back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Poezia Shpirtënt shtegtarë e Migjenit… dhe një bisede rreth saj nga Artan Kafexhiu & Kristaq Jorgo

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Poezia Shpirtënt shtegtarë e Migjenit

dhe një bisede rreth saj nga Artan Kafexhiu & Kristaq Jorgo

Poema e parë, e botuar nga Migjeni në shtypin e kohës është “Shpirtënt shtegtarë”, në Illyria-n e Ernest Koliqit, në 17 qershor të 1934.
Sipas Arshi Pipës, kjo poezi eshtë shkruar në pranverë të po atij viti në fshatin Vrakë, ku Migjeni ishte emruar si mësues, e në vitin e tij të parë. Pra një mësues rishtar, pa asnjë lloj eksperience e përballje me realitetin e fitimit të jetës dhe bukës së përditëshme. Është një poezi dekadente, ku “Përndimi”, siç e thotë gegënishtja e Shqipërisë së mesme, është një dualizim, fjalë dykuptimëshe, midis perëndimit si orientim gjeografik, – por për të treguar orientimin kulturor, pra europian, – e perëndimit të diellit. Këtë përqasje me dy kuptime, ta jep si mundësi shqipja, e në varesi të konteksit.
Ishte periudha, kur Migjenit, i ishte thyer ëndrra e rinisë për shkollim pos së mesmes, e për të fituar një bursë për të studiuar jashtë, madje përkundrazi, kishte ndodhur e paimagjinueshmja, ishte caktuar një mësues fshati, t’i jepte mësim komunitetit sllav në fshatin Vrakë, jo larg Shkodrës së tij. Është edhe poezia, ku fillon ambivalenca e tij midis dekadentit dhe revolucionarit. Kjo thyerje e parë e iluzioneve të rinisë do ta inklinojë atë, gjithnjë e më shumë drejt revoltës, drejt poetikës me kadenca revolucionare.
Kjo poezi, “Shpirtënt shtegtarë”, ka qenë krejt e panjohur për shumë admirues të Migjenit, të vetquajturit “bijt e shekullit te ri”, ku futem edhe unë, që e mësonin ta recitonin Migjenin në bankat e shkollës, e pa ditur se edhe ai ishte i censuruar, vinte i paplotë në letërsinë sociorealiste. Vlerësimi i Koliqit, si zbuluesi i parë i talentit të Migjenit do ta prezantonte poetin në sytë e lexuesit shqiptar, si një poet me ndjeshmëri krejt të veçantë poetike.

Migjeni - Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)
Migjeni – Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)

Shpirtënt shtegtarë – Migjeni

Mramë një erë e ftohtë acar fryni nga ana e maleve,
i shkundi shpirtent tonë – e bashkë me gjethë të kësaj vjeshte
i muer andej kah dielli hijën si të përgjaktë ua lëshon zallevet
– në Përndim, ku tret e shkimet drita në pamundësinë e vet.

Enden shpirtent tonë nëpër vise të Përndimit të mrekullueshëm,
bajnë të fala dhe met’hane vendeve të shuguruem
e të përtrimë ndër fluide të hekurit të zjarmit të adhurueshëm
e me një credo gëzojnë qiellën me çagjë e të tymuem…

në cilën, diku në skaj merimanga fatin trillon
vetes dhe njerzis poshtë, damaret i rrahin
(si të rahunt trompete në vorresë) – ndërsa tue qa, kumbon
e thret kumbon’e fabrikës, i njëmijti fishkllim si një fsham shkyn ajrin.

Shpirtent tonë me një dashni tragjike ato vise i duejnë,
n’etér të kulluet u bajnë fli ndjenjat e veta ma të holla.
E në nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla…
…shtegtarë të mërguem, shpirtrnt tonë n’origjinë po kthejnë.

Kristaq Jorgo
Falemnderit Artan për sjelljen e kësaj poezie, në mëse një aspekt e veçantë mes korpusit poetik të Migjenit! Duhet thënë se nuk ka qenë e panjohur, në kuptimin e pabotuar, as e censuruar: figuron në të gjitha edicionet e veprës së autorit papërjashtim. Por ke të drejtë, rrallë (në mos asnjëherë) (s’)është përfshirë në tekstet dhe antologjitë e letërsisë për shkollat. Po ashtu, mendimi kritik nuk e ka lënë mënjanë, prej fillimeve, por dhe nuk e ka vënë në spikamë siç ka vepruar me të tjera. Megjithë meritat e mëdha, të padiskutueshme në studimin e veprës së Migjenit, Pipa (i vonët), ai i studimit themelor “Miti i Perëndimit në veprën e Migjenit”, bie herë-herë në mbiinterpretime si dhe në gjykime e pohime, edhe shkencërisht, të gabuara, duke u nisur prej një premise të paravendosun (ligsht, sipas meje): biografizmit ‘ortodoks’, madje jo gjithherë empirikisht të vërtetuem. Po bëj një përmbledhje fare të shkurtë e të ngathtë të tezës së tij: “Prejardhje etnike (kryesisht a krejtësisht) joshqiptare e Millosh Gjergj Nikollës, gjuhë e vatrës (kryesisht a krejtësisht) serbishtja, shkollim prej klasës së parë e deri në fund, si dhe formim letrar/kulturor (deri sa rikthehet në Shkodër, 1932) jo në shqip, por në serbisht (rusisht, frëngjisht etj.), jetesë për shumë vjet në ambjente serbishtfolëse (Tuz, Manastir). Të gjitha këto me një rrjedhojë/përfundim (i paracaktuar, sipas meje, dhe ky – K.J.): Migjeni është (nga pikëpamja letrare) “shpirti sllav që flet shqip”. Tani, ja ta interpretojmë veprën përmes këtij çelësi: konfirmohet! Së pari, krijimtaria dëshmon lëkundje/ ambiguitet/ konflikt sa i përket përkatësisë identitare-ideologjike të autorit (‘origjina’ etj. e thërret kah Lindja; ‘dishiri’/orientimi kulturor etj. kah Perëndimi.) Prova: poezitë e ciklit “Kangët e Përndimit” kryesisht e, në veçanti, “Shpirtënt shtegtarë”. Së dyti, shqipja e teksteve të tij është plot-e-përplot me gabime e lajthime, shpesh elementare.” Deri këtu Pipa.
Sipas meje, jo. Vepra letrare e Migjenit nuk është e tipit ‘përjetim-shkrim’, një lloj ‘ditari lirik’, i cili, po të qe kështu, do të njihte edhe kthesa të forta, thyerje apo dhe përmbysje. Duke qenë fort komplekse, kjo vepër dëshmon njëheri ekzistencën e një botëvështrimi koherent, e një ‘Weltanschauung’-u të konsoliduem që prej kur autori nis të krijojë shqip. Nga ky pikëvështrim, një varg interpretimesh të Pipës (këtu mbaj parasysh edhe interpretimin e “Shpirtënt shtegtarë”), kam drojën, më saktë bindjen se teksti apo makroteksti migjenian nuk i qas, i kualifikon si mbiinterpretime. (Me këtë rast, nënvizoj se pjesën më të madhe të poezive të Migjenit nuk i kemi të datuara. Në këtë kuptim, fakti se “Shpirtënt shtegtarë” figuron si poezia e parë e botuar e poetit, nuk don të thotë aspak që ajo është doemos dhe e para e krijuar prej tij. Pipa e merr këtë të mirëqenë.) Sa i takon ‘gabimeve’ si shenjë e moszotërimit të shqipes, edhe këtu Pipa është më së shumti tendencioz e lajthit jo rrallë. Përse p.sh. trajta fonetike migjeniane ‘Përndim” [përkundër trajtës së gjithmbarshme ‘Prendim’ të shkodranishtes] duhet konsideruar (tok me të tjera) ‘e gabuar’, ‘lajthitje’, shenjë e dikujt që “shqipen, aq sa di, e ka mësuar si fëmijë në lojë me shokët e së cilës i është kthyer vetëm si i rritur?” Pse të mos thuhet, çka është në të vërtetë elementare, që atë trajtë ka të tijën, ashtu ia kanda, ma tej ashtu ia don puna e krijimit etj.

Artan Kafexhiu
Kristaq Jorgo Kristaq bëre mirë që e solle këtë pjesë. Unë e kam në anglisht, por nuk mund të merrem tani me koraborimin e saktësisë së përkthimit nga anglishtja.
Duhet të them se përdorimi i termit “shkencërisht të gabuara” duhet të përjashtohet nga vlerësimi i punimit të Pipës.
Nëse e quajmë “literary criticism”, në çfarë kupton kjo, është që automatikisht nuk aplikohen principet e metodikës shkencore. Pyet kë të duash, konsulto çfarëdo materiali, nëse nuk je i fushës, për t’u bindur që kritika letrare bën pjesë në ato fusha studimore, që quhen “humanities” dhe këtu s’ka punë metoda shkencore, ose shkenca në përgjithësi.
Pipa është metodist dhe analitik. Në këtë rast ka ndërthurur bio-n edukative dhe të ambientit familjar të Migjenit, për të kuptuar influencat gjuhësore në formimin e Migjenit. Nuk merret me trashëgiminë apo përkatësinë fetare të Migjenit, që dihet se ishte e ritit ortodoks sllav, për të denigruar atë, por për të treguar mangësitë në formimin e tij gjuhësor në lidhje me shqipen, i cytur që në fillim për shkak edhe të gjendjes ekonomike të familjes, frymës kristiane dhe aspiratave të prindërve për t’i dhënë një drejtim ekleziast karrierës së tij.
Kjo thjesht për të shpjeguar influencat dhe mangësitë në artin e tij; si e sjell shqipen, si përdor fjalët, sintaksën, etj. Një nga arsyet që Migjeni përdor “vargje të lira” në poezi, nuk e bën thjesht për “risi” të re, por këtë di të bëj mirë, gjithashtu me këtë i shmanget përgjegjësisë, sepse nuk di të shprehet ndryshe në poezi (për arsyet që i cekëm), veç me vargje të lira.

Në poezi ka një term “licencia poetica”, që i jep tagër, liri poetëve të thyejnë rregullat e pritshme në sintaksë e gramatikë. E ky është edhe rasti i Migjenit, i cili nuk kishte njohje të thellë të poezisë botërore dhe autorëve të mirëfilltë të njohur, që e kanë lëvruar poezinë. Literatura që lexonte ishte kryesisht serbokroatishtja, dhe autorët serb nën ombrellën moderniste të quajtur “të zhgënjyerit”.
Nga i di unë këto? Jo nga Pipa. Nga daja im që Migjenin e kishte mik. Daja im i laureuar në Beograd për filozofi dhe avokaturë (double degree), pak vite më i ri (3 vjet) se Migjeni, e takonte në verë kur vinte në Shkodër në pushimet e shkollës. Madje i sillte veprat e autorëve serb, që të përmënda sipër, dhe kishte një ide të qartë për prirjet e Migjenit në art. Të dhënat e Pipës i koraboroj edhe unë, pikërisht nga ky person.
Ky argumentimi mbi fjalën “perëndim” se si e përdorte Migjeni, mund edhe të ishte thjesht se mund t’a kishte mësuar gabim, madje që i vogël dhe insistonte në gabimin e tij, thjesht sepse ishte “ingrained in him wrong”. Të gjithë kemi fjalë që i mësojmë gabim e vazhdojmë deri sa plakemi t’i përdorim njëlloj e gabim.
Kurse në rastin e Migjenit futet në “licencia poetica”, e kthyer në një lloj literary fashion “ala migjeniane”.
Kjo është përmbledhurazi gjykimi im i dashur Kristaq. (buzqeshje)?

Marre nga muri i Artan Kafexhiut, 24 gusht 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.