtes si gjuha zyrtare, nuk përjashtohet mundësia që kanë shkruar dhe në gjuhën ilire.1]
Lexuesi me të drejtë mund të pyesi: cilët janë ilirët e shquar në historinë tonë të lashtë? Gjatë shekujve të pushtimit romak, Iliria ka nxjerrë figura si gjeneralin Agripa, senatorët Ptolemeu dhe dy djemtë e mbretit Genci të shquar në Senatin romak, historianin Ulpiano, poetë, mjeshtra të retorikës dhe gramatik. Nga shekulli III pas Krishtit e në vazhdim 33 fisnikë ilirë ishin perandorë, që drejtuan perandorinë Romake dhe Perandorine Bizantine. Ndër figurat e shquara të historisë iliro-romake janë dhe dy poetët atё e bir: Publius Papinius Statius Plaku dhe Publius Papinius Statius i Riu.1]
 
Publio Papini Staci i Riu (45-96 pas Krishtit), i kish kryer studimet në Napoli. Talenti dhe fantazia e pasur, kultura ilire e transmetuar nga i ati, i nxitën pasionin t’i dedikohet kryesisht poezisë, me krijime me motive mitologjike dhe për heronjtë mitikë. Motivet mitologjike i shtjelloi dhe i zbukuroi me hire të rralla, sa pak poetë të asaj kohe, ishin në gjendje ta bëjnë.1, 2, 3]
Në fillimet e krijimtarisë poetike u transferua në Romë. Që në moshë të re, Publio Papini Staci i Riu, korri suksese në krijimtari, në recitimet publike dhe në garat poetike. Në prani të atit, mori çmimin letrar gjatë kremtimeve të festës Cerere romake (Demetra helene); u nderua me tre çmime letrare në Romë në garat e Kampidolios; fitoi kurorën e artë dhe çmimin e madh në garat poetike gjatë lojrave të Minervës, që zhvilloheshin në kodrën Albano të Romës. Kurorën e artë i dorëzoi vetë Perandori Domiciani.2, 3, 4]
Në këtë periudhë realizoi disa krijime poetike dhe poemën epike “Thebaide” dhe disa pjesë të veprës lirike Silvae, ku shquhet për stilin elegant dhe të thjeshtë të thurjes së vargjeve.3, 4, 5] Publio Papini Staci i Riu nën udhëheqjen e të atit, iu fut plot besim dhe shpresë rrugës së magjishme të krijimtarisë letrare dhe u shqua si autor i shumë veprave, ndër të cilat me kryesoret janë:2]
-Poema epike “Thebais – Thebaide”, vepra më e mirë e Stacio, e hartuar në 12 libra, e botuar ne vitin 92 pas K. Në këtë poemë tregon historinë e luftës të të shtatëve kundër Tebës dhe konfiktin mes dy vëllezërve Eteokle dhe Poliniçe, për të hypur në fronin e të atit Edipit. Në pjesë të veçantë të librave, Publio Staci përmend ilirët dhe Ilirinë. Thebaide u përkthye në frëngjisht nga Cormilliole në vitin 1783.
-Poema epike Achileide” (e pa përfunduar, por e konsideruar Magnum Opus). Në librin e I dhe II, Staci tregon vitet e rinisë dhe edukimin e Akilit, tregon për vizitën e gjatë dhe miqësinë me vajzat e mbretit Likomede të Skyros dhe dashurinë me të bukurën Deiadamia, deri në nisjen e tij për në Luftën e Trojës. Në epilogun e kësaj poeme, Staci deklaron se në hartimin e kësaj vepre kishte përdorur si model Eneida (Aeneis) e Publio Virgilio Marone, madje në dy pjesë riprodhon besnikërisht gjysmën e Odisea dhe pjesën e përgatitje për luftë të Iliada, ashtu si i tregon Virgjili.2, 3]
-Poema epike “De bello Germanico”, kushtuar perandorit Domiciano në fushatat kundër fiseve gjermane Kjo vepër ka humbur, ashtu si dhe vepra “Agave”.
-Poemat lirike “Silvae”, në 32 kompozime metrike me 3300 vargje në metrikë Oraciane, të ndara në pesë libra, secili i paraprirë nga një epistolar në prozë dhe me dedikim miqve të tij poetë. Asokohe ishin të modës poezitë dhe prozat panegjirike dhe Stacio bëri emër si poet. Termi Silvae përdorej nga poetët për të treguar se vargjet ishin boca e një poezie e shkruar menjëherë gjatë një inspirimi të madh e më pas përpunoheshin me metrikë poetike dhe botoheshin. Për këtë vepër kritikët kanë theksuar se Staci i shkroi brenda pak diteve.3, 7, 8]
Në parathëniet e katër librave të parë, Staci shkruan se janë poezi të lehta, të guximshme e të lira (stili facilitus, audacia stili dhe libellorum temeritas).2, 3, 4] Poemën Silvae e botoi ne vitin 93 pas K.3, 6, 7]
Studiuesit e veprës të Staci-t i Riu, theksojnë se nga modeli i hartimit të veprave, kuptohet se njihte shumë mirë poemat ciklike të Antimako dhe natyrisht Homerin si e përshkruante Virgjili, njihte dhe Euripidin, Apollonono Rodio, Kalimakon dhe në përgjithësi autorët aleksandrinë. Stili tregimtar i Stacit dhe metrika përkojnë me leksionet e Ovidit, ndërsa përshkrimet ishte i ndikuar nga Seneka. Krijimtaria epike e Stacit, qëndron ndërmjet stilit të traditës Virgjiliane dhe krijimtarisë moderne, duke imituar paksa dhe Lukanin, andaj veprat e tij u mirëpriten e mbijetuan gjatë.4, 6, 7]
Staci jetonte në kushte ekonomike modeste, tregon Decimus Iunius Juvenalis (50-127 pas K.)4] dhe për të përballuar jetën në Rome, ishte detyruar të shiste disa nga fabulat satirike. Vështirësitë financiare e detyruan ta braktisë Romën dhe të kthehet në Napoli, megjithë kundërshtimet e së shoqes Klaudia. Në Napoli jetoi si poet mondan, në shërbim të patricëve romakë, duke recituar poezitë e tij në festat dhe gostitë që organizonin patricët. Vdiq në Napoli, në vitin 96 pas Krishtit.4, 6, 7]
Jeta dhe vepra e Publio Papini Staci, vazhdoi të frymëzoi krijuesit për shumë shekuj. Vargjet Silvae, që shprehin dhe aspekte të jetës personale të Stacit, kishin frymëzuar lirikën e shumë krijuesve, poet dhe shkrimtar, por mbi te gjitha dy veprat Tebaide dhe Akileide kanë inspiruar shumë shkrimtarë mesjetarë në krijimtarinë e epikës allegorike,2, 7] kësisoj rezulton se Dante Alighieri në Divina Commedia, gjatë udhëtimit në Purgator, ka dy shoqërues Virgjilin dhe Publius Papinius Statius, si e përshkruan në këngën XXI (strofa 93), ku i bën dhe levdata:
.
Stazio la gente ancor di là mi noma: 
cantai di Tebe, e poi del grande Achille; 
.
Valerio Rafaelle, në një studim kritiko-estetik të Divina Commedia, konstaton se ngjarjen e Kont Ugolinit në veprën Ferri (kënga XXXII), Dante Alighieri e ka huazuar nga episodi mizor i Tideo dhe Melanipo, të përshkruar nga Publio Papini Staci në Tebaide, në librin III, vargu 733.8] Gjithashtu Dante Alighieri, përshkrimin e dy flakëve të shpirtave të Odiseas dhe të Diomede në këngën XXVI të Ferrit, e ka huazuar nga Publio Papini Staci në Tebaide, ku rrëfen fundin e dy vëllezërve Eteokle dhe të Poliniçe, djemtë e mbretit Edip, që digjen me flakë, larg nga njeri nga tjetri, si shprehet Staci edhe të vdekur shpirtrat e tyre nuk gjetën paqe.2, 8]
Konfikti mes dy vëllezërve Eteokle dhe Poliniçe.
Konfikti mes dy vëllezërve Eteokle dhe Poliniçe.
Origjina ilire e Publio Papini Staci i Riu dhe bota ilire në veprat e tij. Origjinën ilire të poetit Publius Papinius Statius i Riu, e deklaroi studiuesi francez P .L. Cormiliolle, i cili ka përkthyer në frëngjisht “Thebaide”, të botuar në “Oeuvres de Stace – Veprat e Stasit”, Société Libre des Sciences, Lettres et Arts de Paris. Tome 1, 1783. (Ribotuar në vitin 1820).1, 9]
P. L. Cormiliolle, në parathënien e botimit frëngjisht shkruan “Në shekullin I pas Krishtit, u shquan poetët ilirë Publius Papinus Statius – Plaku, i cili njihej si mjeshtër i retorikës si gramatikë dhe poet, si dhe i biri Publius Papinus Statius i Riu dhe ai poet i shquar, eksponent i poezisë epike në periudhën flavia”.9] Për këtë zbulim i jemi mirënjohës studiuesit francez P. L. Cormiliolle, i cili hapi një dritare të re të historisë së letërsisë dhe kulturës ilire.
Në ndryshim me të gjithë historianët, shkrimtarët dhe poetët e antikitetit romak, të cilët e përmendin Ilirinë vetëm për rrethana lufte, apo si rrugëkalimi, Publio Papini Staci në veprat e tij, e trajton Ilirinë si vendin e tij dhe ilirët si njerëzit e tij. Në Tebaide Ai shkruan: Illiricus… Nunc gentem immeritam (origjinali ne latinisht)1] Ed ora la gente mia (përkthimi ne italisht nga Erasmo di Valvasone2] Dhe tani njerëzit e mi.
Si shihet, Publio Papini Staci, i referohet ilirëve, duke përdorur të njejtën shprehje si themi ne sot për familjarët dhe kushërinjtë tanë: “Këta janë njerëzit e mi”. Në veprat e tij Staci shpesh përmend vende dhe emra ilirë si Shpella e Syrras (Syrras mbreti i parë i mbretërisë ilire), lisat e Kaonisë, tempullin e Dodonës, Lisat e Dodonës, lisat e Sellës, fiset ilire Mollose, fushat e Ilirisë, ashtu si tregon dhe mitet e lashta për gjenezën e ilirëve. Në poemën epike Tebaide, Publio Papini Staci shkruan: “Le fatidiche piante di Dodona in Epiro, eravi un bosco di querce, entro la quale si dice fossevi un tempio dedicato a Giove. Le piante di questo bosco davano le risposte a chi domandava quasi fossero tanti oracoli” (Përkthimi në italishten e vjeter”5,6,7] – Pemët fatdhënëse të Dodonës në Epir, ishin në një pyll dushku, në brendësi të cilit dikur ishte një tempull i dedikuar Zeusit. Pemët e këtij pylli u jepnin përgjigjie atyre që i bënin pyetje dhe aty ishin shumë orakuj”.
Në poemën epike Tebaide, Publius Papini Staci përmend shpesh tempullin e Dodonës, vende dhe fise ilire dhe natyrisht kjo s’është rastësi, por ishte thirrja e gjakut, e origjinës së tij nga këto troje. Në vargjet në vazhdim shprehet qartë terreni, bota ilire, fiset ilire, shpirti ilir.
 
O Jupiter i fuqishëm!
Ti i dhe zogjëve fluturues privilegjin
të drejtojnë pa mëdyshje veprimet tona,
të parashikojnë të ardhmen,
nga ata marrim orakuj të sigurtë.
Jeta e ka përligjur besimin e etërve tanë!
Shpella e Syrrhas,
Lisat e Kaonisë,
që si thonë, profetizojnë në emrin tënd,
në vendin ku banojnë Mollosët.
 
Në vargun ku flet për “Zogjtë fluturues”, Publius Staci i Riu, bën lojë fjalësh, sepse Πελειαι – Peleiai, në dialektin epiriot do të thotë plaka, ndërsa në gjuhën helene do të thotë “pëllumba”. Si kuptohet në gjuhën iliro-epirote, janë dy fjalë të ndryshme, por që ngjajnë në shqipëtim, andaj autorët e vjetër heleno-romakë i ngatërronin, duke i marrë si një fjalë e vetme. Këtë lojë fjalësh e vazhdoi Statius i Ri në poemën Thebaide kur i referohet Plakave priftëresha të Tempullit Dodona. Për kuptimin e ndryshëm të këtyre dy fjalëve janë shprehur shumë autorë antike, si e shpjegon Abate Sallier.9]
Abate Sallier në botimin “Accademia delle Inscrizioni”, vëllimi V me kujtime shkruan: “Rezulton se te Esikio, Eustasio dhe Pausania, fjala Πελειαι – Peleiai në dialektin e popujve të Epirit do të thotë plaka, ndërsa në pjesën e Greqisë do të thotë pëllumba. Ky kuptim i dyfishtë, ndikoj që Homeri të thotë se pëllumbat e furnizonin Zeusin me Ambrosia (Αμβροσία – ushqimi dhe pijet që i blatoheshin Hyjnive); ndërsa e vërteta ishte, se disa priftëresha plaka, kishin detyrë të përgatisnin mishrat, ose ofertat e tjera, dhe sakrifikimet për Giove (Zeusin) në Epir. Nëse Homeri do ta kishte ditur këtë fjalë Epirote, sigurisht do t’i kishte zgjuar mendimin, se ato ishin Plakat prifteresha shërbëtorët e Zeusit”.9]
Kjo ngatërresë u krijua sepse besohej se pëllumbat e egër dhe shqiponja (zogu i shenjtë i Zeusit), ishin të dhe me rol në shpalljen e orakujve, sepse konsideroheshin si mediator mes të gjallëve dhe të vdekurve.Duke iu referuar Homerit në Iliada10] dhe idhullit të tij Virgjilit në Eneida11], Publio Papini Staci, në poemën Akileide, përmend Akilin, i cili i dërgon një përshendetje Zeusit të Dodonës:
 
O zot, mbret i Dodonës pellazgjike
Që banon në ato vende të largëta
Dhe sundon Dodonën dimërkeqe
Rreth teje banojnë Sellet
Fatdhënësit këmbëzbathur, që flejnë në tokë…
 
Në kohën e Homerit nuk ekzistonte tempulli, por ishin lisat e Dodonës, që parathonin fatin e njerëzve. Tempulli i Dodonës u ndërtua në shek. IV para K, si e përmendin Euripidi në veprën “Melenippo”, dhe Herodoti, që tregon për orakullin e Dodonës dhe priftëreshat Promeneia dhe Timareta. Hesiodi në poemën Karmina dhe Straboni (libri VII f. 19), përmendin qytetin Sella si vendin e tempullit të Dodonës, ashtu si thekson dhe Publio Papini Staci.2] Aristidh Kola dhe Dhimitër Pilika, duke iu referuar Herodotit theksojnë se Dodona në kohët parahelenike ishte tempull i Thesprotëve, andaj dhe shkrimtarët helenë të tragjedisë e quajnë Dodonën Thesprote.12, 13]
Staci thotë se fiset Sellës banonin pranë Dodonës, disa thonë se banonin në jug të Apollonisë, ndërsa Perikli Konomi i saktëson ne veri të qytetit te Beratit.14] Interesant është përmendja e Sellës nga historiani romak Marcus Annaeus Lucanius në veprën ”Pharsale”, botuar në vitin 62 pas K, i cili gjatë përshkrimit të epopesë të Çezarit kundër Pomeput, na jep një dëshmi të vagullt për vendndodhjen e Selles, jo si emër qyteti, por si emër fisi, duke shkruar: “Thesprotët rendën bashkë me Dryopët: Sellët braktisën Kaoninë dhe lisat e vjetër, sepse nuk shpallnin më orakuj.15, 16]
Një aspekt i veçantë, që evokon përkatësinë genike ilire të Publio Papini Staci, është fakti i trajtimit të origjinës të ilirëve, të cilët i quan “njerëzit e mi”. Origjinën e ilirëve e trajton me legjendën të lidhur me mitin e Kadmo dhe Harmonisë (Kandavia). Në Tebaide, në librin VIII, duke filluar nga faqia 1824, Staci trajton mitin e shndërrimit në gjarpërinj të Kadmo dhe Harmonisë:
 
Divae Veneris quod figlia longum reptat,
et Illiricus ejectat virus in herbas
Nunc gentem immeritam
 
Kadmo, i biri i mbretit Agenore në Tiro dhe Telefassa, themeluesi i qytetit grek Teba, ishte nisur në kërkim të motrës Europa, që e kishte rrëmbyer Zeusi. Kur arrijti në ishullin e Samothraka, Kadmo njohu dhe u dashurua me Harmoninë (Kandavia) e bija e Marsit me Afërditën. Këtë rrethanë e shfrytëzoi Zeusi, i cili i propozoi Kadmos martesën me Kandavian, me kusht të ndërpriste kërkimet për motrën Europa. Kadmo pranoi dhe u martua me Kandavian. Në dasëm e tyre, Zeusi i dërgoi 12 hyjnitë e Olimpit.17] Nga martesa e Kadmos me Kandavian, lindën katër vajza dhe një djalë, ndërsa në moshë të avancuar u lindi dhe Iliri. Kur Dionisi e shkatërroi Samothrakën, Kadmo së bashku me Kandavian dhe me fëmijët, shkuan të jetojnë me fiset e Enkelejve, që atë kohë ishin në luftë me fqinjët. Gjatë lutjeve në tempull, orakulli u tha enkelejve, se me Kadmon dhe Kandavian do ta fitonin luftën dhe atëhere populli e emëroi komandant të ushtrise dhe pas fitores, Kadmo u bë sovrani i Enkelejve dhe në nderim të bashkëshortes së tij, vargmalet në veriperëndim të trojeve të mbretërisë, i quajtën me emërin Kandavia.17, 18] Pas vdekjes Kadmo dhe Kandavia u shndërruan në gjarpërinj. Me këtë legjendë, spjegohet përse ilirët e nderonin kultin e gjarpërit. Asokohe, Iliri u bë mbreti mitik i fiseve ilire të liburnëve, me kryeqendër Rizoni (Risinium), ndërsa djali i vogël Dyrrachi, u bë mbreti i Durrësit (Epidamnos).19]
Ovidi tregon një tjetër variant të kësaj legjende. Kadmo dhe Kandavia, e bija e Afërditës me Hermes, të lodhur nga peripecitë dhe fatkeqësitë në fisin e tyre, e braktisën Tebën dhe shkuan të jetojnë në Beoci dhe më pas në Iliri. Në ditët e fundit të jetës, Kadmo kërkoi të trasformohej në gjarpër, ashtu si e kishte parathënë orakulli Febo, kur Kadmo vrau kuçedrën. Kandavia nuk u nda nga bashkëshorti dhe ajo u shndërrua në gjarpër dhe të dy së bashku shkuan të jetonin në thellësi të pyjeve të Ilirisë.20]
Historia e dy poetëve ilirё Publius Papinus Statius Publio Papini Staci, at dhe bir, nuk është unikale, pasi ka dhe shumë ilirё të tjerё krijues, shkrimtarë, poetë, arkitektë etj, por ende kanë mbetur të fshehur nën prepotencën e kulturës romake, që i ka absorbuar duke ua përvehtësuar vlerat e larta në krijimtarinë artistike dhe letrare të atyre ilirëve të shquar në shekujt e largët të antikitetit.
.

Bibliografia:

01.Lutfi Alia, Dixit 2. Shkrimet dhe shkollat ne gjuhën shqipe. Botim MB Printing Durrës. 2017
02.Erasmo di Valvasone, La Thebaide di Statio. In Venetia. 1570, 18-47 Appresso Francesco de Franceschi Senese.
02.Le opere di Publio Papino Stazio, Tebaide. Sylviae. Achilleide. La traduzione e note da varii. – Venezia. 1840. Dalla Tipografia di Giuseppe Antonelli ED. f. 1100-1850
03.Decimo Giunio Giovenale, Satirae. Venetis 1536, in aedibus haeredum Aldi et Andrea socieri. – Satirae VII, f. 80 – 86
04.Bonino Mombrisio, Della Tebaide. Milano 1478. F. 12 – 18
05.Giulio Lisati, Saggio di traduzione in ottava rima del libro VII della Tebaide di Stazio. Ediz. 1923, ribotim ne anglisht 2002 dhe Editore Nabu Press 2012, f. 16 – 20
06.Cornelio Bentivoglio, La Tebaide di Stazio. Edizione UTET, Torini 1928, vol 2, 268 – 280
07.Neck A. F. Relique di Cherilo Samio, Lipsia 1817, cap. IX, p. 67
08.Valerio Raffaelle, Stazio nella Divina Commedia. Studio critico-estetico. Arezzo. Tipografia del XX sec. 1901
08.Cormiliolle P. L. ”Oeuvres de Stace – Veprat e Stasit”, botim i Société Libre des Sciences, Lettres et Arts de Paris. Ediz. Hardouine 1783 Tome 3. f. 8-30
09.Biografia Universale Antica e Moderna. Abate Sallier. Accademia delle Iscrizioni e belle lettere. Volume L. 1729, p. 349 Venezia. Presso Gio. Batista Missiaglia.
10.Homeri, Iliada. Kënga XVI, f. 295. Botim Buzuku, Prishtinë 2006
11.Virgilio Eneide, Nella stamperia della Biblioteca Ambrosiana, Milano 1752.
12.Aristidh Kola, Arvanitasit. Tirane, 2002, f. 330
13.Dhimitër Pilika, Pellazgët, origjina e jonë e mohuar. Tiranë 2005, f. 160-161
14.Perikli Ikonomi, Tomori dhe Dodona pellazgjike. Botim “Bota shqiptare”, Tiranë 2008, f. 13 – 20
15.Marti B. M, “La structure de La Pharsale”, in Entretiens sur l’Antiquité classique, tom XV, Lucain, Genève, 1968, f 21 – 40.
16.Marcus Annaeus Lucanus, ”Pharsalia”, Roma, 1469 f. 23
17.La leggenda di Dardano: Rivista Aufidus. Università di Bari; CNR 2000.
18.Roberto Calasso, Le nozze di Cadmo ed Armonia. Milano, 1991.
19.Karl Patsch, Iliret. 1923. Përkthim i Karl Gurakuqi ne vitin 1925.
20.Publio Ovidio Nasone, Metamorphoses: 1471. Editio princeps Bologna IV, 562-603
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.