back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poetika e “45 Mercy Street” e Anne Sexton – nga Desantila Qerimaj C

Gazeta

Anne Sexton (1928-1974)
Anne Sexton (1928-1974)

Poetika e “45 Mercy Street” e Anne Sexton

nga Desantila Qerimaj C

Poetika e “45 Mercy Street” e Anne Sexton e kalon ndjesinë thjeshtësisht “poetike” në nji përzimje e proces kërkues andërr-kohë-dhimbje-realitet. Nji grue e palumtun si Anne e sjell ‘andrrën’ si t’vërtetën e saj mes përballjesh jo të thjeshta mendore e shpirtnore. Coleridge, (poet, kritik letrar, dhe filozof anglez 1772-1834), shkruen; “Mënyra ‘si’ andrrojmë asht pyetje ma detyruese se mënyra e asaj ‘çfarë’ andrrojmë’. Ashtu edhe për Anne ‘andrra’ asht shum ma tepër se nji andërr, ma tepër se ‘Tash’, dhe se krejt koha e saj! Përveç turbullimit që ngjizet thellësive ma të mshehuna, ajo sjell rrugën e shpirtit, at të trupit, të jashtmes drejt së mbrendshmes, mundimit, frikën e braktisjes, rrugën e ‘torturës’, pafajsisë të humbun, e së fundmi dorzimin n’errsinë. Për kët poezi Anne asht shprehë që “asht pak si tepër personale, dhe e ashpër”. Ajo vetë nuk e ka botue, (e vetdijshme për mundimet e saj), ashtu siç edhe shum’ poezi tjera, të cilat kanë varg e formë rebele poetike. Pavarësisht kësaj, poezi të tilla morën të drejtën për tek lexuesi me aprovimin e së bijës. “45 Mercy Street” u kthye ndër poezitë ma të lexueme mbas vdekjes së Anne për turbullimin kuptimor, forcën e vuejtjes, e përmasat konfliktuale që përmban. Vështirë me u spjegue me pak fjalë, shqetësimet e kësaj poeteje, ajo përjeton nji luftë të vërtetë së mbrendshmi që në vitet e fundit të jetës e pasqyron dhimbshëm dhe fort përmes lëvizjes poetike rrëfimtare, lëvizje në të cilën krijimtaria e Anne shihet si shtysë mjaft domethanëse. Kontradiktat për përmbajtjen e poezive si “45 Mercy Street” s’janë të pakta e megjithatë, nën dritën e së vërtetës Anne, ‘çmendurinë e hijshme’, (siç shpehej profesori i saj i poezisë Theodore Roethke), e la si nji fole kashte që shkërmoqet vazhdimisht, e prap nji fole që s’mbaron së krijuemi, ndërkohë që ajo mundohet me poetizue analogjinë e k’tij fenomeni deri në vargjet e mbrame si të poezisë si të jetës. Gjithsesi e vërteta e saj mbetet gjithmonë e pakundërshtueshme, nji e vërtetë sa poetike aq edhe e ashpër, ‘çmenduni’ e thellë, fuqi e kohës dhe e vedit… nëpër ndjesi përmbytëse.

Anne Sexton (1928-1974)
Anne Sexton (1928-1974)

45 Mercy Street

Anne Sexton (1928 – 1974)

Nëpër andrrën teme
mbrrij palcën
e kocave
andrrën e vërtetë, 
shkoj e vij nalt e poshtë ‘Beacon Hill’
kërkoj nji tabelë rruge –
emnue Mercy Street.
S’asht aty.

Provoj Back Bay.
S’asht aty.
S’asht aty.
Sidoqoftë un’ dij numrin.
45 Mercy Street.
Dij dritoren, xhamin me danga
t’hollit,
tre kambë shkallë t’shpisë
me parket druni.
Dij mobiljet
nanën, gjyshen, stërgjyshen,
shërbtorët.
Dij raftet e Spode*
mbajtsen e akullit, prej argjendi t’qëndrueshëm
gjalpin e premë n’katrorë të rregullt
si dhambë t’çuditshëm gjigandi
vendosë n’tavolinën e madhe prej mahogani.**
Gjithçka e dij mirë.
S’asht aty.

Ku ke shkue?
45 Mercy Street,
stërgjyshja gjujëzue 
veshë me korsetin e ngushtë prej kocash balene***
lutet përvujtnisht po me vendosmëní
përballë lavapjatës
në 5 t’nades
e mbasdite
përhumbet n’lëkundsen e saj të re
gjyshi kotet në qilar,
gjyshja i bjen ziles për shërbtoren e katit poshtë, 
e Nana**** përkundë nanën, kaçurrelin n’ballin e saj
e mbulon nji lule e stërmadhe,
për kur ishte e mirë dhe kur ishte…
E kur ajo u ngjiz
nji gjeneratë ma shum’
kishte me krijue, të tretën, 
mue,
me farën e t’huejit që shpërthen
n’lulen quejtë Tmerr.

Eci, kam veshë fustan të verdhë
n’xhep kam nji fletore të bardhë, cingare,
ilaçe mjaftueshëm, portofolin, çilsat
jam njizetetet’ vjeçe, apo katërdhjet’e pesë?
Eci. Eci.
Ndezi shkrepse për tabelat e rrugës
pse asht terr,
asht errsinë njaq sa lkura e të dekunit,
e m’ka humbë Fordi jeshil
shpia në periferi,
e dy fëmij’ sa grima
i ka përthithë si polen bleta n’mue
e nji burrë
qe i ka shpla sytë  
aq sa mos me pá 
as mbrendë e as jashtë meje
un eci e kërkoj
e kjo s’asht ma andërr
thjesht jeta jeme rrëshqitse
ku njerzit janë alibi
e shtegu vazhdon i pagjetun
për nji jetë të tanë.

Shembuni përtokë hije –
S’due me dijtë ma!
Shkatrrohu derë, mshirë
zhduke numrin,
përmbyse tabelën e rrugës,
ç’randsi mund t’ketë
ç’randsi mund t’ketë në kët’ mjerim
me dashtë me pushtue t’shkuemen
e nisun me anije të mbytun
kur mue m’la vetëm me letër?

S’asht aty.

Hapi fletoren e vogël
siç bajnë gratë,
andej e ktej noton, peshk
mes dollarve e buzkuqit.
I marr nji ka nji
i gjuej ndër tabela,
hjedhi vrullshëm fletoren 
në Lumin Charles.
Mandej tërhjeku andrrën prej meje
e përplasi n’murin prej betoni
drejt kalendarit përtac  
mrendë tij jetoj,
jetën teme,
vorbullue
n’fletore shënimesh. 

.

*Mahogani – pemë tropikale
**Spode – shërbëtori i shtëpisë
***“whale-bone corset” – korset i punuem me copë dhe nji substancë kockore elastike marrë nga nofulla e sipërme e balenës.
****Nana – tezja e Anne  

Source; allpoetry.com
në shqip prej Desantila Qerimaj

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.