back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poezija – nga Luigj Gurakuqi

Gazeta

Luigj Gurakuqi (1879-1925)
Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Poezija –

nga Luigj Gurakuqi

Vjersha mund të thomi se leu për një herë me njerinë; që në kohë të para njerzit, tue u gjetun edhe në nji gjendje t’egër, nisën me këndue. Ndonse nuk kishin për atëherë kurr nji idhé mjeshtrije, natyra i thirrte me kërkue gëzimin e lodrat, e ndjeshin mbrenda vedit nji fuqi t’mshehun, qi i shtynte me diftu me fjalë të ndiemet e zemrës së vet, e me i vu në kangë; me to bashkë leu pra edhe muzika.
Si vjersha, si kanga, janë pra në natyrë të njerzvet; këto që në fillim qenë lodra ma e gazmueshme, gëzimi mâ i pëlqyeshëm i tyne. E njimend përpara se të lindej Orfeu, vjersha ishte e njoftun n’Egjypt e në Syri; vjershtarë të mirë u ndodhën edhe para Homerit, e jo vetëm Davidi përshkroi në vargje Psalmet e tija nën mbretni të Kodrit, por, në kohë shum ma të largta të Qekropit, vjershonte Moisiu. E kanga, sikur tingllonte ambël në vesh të njeriut, ashtu ambël i ulej edhe në zemër, sa mund të thomi se qe me të vërtetë vjershnimi, qi i mblodhi njerzit, t’egjër e të ndamë, e nisi t’i mësojë me jetue bashkarisht; po qe me të vërtetë kjo mjeshtëri e hyjnueshme, qi filloi me i zbutue, me i qytetnue, qi qiti me nji fjalë, themelin e përparimit.
Kur shohim shkrue se Orfeu, me kangë e me lahutë të vet bâni me ushtue malet e pyjet e urtësoi luájtë e bishat e egra, e se Amfioni, me notat e tija luejti gurët e i bâni të véheshin vetë njéni sipri tjetrit e të naltsojshin muret e Thebes, do të marrim vesht se ambëlsija e harmonija e vargut mbrrijtën me i largue nga vrasa e nga presa, e i thirrën nga jeta e pyjevet, tek ajo mâ e butë dhe e pëlqyeshme e qytetit.
.
Mjeda - Fishta - Gurakuqi 1908
Mjeda – Fishta – Gurakuqi 1908

***

Kështu ndodhi për kombe tjera e kështu do të két qénë edhe për né; e, sado qi na nuk kemi mjerisht dokumenta të vjetra për ta provue ketë punë, mund ta njohim ndër zakone të sotshme të popullit tonë, mbasi edhe tash në Shqipni, e sidomos malevet, nuk kemi kurrnji të mbledhun për pa valle. Me kangë luten festat, ma kangë nderohen burrat, ndër vjersha pavdeksohet trimnija e luftarvet, me valle shkonet dita ndër darsma e ndër gëzime tjera. E jo vetëm gazmendet, por edhe ankimi diftohet shum herë në vjersha; mjerimi i zemrës, të ligat e zemrës, të ligat e jetës, brengat e atdheut qenë gjithmonë për vjershtarë sende te pëlqyeshme: Vaji i grave, i përcjellun me gjâmë e me ankime të burrave mbi trup të të vdekunit, nuk âsht tjetët veç nji kangë e përmallshme, nji elegji, sikurse e thirrshin, Grekët e moçëm.
Ndër mërzi e ndër të vështira të luftës e shkojnë prap kohën me kangë. Janë të përmenduna e në zâ vallet e lodrat e Toskëvet rreth dashit që vërtitet në hell, në mjedis të fushës ku ka zânë vend ushtrija; e ndër luftarë të tyne ndodhet gjithherë nji Tirtè i ri, qi me kangë të vetë i trimnon të vllaznit e i shtyn me i ra burrnisht anmikut.
Marrë nga gazeta “Bashkimi i Kombit” 1944

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.