Polemikë gjuhësore me nji mikun tim…
Me Flamur Shabanin, kemi qenë pjesë e jetës së nji qyteti… Ruaj konsideratë për të, dhe shpesh kemi shkëmbyer e shkëmbejmë biseda dhe opinione mjaft pozitive… kjo polemikë përvec pozitives s’ka asnji mendim as qëllim tjetër… Mbetem i hapur për mendimin e kujdo që dëshiron të shprehet në kët fushë, pa cënuar etikën e sjelljes…
Flamur Shabani
Para dy netësh në TV “24 News” pashë një emision të drejtuar nga moderatorja e emisionit “Me zemer të hapur” Evis Ahmeti, e cila, për të treguar arritjet e punës njëvjeçare të bashkëpunëtorëve të saj për emisionin në fjalë, kishte thirrur në studio disa prej tyre.
E kapa transmetimin në momentin kur hyn bashkëpunëtorja nga Shkodra, e cila ndërsa ulej, iu drejtua moderatores:
-Dëgjo Evis, për hir të detyrës si korrespondente kam qenë e detyrume me folë në gjuhë letrare, por sod du me folë në shkodranisht, në gjuhën teme.
-Mirë, – i thotë Evisi, – fol si të duash. Je e lirë!
Atëhere korrespondentja e Shkodrës e tori gjithë ligjëraten në dialekt.
Nuk e ndoqa më. Ndërrova stacion i pezmatuar për papërgjegjshmëri të tilla të paraqitura në një TV publik, që ndiqet nga një numër i konsiderueshëm shikuesish të çdo moshe. Ndergjegja ime patriotike si qytetar dhe si mësues i gjuhës shqipe, që çdo ditë ngulmoj për t’ua rrënjosur nxënësve drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin mbi bazën e normave të përcaktuara që prej 40 vjetësh në një Kongres Kombëtar Drejtshkrimi dhe që kanë mbetur edhe sot e kësaj ditë të vetmet norma gjuhësore të detyrueshme për t’u zbatuar, u trazua, ngriti krye deri në përçmim për këtë korrespondente, e cila, nëse ka mbaruar për gazetari, të vetmen gjë që duhet të respektonte e të vendoste mbi gjithçka është gjuha standarde shqipe: rregullat e saj të drejtshkrimit e drejtshqiptimit.
Gjuhët e tjera kanë mbrojtjen ligjore të shtetit përsa i përket pastërtisë, ruajtjes nga ndikimi i gjuhëve të huaja, drejtshqiptimit e drejtshkrimit dhe dhunuesit e këtyre rregullave dënohen në bazë të ligjit me gjoba të ndryshme. Po tek ne deri kur do të mbetet përdorimi i saktë i standardit…? çeshtje individuale dhe preference?
E ngrita ketë shqetësim edhe për faktin se shumë mendime të ndryshme po shfaqen në masmedian e shkruar e vizive, me pretekstin e përdorimit të dialektit gegerisht në 2/3 e popullit shqiptar (duke futur edhe Kosovën). Por gjithkush duhet ta dijë mirë e t’i bëhet e njohur se nismat individuale nuk kanë vlera detyrimi, aq me pak ligjore; ndaj institucionet përgjegjëse të gjuhës shqipe duhet të ndërhyjnë vendosmërisht e forcërisht pranë institucioneve shtetërore për të nxjerrë ligje dhe atyre ligjzbatuese për të ndjekur nga afër shqetësimet që vërehen në këtë drejtim.
Marrë nga faqja e fb. 4 janar 2014
I nderuem Zoti Flamur,
Ti e di, që të lexoj shpesh dhe me vëmendje, kështu më ndodhi edhe shqetësimin tand për përdorimit e gegnishtes prej nji korrespondenteje nga Shkodra, në nji emision televiziv, dhe u mundova me e ndje dhe me e kuptue edhe rebelimin e shkaktuem te Ju, për at përdorim jo dinjitoz, në nji TV publik të gegnishtes së nji vajze të re, aq sa ju kishte shkaktue neveri deri në ndërrimin e kanalit…
U mundova me ju dhanë të drejt!
Ma mbas, në reflektimin tim, për dhanien e së drejtës së nji mësuesi gjuhe dhe letërsie, siç jeni Ju prej shumë vitesh, më shtyu me reflektue pak ma thellë mbi kët problem jo të vogël, e që prej kohe e trazon gjuhën shqipe dhe shqipfolsat, po jo aq gjuhtarët që mbeten gjithnji të mirëpaguem në përkujdesje të saj…
Mendoj se të gjithë ne duhet me e pa dhe me e ndjekë gjuhën shqipe si nji lumë që ka rrjedhë e ka me rrjedhë ndër shekuj ashtu fuqishëm, dhe jo si nji monument prej graniti që duhet mbrojtë me dekrete, ligje, po të jetë puna edhe me gjoba… edhe me pushkë…!!!
Ky problemi në fakt asht i thellë, dhe e vërteta asht se për kët gja asht folë e flitet shumë, e unë s’e kam ndërmend as me iu futë në thellsi problemit dhe as me tjerrë gjatë…
Asht ë vërtetë se sot kemi nji standart gjuhe të konsoliduem dhe ai duhet respektue prej cilido që merr guximin me shkrue apo me folë në gjuhë shqipe… dhe mundem me deklarue se mbetem nji mbrojtës fanatik i tij… po ama e gjykoj dinjitoze që nji mësues letërsie, duhet me ua shpjegue nxansave se krahas këtij Standarti, gegnishtja asht nji strukturë e fuqishme e gjuhës shqipe, e hedhun ma e para ndër karta, me dëshmi si gurë themeli dhe se në të kanë kontribue jo pak shtylla të kulturës shqiptare, prej Formulës së Pagëzimit, e shumë prej libërshkruesave të parë shqipes, (fjala vjen Buzukut iu banë 460 vite që e ka botue Mesharin), pra nji aradhe veprash, e nji pafundësi emnash, që ju si mësues letërsie duhet me i familjarizue nxanësit që me i ndje e me i ndjekë këta korifej të shqipes si pjesë e vetvedit dhe jo mish i huej. Mendoj se s’asht fort e drejtë me e përdorë me kaq lehtësi telekomandën sa herë shfaqen gegnishtfolësit, pse kështu do t’ju duhet gjithnji e ma shpesh me e shpërdorue telekomandën… Nuk asht as shenjë tolererimi, as patriotike që sa herë t’ju shfaqet Fishta edhe Koliqi, Shantoja apo Migjeni, po edhe Homeri e Virgjili, po edhe Dantja e Ariosto, po edhe Primo Shllaku e Ledia Dushi ju ta përdorni telekomandën si fshirsen e dërrasës së zezë!!! Jo! Edhe unë jam shfaqë mjaft herë si gegnishtshkrues, po kjo aspak me qëllimin me ia prishë humorin ndokujt.
E konsideroj veten nji përdorues të rregullt të standarit, dhe besoj se ti e di mjaft mirë që e foluna ime, ende s’mundet me e braktisë aq lehtë akcentin myzeqar të 35 viteve Atje, po ama kur ulem e shkruej gegnishten, e shkruej si dashamirës, e lexoj si vlerësues, e përcjell si studjues, e ndjej dhe e ndigjoj melodinë e saj dhe at pasuninë e saj shpesh të harrueme e shijoj si pjesë të shqipes dhe jo si zhargon i ndonji gjuhe tjetër, dhe as më shkon ndërmend me i diktue kujt se kush asht ma i mirë Standarti e Gegnishtja.
Asht edhe nji problem tjetër i nderuem Flamur, që s’besoj se të ka shpëtue…
Nji ditë me dekrete dhe me forcë pushteti Gjuha Shqipe u standartizue. OK… Prej asaj dite sot kanë kalue 43 vjet… Më thuej: prej asaj Dite të Shenjtë a ka ndryshue ndonji presje kjo gjuhë deri sot, a ka shqyrtue ndonji problem të rrugës, a i ka pranue ndryshimet në krejt hapsinat shqiptare, a ka ndje ndonji padrejtësi, a ka marrë ndonji masë për ata që kanë qenë të përjashtuem nga kultura shqipe e t’u bahet sado pak vend, a jo?! Se, me e ndrru kanalin TV, dhe me e vue vedin në rolin e patriotit standartizues asht ma e lehta gja që mundet me ba secili prej nesh… Problemi asht: A e ndjen ti si mësues me jua ua ba nxansave t’tu Fishtën dhe tjerët të dashtun, njashtu si ata e kanë shkrue shqipen (e pastandart)… dhe me i shty ata me i mësue sa ma shumë përmendësh prej tyne? Ky asht problemi…?! S’duhet me harrue se shqipja u ka mbijetue shekujve dhe stuhive si gjuhë e folun, dhe koha tregoi e ka me tregue gjithnji e ma fort se korifejtë e gjuhës shqipe, si Buzuku, De Rada, Frashëri, Konica, Fishta, Koliqi, Poradeci e plot të tjerë e kanë shkrue shqipen aq bukur edhe pse në kohën e tyne s’kishte standart, ata i shkuen mbas gjuhës së folun në popull dhe e çuen kët komb në piedestal, pa telekomanda…
7 janar 2015
E lexova këtë polemikë miqësore mes dy miqsh, që për fat të mirë jeni njëkohësisht edhe miqte e mi. E kisha lexuar statusin e Flamurit atë natë dhe për kuriozitet fillova ta ndjek emisionin. Edhe unë e adhuroj gegnishten, me tingëllon si melodi, por meloditë nuk tingëllojne bukur në gojën e gjithkujt. Flamurit i jap të drejtë pasi zonja edhe gegnishten e bukur e fliste keq, me një lloj përdredhje të pakuptimtë, a thua se s’kishte dëshirë që bashkëbiseduesit ta kuptonin atë cka donte të thoshte. Ndërsa ty Jozef, si studjues i gjuhës shqipe me nji kontribut të pamohueshëm të jap të drejtë se e di që të dhemb, por ti e shkruan korrekt gegnishten, edhe pse nuk merr përsipër ta flasësh, me qëllimin e mirë që mos të tingellojë keq…
Besoj këtu qëndron dhe polemika midis jush. Shkrimi më shijoi shumë.