back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pogradeci, Albumi me kujtime – nga Agim Xhafka

Gazeta

Agim Xhafka
Agim Xhafka

Pogradeci, Albumi me kujtime

nga Agim Xhafka

 Nuk e them dot që nuk po kënaqem në Pogradec. Po e shijoj shumë edhe nga që në Tiranë e nxehta shkoi mbi 40 C. Se të tillë jemi ne, jetojmë për inat të tjetrit. Freskia e mëngjesit dhe gjumi i natës nuk kanë të paguar. Po kur ashtusesh? Art, ndjesi, magji. Asnjë pikë djerse, jo si në metropol që sa të prek gishtin e këmbës gruaja, hidhesh përpjetë e i thua, në këtë zheg u kujtove.
Pamje nga Liqeni i Pogradecit
Pamje nga Liqeni i Pogradecit

Ja, pse ky qytet rrit lule, se ka shumë dashuri. Vërtet ikin dritat si kudo, nuk ka një motor uji apo një skaf për bé, ama ka plot, me shumicë, varka me pedale, me një çadër në mes që ecin ngadalë e duken sikur luajnë në Venecia. Se sipër mbajnë çifte të rinjsh që dhe dallga iu bindet e iu shtrohet. Kur sheh ato kupton pse gjolit i thonë liqer në poezi. Se të deh e të çakordon petllën. Dhe mbi të gjitha ka Lasgushin që i bën nder krejt Evropës. Liriku më i ëmbël, më i veçantë, më poetiku. Mbase Skënderbe populli ynë mund të lindë sërish, por Lasgush ta harrojmë se ndodh. Zoti u tregua një herë kaq bujar, ta falenderojmë. Apo sa emocion më sjell Mitrush Kuteli, i qetë si vetë ai ballë jetës së trazuar. Nuk dija më parë shumë nga jeta e tij, por fëmijërinë e kam kaluar me Xinxifilon, asnjë nënë a gjyshe sado e dashur nuk tregon përralla si Pasko.

.

Monumenti i Mitrush Kutelit - Pogradec
Monumenti i Mitrush Kutelit – Pogradec
Ca ditë përpara isha në Ohër e pata mbresa të fuqishme. Një ditë aktive, me not, vrap, ekskursione me makinë e me anije mbushur plot turistë. Se atje kishte dhe aeroport e zbrisnin çarterat si pëllumbat tek sheshi i Milanos. Varfërinë e kemi njësoj. Tek shërbimet e çmimet na e kalojnë. Pra uroj të bëhemi si Ohri, por të ngelemi pogradecarë. Se ky qytet ka njerëz që ndoshta nuk i ndesh kund, janë unikë. Të qeshur, të sjellshëm, punëtorë, modestë e mikpritës, aq mikpritës sa besoj se që këtej krejt populli ynë është quajtur bujar.
Pogradecin e dua se është albumi im i kujtimeve. Të gjithë kohë e pa kohë shohin fotot ndër vite. Për nostalgji, por edhe për të lexuar ndryshimin. Sidomos të larguarit nga atdheu që malli u bëhet kotkë pak më sipër se stomaku. I përkëdhelin fytyrat me dorë, dënesin, qajnë, qeshin, gëzohen. Siç bën një njeri që ka pirë ca dopjo e rend pas, në të shkuarën e tij. Por tek ky qytet kam albumin tim pa fotografi. Eshtë çudi, por kjo është e vërteta. Ruaj mbresa kaq të forta sa janë mbushur plot detaje. Ja, afër turizmit më parë kishte vila një e dy katëshe. Buzë gjolit shumë plepa. Sa që kur njerëzit visheshin me rroba banjo për t’u kredhur ishte fresk se ende nuk binin rrezet atje, hije deri nga dreka. Mbase kam qënë 3-4 vjeç kur më çuan nga Korça për një ditë. Vajtëm e u kthyhem mbi një ZIS sovjetik, plot 40-50 persona. Mbaj mend që qaja se dallga më lagte breçkat. Hahaha, nuk më bindi as durimi i babait të futesha në ujë. Më vonë çdo verë në kampin e pionierëve më vjen në veshë borija që na lejonte t’i hynim liqenit me vrap. Ai gëzim më mbush dhe sot, kaq i fuqishëm ishte, kaq adrenalinë digjte. Nuk iu ndava as në gjimnaz, në kampet e rinisë. Flinim nga 20 në një klasë, me krevate marinari, me dy banja në fund të korridorit, pa dushe, kremra, xhel e shampo. Me një sapun Rrogozhine që e fuste nëna mes teshave dhe me të laheshim në gjol e lanim ndërresat po atje. I kujtoj me ngazëllim dhe aroma e atyre viteve më përzjehet me të qeshurën e gocave një kat më poshtë, apo me shikimet “vrastare” të një pogradecarke që banonte lart te agjencia e autobuzëve.
Nuk iu ndava qytetit as student, as kur u martova. Atje muajin e mjaltit e pas një viti tek hoteli në qendër gruaja shtatzanë, priste lindjen e binjakeve. Te kjo pema këtu priste, më pyeti mbesa Frida pardje.
.
Miq me Lasgushin... në të gjallë edhe në bronx...
Miq me Lasgushin… në të gjallë edhe në bronx…
Edhe më vonë me vajzat e vogla pushoja tek ky qytet i bekuar. Nuk e shmanga asnjëherë. U bëra gjysh e vij sërish me nipër e mbesa. Jetoj në Amerikë, por Pogradecin nuk e kam vetëm në zemër, e kam dashuri konkrete, se shkoj takoj prinderit në Korçë, por në kthim përqafoj dhimbjen e gazin tim.
Vërtet ky qytet është albumi i kujtimeve të mija. Sa herë shëtis më dalin para prindërit, shokët e gjimnazit, vajzat e mija të vogla, Tasha e bukur, e gjatë, plot nur dhe e qeshur. Endërroj duke ecur. Më duket jeta kaq e bukur dhe jam kaq i lumtur se pranë ndjej njerëzit më të dashur, derisa Frida sikur e kupton e më thotë: “Gjysh unë të dua sa ky liqen…” dhe hap krahët fort, fort…
(Marrë nga muri i fb. i Agim Xhafkës)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.