Poezi nga Ali Podrimja
(28 gusht 1942 – 21 korrik 2012)
Diku në botë
Po qe se nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe
po qe se nuk ma dëgjon zërin
merr një karafil
e ma kërko varrin
diku në botë
Nënat
Nënat kanë diçka
Të Nënës Terezë
Dhe Nëna Terezë ka ngapak
Nga nënat
Isha bredhacak i mirësisë
Kur Majën kërkoja
Në Malin e Frymës
Të vë një karafil për nënat
Planetin të mbështjellë
Me Shallin e Nënës Terezë
Zgjidheni vdekjen
Bekimi kaloi zjarre ujëra
La pas Lumbardhin
Qyqarëve ua mësoi si të vdiset
Mes njerëzve kur nuk lëviz as guri
Zgjidheni vdekjen ju lutem
Guximi është një vrap në jetë
Shpërblehet me përjetësi
Në Karrigë pret fundin Sundimtari
(Ulpianë, qershor 2010)
Dashuria
Koha është të duhemi
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më tha: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shum’e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
njëmijë e një të zeza kurdise ku do ma zije pritën.
E nën kulm banonim,
nga frëngjia me dritë me peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë kët ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni e tash përgjithmonë.
Me shikon drejt në sy, leri zenkat, fjalët, sharjet,
Unë do të ta sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën ne Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoja dashuri me një grua të marrë,
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime,
s’menduam pak edhe për vete,
Koha është të duhemi.
Një natë nga netët pa gjumë
Zgjohu Kosovë! Zgjohu nana ime e dashur,
balli dhe emni im i shkelur,
zgjohu, oj! A po e ndien vajin tim?
A po sheh si t’i kam ngulur sytë
mu në zemër, mu në shpirt,
si t’i kam hedhë duart rreth belit
me të përqafu unë, ashti yt?
Zgjohu, Kosovë!
Ankthi
Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…
Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…
Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
e ngrirë n’ajër?
Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
– Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
kish mbirë!
Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…
Përtej dhimbjes
Ka rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të
shitur, Kosovë.
Konaqet e tua deri në themel po rrënohen,
e përtej dhimbjes do britje shemben me ballin tim,
me krahët e zogut tim të vrarë me dashurinë e
njerëzve të mi të kallur etjeje.
Rreth trupit tënd si gjarpër mbështjellë jam,
vatrat e shkimbura për t’i përflakur,
duar e këmbë t’i lidh me lëmshin e përrallave të tua –
se s’të lëshoj gjallë me gjak, pa të larë pëllëmbë për
pëllëmbë, eshtra e jetë në ty pa i lënë
konak e më konak pa të ndezur flakë…
Kam rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të
shitur prej pushkës kobzezë, prej pushkës
së padukshme…
Cila do të jetë kënga ime e mbramë dhe fjala e fisit tim?
Plepi i shtëpisë sime u dogj, ku t’i preh sytë,
ku ta shuaj flakën e ujës për ty, Kosovë?
Pak mbi Ali Podrimen (1942-2012)
Ali Podrimja u lind më 28 Gusht 1942 në Gjakovë, Kosovë, ku pati një fëmijëri të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe konsiderohet nga sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndenjën poetike, por pa mundur të dalin krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional.
Publikimin e parë e bën në vitin 1957, në revistën letrare Jeta e Re kur ishte gjimnazist.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij, gjer më sot, Lum Lumi.
Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjes karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.
Më datën 18 korrik 2012, Ali Podrimja u zhduk pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të parreshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit, duke pasur nji vdekje në rrethana të panjohura. (përshtatë nga Wikipedia j.r.)
Na iku jeta, s’menduem pak edhe për vete, është koha të duhemi… shumë të bukura këto vargje, po ashtu dhe poezitë për Kosovën…
Fund i dhimbshëm për një poet!
O Essenin i dytë… Do mbetesh i pavdekshëm!
Ali Podrimja mbetet nji nga poetët ma të randsishmëm të letërsisë shqipe… vargu i tij edhe përmes së thjeshtës ruan nji tension të naltë shpirtnor…
Të përkujtosh Ali Podrimen asht të si me i vu nji tufë lule nji monumenti…