back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Poezi nga Erina Çoku – dhe nji shënim nga Jozef Radi

Gazeta

Erina Çoku
Erina Çoku

N’pikëpjekje me Poezinë e Erinës

nga Jozef Radi

Poezia ma së shumti i përgjan mushtit të vjeshtës, që nji ditë zbret prej vneshtave e na ndalet ndër sy, shfaqet ndër gota e ndër lexues buzëhollë… që mbasi kanë shijue gjatë e me kujdes mes tjera pijesh, iu duhet ma s’pati me e bindë vedin, mandej me jua përcjellë tjerëve at çka ma së tepërmi u ka shijue…
Shpesh rrekem me e gjetë vedin ndër lexues buzëhollë, i ndërgjegjshëm se poezia e mirë bahen gjithnji e ma të pakët, mbasi qiellza jonë asht tuj xanë kallo prej thartinës e surogatos poetike, edhe pse simbas mendjes seme, sot ka mjaft poezi emocionuese që shfaqet përditë e ma hijshme e përditë e ma e shijshme…
Poezia e Erina Çokut, ban pjesë ndër ato pije që m’ka sajdisë si ajo vena e mirë. Nga pak e vazhdimisht m’asht shtri në kohë leximi i saj. Herë tuj marrë shumë prej saj e herë tuj i dëshmue refleksion; herë tuj përjetue emocione ndjellse e herë moskuptim sa duhet… megjithatë ajo ka vazhdue me u derdhë natyrshëm ndër vargje të veta, tuj zgjanue konsens poetik e grabitë vëmendje.
Nëse do t’më duhej me gjetë nji  krahasim që t’i shkonte ma së miri përshtat poezisë së Erinës, kisha me thanë se poezia e saj i ngjan aq shumë buzqeshjeve të saj. Vargjet e Erinës janë si nji kaledioskop përplot buzqeshje. Herë të çiltra e të trishta; herë të hareshme e të hidhta; herë të ambla e të drojtuna, herë të befta e të brishta, herë sa të pafajme aq edhe djallzore, herë konfidente e kërcënuese, herë të përflakuna e të përhijta… po gjithnji nji livadh buzëqeshjesh, me misterin e jetës e të joshjes poetike. Erina Çoku asht poetikisht nji krijesë e ndërtueme prej buzqeshjesh. Në gjithë trajtat e mundshme të vargëzimit e me të gjithë gjendjet komplekse të perceptimit poetik. Ashtu si buzëqeshja e Erinës asht e rrallë dhe e pangjashme, në mendje m’rri e ngulun se edhe poezia e saj asht e rrallë dhe e pangjashme si vazhdimësi  buzëqeshjesh… edhe kur ditëve të saj mund t’u mungojë drita.
Poezia e Erinës asht qëmtuese e hollë dhe vëzhguese e tehtë. Shpesh e gjej si nji shpalosje e harmonishme dhe derdhje e ngadaltë detajesh, shpesh e padukshme edhe në tabllotë e enduna me dendësi shpirti. Nji herë mbasi lexova nji poezi të Erinës për “Gjethen” i shkrova se: “…mbas kësaj poezie gjithkush duhet me u matë mirë me shkrue për gjethet…!” Simbas meje ajo e kishte trajtue deri në ezaurim krejt shpirtin dhe konceptin “e gjethes”.
Erina asht nji lojcake e rrallë e shpirtit poetik. Si e tillë ajo s’len kënd me e trazue në kët lojë të saj imazhiniste… si fjala, edhe tingulli, edhe melodia, edhe vargu, edhe stofa, edhe metafora, edhe trajta gjuhsore, edhe mendimi e së fundi krejt poezia e saj janë në funksion të kësaj loje tejet serioze, aq sa tuj lexue poezinë e saj duhet me mendue Erinën, e tuj u thellue në Erinën duhet kuptue thelbin e poezisë së saj. Ndoshta asht bash ky shpirt lojcak i saj ndërthurë me dritë nkonshi, që s’ka nevojë për ndihmë me e kuptue vargun e saj, po edhe nëse shkon i pakuptuem asaj s’i prishet asnji punë! Mundesh me shkue në punë tande i shoqnuem prej buzëqeshjes së ngjyrosun me fjalinë e pathanë kurrë: “Shko mor i hupun, se s’din çka ke rreth!”
Prandej mundem me thanë se n’vargjet e Erinës je si në buzëqeshjet e shlirta të saj, po edhe si në shumësi venash të mira. Vargjet e Erinës kurrë të lodhshme, kurrë të pispillosuna, kurrë uniforme, gjithnji me shpirt të shlirtë, vijnë si gjendje edhe forma nga ma kapriçozet, ma befasueset, ma të natyrshmet e ma spontanet… gjithnji në shpalosje të nji kokfortësie të ambël, çka e ban poezinë e saj të dashtun e reflektuese, e me vulën e pangjashme të buzqeshjeve të saj…
23 dhjetor 2016

Erina Çoku
Erina Çoku

Poem me u knu, kang me u fol’

Tuj prit’ ajrin me u trupzu’
tuj prit’ motin me u kallzu’
veç’ e diela asht murzu’
e n’gulç grykn ka pezmatu’
e kurrgja s’munet me fol
varun fryma si akrepi n’or’

Tel i holl’ i tendosun krejt
tel i holl i mshtjellun n’breng’
tel i holl, tel’ i lmut
kpute, munesh me e kput’
pritu n’te, munesh me u pre’
tel i holl njeri, ti je.

Lkundu n’te, munesh m’u shtjell
mshtillu n’te, munesh m’u bjerr
un’e ti, e ti e un,
e t’gjith sa jan’ perhum’
t’tan’ lkurpremit, gjith sa jan
bashk’ perlotna n’ni kan.

N’andrra t’thata, n’andrra lutna
kputna, kputna, kputna, kputna
zgjohna tash, luhat’ prej ere
t’lir mren vedit, t’lir prej kreje.
prej sa tham’, prej sa ndim’
t’metun n’asht sa nji trishtim

N’koht tona tuj jetu,
n’koht tona tuj pikllu
kputna, kputna, tuj lshu aht’
t’trisht’ e t’trisht gjer n’asht
n’boshin e ksaj toke diç na grish
dielli i but’ e hana e brisht’

Shpendt’ e toks nan flatra kan
brengn e qiellit, peshn’ e ran
munem un me i kundru,
munesh ti me i numru’
syt e lagsht tuj i shpu’
“Udha e’mbar!” tuj uru’

Ikjet munesh me i ngallit
pritjet munesh me i peshprit’
mgjesin n’lkur a e ke pa?
land e prekshme’sy tuj u ba?
e prej synit me marr udh’
skutave t’kres’ me u pur’…

Aty munesh me kerku
çdo qosh diç n’ke harru’
e me gjet i vete t’re
shif n’mue tash, si je?
nji gjuh’, nji fjal’, fjala gjys’
fjala-fjaln e ka permbys’

Ene kshu shpirt’ ti shpirt i holl’
frik’n n’grusht e frymn n’dor’
asht nji shteg nper drit
ene ‘i her ty t’ka thrrit
e tash buzve tuj nanqesh
zbrita kangn perky resh.

Shif n’mue, tash si je?
gjak i val, gjak i xet’
dije se kot jena perplit
n’jetet tona nat’ e dit
se njeriu shpirtprem’ asht
n’daç n’muzg, n’daç n’ag.

Lule e kontraluçe
Lule e kontraluçe

Poema qe u pa n’nji rrefenj

Prej qielli bien pem t’shkrume n’gjethe
shiu rranjt n’dhe t’but i ka hedh,
e un po pres,
diçka t’kthjellt m’e rrit per mu.

Mbase, ndoshta, kushedi.

Prej dheu çohen nalt
lvore t’shkrume n’premje t’buta
e meqë ti ende s’je kriju
un t’sajoj,
sa mos me fol veç me vedi.

Diçka e krijume n’lëvizje t’lmuta je.

Jam pa me hanen sonte i dashtun
ajo fort ishte avit
e madhe ene e ran
n’vijn e errt e t’mugt t’bots.

Mujti me zbrit, por za me knu s’pati.

Rrin e heshtet
m’shef e diç matet me than,
e verdh si kanga e re
e plot si shiu nan re
por,
asht e rrumbullakt.

A e din?

Po kot,
ti ça ke me kuptu,
ti nuk ekziston,
je veçse nji krijes e mbrujtun
n’ket cop udhe t’lakume.

T’shtjell rreth meje si fill pa nyj.

Deshta koken m’pshtete diku
amel,
si prushi kur bie kadale
e rrzohet nji votre t’hirt
tuj kriju ndjesin e ngroht t’nji vdekje t’kuqe
hinit qe i mshef sfinksat e i ban ninulla.

Flatrat gati m’i çel prrallave.

E kam pa hanen sonte,
ulun n’horizont,
fort t’vetme
krejt si rrfejat e mia.

Mendja asht dashni pa form, pa land.
E pash hanen,
hana m’pa,
shpirtin ma dhembi n’kraharor
sa un u ndjeva
un
veç e zbrazun,
si tingull vetmor.

Regëtimi i zbeht i saj m’luhat t’tana botve.

M’ka pa hana sonte
e t’thermen time n’kraharor neser
ka m’e lshu drejt e n’ty,
si kang që t’vjen me vete
gjithkah frymohesh.

E frymohesh ti, frymohesh…

Të ëndërrosh përtej vjeshte...
Të ëndërrosh përtej vjeshte…

Sumbull tetori

Një hënë
as e kuqe, as e bardhë, as blu
e zbehtë, jo se jo.

Një hënë
që gurthe kapërceu,
por udhën krejt, jo se jo.

Një hënë
as si qielli, as si dheu
si ninëza jote, po e jo.

Një hënë
as ti, as unë
po mbi ne rri, do, s’do.

Një hënë
as e re, as gjysmë, as e plotë,
por e tëra, po se po.

Du

Du me mbrritë n’shpirtin tan
me hapin e pandishëm,
por të sigurt
t’gjanave t’thjeshta,
ashtu si një shall e bluz
pranë e pranë shkujdesen
në karrigen e drunjtë
e bashkë pshtjellin n’ajër
ngrohtësinë e trupave
që zhvesh kan lanë.

Du me mbrritë n’shpirtin tan
kambngulse si drita e agut
n’ hojzat e grilës s’errt,
që butë ta perplit
qepallën e përgjumun
e t’ban me e mat kohën
me sekonda t’gjat aq ikanakë
sa ti e vrapon zgjimin mas tyne.

Du me mbrritë n’shpirtin tan
dy herë
ashtu si kohëmatësat e vjetër
bajn 24-orëshin e plotë
e dita e nata varen prej tyne
nji shtjellë jete pa pak
jo krejt rrumbullak
po aq sa motet falë na kanë.

Du me mbrritë n’shpirtin tan
si ngazllimi e brenga
që leje s’kërkojnë kurr
po n’trup t’hyjn
e ndërtojnë n’kraharor
diçka që bahet e jotja
e nuk t’shqitet ma.

Du me mbrritë n’shpirtin tan
me shpejtësinë e ninzës
që ndalet në nji ninëz tjetër
e aty veten njeh si n’ nji pasqyr
që s’ta kthen fytyrimin,
por ta merr larg n’shtigje tjera.

Du me mbrritë n’shpirtin tan
n’tana udhët që shpirti m’ka shtru.

Erina Coku - Gjurma e Gjethes
Erina Coku – Poezi – Gjurma e Gjethes

Dishrue

Prrâll e larme prej diellit t’par
durim me t’ngju s’kam mâ
gur-gur tu u perpjek n’gjallim
dil prej murit ma mir me t’pâ.

Fjalt e mia pa petk pshtjell
si rân e imt n’dur tuja bin
e si harres me hije pingule
dheu i perpin.

Pika e ngrime n’koh, bâ mal e tana
po ma then arsin e qafs njajze
ani, ishtu m’duhet kjo qaf
diku e plasaritme, diku e thyme.

Mos u trem pse un dy qafa kam
nji per perdita me m’majt kryt
e nji per sa here ngjallem
me m’majt zemren.

Qafzemra m’duhet e thyme tashmâ
sa mos u ngjit mâ, mos me m’trand kurrgjâ,
noshta me ate n’muri t’kam perngjâ
(duhet me t’shem, me t’shem pa prâ).

Dil mos ki frik, nuk t’du
dil m’shif, dashnia rrotull nuk â
dil, se matan e kam dbu
dil se e kam lân m’nji kân.

N’qaf t’malit, fjala bje,
n’qaf’ t’pemve, fjala bje,
n’qaft e mia, fjala bje,
veç n’qaf tane jo.

Tanes qaf veç nji puthje po i lâ
sa mos me met zbulu e me thâ
para malit e pems, fjala bje
mes meje e teje, fjala bje.

Solfezh i Qendismes
Solfezh i Qendismes

Dimri i mirë

Prej ashti shkulet nëntori i qetë
në gojë të kohës gjaku i rrjedh
sa muskujt e tokës mpihen të errtë
e të kuqtë e gjallë mendtë ia merr.

E ngrohtë si gjumi me ëndrra në degë,
jeta plaset e mprehet në qelq,
e thyeshme, e fortë sado të jetë,
e kthyeshme njësoj nuk është, për dreq.

Zëra këndojnë hapat e mbramë
stinës së vrarë nga shtinjakë
që kurrë në kraharor pemë s’u pamë,
që kurrë limfa s’u çeli plagë.

Avitu dimër, stinë vetmore,
pa shpendë, pa gjethe, pa krahë,
pa diell ledhatar për dore
pa dhe e pluhur të mjaftë.

Mbroje tulatjen e fluturimeve
rrokullimën me rënie në ujë,
si fasha e bardhë dorën e përhime,
si dhembja e mishit nervin e butë.

Simbioze sentimentale
Simbioze sentimentale

Duke rënë në shikimin tënd…

Bie mbrëmja
por ti s’ke nga ta dish
pasi në pellgjet e mendimeve
mbrëmjet bien të kuqe
zgjerohen rrethore,
mbytëse po njësoj.

Bie mbrëmja,
muzgu i shtrohet dheut
si kohë e pashkrirë me qenien
aq sa nuk e shtjell dot
njëherësh me hapat e mi,
por fjalët nuk dalin të ngrohta prej goje
shndërrohen në avull
e ma shkatërrojnë rëndesën.

Bie mbrëmja
të sheshojë frymët
rrafsh me dheun,
por unë e kuqe dua të jem
si shpirti që më çelet
prej lëkurës së përndezur
depërtim në ninëzën tënde
e siluetën ma tërheq
si një fije të gjatë
drejt diçkaje që nuk mbaron.

Bie mbrëmja,
plasaritje e ngadaltë
që mureve të zbërdhulëta
ua rrëzon koret leskra-leskra,
por unë dua më shumë
që ajri të bëhet i kuq
e njerëzve të epur kah gurët
t’u mbërrijë gjaku në tru,
aty ku kopshti i ndijoreve
shndërrohet në mushkëri
me hartë të gjelbër,
aty ku pemët nuk i ndal dot
të çajnë horizontin
me syth drejt e në trung
me stinë ndërmjet degëve,
e rrënjë të reja nginjur
hënë më hënë.

Bie mbrëmja
e unë jam një pemë e kuqe,
si asnjë tjetër pemë.

Nji peme

Tash si dhe shiu ka fillu me ra
ene gjethet n’pem me u tha
tash t’murrtumt ka me na perla
humus krejt kena me u bâ.

Tash si era â tu fry
ene mott ka fillu me u kthy
tash n’tkuq kam un m’u ngjy
e njat degve me t’lan ty.

Ene vjeshta tu ba vrap
ene dimri tu kendu
kan mu ba n’qafen tane lak
kurrgja mâ mos me t’ledhatu.

Mandej ti ke me i kujtu
tana fjalt si drejt kam than
laku fort ka me tu ngushtu
tingujt krejt kan ty me t’lan.

Tuj numru kohen si dheut na ngjesh
un jo ma s’kam me t’majt men
noshta pak kam me nenqesh
nyja jote kam me ken.

Ti nji ah t’thell ke me lshu
n’ajri un me ta nigju
veten fort ke me shtrengu
mu do m’lutesh me t’shpetu.

Un çka t’baj… do vi si fllad
qafes tane t’bukur, t’holl
fryma ime kur t’vij njat
nyjen n’gjeth do ta shnrroj.

Manej prap do lëshohem n’er
pak me za kam me t’qesh,
ty t’ngatrrumit rraj e deg’
zanin tim do tta lâ n’vesh.

Rrugë me vjeshtë gjethesh
Rrugë me vjeshtë gjethesh

Pesë forma vjeshte

I.
Enë të vogla kohën e rrjedhin
mbi truall të drunjtë
e ti me një peshë të druajtur
matesh të krijosh një thyerje
si art imcak që nuk i drejtohet kujt
po që përzihet me të gjallët,
i kuq e kundërshtar
si shegë e athët.

II.
Të erdha ndërmend
ndodhje e errët
që të gjitha ngjyrat fsheh,
kohë e bardhë nën tinguj
që epesh drejt lindjes,
gjithçka e asgjë tjetër
tjetër, tjetër, tjetër.

III.
Nuk ka stinë më të tmerrshme se vjeshta,
njerëzit i vesh me tis të hollë
sikur të qenë krijesa magjike
për të shëruar dhembjen e rrymimit,
mot trillan fyt-hollë
larg atje, larg vjeshton
mbi gurët e mendjes me pemë,
era e kafesë së pjekur në rrugën me zhurmë
vetminë e mat me pëllëmbë të avullt
sot je kaq vetmi,
nesër diçka më shumë
pasnesër edhe më tepër
tjetër, tjetër, tjetër.

IV.
Vjeshto si ke vjeshtu’
grua e veshur me vjeshtë
që matesh me hënën e plotë
sikur të qe tkurrje vetmore në dritë,
lakim tejhollë në terr,
frymim i ndërprerë,
por vazhdën nuk e humb
se ka hënë po ka dhe diçka tjetër
tjetër, tjetër, tjetër.

V.
Kohë magjike e mrrolur pak
me det të trazuar në banesën e fshehtë
me brenga vjeshtore
që thahen si hudhra në verandën e bardhë
je një ngjarje që nuk ndodh
në qytetin e vjetër të ngrënë hijesh
me tempull vjeshtak të ndërtuar
prej mangësish të tjera,
një copë udhë e përditshme
me njëqind ishuj ndijoresh
ik e eja, ik e eja
ndodhi të ndërmjetme
ku asgjë nuk rron mjaftueshëm, veç shpirtit
që përcillet në shkallaren tjetër
tjetër, tjetër, tjetër.

Erina Çoku
Erina Çoku

E dashtun…

E dashtun gjethe n’pem,
sikur prej gjaku t’ishe
e dora shuk t’mledhte,
a thu damart e tu idhnim kishin m’e ndi?

Zânit tan t’permytyn, si kishim m’u pervlu?
E dashtun gjethe e zbeht,
sikur gjak n’ty t’kishte,
kokposht krejt e varun
a thu prej vedit kishe jetn m’e piku?

Shiu at’her, qysh prej resh do t’zbriste?
E dashtun gjethe vetmake,
prej gjaku e mishi sikur t’ishe,
sa koh, e bame grusht, kangn ta thojshe,
a thu nj’at nerv andrrat kishin me ta perça?

Skenen e bots me zogj, manej, çka do ta dojshim?

E dashtun gjethe si t’tana gjethet
e me kurrgja e ngjashme,
sikur limfa n’asht kshu t’ish e trallitun
a thu gjaku yt kaq mir kish me ushqy?

Çka e kuqe ktij fatt t’rrumbullakt kish me met?

E dashtun gjethe e bame t’tana ngjyrat,
diçka si gjaku e gervishtun,
qe me dashnin e t’tana gjetheve m’ngallit
flej’ n’er e synit ma mos iu tut’
qepallat i mylla tash, nuk ban me t’kput.

Kur dheut veç, ke m’i râ, çka ke m’u lut mâ?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.