back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Poetika e Zhaneta Barxhaj, si frymë e lirë krjuese dhe abstraksion – nga Agron Shele

Gazeta

Zhaneta Barxhaj në Venezie
Zhaneta Barxhaj në Venezie

Poetika e Zhaneta Barxhaj,

si frymë e lirë krjuese dhe abstraksion

nga Agron Shele

Poezia në vetvete, si formë shprehje e elokuencës më të thellë të mendimit dhe deshifrim i refleksionit në kontrast me mistizmin jetë gjithmonë të shtrirë në kohë dhe hapësirë shpesh lakonizon dhe varion nga format e zakonshme me të cilat ndeshemi gjithmonë gjer tek formalizmi, abstraksioni apo përqasjet më të reja drejt paradoksalizmit. Tendencat më të fundit kanë ardhur jo vetëm si formë e përsosjes dhe evolimit të vetë njeriut, por më tepër dhe si rrugë zgjidhje për të tejkaluar vetveten dhe për të kornizuar atë vizion e ide drejt të papercepetueshmes, gati të pamundurës. Kaq të thella dhe vicioze janë iluzionet që fsheh vetë nënndërgjegjia, sa vetë arti dhe kryesisht poezia do e kishte të pamundur t’i paraprinte qoftë kohezionit kohë gjithmonë në referim me përjetimin, po ashtu dhe kapërcimit të vetë traditave të krijura apo shembjes së idoleve dhe tabuve që po vetë njeriu i ka ngritur. Nën këtë frymë do e shikoja artin poetik të autores Zhaneta Barxhaj, e cila nëpërmjet vëllimit poetik “Valltari pa këmbë” shpreh atë botë të madhe krijuese, jashtë klisheve dhe gjithmonë në kërkim të gjetjeve të reja, sa të vetëdijshëm për misionin që mbart, po kaq dhe me dritëthënie në mesazhin që kërkon të japë. E gjithë poezia sigmatizon gjendjen në raport natyral, raport psikologjik dhe filozofik, sipar ky që në këndvështrimin shumëdimesional herë dualizon me frymën dhe shpirtin si fluiditet, herë konfronton me vetë mjedisin dhe nëpërmjet gjuhës së imazheve apo simbolikës përdorur shpreh ato nënkuptime të thella, të cilat përherë përbëjnë objeksion diskutimi dhe lënë temë debati të hapur. Njohja e mirë e teknikës së shkrimit dhe informacioni i plotë që posedon për gjithë zhvillimet postmoderne të artit i kanë mundësuar autores të ridimesionojë idetë dhe të krijojë një stil sa të veçantë po kaq dhe identifikues për veten, por dhe të zhvillojë idetë e saj. Në mbarë poezitë e këtij vëllimi ndeshemi me variacione që konturojnë rregulla të lira letrare, larg formave shabllone, ku herë zhytesh poshtë portave të Hadit në Ferrin Dantesk dhe prek më pas me frymën më të lartë mistike, herë endesh në metamorfozën kohë dhe ndjek shiritat e prerë të hijeve, herë gjerb dhimbjet njerëzore në heshtje dhe si në apokalips parandjek shtjellat rrënim të memorieve të trazuara, herë përhumb iluzioneve të përditësisë jetë dhe fantazon fijëzimin e ëndrrave prej bore e herë përballesh me stuhitë më të forta dhe mbjell në shpirt zjarrin e së nesërmes.
Në këtë lloj arti vlen të theksohet tematika e gjerë dhe boshti përshkrues i gjithë vëllimit poetik, i cili në sinkron të plotë me idetë dhe filozofinë mendim agravon koncepte të reja, depërton në të tejskajshmen (subkoshiencë) dhe farfurin ngjyrimet në telajon e madhe të pikturës jetë. Ndërtimi struktural i poezisë konvonon më së miri me risinë krijuese, nëpërmjet beftësisë sjellur për lexuesin, natyralizimit të vargjeve kryesisht të lirë, por dhe strofike, ( jo në format e rregullta klasike) dhe përherë në ambiguitet me vetveten. Sikurse e cituam dhe në fillim, e gjitha kjo prurje vjen në formatin më postmodern, me një metafizikë që në planin parësor filozofon për gjithë proceset jetësore, nga ato të planit social e psikologjik deri tek lirizmi, por i shprehur ndryshe, dhe sikurse vijnë plot rrjedhshmëri, ndjeshmëri dhe kurbash vargje, nëpërmjet figuracionit artistik kryesisht metaforat, anaforat, paralelizmat apo antitezat realizohet ajo përthyerje dhe përmbysje e madhe, e cila rrëzon kuptimin fillestar për të ringritur tjetër kuptim dhe hapur tjetër debat qoftë për formën ashtu dhe përmbajtjen.

Zhaneta Barxhaj - Valltari pa këmbë - Poezi
Zhaneta Barxhaj – Valltari pa këmbë – Poezi

“Ne kërkojmë gjallim në copëzat e akullta,
të këtij absurdi që quajmë jetë…
Kërkojmë njëri-tjetrin t’i bashkohemi tufës,
si ujqërit e uritur.”

Tek poezia “Jeta” shikojmë përpjekjen e vazhdueshme dhe përplasjet me sfidat, të cilat të njehësuara një me gjendjen, herë të akullta dhe herë gati absurde ndjekim të njëjtin interar, gati të pavetëdijshem ose në mënyrë instikte, sikurse e kërkon zinxhiri i jetës, pra i bashkangjitemi tufës (kuptim simbolik këtu), duke ndjekur marshin e luftës për egzistencë (ujqërit e uritur). Përbrenda kësaj poezie nuk shqyrtohet vetëm raporti njeri-jetë, por dhe raporti njeri-shoqëri, e cila nuk mund t’i shpëtojë bisturisë së autores, por paraqitet me atë egërsi që dhe e karakterizon. Realitet e brishta i njohin këto forma dhe i kanë ezauruar dhe më parë, por për kohën në të cilën jetojmë këto përbëjnë kontraverse dhe nuk mund të tolerohen nga ndërgjegjjet intelektuale. Gjithësesi poetja si pararendëse e zhvillimeve dhe mbjellëse e shpresës në fund të kësaj poezie ka hedhur tjetër dritëhije për të dhënë më shumë besim dhe nota më otimiste për të ardhmen.

“Gjymtyrë të thyera,
kafkë ngrënë nga koha,
drejtohen drejt nesh statujat e lashtësisë.
Hapi i hekurt gjëmon mbi asfaltin modern,
që tronditet nga mysafirët e rinj.
Energjike plot pasione të fshehura,
bënë paradën e tyre festive.
Befas mermeri u kris…
u shpërnda në ajrin ekstravagant.
Edhe sot kërkojmë ato copëza të vogla,
për të rigjetur identitetin tonë.”

Poezia “Identitet” është një prej atyre që sjell pasthirrmën e fuqishme të ndërgjegjes së kulluar historike, për atë çfarë kemi qenë dhe ku po shkojmë. Tek gjymtyrët e thyera, kafkat e ngrëna nga koha, apo thërmimet e mermereve që dikur lartësonin statujat, autorja kërkon krenarinë e të qenurit shqiptar, atë të të përfaqësuarit, të njohjes, e cila dhe pas përpjekjeve të shumta për t’u tjetërsuar mbetet po njësoj, vazhdë e pamohueshme dhe pjesë e përjetshme e identitetit që përfaqësojmë.

“Atje mes gërmadhës malore,
mu proftise verbim hënor.
Trajtë pagane afrohesh,
e më ndjell me tëndin zë dritor.”

Zhaneta Barxhaj
Zhaneta Barxhaj

Poezia “Dritëhije” është një tjetër prurje, një tjetër kontrast midis asaj të shkuare antike që vlonte nën peshën e zotave dhe miteve (verbim i hyjnive) dhe asaj të sotme që verbohet nga shkëlqimi hënor. Gjithashtu ideja përfundimtare jepet tek strofa e fundit “Hap syrin të djegë, a ndrisë,/ të tre dritëhijet sipër saj…” Kush janë këta sy që kapërcejnë terret dhe shndrijnë përmasën hapësinore dhe e gjithë kjo në këndëvështrimin tre dimesionalë (atë pamor njerëzor, atë intuitiv (paramendimi si imazh) dhe atë ndjesues (përjetim si emocion…)?
Kjo ngelet temë e hapur dhe gjithmonë për zgjidhje nga vetë lexuesi.

“Derdhet qumësht kafke, gjarpëron mes dehjes.
Të shpëlaj, të pastrojë, por…
Metamorfozat vazhdojnë të dehin
trullosin çdo grime mendje të esëlluar…”

Poezia “Metamorfozë” është më shumë se një simbiozë që përshkuan viciozitetin e rrethit mister të njeriut, që sa më shumë mendon se e zotëron aq më shumë pikëpyetje ringre dhe e fut në qerthullin e mjegullnajave të pafund, duke e zhytur në kaos, anarki dhe demarsh. Nëpërmjet këtyre vargjeve në simbolikë të plotë me realitetin autorja godet aktorët e sotëm të kohezionit krijuar, të cilët nuk janë as më pak dhe as më shumë, por veç pjellë e mbrapshtësisë dhe errëtisë së egos së tyre të sëmurë.

“Në brendinë e syve prehemi qetësisht,
në një përqafim që zgjat.
Aty…
Mbi rërën e lagur nga dallga jonë,
presim mëngjesin për një motiv të ri!”

Sigurisht dhe motivi lirik zë vendin e tij në këtë vëllim, por ai nuk vjen me ato patoset e zjarrta, me ato ngyrimet e kuqe, apo me vullkan shpërthyes që djeg e përvëlon zemra, por krejt ndryshe, me elokuencë fjalësh dhe natyralizim shijesh, që si forma krahasuse ngrejnë tallaze të reja në
detin e thellë për të zgjuar gjurmëjetët e së nesërmes mbi ranishten e përgjumur dhe të qetë.
Autorja Zhaneta Barxhaj nëpërmjet vëllimit poetik “Valltari pa këmbë” sjell modelin dhe shëmbëlltyrën e një arti postmodern, art që prek me frymë dhe metafizikën fjalë, dhe si i tillë shpreh dhe zhvillon idetë më të reja krijuse, ide sa kreative aq dhe rinegjeruse për letërsisë tonë
shqiptare.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.