Poezia dhe burgu në shkrimtaren e parë shqiptare
nga Visar Zhiti
Këtë shkrim Visar Zhiti e ka shkruar për 100 vjetorin e Musine Kokalarit,
gruaja e pare shkrimtare shqiptare dhe
e para desidente grua në gjithë perandorinë komuniste,
po vendosim esenë e Visar Zhiti, që është dhe parathënia e librit
Musine Kokalari “Vitet e mia universitare”, botuar në italisht,
në gjuhën që e shkroi autorja, botuar para ca kohësh në Itali…
Jetë e copëtuar në copëra të një poezie: Të isha një lule…
…
Të isha një lule vjollce në mes të ferrave
të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve.
Prej frike, të larguar prej njerëzis do t’më këputnin
do të dhurohesha te njëri-tjetri
për shenjë kujtimi.
…
Karafil i kuq të lulzoja
dhe me kujdes të vaditesha…
një ditë të vendosesha në jakë të palltos.
Do të shëtisja dhe unë rrugëve të qytetit,
do të kuptonja jetën djaloshare
dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;
që të dy qënkan të bukur, do të thoshin.
…
Më së fundi le t’isha
së paku një lule e egër,
midis rrugës dhe gurëve
pa kujdesin e të tjerëve.
Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,
një burrë ose grua… e di por s’ka gjë,
një lule të isha dhe jo njeri…
Në këto copra të një poezie të Musine Kokalari sikur përmblidhen gjithë copërat e jetës së saj, dëshirat dhe parandjenjat, credo-ja dhe realiteti, profecia dhe ashpërsia e ardhëshme, burgu dhe vdekja, ndërkaq aty janë vendosur përballë njëra-tjetrës delikatesa me tragjizmin.
Vërtet janë copra të një poezie, më pak se gjysma e saj, nga ato pak poezi të rënda që na la ajo, me atë gjysmë jete, ku më shumë se sa këndonte, dukej sikur tregonte në prag të një vajtimi. Dhe janë shkruar përpara një gëzim të madh, kur ajo do të shkonte për studime në Romë, më 1937. Po në këtë vit edhe poeti i njohur i të rinjve shqiptarë, Migjeni, do të shkonte në Torino, por për të vdekur, pa i nisur dot studimet. Temat e tij, lakonizmi do t’i pëlqenin shumë Musinesë dhe do të ndiqte deri diku hapat e tij…
Musineja linte kryeqytetin e saj të pakët, Tiranën, i cili s’kishte shumë vite që ishte shpallur si i tillë në një atdhe që kishte dalë nga një robëri shumëshekullore e qe bërë i pavarur. Nga republikë presidenciale befas qe shndërruar në monarki pa ndonjë kryengritje a grusht shteti, por vetë presidenti shqiptar Ahmet Zogu kishte kaluar në Mbret, Zogu I. Tirana sapo kishte filluar të merrte pamjen e një kryeqyteti të çuditshëm, sa oriental në njerëz, po aq dhe perëndimor në arkitekturë, ku kishte dhe ballo në sallone hotelesh dhe në bulevard gra me ferexhe, mesjetë dhe librari, kuaj dhe vetura, gjakmarrje dhe jetë intelektuale, varfëri dhe opozitë, poetë brilantë të një populli me analfabetizmin më të madh në Europë. Në sheshin kryesor punohej të ngrihej një Hark Triumfi. Miqësia mes Shqipërisë së vogël mbretërore po shtohej dita-ditës me Italinë fashiste perandorake. Po me té zbarkuar Italia në Shqipëri mbreti do të ikte dhe Harku i Triumfit do të shembej.
Musine Kokalari lindi në Adale, të Turqisë më 10 shkurt të vitit 1917, kur po atë vit bota do të tronditej nga revolucioni bolshevik i Leninit. Foshnja e poralindur do ta pësonte po nga ky revolucion, nga dishepujt e tij ballkanas.
Familja e saj kthehet në Shqipëri në vitin 1921 dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë Kokalarët shpërngulen në Tiranë. Në vitin 1937 Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe vendosi të shkonte të studionte në Itali, në Romë, në Universitetin e njohur “La Sapienza”.
Në Qytetin e Përjetshëm, një nga kryeqytetet më të bukur në botë, në mos më i bukuri, Musine Kokalarin e priste një jetë të re, moderne, me ëndrra dhe studime, me kohët antike që shpaloseshin gjithandej, që flisnin me statujat, me muret dhe gurët, ku Koloseu mbase do t’i ngjante me një kurorë vigane, jo e rënë trandshëm nga qiejt, por si e dalë nga nëntoka.
Donte të bëhej shkrimtare. I kishte hyrë kësaj valleje, për të qënë e tillë kishte lindur. Atdheu i saj nuk dihej të kishte patur shkrimtare-grua. Mbase, por siç thoshte një princeshë në Rumani me origjinë shqiptare, që kishte patur miqësi me shkrimtarët më të shquar të Europës së Shekullit XIX, Dora D’Istria ose Elena Gjika, që shqiptarét bëjnë shumë, por shkruajnë pak. Edhe Musineja ishte e bukur si ajo, të shkruante si ajo. Edhe më shumë, të shkruante, të shkruante…
Poezia e Musine Kokalarit se si ishte, e pangjashme me të poetëve të tjerë shqiptarë, as me të atyre të vjetërve e as me të bashkëkohësve, e pangjashme as me folklorin e lashtë. Trishtim, pakënaqësi, jo këngë dashurie, pa rima kumbuese, pa rima fare, ndonjë e brendëshme, zë i ngjirur, që duhej të kishte thirrur dikur, pa lindur ende, po, po, atë të shkaktonte në shpirt: thirrjen. Mjerimin pasqyronte duke ngjarë dhe vetë e mjerë, e drejtpërdrejtë si ngjarjet në rrugë, madje kjo është dhe jeta, thotë ajo diku. Revoltë, jo vetëm në përmbajtje, por dhe në formë, vargjet përzgjaten, zvarritshëm i afrohen prozës, hidhësisë, marrin të folurën e përditëshme, një gjallëri shqetësuese, rrëfime që kanë terr dhe uri. Çuditërisht nuk i ngjajnë jetës që kishte kaluar a të tashmes së autores, por të ardhmes së saj. Kishte dashur të ishte një lule mes ferrave…
Më mirë prozë atëhere dhe aty të shpalos poezinë. Nga pasioni për folklorin, fjalët e rralla dhe proverbat, Musine Kokalari hidhet tek tregimi i shkurtër, ja ashtu “Siç më thotë nënua plakë” dhe pikërisht këtë titull i vuri librit të saj të parë, që tërhoqi vëmëndjen e të gjithëve në vënd. Një shkrimtare-grua?! Edhe tek ne!?! Në botë ka. Atëhere po përmbysej bota… apo po bëhej më e mirë?
Ndërkaq Italia e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë. Kishte patur përpjekje me armë në qytetet bregdetare, edhe të rënë, teksa Mbreti ikte nga atdheu e mbretëresha lehonë mbante në krahë djalin e porsalindur. Do të përgatiteshin festa dhe dhënie lulesh për italianët e lartë, por kur do të vinte për vizitë në Tiranë mbreti Viktor Emanuali do ta varej në mes të sheshit djaloshi Vasil Laçi që guxoi té shtinte mbi mbretin. Atentati déshtoi, por jo vdekja e atentatorit.
Musine Kokalari në Romë nuk është e qetë. Ajo po shkruan librin “Jeta ime universitare” (1940-1942), fakte dhe histori, etnografi e meditim, që se si duket, sikur pushtimi kalon dhe nëpër trupin e saj prej gruaje, por ajo nuk do të jepet, madje qëndron shumë më lart se poseduesi dëshirmadh. Studime dhe spitale. Nipi i saj i vogël është sëmurë. Apo Shqipëria? Kush do të operohet, kujt do t’i ngulen thikat? Çalon koha apo vogëlushi i gjorë, kockërhollë? Musineja shoqërohet me të rinjtë antifashistë në Romë. Organizon takime kulturore me studentë shqiptarë, klubet ndodhte që i prenotonte dhe Dane Zdrave, kishte studiuar në Akademinë Detare në Napoli, merrej dhe me biznes, ai do të hapte kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, do të çonte kombajnat e para, çentrale elektrikë, do ta sponsorizonte dasmat e vajzave të miqve dhe do të hapte në Tiranë dyqan mode. Të çlirohëshe përmes pushtimit. Pas mbarimit të Luftës II Botërore atë e arrestojnë dhe ai vdes né burg. Oficerët komunistë që e turturonin mbase zbrisnin në qeli me uniformat që u kishte blerë ai dikur…
Erdhi koha që Musine Kokalari duhej të mbronte diplomën universitare në “La Sapienza”. Kë shkrimtar të zgjidhte për studimin e saj? Danten e madh? Ai tani ishte dhe poeti kombëtar i shqiptarëve. Se siç shpjegon shkrimtari Ismail Kadare, bashkëqytetar i Musinesë, “Nën kurorën e përbashkët, Italia po sillte si prikë poetin e saj të parë: Dante Aligierin”. (“Dantja i pashmangshëm”, fq. 23, bot. “Onufri” 2005). Po sikur të merrte Leopardin apo nga poezia moderne italiane?
Poetët italianë vërtet mund të ishin bërë zyrtarish të përbashkët, por përkohësisht gjithsesi dhe mbeteshin të një gjuhe tjetër. Të kërkonte një poet etiopas më mirë, se dhe me ata bënin pjesë në të njëjtin shtet tani? Jo dhe jo. Vetëm Naim Frashërin, poetin kombëtar të vendit të saj, që ribëri atdheun gjatë pushtimit otoman. Poezia e Naimit u ndez si qiriri. Dridhej drita e tij, por edhe terri prej asaj drite. Ta shihnin italianët dhe atë.
Veprimtarinë si antifashiste, të nisur në Romë, e vazhdon në Tiranë, shkruan nëpër gazetat antifashiste dhe më 1943 bëhet nismëtare për të themeluar një parti social-demokrate me intelektualë të shquar si Skënder Muço e profesorin e Sorbonës Isuf Luzaj. Rri dhe punon me rininë nacionaliste. Librarinë “Venus” të vëllezërve të saj e shndërron në qendër kulturore.
Vazhdonte Lufta II Botërore. Maleve të Shqipërisë luftohej me pushtuesin fashist dhe nazist. Në fillim së bashku, nacionalistë, monarkistë, komunistë, por këta të fundit po dilnin të parët dhe po e çonin vendin në luftë civile. Si në Spanjë, hakmarrje për Spanjën.
Musine Kokalari po luftonte me armë të tjera, me libra. Dhe kundër sundimit më të rëndë, injorancës. E cila tek gratë shumëfishohej e bëhej në heshtje më kërcënuese. Gruaja shqiptare ishte mbyllur brenda mureve të një fanatizmi barbar. Mona Liza shqiptare ishte me shami në kokë. Kishte 500 vjet që kishte hyrë ferexheja bashkë me natën e gjatë të pushtimit. Vajzat kokëzbuluara, me flokët që ua merrte era, që duke vallëzuar e duke kënduar ishin hedhur në humnerë për të mos rënë në duar të pushtuesit, tani ishin futur në legjendë. Në kohën kur Roma e lashtë kishte perandorë dhe me origjinë ilire, në bregun përballë paraardhësit e shqiptarëve kishin patur mbretëreshë, Teuta, por ajo qe harruar fare, veç emri i saj vihej ende nëpër vajza, mbase pa ditur pse.
Musine Kokalari po ndjehej shkrimtare. Ky mision duhej përmbushur më së miri. Sa keq që s’kishte patur grua shkrimtare ky vend, edhe pse ishte shekulli XX. Duhej të kishte, do të kenë qenë harruar… zhdukur… siç ikin grate kur nuk I duan… Këngëtare anonime të nina-nanave po, edhe vatosa patjetër që po. Pra, kur lindnin dhe kur vdisnin njerëz. Po ato këngë të mrekullueshme dashurie, që ne i futim në folklor, kush i krijoi? Patjetër duhej të kishte dhe gra-poete anonime. Kur kështjellat tona binin një e nga një e pirgjet e tyre shkrumboheshin nga flakët, mbetën bedenat e dhëmbëve. Gojët e grave ruajtën gjuhën, teksa burrat i shpinin nëpër luftëra kudo në Ballkan, edhe më larg, përtej Europës, shkretëtirave të Azisë dhe Afrikës.
Musine Kokalari duhet të flasë për të gjitha ato.
Në vitin 1944 boton librat “Rreth vatrës” dhe “…sa u tund jeta”. Entuziamon gjithë shkrimtarët e njohur shqiptarë, albanalogë dhe studiues në Itali, në Gjermani, në diasporë deri në SHBA. Tashmë ajo është vërtet shkrimtare, e pjekur, me autoritet. E para…
Shkruan studime, mbledh folklor, boton artikuj për Kosovën. Romani i saj “Teto Nurieja” mbetet përgjysmë. Por dhe jeta e saj. Brenda vetes ajo ndjen elegjinë, që nuk do të lejohej ta shkruante kurrë. Por gjithçka tek ajo është poezi. Është karafil i kuq mbi jakë palltosh, siç thoshte ajo. Pra i këputur…
Kur Lufta II Botërore po mbaronte, kur po dëboheshin dhe largoheshin nga kryeqyteti pushtuesit nazistë, gjermanët po iknin drejt Veriut e betejat po zhvilloheshin rrugë më rrugë, shëmbeshin mure, merrnin flakë çatitë e vriteshin njerëz, në shtëpinë e Musinesë trokasin fitimtarët, partizanët, dhe me urdhër të kushëririt të Kokalarëve, diktatorit të ardhshëm Enver Hoxhës, marrin dy nga vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesimin, të tretin, Hamitin, jo, se ishte tepër i sëmurë, me ethe, po vdiste vetë dhe s’kish pse ta mbartnin e të harxhohej plumbi për të. Po ku i çuan? Apo i donin për ndonjë shërbim a do t’i pyesnin për ndonjë gjë? Se liria fillon me librin e ata me libra merreshin. Luftë ishte, s’dihej.
Dhe do t’i gjenin të vrarë mes shumë kufomave të tjera të përgjakura, të grirë nga breshëritë e skuadrave të pushkatimit. Fitimtarët kishin grumbulluar intelektualë të njohur, gazetarë, që nuk ishin komunistë, por borgjezë, sipas tyre, i kishin mbyllur në bodrumet e nëndheshme të hotel “Bristol” dhe bënë masakrën para festës së çlirimit të kryeqytetit.
Kishte filluar të derdhej gjaku, jo nga shkaku i pushtuesve tani.
Një grua martire
përballë diktatorit – bashkëqytetar i saj..
Shkrimtarja e parë shqiptare, grua me ndërgjegjen e lartë të krijimit dhe është vetëm 27 vjeç. E ylltë. Vepra e saj do të ishte plot me fjalë të gjalla, nga ato të popullit, të vjetra, gjithë thellësi, që gjuhëtari i shquar, Profesor Eqrem Çabej, bashkëqytetar dhe bashkëkohës i saj, do të merrej me seriozitet shkencëtari me shqipen dhe do të ishte studiuesi dhe etimologu me autoritet ndërkombëtar. Skenat dhe personazhet lokalë të veprës së Musine Kokalarit, Gjirokastra e çuditëshme, do të merrnin hov dhe zhvillim të paparë më pas në romanet e përkthyer gjithandej nëpër botë të bashkëqytetarit tjetër të saj, shkrimtarit botëror Ismail Kadare. Ai realitet, ajo jetë sa orientale, po aq dhe Perëndimore, që po shkonte drejt Europës së kulturuar, ai pluralizëm dhe demokraci parake, që do të tronditej nga Lufta e II Botërore, do të përmbysej e do të shkatërrohej nga sundimtari i kuq, diktatori Enver Hoxha, edhe ky bashkëqytetar i Musine Kokalarit. Shtëpitë e tyre nuk janë larg midis tyre, dritaret shikojnë njëra-tjetrën, por njerëzit nuk shikohen dot në sy. Diktatori i ardhshëm kishte shëtitur në Europë, në Itali, Belgjikë, Francë, etj, kështu mbahej i shëtitur, ndiqte modën, ishte regjistruar dhe në një universitet në Montpelie, ku nuk dha asnjë provim e nuk u diplomua kurrë dhe kur mori pushtet, futi në burg ministrin e arsimit poet dhe ai, Mirash Ivanaj, ndër më të kulturuarit në Ballkan, dinte 11 gjuhë, si hakmarrje që nuk kreu dot shkollë dhe do t’i urrente gjithë jetën. Jo urrejtje pasive, por me veprime mizore, duke i persekutuar rregullisht. Duke marrë në ndihmë intelektualë të tjerë, nga ata që do të denonconin kolegët e do t’u vidhnin veprat dhe do të aplikonin realizmin socialist shqiptar duke himnizuar me poema e romane diktatorin.
Katër ditë pas vrasjes së vëllezërve, arrestojnë dhe Musinenë dhe e mbajnë 17 ditë në burg. Mes rrëmujës, kur fitimtarët ende nuk dinë se çfarë të bëjnë, përveç pushkatimeve, pushtojnë zyra dhe hapin burgje, edhe kishat i bëjnë burgje, ndërkaq Musineja vepron, bashkohet me intelektualët, që krijojnë “Koalicionin demokrat”, programin e shkruan ajo, u çojnë nota SHBA dhe Anglisë pë vëzhgimin e zgjedhjeve politike të 1945.
Shkrimtare e plotë tashmë, me autoritet. Më shumë se sa poezi, tani është elegjia që po fillon të ndjehet brenda saj, më e fuqishme se marrshet e fitimtarëve. Një vit më pas, më 23 janar 1946 e arrestojnë përsëri Musinenë.
E nxjerrin në gjyqin ushtarak me 36 intelektualë të tjerë. Gjyqet bëheshin në teatrin që kishin ndëruar italianët gjatë pushtimit. Në skenë, ku duhej té luhej ndonjé nga veprat e Musinesë, vendosej trupi gjykues, të akuzuarit, policët. Aktorë të vërtetë të një drame të vërtetë. Në llozha ndodhte që ta ndiqte gjyqin vetë Enver Hoxha. Ndoshta vinte monoklin në sy si në operat në Paris. Në altoporlanët që ishin vendosur jashtë në rrugë njerëzit e grumbulluar dëgjojnë zërin e Musinesë:
“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Mbase Enver Hoxhës i është kujtuar që nëna e tij në Gjirokastër i kishte kërkuar nënës së Musinësë vajzën për djalin, që t’i martonin… Po janë kushërinj?! Musineja nuk donte absolutisht. E tmerronte ndryshimi kulturor e moral qé kishte me të. Enverit i kishte rënë në dorë një letër e vëllait të Musinesë, ku ai fliste keq, shumë keq për Enverin, e quante mizor, mediokër, hakmarrës, vagabond, mjerë vëndi, po të vijë ai në pushtet… Ja që erdhi!? S’donte ajo, kuçka, të bëhej gruaja ime, do t’i zhduk nga faqja e dheut të gjithë Kokalarët…
Ndërkaq dikush i caktuar thirri në sallën e gjyqit se ajo, Musineja, duhet të dënohej me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit F. N. tha: hë, a e dëgjove ç’kërkonte populli? Musineja me qetësi iu përgjigj: Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat.
Dënohet me 30 vjet hqje lirie, aq sa vjeç ishte.
Në qelitë e burgut të Burrelit i vinin për vizitë bashkëpunëtorë të diktatorit, ministra të tij dhe i thoshin që t’i kërkonte falje Enverit. Nisën torturat, nga më banalet, deri dhe futje e maces në trup që ta çirrte me thonj, pastaj një polic nudo përballë… Musinesë i binte të fikët, por nuk dorëzohej.
Doli profecia e saj në poezi. U bë një lule e egër midis gurëve, jo pa kujdesin e njerëzve, por nën dhunën e tyre. Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu, shkruante Musineja, por atë e shkeli çizmja e tmerrshme e diktaturës.
Kaluan vite të rënda rrethuar me tela me gjëmba, brenda mureve të pandryshueshëm të burgut, po ato njolla e brenga e uria gërryese e ajo lodhje e shpirtit e britma policësh e rojash. Po poezia? Edhe ajo në burg. Nuk dimë në ka shkruar fshehurazi poezi a ka mbajtur shënime, a ja kanë gjetur e konfiskuar a djegur. Por Musineja diçka tregon a të tjerë për atë, një poezi sysh… Kur dilnin të burgusurit në shesh për ajrosje a për larje, të ndarë nga gratë e burgosura, ajo u njoh me dikë, e dashuroi fuqimisht si pamundësinë, iu bë ëndrra dhe brenga me fuqinë e vdekjes… Mbas 16 vjetësh burg e lirojnë në vitin 1961 duke e çuar në një tjetër lloj dënimi, në internim, në Veri, andej nga malet. E vetmuar. Përsëri me policë. Dhe në punë té rëndë, shumë të rëndë dhe për burra. Punonte në ndërtim, me tulla, bënte llaç… Askush nuk i fliste. Më shumë se sa me policë, ishte e rrethuar me spiunë, të cilët kanë mbushur dosjet me raportime, se deri ku shëtiste ajo pasi perëndonte dielli, çfarë libri mori në bibliotekën e vogël të qytezës, si ishte krehur, si ishte veshur, thjeshtë por prapë bukur, sfidante, çfarë tha tek fqinji i saj, tek shtëpia e rrënuar mes baltës. Të nesërmen prapë ulej në stolin e lulishtes së vetme, ku askush nuk e përshëndeste. Shkruante, merrej me folklor, por dhe ditar, rreth 1000 faqe… I vinte ta shikonte një nipi i saj, Platori. Dhe është mahnitëse se si ajo njihet me një shkrimtar të ri, Bilal Xhaferri, edhe ai nga Jugu, por më thellë se Gjirokastra e saj, ai vinte nga Çamëria. Babanë e tij e kishte pushkatuar Partia si nacionalist. Prandaj dhe s’ishte lejuar të studionte, të shkonte në universitet. Punonte në shtrimin e rrugëve punëtor. Por shkruante poezi dhe tregime të shkëlqyera. Musineja iu gjend pranë. Iu bë mecenate shpirtërore, e udhëzonte. Nisi të botojë, por ia ndaluan botimin. Dhe ai u arratis në SHBA, por atje spiunët e fshehur në diaporë ia bënë gropën. E goditën me hekur kokës dhe e helmuan në spital në Chicago. Çudija tjetër, në vitin 1972 Musineja përfundon librin manifest “Si lindi Partia Social Demokrate”, fshehurazi. Dhe diktatori Enver Hoxha, me shumë bujë si zakonisht, i shton botimeve të tij librin “Kur lindi Partia”, por në vitin 1981. Ndërkaq në gjoksin e Musine Kokalarit kanseri ka hapur metastazat e veta. E çojnë në spitalin e Tiranës, aty i vinin për ta parë, gjithmonë fshehurazi mbesat, nipi – personazh në librin e kujtimeve të Romës. Ajo vetë u bë lulja e fshehur e poezisë sé saj. Përmes lotëve të padukshëm kujtonte nënën e vdekur, si i kishin dhënë leje nga internimi ta takonte një herë e si pastaj nuk e lejonin. As në spital në kryeqytet nuk mund të vinte më. Edhe pse kishte aq shumé nevojë. Të domosdoshme. Por mjaft. Le të vdiste. Nuk mund të harxhonin për një armike. Ishte orientim nga Partia. Dhimbjet shumfishoheshin. Të tmerrshme. Lë një pusullë për të nipin: “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale. Musine.”
Përmes vuajtjeve, që i duronte pa u ankuar, stoike, zëmra e saj pushoi së rrahuri. Fqinji i saj i mbylli sytë. Balta përreth u bë më e zezë. Makina e zhavorit, pa funeral, me arkivolin e varfër të saj përsipër, ikën me nxitim për në varrezat e qytezës. Dy punëtorë me kazma e lopata e mbulojnë shpejt e shpejt. Ishte viti 1983. Dy vjet më vonë vdes diktatori Enver Hoxha. Autobuzët nga e gjithë Shqipëria shkarkonin njerëz gjatë gjithë javës së zisë kombëtare, i vinin në rreshta ta gjata për të bërë homazhe para kufomës të mbuluar me kurora dhe aroma dhe për të qarë me zë burra dhe gra. Nëpër gazeta vërshonin poezitë për atë…
Një lule të isha dhe jo njeri
Kështu shkruante Musineja në poezitë e saj të para, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Sot, kur janë hequr të gjitha statujat e diktatorit, u morën zvarrë nga sheshet, u thyen dhe me mermerin e tyre u bënë vajza nudo, që nuk lejoheshin nga ai në diktaturë, ndërkaq më fanitet Musineja e bukur, e qeshur, studente e përjetëshme, ajo në gjyq, që akuzon dhe tani, guximtare, teksa janë vënë pllaka të mermerta, memoriale për të, jo vetëm në vëndlindje, i është botuar vepra e plotë, i është dhënë titulli i lartë “Nderi i Kombit” si shkrimtarja e parë grua në letërsinë moderne shqiptare dhe si desidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste. Vuajtja e saj, qëndresa dhe dinjiteti mbi baltën gjenerale janë poema më e madhe. Një lule të isha dhe jo njeri, klithi ajo. E e lodhi njeriu në luftën për të mbetur njeri. Të gjithë ne. Që të ishim të lirë bashkë me botën në një atdhe të lirë, kur nuk po dimë ta përdorim lirinë tonë. Por Ajo deshi të ishte lule. Është. Tani Ajo është lulja e bukur e njeriut, e njerëzimit…
Tiranë, shtator 2013