back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poezia si akuarel abstrakt – Parathënie nga Agron Tufa

Gazeta

Zhaneta Barxhaj - Valltari pa këmbë - Poezi
Zhaneta Barxhaj – Valltari pa këmbë – Poezi

Poezia si akuarel abstrakt

Parathënie nga Agron Tufa

Shkrimi i poezisë, si një impostim i prerë nga ligjërata e rëndomtë, ka mbetur mister, që në zanafillë të traditave të lashta, prej se dëshmohen. Është e pamundur të hidhet dritë e plotë dhe njësoj, si në të tejshkuarën e thellë, si sot, nuk është se kemi deshifruar mistërin e ngjizjes, lindjes e përftimit të saj, për shkakun më se të thjeshtë e më se të pakapshëm, se shpjegimi nuk i bëhet dot shemër krijimit. Sikundërse nuk e ka mundësinë e vetëdijshmja të ngërthejë të pavetëdijshmën, në të cilën cilën lëviz e zhvendoset i fortifikuar padukshëm “uni” i brendshëm.
Këtë kam parasysh kur hedh këto rreshta pas njohjes me poezinë e Zhaneta Barxhajt, e cila poezi më përngjan me një lajle, arabeskë, ornament e dekoracion shenjash të shkëputura turrshëm në një rrjedhë marramenthi shkronjash, që nga ëndërrimet e para të gjimnazit e deri sot.
Kështu shplekset fije-fije fryma e ngrohtë e ëndërrimeve dhe imagjinatës, kuadrot e shpejta e të ngadalta të imazheve, që herë befasohen tek përplasen me qelqin e ftohtë të realitetit, herë mezi ndalin pa arritur ta plotësojnë perspektivën e tablosë, si karusel me inercitë e fundit të lëvizjeve. Ne jemi ata që perceptojmë figurinat jetëpakta të hukamës mbi qelqe, që rrokim me mend llampadarë pamjesh e fasha pejsazhesh rurale a urabane, të cilat nga rrethrrotullimi i shpejtë, deri tek ndalimi i lëvizjes vijnë duke e qartësuar figurën gjithë e më të plotë, derisa ngrijnë në një statizëm domethënës, si pikat e një retiçence.
Poezitë e këtij vëllimi janë të panjohura, edhe pse janë shkruar vazhdimisht e rregullisht, me gjasë, pa ambicien ekzibicioniste për t’u botuar, jashtë çdo ambicie për “garë” e afirmim, pavarësisht se dëshirën për këtë lloj komunikimi e ka të ndërkallur “pavetëdijshëm” vetë akti dhe procesi i shkrimit të poezisë. Kjo ka sjellë atë, që poezitë janë shkruar si një ditar “intim”, për një intimitet të pastër artistik impersonal. Pse “impersonal”? Poezitë e Zhanetës nuk rreken të krijojnë gjendjen e një shpirti që vuan raportet konfliktuale a kontradiktore në përjetimet e subjektit poetik, atij “uni” të brendshëm lirik që ka rënë në krizë nga mospërputhja apo mospërgjigja e një tjetër subjekti që i kushtëzon këto gjendje (rëndom psikologjia apo psikoza e dashurisë, atikulimet filozofiko-sociale, sfera e acarimit etiko-shoqëror). Përkundrazi në poezinë e Zhaneta Barxhajt harmonia mes vetes e botës është një përplasje e planit estetik, sikundërse dhe reagimi i shqisës poetike është i kushtëzuar prej kësaj harmonie/dis’harmonie.
Duke pasë një bazë nistore të këtillë, efekti i “përplasjes” përqendrohet në detjae, figura, asociacione që ngjyrosin gjendjet dhe në këtë përjetim poezia ravijëzohet si një akuarel instinktiv, abstrakt, imagjinar, shpesh i grimcuar e i fragmentuar. Edhe në poezitë e saj më të vetëdijshme të figurës, poetja kërkon një mirëkuptim harmonik pikëtakimi, si pjesë e
pandërmjetsueshme e dialogut me botën, sikundërse shprehet ajo në poezi e shkurtër “Shega”:

Zhaneta Barxhaj
Zhaneta Barxhaj

Sakrifica e madhe e bën anonime shimbjen.
Nëse me doni dhe unë me fuqinë e shpirtit do t’ju dua.
Me dhimbjen e gjakut që më pikon
nga shega e çarë e marrëzisë.

Poezitë e Zhanetës nuk janë të gjata. Ato janë figurina të avullta të papërfunduara që bien në qelqet e përditshmërisë dhe krijojnë atje figurina. Ato janë thurima, pëshpërima të fshehta, shpesh të vagullta drejtuar një subjekti të paqartë, që na fshihet ose humbet në mjegullën e gjumit, vegimit, ëndrrës apo imagjinatës. Është një njeri “pa biografi”, edhe në rastin kur kjo është vetvetja. E pikërisht ky ambiguitet i shoqëron pikturat e imazheve që lindin e shpërbëhen në botëra onirike, sikundër ndodh, për shembull, në poezinë “Surreale”:

Krahët e shtrirë rreth teje
të përkundin ngadalë.
Nimfa të adhuruara të kapin prej dore,
të shëtitin ujrave të kaltra.
Ti ecën me lumturi që të mbush,
lehtë e plot hare fluturon rreth rrezeve, rreth yjeve.
Në ekstazë i hap sytë plot lëng
dhe llaftarisesh…
Kishte qenë zh(gj)ëndër.

Është fragmentarja elementi organik i unitetit të kësaj poezie, një fragmentaritet që bashkëpunon me tipologji të afërta poezish apo grupe poezish, të cilat së bashku zgjerojnë dhe e përftojnë “kuptimin” si një tablo-akuarel. Ndonjëherë drita e subkoshiencës është e fortë dhe fiton një ligjërim të kapshëm për interpretim klasik, kur objekti poetik i zhvendosur nga “unë” ndërkalon në “ne”. Këtë mund ta quajmë si një “katapultim” të intonacionit të brendshëm deri tek artikulimi i lirikës sociale qytetare ku shenjat janë të qarta:

Tronditen themelet e ndërgjegjes,
ngatërrohen mes psikozave perverse.
Varrmihës besnikë përpiqen të fshehin,
të mbysin, të zhdukin krimet që klithin.
Përhumbur endemi…
Ndalim kur kalojmë përbri muresh të lashtë,
e dëgjojmë rënkimet e shekullit.
O i panjohur…
Ti, që do të dëgjosh klithmën e shekullit tim,
Rrëfeje… çliroje.
Mos e mbyt sërish në harrim.
(“Klithma e shekullit tim”)

Poezi të tilla, të hapura për nga diksioni dhe intonacioni i artikuluar qartë përbëjnë një grup të vogël dhe kanë rëndësinë e tyre sepse lidhin peisazhin e brendshëm metafizik intim, me një peisazh më të gjerë shoqëror të vetëdijes bashkëkohore. Përveç kësaj, këto poezi “të hapura” shpjegojnë vetvetiu ngjyrat, simbolet e shtresëzuara nëpër poezitë e tjera, figurat që dominojnë lenten e shikimit nëpër dhjetra poezi, duke hapur një paradigmë simptomash të sëmundjes siç janë brerja, myshku, irnosja, lebroza, kalvari, dyzimi, avatari, kllapia, dekompozimi, haluçinacioni, asfiksia, histeria, çmenduria etj. Të gjitha këto elemente të dis’harmonisë zgjerohen në trajtën e një gjendjeje të acaruar, duke e kapërcyer “traun” e brendshëm deri në revoltë. Por është një revoltë e brendshme, metafizike, pa retorikën e traditave poetike të dalëboje.
Megjithëse me një formim letrar solid e profesional (e diplomuar për Gjuhë e Letërsi në Fakultetin Filologjik), tek poezia e Zhaneta Barxhajt rrallë gjen ndonjë aludim për mitet e letërsisë shqipe e botërore, çka i jep një higjenë të veçantë krijimtarisë së saj, të pastruar nga “ankthi i ndikimeve” në motive. Por kjo nuk e bën të huaj aspak këtë poezi prej teknikave letrare, efekteve kompozicionale dramatike, konceptimeve aliteracionale, siç ndosh fjala vjen në poezinë “Zh-ja”:

Zhvishem,
zhytem në zhartier zhanresh,
teksa zhbëj zhubrat e zhurmshme,
zhelosur nëpër zhiva zhvillimi,
zhvarrosur nga zhuli i mjerimit,
për të nxjerrë mbi ujë
zhapat dhe zhelet
e modernizmit!

E përjetuar si një rrahje e brendshme e përjetimit intim, pa retorikën e konfrontimit me “të keqen e përdistshme” të natyrës politike e sociale, kjo poezi projektohet jashtë konjukturave të njohura të protestës dhe konfliktit të kulluar të poetit me turmën, që ka qenë e mprehtë nga poetët e romantizmit e këtej. Minimalizmi besnik që i shoqëron këto krijime është dëshira për ta ruajtur të pamanipulueshëm zërin origjinal, atë zë që pikturon “sensacione” vetëm me ngjyra, nuanca e heshtje. Është një histori e transfiguruara e botës dhe e vështrimit mbi botën në një figurë jo bërtitëse, që i përcjell dramat pa patetikë, si në poezinë “Tregues”:

Thërrmohen petë-petë
shtresat e thoit gërryes,
teksa ngrihet e tregon shënjestrën.
Ja! Ju ndryshova ngjyrë,
ju çela me të kuqe purpuri.
Po prap petëzohen,
dobësuar nga lista akuzash
të pa-zëshme.

Kush flet? Kujt i drejtohen këto fjalë? Ku është sensacioni i poezisë? Jemi të gjithë të përfshirë përpos këtij veli të poezisë, përmes të cilit nëpërduken vetëm gjestet, ngjyra dhe heshtja, e cila gëlon nga akuzat. Janë pyetje të vështira, të padukshme, aty ku ndodh drama dhe aspak fraktura e kësaj drame. Në cilën kohë? Në kohën e paskaj dhe të pafundme të meditimit.
Poezia e Zhaneta Barxhajt fton përmes akuareleve të saj poetikë të perceptohen atomet shpirtërore që rrodhën nga penda e saj e ngrohur intimisht në grusht, në këtë tablo ngjyrash e vijash, drite dhe hije. muzike dhe heshtjeje.
Agron Tufa, 3 maj 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.