back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Poezitë e shpluhurosura të rinisë së Robert Shvarcit

Gazeta

Robert Shvarc (1932-2003)Robert Shvarc (1932-2003)
Robert Shvarc (1932-2003)

Poezitë e shpluhurosura të rinisë së Robert Shvarcit

Kam shkruar edhe unë, prozë e poezi,
deri në fund të viteve ’50.
Por pastaj vendosa të hesht,
të hesht në mënyrën time:
penën e vura në shërbim të penave të fuqishme të letërsisë botërore.
Pa këtë ekuilibër që arrita të fitoj për vete,
do të kisha marrë fund për së gjalli.
Por edhe kjo punë ishte një punë me zarar,
sepse diktatura nuk kënaqej vetëm të heshtje ndaj saj,
por dëshironte edhe të flisje për të.
Robert Shvarc (parathenia e librit “Vargje tё pluhurosura”)

Shtëpia Botuese “OMSCA-1” nxori në qarkullim librin “Vargje të pluhurosura”.
Janë rreth 110 poezi, shkruar kryesisht në vitet ’50-’60 e që shumë pak syresh kanë parë dritën e botimit. Është folur edhe më parë për Shvarcin poet, janë botuar edhe pak poezi të tij, që datojnë fillimvitet ’90, si “Tingëllim për Shkodrën”, “Ma vranë Sarajevën”, apo “Vargje lamtumire për një shok rinie”, por këtë herë “Vargjet e pluhurosura” tregojnë se Shvarc nuk ishte një poet i rastësishëm. Janë poezi kushtuar dashurisë, ëndrrave, mikut, qytetit, Shkodrës, idealeve, trishtimit, mallit… Ai vetë i quan “vargje sirtari”, që në të vërtetë janë dëshmitë e një pene të rëndësishme në letrat shqipe. Por që vetë shkrimtari vendosi t’i mbyllë në sirtar, pasi e kuptoi se duhet të hiqte dorë nga idealet. Sepse në komunizëm, idealet shkonin veç në një kahje, atë të diktaturës. Ja si shkruan në një prej poezive të tij, Shvarc “Lamtumirë ideale, lamtumirë,/ ç’po më zbeheni si yjet ndër agime,/ ç’po ma lini n’errësirë veten time,/ në errësirë të një jete pis të nxirë”. Dhe vendosi të merret me përkthimin e të mëdhenjve të letërsisë botërore, çka nuk qe edhe aq e thjeshtë sa e pandehte. Heshtja nuk shihej me sy të mirë. Teksa kanë kaluar 7 vjet nga vdekja e tij, heshtja thyhet dhe bëhet e gjallë krijimtaria e tij letrare.
I lindur në Sarajevë, por i rritur në Shkodër, Shvarci e dashuroi dialektin shkodran, aq sa poezitë e tij i ka shkruar më së shumti në këtë dialekt. Gjithashtu, i ka shkruar disa poezi këtij qyteti. Teksa kalon nga njëra poezi në tjetrën, çuditshëm të mbulon një tis trishtimi. Nëpër vargje ndien pak fatalitet prej “brezi të humbur”, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të të cilëve do ta përkthente më vonë.
Poeti nuk është qaraman, përkundrazi herë-herë rebelohet, por ndoshta ai e ndiente se idealizmi i tij shumë shpejt do të vritej.

Robert Shvarc (1932-2003)
Robert Shvarc (1932-2003)

Në duart e një miku

Për botimin e këtij libri poezish u kujdes përkthyesi dhe shkrimtari Amik Kasoruho, i cili i ka redaktuar ato me kujdesin dhe dashurinë e një miku të hershëm. Dikur Shvarc i ka dedikuar edhe një poezi miqësisë së tyre. “Gjithmonë bisedoj me Robertin si kam bërë kahmot, duke shfletuar letra tashmë të zverdhura që i kemi pas shkruar njëri-tjetrit, poezi të tij të hedhura netëve pa gjumë të rinisë së tij të trazuar, fotografi të shumë viteve më parë. Nëpërmjet tyre më flet shoku im i adoleshencës, mbushur me ëndrra të pafajme (ne kishim vetëm ëndrra, asgjë tjetër! – do të shkruante në vjershën “Vargje lamtumire, për një shok rinie”, botuar në gazetën “Drita”, në maj 1991), miku i ngushtë në tërë hallet e gëzimet e mia, ai që më bënte të krenohesha që isha shok me të. Dhe ndërsa bëj kështu, e lë atë të flasë. Unë dëgjoj dhe kujtoj”, shkruan Kasoruho në pasthënien e librit, i cili ka jo pak për të treguar për Shvarcin. Në ditët më të zeza në jetën e një njeriu, çka nuk ka të paguar është mbështetja e një miku. I tillë kishte qenë Shvarc për Amik Kasoruhon dhe ky i fundit, nuk mundet që në çdo varg të shkruar nga ai, të lexojë diçka nga vetja, nga jeta e tij, nga shpirti i mikut. “Lexoj në vjershën “Dikujt” të shkruar në vitin 1950, dy vargjet e para: Në agimin pa ndriçim të jetës tënde – u mundove t’i afrohesh të vërtetës. Dhe m’u kujtuan vitet e burgut, rinia ime e dënuar, njerëzit që druheshin të më aviteshin pas lirimit, dyert e mbyllura. Pa m’u kujtua se qe pikërisht Roberti ai që më mori në shtëpinë e tij – duke rrezikuar shumë – dhe më strehoi dhe më fali qetësinë që të jep një çati mbi krye, një shok aty pranë. Shumëkush asokohe u mundua t’i afrohej të vërtetës. Ata që nuk përcëlluan krahët në këtë përpjekje, që i përngjet pak edhe guximit të fluturës që i vjen rreth flakës së qiriut, u ndrynë në një heshtje të imponuar dhe sfilitëse, e cila e shtynte Shvarcin të klithte “të rrosh e prapë të jesh i vdekur fare, – të ndjesh e ndjenjën ta varrosësh thellë” (vjersha “Unë” -1956)”, vijon ai, duke shtuar se çka e karakterizonte atë më së shumti, veç gjenisë si përkthyes dhe talentit të poetit, ishte dashuria për njerëzit. Këtë dashuri që ai e shprehte në vargjet: “Gjithmonë i kam dashur lotët/ Por në sytë e mij/ Të tjerëve ua kam fshirë!”

Na vranë idealizmin…

“Janë vargje sirtari, të shkundura nga pluhuri i shumë e shumë viteve. Vargje thuajse të harruara, të ndrydhura, të frikësuara e, pse jo, edhe të ndjekura – sepse totalitarizmi edhe meditimet krejt personale e krejt pa të keq i quante “ideologji borgjeze me helm të sheqerosur kundër diktaturës së proletariatit”. Ekziston një thënie e një të mençuri: “Ai që s’është idealist në moshën njëzetvjeçare, s’është njeri; ai që mbetet idealist edhe pasi i kalon të dyzetat, është idiot”. Idealizmi i brezit tim – me përjashtim të konformistëve të ndërgjegjshëm – mori fund në vitet ’60, kur u bindëm se në Shqipërinë “socialiste” s’ishte aspak puna për të mbrojtur një ideal të madh njerëzor, por vetëm e vetëm për të ruajtur një fron sundimtari…
Kam shkruar edhe unë, prozë e poezi, deri në fund të viteve ’50. Por pastaj vendosa të hesht, të hesht në mënyrën time: penën e vura në shërbim të penave të fuqishme të letërsisë botërore. Pa këtë ekuilibër që arrita të fitoj për vete, do të kisha marrë fund për së gjalli. Por edhe kjo punë ishte një punë me zarar, sepse diktatura nuk kënaqej vetëm të heshtje ndaj saj, por dëshironte edhe të flisje për të.
Brezat e rinj le të më falin, nëse vargjet e mia të dikurshme ndoshta s’do t’i ngrohin sa ç’duhet – fundja janë “vargje të pluhurosura” dhe tani jemi në fund të shekullit XX. Por për diçka duhet të jenë të sigurt: në çdo gjë që kam shkruar ose rikrijuar, kam menduar gjithmonë për rininë dhe për atë do të mendoj përsëri, deri sa të kem jetë”.
Robert Shvarc

Robert Shvarc – qe mjeshtër i shqipërimit, ai na la margaritarё edhe me poezite e tij.
Miku i tij, Amik Kasoruho i pёrgatiti ato per botim.
http://albdreams.blogspot.it

Poezi nga Libri “Vargje tё pluhurosura”

Robert Shvarc

***

Pa shkak të kapë ka ‘i herë, o mik, trishtimi
e s’din çka ke e s’din ku të dhemb;
të duket natë kur n’qiell zbardhon agimi
e lulja vetë të duket veç nji gjemb,
kur t’kapë, o mik, trishtimi.

Pa shkak të kapë ka’i herë, o mik gazmendi,
e s’din pse qesh, kur t’vjen ma mirë me qa,
të duket reja posi tis argjendi
e lulja t’dehë kur asht zbe e tha:
kur t’kapë, o mik, gazmendi…
1960

Tingllimet e plagueme

Po flen qyteti, vlla, dremit qyteti,
nuk ka as dritë, as hapat nuk kërcasin,
veç val’t në breg na duket sikur flasin
me zall’n e qetë, ku andrrat i tret deti…

Sa vjet kaluene, vlla, qëkurse mbeti
nji zemër kndej plague e nji coptue
përmbas prangorësh, n’rininë e saj shitue
me dhimbë krenare që asnjë kangë poeti

ndër tela t’lyrës nuk mundet me naltue…
Po flen qyteti vlla, …në breg ku rrimë
ai don me folë e don me na tregue
si shkojnë motet e andrrat veç nji grimë
na puthin n’ballë e ikin tue u qeshë…
1957

Lulet e mundimit

Si nuk po vyshken lulet e mundimit,
si s’po mbaron kjo natë e brengës sonë,
o mike e dhembshur, vallë gjithëmonë
do jemi fli e lotit? E trishtimit?

Atje ku ankthi vret pa hiç mëshirë,
atje ku shpresa çduket sapo vjen
e pikëllimi zemrën nis e bren
ne endemi të dy, me sy të ngrirë.

E këta sy vështrojnë rreth e rreth,
por vesa s’ndrin e hirtë përmbi gjeth
dhe paqja shpirtin krejt e ka harruar…

Ngado veç pluhur, ndot e fat i zi
urrejtje e ftohtë, çpagim edhe zili
e lot krenar që fshehur rrjedh helmuar…
1957

Amik Kasoruho dhe Robert Shvarc ne vitin 1956
Amik Kasoruho dhe Robert Shvarc ne vitin 1956

Vargje lamtumire për një shok rinie

Dedikuar A. K.

Ne vetëm ëndrra kishim asgjë tjetër!
Ende të shkurtra i mbanim pantallonat,
Dhe na pëlqente si kushtrim i vjetër:
Si shqipet lart e jo rrëshqanë si bollat!

Na i copëtuan ëndrrat, na i vranë.
S’e hidhnim këmbën dot mes gjarpërinjsh.
Dhe vanë ditët, vitet… e na lanë:
Tejman mortor e flakërimë qirinjsh.

Tani sikur edhe botën të na falin,
S’na duhet më ia kthejmë prapë Mizorisë!
Asgjë, asgjë s’na e shuan dot më mallin
Për të pamajmet ëndrra të rinisë.

Ne vetëm ato kishim asgjë tjetër
Ende të shkurtra i mbanim pantallonat,
Hovet dhe shpresa dhe besën e vjetër
Drejt qiellit i lëshonim si balonat…

***
Tani po ikën… Më ti s’do kthehesh!
(as ty s’t’i kthyen vitet e qelive!)
me vlegën e atdheut më s’do dehesh
sakaq s’të la ty trill i “perëndive”!
Drita, Maj ’91

Falmë

(e pabotuar – shkruar ne vitin 1957)
Oh, falmë, falmë mikja ime
Në ta lëndova përsëri
At’ plagë që s’don më ngushëllime,
që don të mbetet si jetime
krenare pa njeri!

Oh, falmë, falmë pse kërkoj
Prej teje unë dashurinë
E dhëmshurisht pse të qortoj
Në çastet-vrer, kur shpesh harroj
Se ty ta vranë rininë…

Esht’malli im gjithë pikëllim
Që djeg e bren aq pushtetplot
E kur s’e gjen ate flijim
Që e njeh aq fort në shpirtin tim
I mbeten veçse lot!

Esht’ zemra ime q’u mësua
Çdo rrahje t’sajën ta durojë,
që kurrë s’i tha njeri “Të dua!”
që u ndez përherë dhe u shua…
pse di të dashurojë.

E pra, më fal e dashur ti,
tani t’kuptoj unë ty më mirë:
çdo ças dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s’kam mall, s’kam dashuri,
s’kam gaz, s’kam më dëshirë!

Oh falmë, falmë mikja ime,
s’do t’i lëndojmë ne kurrsesi
k’to plagë që s’duan ngushëllime,
që duan t’mbeten veç jetime
ashtu si unё, ashtu si ti…

Amik Kasoruho (1932-2014)
Amik Kasoruho (1932-2014)

Shpirt i lёnduar por rebel

nga Amik Kasoruho

Mall (Për Robert Shvarc)
…I lodhur endem sot në vend të huaj,
nuk ma kuptojnë fjalën ndaj dhe vuaj
dhe nis të shkruaj, siç kam bërë kahmot.
Zërat e jetës lashë aty te ty:
heshtjen kam marrë. Më ngjajnë të tjerë yj
që lodhen t’më ndrijnë shtegun. E kanë kot…”
Amik Kasoruho

Nё njё farё mёnyrё njerёzit e mirё i shoqёron edhe mbas vdekjes urimi mё i goditur qё mbase urtia e vendit tonё ka mundur tё sajojё mos t’u harroftё emri. Dhe neve tё tjerёve qё vazhdojmё tё jetojmё nё kёtё botё mbas njerёzve qё shuhen s’na mbetet veçse tё kujtojme emrin e tyre dhe tё ndriçojmё kёtё shtegtimin tonё nё kёtё botё edhe me dritёn qё na vjen nga jeta por edhe nga vepra e tyre. Ky ёshtё njё borxh sidomos kur kёtё dritё na e kanё dhёnё dhe na e japin njerёz tё drejtё punёtorё dhe tё dlirё.
Na pёlqen ta veshim tё panjohurёn me shpresa e mё mirёsi. Na pёlqen qё Robert Shvarci tё na ndjejё pranё qё ne tё bёhemi njёsh me tё ardhmen e tij. Na pёlqen ta ndiejmё edhe ne veten bashkёkohёs tё kёsaj tё ardhmeje me urimin tonё me dёshirёn tonё qё njeriun e dashur ta shohim gjithmonё e mё mirё. Dhe harrojmё se shpesh jeta i bёn llogaritё pa na pyetur.
Shvarci ka bёrё atё qё pak njerёz ia dalin ta bёjnё ka lёnё njё emer tё nderuar ka lёnё njё vepёr shembullore, ka lёnё njё kujtim tё pavdarur.
Dhe ata qё kanё ndarё me tё hidhёrimet e shumta dhe gёzimet e pakta tё kёsaj jete edhe pse e kanё tё vёshtirё ta mbushin zbraztinё qё ka lёnё rreth tyre njeriu i dashur ngushёllohen kur vёrejnё se njeriu i tyre i pёrket njё rrethi mё tё gjerё njerёzish dhe brezash tё ndryshёm, ata them marrin diçka nga ngrohtёsia njerёzore e njerёzve si Shvarci. Dhe nuk ёshtё pak.
Gjithmonё bisedoj me Robertin si kam bёrё kahmot duke shfletuar letra tashmё tё zverdhura qё i kemi pasё shkruar njeri-tjetrit, poezi tё tij tё hedhura netёve pa gjumё tё rinisё sё tij tё trazuar, fotografi tё shumё viteve mё parё. Nёpёrmjet tyre me flet shoku im i adoleshencёs mbushur ёndrra tё pafajme: “…ne kishim vetёm ёndrra, asgjё tjetёr!” – do tё shkruante nё vjershёn “Vargje lamtumire, pёr njё shok rinie” botuar nё gazetёn Drita nё maj 1991, miku i ngushtё nё tёrё hallet e gёzimet e mia, ai qё mё bёnte tё krenohesha qё isha shok me tё. Dhe ndёrsa bёj kёshtu e le atё tё flasё. Unё dёgjoj dhe kujtoj.
Shumё ёshtё folur pёr Shvarcin si pёrkthyes madje si njё nga pёrkthyesit mё tё shquar nё shqip. Pak ose asfare ёshtё folur pёr tё si poet. Ndoshta pёr faktin se sё gjalli, ai botoi fare pak vjersha.
Ndёrmjet letrave tё pakta qё pata marrё me vete kur u largova nga vendi im, ishte edhe njё fashikull vjershash tё Shvarcit. Nuk mund tё ndahesha prej tyre – ishte shpirti i shokut tim nё to dhe nё vetminё qё mё priste nё vendin e huaj ku po shkoja asgjё mё shumё nuk do tё mё ndihmonte tё çaja pёrpara sesa fjala e ndjeshme dhe e dashur e shokut tim.
Lexoj nё vjershёn “Dikujt” tё shkruar nё vitin 1950, dy vargjet e para “…Nё agimin pa ndriçim tё jetёs tёnde – u mundove t’i afrohesh tё vёrtetёs…” Dhe m’u kujtuan vitet e burgut, rinia ime e dёnuar, njerёzit qё druheshin tё mё aviteshin pas lirimit, dyert e mbyllura. Pa m’u kujtua se qe pikёrisht Roberti ai qё mё mori nё shtёpinё e tij – duke rrezikuar shumё – dhe mё strehoi dhe mё fali qetёsinё qё tё jep njё çati mbi krye, e njё shok aty pranё. Shumёkush asokohe u mundua t’i afrohej tё vёrtetёs. Ata qё nuk pёrcёlluan krahёt nё kёtё pёrpjekje qё i pёrngjet pak edhe guximit tё fluturёs qё i vjen rreth flakёs sё qiriut u ndrynё nё njё heshtje tё imponuar dhe sfilitёse, e cila e shtynte Shvarcin tё klithte: “…tё rrosh e prap tё jesh i vdekur fare – tё ndjesh e ndjenjёn ta varrosёsh thellё!” vjersha “Unё” -1956.
Kjo ndjesi qenieje e mosqenieje hovesh shpirti dhe ndryrje nё vetvete ka diçka tragjikisht madhёshtore njё vlerё tё madhe tё njeriut qё s’u thye. Thellёsisht njerёzor i dashur dhe i gatshёm tё flijojё pёr tjetrin kёtё dashuri pёr njeriun, Shvarci e shpreh madhёrisht nё vargjet – “…gjithmonё i kam dashur lotёt – por nё sytё e mij – tё tjerёve ua kam fshirё…!”
Por ai ishte i vetёdijshёm se nuk mund dhe nuk duhej tё shkonte tej cakut qё mujshia e tё fuqishmёve i kishte caktuar atij dhe gjithё atyre qё e ndienin veten tё lirё. Edhe pse kjo nuk duhet kuptuar aq fort njё trajtё nёnshtrimi sa njё mbyllje dinjitoze brenda qerthullit etik qё i cakton vetes njё njeri me shpirt tё lirё. Shumё vjet mё vonё do tё thoshte nё njё intervistё tё dhёnё Ilir Kekos dhe tё botuar nё gazetёn “Koha Jonё” nё korrik 1994, nёse e kam braktisur poezinё time origjinale, kjo do tё thotё vetёm se nuk kam dashur tё bёhem shkrimtaruc i realizmit socialist njё skllav i bindur i censurёs apo qoftё edhe i autocensurёs.
Shpirt i lёnduar, por rebel shkruante nё “Sonetet e Rrёfimit” qё janё thurur pikёrisht natёn kur mbushte njёzet e shtatё vjeç: “mё therin sot ndriçimet pse si qorr e zgjodha natёn me iu mshehё çdokujt…” Shpirt rebel, pra i farkёtuar mes kontradiktash tё therrta ai nuk e shoi kurrё dёshirёn pёr atё qё i mohohej atij dhe gjithё njerёzve qё donin tё ishin tё lirё nё kushte tё njё regjimi tё egёr. Gjithmonё nё “Sonetet e Rrёfimit” ai thёrret me zё tё lartё “…e pra kam mall – ta rrok edhe unё o qoftё dhe pёr njё çast – atё qё s’mё erdhi – atё qё mё pёrket…!”
Korrekt me tё tjerёt, ai mbi tё gjitha ishte i ndershёm me vetveten. Dhe kjo i jepte fuqi  atij njeriu mё shpirt delikat e tё ganduar – ta shihte drejt e nё sy njimendjen qё rrekej t’i lidhte duart: “…nji fat idhnak – na lidhi n’jetё veç nё nji skaj konopi na nuk e hedhim vallen si tё vlojё shkopi po aty…” soneti 7.
I rilexoj kёto vargje shkoj nёpёr duar njё tufё vjershash dhe mё duket se kam shtrёnguar fort dorёn e shokut tim dhe i ndjej rrahjen e zemrёs dhe i dёgjoj zёrin pa mё kujtohet jeta jonё. Jeta e tij.
Para disa vjetёsh, miku im Anton Berisha mё sugjeroi tё bisedoja me Robertin qё tё mblidhte njё tufё nga vjershat e tij pёr t’i botuar nё Kosovё. Fola me Robertin. Nuk dёgjoi. Ishte i vetёdijshёm se tё shkruarit e poezisё nё gjysmё shekulli ka ndryshuar si manierё dhe se vjershat e tij shprehje intime çastesh frymёzimi ndoshta nuk do t’u interesonin tё tjerёve.
Nuk e mendoja si ai, por nuk ngula kёmbё. E njihja mirё dhe e dija se nuk do ndryshonte mendim dhe ideja e mikut tonё A. Berisha mbeti e parealizuar. Ajo ide me ngacmonte pareshtur dhe ja ku jemi. Roberti do tё na falё qё pas kaq kohe po nxjerrim nё dritё vёllimthin e vargjeve qё nё mos tjetёr, ka pёr tё ndriçuar njё anё tjetёr tё shpirtit tё tij. E nuk ёshtё hera e parё qё nuk ia dёgjoj fjalёn. Por e di qё ka pёr tё mё falur.
Shpesh, shumё shpesh kam hequr njё paralele mes shokut tim dhe Shqipёrisё. Vendi ynё kur u shfaq nё arenёn e letrave shqipe, Shvarci ishte njё vend i etur pёr kulturё. Dhe Roberti pёr gati gjysmё shekulli punoi pёr tё na dhёnё vepra pёrfaqёsuese tё kulturёs sё botёs. Siç kishin bёrё tё Urtёt tanё qysh nё kohё tё Rilindjes. Ai krahas vlerёs letrare tё autorёve dhe veprave tё zgjedhura prej tij pёr t’u pёrkthyer dёshmoi njё nderim dhe njё dashuri tё zjarrtё pёr shqipen, tё cilёn e trajtoi me pekule e pastroi dhe e pasuroi duke shtuar emrin e tij nё vargun e atyre qё punuan pёr tё afruar vendin tonё ndaj kulturёs botёrore. Kush nuk e kujton thirrjen e tij tёrё afsh pёr tё ruajtur pastёrtinё e gjuhёs sonё. Nё njё vjershё tё cilёn e ka lёnё si njё lloj testamenti vetёm nё katёr vargje shkruhet: “nga dashuritё e tij tё mёdha – vetёm njerёn s’e harxhoi kot – atё pёr gjuhёn shqipe..!” Kjo pёrpjekje e tij tё kujton atё pёrpjekjen tjetёr tё pashoqen qё ka bёrё populli ynё dhe tё Urtёt e tij pёr tё ruajtur gjuhёn tonё nё shekuj.
Kryeneçesia e tij fisnike dhe ndershmёria e skajshme e bёnё tё jetё njё njeri i panjollё, kёrkimi kёmbёngulёs i asaj qё i afrohej tё panjohurёs e bёnё njё nga pёrkthyesit mё tё mirё tё letёrsisё shqipe, dhembshuria dhe ndjenja e thellё e solidaritetit e bёnё njё shok tё rrallё: Ky ishte Shvarci!
Pёr tёrё ato qё ka bёrё e ato qё do bёnte ne i jemi borxhlinj. Sepse ndaj njё njeriu tё tillё nuk ndihet vetёm detyrim por edhe mirёnjohje. Dhe kjo ёshtё shenjё qytetёrimi.
Marrё nga pasthёnia e botimit “Vargje tё pluhurosura”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.