back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poezia përballë Driteroit!! nga Rezart Palluqi

Gazeta

Dritero Agolli (1931)
Dritero Agolli (1931)

Poezia përballë Driteroit!!

nga Rezart Palluqi

Poeti, Dritëro Agolli prej kohësh u shpëlan trurin poetëve të rinj, duke ju thënë se: “Poezia nëse nuk derdhet në strofë nuk është  poezi…!” – aq sa më ka ndodhur (së paku katër herë), që poetë të talentuar të brezit tim, të më thonë: Poezia po nuk u ndërtua me strofa e në rimë, nuk është poezi…!
Si duket ankthi i Agollit buron prej përroit të diktaturës.
Diktaturat, siç e dimë të gjithë, janë skematike. Ato ose të fusin në katror, ose në trekëndësh o në rreth fatal. Këtë traumë psiqike e ka kaluar edhe Dritero Agolli me shokë. Ndaj nuk ka si të dëshirojë që poetët e rinj të bëjnë poezi në forma të reja… me qëllimin që poezia e tij të shërbejë si model i përjetshëm poetik për brezat e ardhshëm.

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

I nderuar, Agolli!
Në radhë të parë shpirti i poezisë nuk qëndron tek forma, sepse po ta besonim këtë, i bie që njerëzit me këmbë dhe trup të vogël, të jetonin pa shpirt. Shpirti dhe drita t’i refuzonte ata me preteksin: se keni trupin dhe këmbkat e vogla prandaj refuzoj të strehohem aty.

I fortnderuari Dritëro Agolli, poet i kohëve me furtunë,  që rrushtë i këpute duke përdorur shkallët e tiranit!
Poezia, ndryshon nga  nga koncepti juaj, në shumë gjëra themelore. Po ju përmend të paktën nja dy.
Poezia, është një grua të cilës i pëlqen të ndjekë modën dhe shijojë në trupin e saj lloj-lloj rrobash. Në rrafshin erotik, ajo e urren për vdekje monogaminë. E provon me lloj lloj burri, me gjënë e madhe, mesatare dhe të vogël. Puthet me burra ose gra me buzë të trasha, super të trasha, gojë të vogël, të mesme dhe gjigante.
E megjithatë Ju thoni se: poezia nuk është prozë.
Pra sipas jush, poezia prozaike na qenka e pavlerë. I bie sikur poezia prozaike e Kavafis, Eliotit, Preverit të jetë gjithashtu zero, megjithëse ti Kavafit, Eliotit, Preverit dhe poetëve të tillë me stil prozaik, nuk i aviteni dot as tek këmbët.
Mund t’ju jap me qindra shembuj.

Lartmadhëria Juaj, Agolli!
Sidoqoftë, edhe në poezi ekzistojnë gjëra ose vlera të ndaluara, por ato nuk kanë natyrë strukturore, ose stilistikore, siç predikoni JU, por taban human dhe moral.
Ato janë:
E para: Poezia nuk duhet ta shohë kurrë diellin me syzet e errësirës ashtu siç e kqyrët ju Dritëro, për 40 vjet në kohën e Largqoftit. Dhe 25 vitet e fundit me syze të veshura me kartmonedha dollarësh.
E dyta: poezia nuk mund dhe nuk duhet të bjerë në kurthin e përsëritjes, pra t’i kthehet e t’i bjerë fyellit në një brimë.
E treta: poezia nuk duhet të reflektojë urrejtje raciale, ashtu siç e bëtë ju, për gjysëm shekulli.
E katërta: poezia nuk duhet të trumbetojë dasi fetare e krahinore (siç vepruat ju për 40 vjet)
E pesta: poezia nuk duhet të heshtë ndaj thikës së tiranit kur ngulet në popull, siç e bëte ju për me shume se 40 vjet.
Këto janë sipas meje, i nderuar Dritëro, pesë vlerat absolutisht të ndaluara në poezi, të cilat prehen, lulëzojnë në pjesën më të madhe të poezisë tënde, me muskuj katrore dhe zemër trekëndëshe.

Dritero Agolli...
Dritero Agolli…

I dashur Dritëro!
Lëri të qetë brezat e poetëve të rinj. Stili dhe fryma e poezisë suaj është e shekullit të kaluar. Secili shekull do të prodhojë poezinë dhe artet e veta. Ju krijuat ato që krijuat! Ji krenar për çka i dhe këtij vendi, po mos e përdor krenarinë tënde si barrikadë ndaj poezisë së re që lind ndër ne!
Prandaj, futi krahun gruas tënde dominante, dhe shëtit sa më shpesh andej nga redaksitë e reja të gazetave të mëmës Parti, Telegrafit dhe Nacionalit. Jepu sa më shpesh intervista dhe lagi shamitë me lot rreth vuajtjeve tuaja fiktive gjatë kohës së Largqoftit. Bëje këtë fort, e sa më shpesh, se mos ta kalon Kadareja, dhe lag më shumë shami disidenti se sa ti.
Boto edhe ndonjë poezi, siç di ti, me katër ose pesë vargje. Me rimë ose pa rimë, mjaft te mos i mungojnë kunjat!! Është e drejta juaj, vetëm me kushtin që të mos vazhdosh t’ua shplash trurin poetëve të rinj… edhe pse trushpëlarët nuk jetojnë dot pa direktivat tua!
Juve, nuk ju bënë asnjëherë shantazh poetët paraardhës, të shkruanit ashtu siç shkruan ata, apo siç u shkrua në shekullin e tetëmbëdhjetë?
Ju mos ishit gjë më i zoti se ata, që jepni vetëm këshilla?!
Poezia, ashtu si çdo art tjetër, është ndër zogjtë më magjikë të Universit, që kërkon planete të rinj me dritë të re, gjak të ri dhe botë të reja.
Poezia është sakrificë shpirtërore dhe humanizëm.
Kurse format e saj vijnë në plan të dytë o të tretë, ashtu siç vijnë në plan të dytë a të tretë, veshja dhe modeli i rrobave të njeriut.
Vetbesimi dhe vetreflektimi ndaj pamjeve të natyrës dhe Njeriut… të bukurive dhe shëmtive të tij, Aty prehet e lumtur Poezia.
Amsterdam, 5 tetor 2014 – maj 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.