back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poezia si një paqtim dhe ekuilibër i arteve nga Mark Simoni

Gazeta

Estela Ruka - Poezi ne la Minor - 2018
Estela Ruka – Poezi ne la Minor – 2018

Poezia si një paqtim dhe ekuilibër i arteve

nga Mark Simoni

mbi librin e Estela Rukës, “Poezi në la Minor”

Shtëpia Botuese “Muzgu”
publikon vëllimin poetik “Poezi në la Minor”
të autores Estela Ruka
Parathënie dhe botimi i librit nga Mark Simoni
 
Për të hyrë në portën e rëndë të librit të Estela Rukës, që në ball e merr lajmin se duhen dy çelësa, edhe i poezisë, edhe i muzikës. Titulli është “Poezi në La minor”. I tërë libri është një harmoni gati misterioze mes vargut dhe notave, mes poezive dhe melodive, mes strofave dhe pentagrameve, mes unit të poetes dhe instrumentistit të largët, mes subjekteve të poezive dhe tangove e valseve. Estela ngre një botë universale me jehona poetike dhe turbullime tingujsh. Patjetër që duke lexuar këtë libër ia lejojmë vetes të përdorim termin “romantikë moderne”. Estela Ruka e zotron këtë regjistër të shkruari në mënyrën e saj të veçantë.
“Poezi në la minor”. Në strukturën e tyre serenatat kanë pothuajse gjithmonë akordin La minor. Në një libër rreth muzikës, (botim italian i Enaudi-t), kam lexuar që, serenatat, megjithëse janë një zhanër i vjetër muzikor, përhapjen maksimale e kanë patur gjatë periudhës romantike. Edhe ky argument më bën të mendoj që agregati poetik i Estela Rukës ka ingranazhin e romanticizmit, serenatws dhe poezisë.
Mua më duket së Ezra Paund ka të drejtë kur thotë tek artikulli “Poezia” se: Poetët që nuk interesohen mbi muzikalitetin dhe muzikën, ose janë ose do të përfundojnë poetë të dobët. Libri i Estela Rukës e ka kaluar pragun e këtij rreziku, e ka në matricën zanafillore edhe muzikën si fizikë, muzikën si art, muzikën si fenomen, muzikën si ndjenjë, muzikën si raport konkret. Po shkoj akoma më tej, tek Francis Guerraci që shkruan: “Të gjitha artet, por sidomos Muzika dhe Poezia, mund të vlerësohen si dy fare ndriçues të të njëjtit shikim të Zotit”. Dhe autorja e këtij libri lëviz në dy shinat (Muzikë dhe Poezi), që shkojnë parreshtur paralel me njëra-tjetrën.
Libri “Poezi në La minor” të jep gjatë leximit një gjendje të mirë, të butë, të këndshme, të lehtë, ku vemendja, fantazia, imazhet, shëtisin mbi një reliev estetikisht të bukur. Pikërisht kjo gjendje më kujtoi një thënie të Pablo Nerudës, të cilin e kam lexuar shumë, ndaj e dua shumë. Ai thotë se “Poezia është një akt paqeje. Poeti lind nga paqja, ashtu si buka që lind nga mielli”.
Estela Ruka e ka shkruar gjithë frymëzim këtë libër, ku tej e përtej librit ndjehen vibrime, drithërima, puhiza, fërgëllime, që lëvizin në një vallzim të pafund, gati eterik, bëjnë pirueta, sillen në ajrin e ujshëm të poezive, bëjnë lëvize lojnacake, përkëdhelen, llastohen, marrin hov, tundohen dhe ndjellin. E gjithë kjo botë sendesh, tingujsh, fjalësh, ndjenjash, lëvizjesh, e mbush me një energji të veçantë dhe interesantë godinën e “Poezi në La minor”, nëpër katet e së ciles sillet poetja dhe figurat e saj, subjektet dhe muzika që dëgjon nga një realitet i largët, dëshirat dhe dashuritë e saj, fryma dhe shenjtëria e poezisë dhe muzikës.
Dy filozofë të famshëm kanë qëndrime të ndryshme ndaj përparësive të Poezisë apo të Muzikës. Shopenhauer thotë se “Muzika është gjuha më universale e arteve”, ndërsa Hegeli shkruan: “Tri janë format më të larta të artit; Piktura, Muzika, Poezia. Dhe nga këto të tria, poezia është më e larta. Sepse poezia, jo vetëm përfshinë në veten e saj edhe Pikturën, edhe Muzikën, por njëkohësisht Poezia çliron fjalën nga ngushtimi semantik i zakonshëm”. “Poezi në La minor” duket se vjen si një paqtim dhe ekuilibër mes këtyre dy arteve kaq të mëdhenj.
Kam dëgjuar një proverb interesant në zonën e Toscana-s, “La musica e l’occhio del’orecchio”, (Muzika është syri i veshit). Sa bukur.
Kënaqësi të keshë në dorë këtë libër të Estela Rukës.
.
në lëndinën time/ e perëndimet marrin kuptime
në lëndinën time/ e perëndimet marrin kuptime

Tri poezi të Estela Rukës nga libri i  saj

Pa fjalë

 Fjala një marrëveshje
megjithëse shpesh
e kërkojmë në heshtje
Fjala ngjit e thyen kocka
më shumë se kaq
lëndon e arnon shpirtra
të pastra, të dlira
fluturon me erën
ndryshon trajtën
ka mundësi ajo fjalë
kur nga shpirti don të dalë
edhe njëmijë fjalë të thëna në këmbim
nuk zëvendesojnë një përqafim.
.

Me dit’

Se n’pleqni
vijnë kaq t’zjarta dashnit
kishe m’u kacafyt me pleqninë
O ajo o ti
me majt fort at bukuri
Qi t’ban poet
edhe pse tan jetën
paske ken “analfabet”
.
Magjia e perendimit
Magjia e perendimit

Të kam

Të kam të shtrenjtë
si lulet që bënim kuror
Oh sa gëzim na sillnin,
Si anijet tona prej letre që udhëtonin deteve të ndaluar,
Si gëzimi i fëmijërisë që e gjej vetem tek ti
Se te rriturit ndryshojnë si era me shi.
Të kam të shtrenjtë
në lëndinën time
e perëndimet marrin kuptime
Lindjet e diellit
buzëqeshin në përmallime
Ti i shtrenjti, i lig,
i ëmbël
ti fëmijëria ime.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.