back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poetja Enkeleda Ristani… i lëshon nji klithmë shtetit shqiptar…

Gazeta

Enkeleda Ristani
Enkeleda Ristani

Poetja Enkeleda Ristani i lëshon nji klithmë shtetit shqiptar…

Kjo letër pa zarf është e nji nëne,
e nji poete, autore e mjaft librave me vlerë,
e nji intelektualeje e pakompromis,
e nji gruaje që e përball të përditshmen dinjitetshëm…
dhe kjo klithmë e saj nuk ka vetëm veten e saj,
ka boshllëkun e krejt nji shoqërie që s’mund të pajtohet
me moralin e nji qeverisjeje që ka tejkaluar çdo cak humanizmi…
Jam krah dëshpërimit të kësaj nëne që sot e ka emrin Enkelejdë…
po që mund të ketë emrin e çdo nëne shqiptare njiherësh…
jam pjesë e kësaj klithme para se të bëhet kob!!!!
jozef radi, 7 shtator 2016

Nji nënë... dhe tri vajzat e saj
Nji nënë… dhe tri vajzat e saj

Lartboshësia juaj,

dhe ju zonjëza Lulushe e Arsimit!

Sot më duhet ta shpall veten nënë të dështuar.
Në 22 vite prindërim, jam përpjekur t’u mësoj vajzave të mia parime universale për t’i bërë jo dykëmbësh patetikë që zvarren, por njerëz të denjë, me shpresën e të lënit sadopak gjurmë në tokën ku mbinë e ku do të shkelin. Jam përpjekur t’u mësoj se si të kërkojnë vazhdimisht nga vetja e te vetja, si të guxojnë, të mësojnë e t’ia dalin. Jam përpjekur t’u mësoj edhe dashurinë për vendin tim e të tyren. Jam përpjekur t’u mësoj se gabimet ekzistojnë për t’ua ndrequr jetën dhe se si të ngrihen ndërsa rrëzohen. U kam mësuar se si politika është një kafshë e egër së cilës duhet t’i rrinë larg, edhe nëse kërkon t’i molepsë me premtime dhe u kam mësuar se ç’do të thotë të jesh qytetar.
Në të gjitha këto, midis të tjerash kisha shtuar doza idealizmi, ca të qëllimshme e ca për shkak të idealizmit tim idiot, që nuk u ndreq asnjëherë.
Por sot, fort të shkëlqyeshmit kokëboshër të këtij vendi, unë ndihem si një copë gur i pavlerë përballë vuajtjes së tyre. Janë atje në protestën e bashkëmoshatarëve të tyre maturantë që ëndërrojnë për të vazhduar studimet, por nuk munden sepse një tufë të marrësh kanë kapur brirët tanë e po na tërheqin fort. Pyes veten herë pas here, gjatë kësaj kohe: a e kanë idenë këta njerëz atje në Olimp, se çfarë janë duke bërë me ne?!
Duhet të jemi i vetmi popull që krahas mendimit dhe mundimit se si do ta sigurojmë bukën e përditshme, gjëja tjetër po aq e rëndësishme është si do t’ia gjejmë zgjidhjen stresit dhe depresionit të çdo dite. Tani nuk ka më grupmoshë që rrezikon këtë, sot të parët të rrezikuar janë fëmijët tanë. Çmenduri! Si mund të ekzistojë një qeveri që kujdeset kaq marramendshëm për të marrosur shtetasit e vet dhe sidomos të ardhmen e kombit?
Sot nuk kam ndërmend të futem në hollësitë se si e bëni këtë, edhe për faktin se nuk ka më njeri që s’e di.
Pas deklaratës së dështimit tim, dua të më thoni, zotër të ndyrë të këtij vendi, si t’ia bëj dëshpërimit të fëmijëve të mi? Ç’përgjigje t’u kthej kur më thonë se u kam mësuar gënjeshtra? Ku t’i çoj, ku t’i fsheh, si t’i mbroj tashmë?
Tani kam nevojë për një gënjeshtër alla Ju, që fëmijët e mi të vazhdojnë të jetojnë në këtë absurd të stërmadh që vetëm shqiptarët mund ta jetojnë.
Pa asnjë fije respekt dhe pa asnjë fije përkulje të lehtë të qafës që nuk e kam më, zënë nga litari që ju më keni hedhur në qafë në çdo hap të jetës…
Enkeleda Ristani

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.