Ky fragment është shkëputur nga libri i Maks Rakipajt
“Gjallë pas mbytjes së anijes”
dhe është botuar te Gazeta “Standard”
pa lejen dhe pa vënë autorsinë e tij.
Ai vendosi nji status ku shprehej: Jam i zhgënjyer!!
E lexova shkrimin me nji frymë
dhe e falenderova Maksin për paraqitjen me realizëm
të nji skene tragjike burgu,
ndoshta nga skenat më të bukurat që kam lexuar…
U ndjeva sikur isha edhe unë aty me të
dhe po shkoja drejt vdekjes, nuk kishte asnji rrugë tjetër.
U ndala dhe i shkrova disa rreshta edhe mikut tim ku i thoja;
Kjo nuk është vetëm vjedhje miku im,
po është edhe fyerje, edhe poshterim, edhe maskarallëk,
është jo vetëm nji metodë e vjetër komuniste
e mosvlërsimit të punës intelektuale dhe dhimbjes së burgut,
po edhe fyerje fodulle që tregon
“se ne bëjmë si të duam dhe çfarë të duam me punën tuaj…”
Janë po ata njerëz të hurit e të litarit, po ata policë modernë të Spaçit
që ende nuk njohin ndjesën, as vlerë njeriu dhe as vuajtje…
por vazhdojnë të sillen ashtu si ato paçavuret e tyre 70 vjeçare,
që mbeten shembulli me kuptimplotë i lirisë së shtypit…!!!
Gjithë të mirat Miku im…
Me lejen e Maks Rakipajt e paraqes këtë shkrim në faqen time…
jozef radi, 6 tetor 2015
Policët e Spaçit…
nga Maks Rakipaj
Dimri është mjaft i ashpër këtu në Spaç.
Era e akullt të fshikullon fytyrën njësoj si britmat histerike të policit Nikoll Pula. Disa muaj më parë më transferuan në zonën i dhe rruga për të shkuar deri në galeri është edhe më e gjatë se deri te zona II. Por gjithsesi është me e shkurtër se rruga deri në zonën i ku punova pak muaj. Polici shoqërues i brigadës në zonën i quhet Mark Tuci, prej Rrësheni. Bërtet shumë Mark T., por britmat dhe kërcënimet e tij nuk trembin njeri. Zjarrmëtari Ndrec tregon që Mark Tuci., ka një grua shumë të bukur, që është valltare e grupit folklorik të Rrëshenit dhe punon si bufiste në barin e qytetit. Marku kohën e lirë e kalon i veshur civil në barin ku shërben e shoqja. Një ditë, kur hyn Marku në bar, sheh një tip që ia kishte ngulur sytë së shoqes. Ulet në tryezën e atij tipit: “Nga të kemi, or ti?” – “Nga Tirona, kom ardh me shërbim sot”, – i përgjigjet ai tipi. “Fort po ia ngulke syt asaj bufistes, or ti!”, i thotë Marku qetësisht. “Qeka shumë e mirë dreqi!, Ehhh, lum ai që ia hyp asaj”, i thotë tiranasi. Marku, pa e prishur qejfin fare i thotë: “Qe ku më ke mu. Un ia hypi sa herë më don qefi! Po ti kris bithën e dil përjashtë me të mira, se ajo asht gruja ime, o pallavesh!”
Qejfi i Markut është të mbajë fjalime para brigadës përpara fillimit të punës. Thotë gjithnjë po ato fjalë:
“Ndigjoni ktu të dënum! Ndigjoni dhe mbushniu me mend! Kush nuk më kap ciklin asht kriminel dhe për kriminelat Mark Tuci veç nji dënim ka! Unë ju pushkatoj të dënum! Hajt krisni bithën e futniu në galeri e na qisni faqebardhë!”
Nëse ndokush qeshte, Marku ia fillonte:
“Kush krriminel asht aj që po qeshet? Pushkatimi të prêt krrriminel”
Por vetëm fjalë ka Marku, nuk ka ndëshkuar njeri ndonjëherë. Vetëm njëherë e pashë vërtetë të inatosur Mark Tuci… Një i dënuar, i ri kishte goditur një të dënuar tjetër më të moshuar pa patur të drejtë.
“Ndigjo i dënum! Nëse e përsërit ma, për qill e për dhe, po të betohet Marka Tuci, do të bohesh pishman që ke le! Hik e mos më dil ma parasysh! Nuk ke turp, si nuk t’u dhimbs, mor rrugaç! Tjetrit i ka dalë shpyrti në galeri e ti i bjen në shpulla! Turp!”
…Polici Nikoll Pula është i ri në Spaç. Mendjemadh dhe shpirtkeq. Është parë shpesh në shoqërinë e operativit të Sigurimit të Spaçit. Ka disa ditë që shoqëron brigadën ku punoj unë, këtu në zonën I. Që në ditën e parë e ndiej se nuk do t’i kem punët mirë me të.
Kur jemi të rreshtuar për të vajtur në punë, si zakonisht, pasi nxjerr një bllok nga xhepi, afrohet te të dënuarit që mbajnë mustaqe: “Maksim Rakipi je ti” Jo a, mir… Aaaa, ti qeke Maksim Rakipi, pra!”
-Rakipaj, zoti shef!
-Hajt se po e shef! – zgërdhihet polici Nikoll. -Ulni jakat e kapotave, që të gjith. Mos kena llafe kur të hypim nalt. Mos thoni që nuk ju dula borxhit!
Sado ftohtë që bën, që të gjithë ulim jakat e palltove të rrjepura ushtarake të uniformës ngjyrë kafe të burgut. Bie borë e imët, që ngrin në çast, sapo prek tokën e akullt. Era e veriut që fryn na e përplas pa mëshirë në fytyrat e mardhura. Mbërrijmë në sheshin para galerisë. Përsëri në rresht. Mezi presim të hyjmë në galeri, ku nuk ndihet të ftohtët, por jemi të detyruar të rrimë gatitu para një polici që i është mbushur mendja të bëjë pak gallatë. Vjen edhe një polic tjetër me flokë kaçurrela, Mark Gj… Edhe ky është i ri në Spaç. Nga shprehja e fytyrave të tyre idiote pritet të ketë ndonjë sherr. Por si? Ne rrimë gatitu edhe të heshtur. Dy policët na hetojnë një nga një duke na parë në sy. Kanë një ngërdheshje të shpifur. Nxjerrin nga reshti një të burgosur shtatshkurtër dhe të imët. Është Gëzim M., nga fshatrat e Tiranës, një djalë i urtë, që nuk i ndihet zëri kurrë.
-Pse e mbajte ngrejt jakën e kapotës ti?! Me mu don m’u tallë bitha jote? Hajt se po e shef tani! Hik e prit para zyrës, vrap! Edhe ti Rakipaj! Nuk të pëlqejnë urdhnat e mia ty? Pse e majte jakën ngrejt?
-Nuk është e vërtetë. Jakën e kam patur gjithmonë të ulur si gjithë të tjerët, zoti polic. – u përgjigja me zë të qetë.
-Mylle! Mylle po të tham! Ik edhe ti prit atje ke tjetri!
Dal nga rreshti. Kam kohë t’i pëshpëris Andreas që sendet e mia t’ia çojë Zydiut, dhe shkoj ku më thanë.
Ka kohë që policët nuk i rrahin më të burgosurit në Spaç. Para revoltës ndodhnin shpesh rrahje të tilla, por edhe të burgosurit hakmerreshin duke i rrahur policët kur i gjenin vetëm në galeri.
Shumë prej policëve i patën provuar grushtet e të burgosurve, të cilët kujdeseshin të mos u linin shenja në fytyrë. Policët nuk raportonin sepse rrezikonin karrierën; në rast se vërtetohej se një polic ishte rrahur nga të burgosurit, e çmobilizonin dhe e priste puna në kooperativën bujqësore. Kështu që, kur hanin dru, e qepnin gojën dhe mezi prisnin rastin të merrnin hak. Por pas revoltës së 23 majit 1973, rrahjet u ndaluan më urdhër nga lart.
Sot ç’po ndodh? Duhet të jetë ndonjë porosi e operativit Kosta Priftit, që me sa duket, i ka porositur të më japin një mësim të mirë. Brigada hyn në galeri. Dy policët afrohen te zyrat e tyre, para së cilës pres unë dhe Gëzimi. Gëzimin e marrin brenda. Mua më lidhin duart prapë me pranga, te prangat më varin një rrotë vagoni dhe më thonë të rri jashtë. Nga dritarja e zyrës duken dy policët që i ulërijnë Gëzimit të shkretë. Dëgjohen shpullat e para dhe britmat e Gëzimit, që nga dhimbja bërtet në dialektin e tij:
-Oj mome! Oj… oj… mos, mjaft… oj momeee! Oj momeee… Po ça bona mer jahu… pse po më rrifni kotnasikoti! Ububuja, oj momee!”
Policët tallen me dialektin e tiranasit të gjorë. Ajo britma e tij “oj momee” duket që i zbavit më tepër. Afrohem pak, aq sa mund të shoh nga dritarja. Dalloj që Gëzimit ia kanë hequr prangat dhe po e rrahin të zgidhur, me bishtat e kazmave e të lopatave. Largohem nga dritarja. Rrota e vagonit po m’i këput kyçet e duarve. Brenda vazhdon dajaku. Sa kanë që po e rrahin?… një çerek ore?… dy orë, një muaj, 10 vjet? Po pse nuk merr një bisht kazme o Gëzim, i ke fare afër, dreqi e mori?
Ishalla m’i heqin prangat kur të më futin edhe mua brenda për të më rrahur! O unë, o ata! Pse bëhen edhe 12 vjet burg duke duruar këta polica shtaza? Po arrita të vras ndonjërin prej tyre mbase më pushkatojnë dhe shpëtoj! Ose të dy! Do t’i vras qentë, vetëm të guxojnë të më rrahin zgidhur!
…Përmendem nga zëri i brigadierit të dënuar, që pata muajin e kaluar në zonën I. Është djalë xhaxhai me Zydi Moravën, por Zydi nuk i flet meqë ka pranuar të jetë brigadier.
-Maksi, si është puna? Ç’ne ti lidhur?
-Është Nikoll Pula. E dëgjon ç’po i bëjnë atij qyqit brenda? Po e rrahin zgidhur. Ja dhe pak vjen radha ime. M’i bëj të fala Zydiut po nuk u pamë më.
-Ika t’i them policit Mark Tuci Ai të njef ty. Aman, mundohu të fitosh kohë dhe mos bëj ndonjë budallallëk, se edhe ti kokën e Zydiut ke. Shyqyr që kalove unë se kam për t’u çuar kokat e barominave minatorëve të mi… Ika..
Gëzim M. e nxjerrin jashtë të larë në gjak.
“Lahu, mut!” Qe ku ke ujtin e fuçisë. Edhe marsh në galeri!”
Polici Mark Gj. vjen pas meje, më heq rrotën e vagonit nga prangat, pastaj më heq edhe prangat. “Prit këtu, kur të thërrasim ne!”
Duart nuk i ndiej fare. Më janë bërë gjak nga pesha e rëndë e rrotës së vagonit dhe nga të ftohtët. Policët po shplodhen pranë zjarrit duke tymosur cigaret dhe gajasen duke imituar Gëzimin: “Oj mome, oj momee! …hahha hahah … të shkërdhefsha momën, mut muti, ahahah!”
-Ajde mren ti, mustaqe! Ajde ngrofu pak, se ke mërdhif boll t’u prit përjasht… Hahahha e Nikoll a fillojm me kte?
“Lamtumirë të dashurit e mi, nënë, baba, motra, Dashi im vëlla dhe ti, gjyshe e shtrenjtë”, – mendoj për herë të fundit ndërsa hyj në dhomën e torturave.
Hyj në atë që quhet “zyra e policit shoqërues të brigadës”. Një barakë prej dërrasash dy dritare dhe një derë e ngushtë, që e shtyj dhe futëm brenda. Është një dhomë me dysheme prej dheu të ngjeshur. Ka dy dritare: një pranë derës dhe tjetra pas shpinës së policëve, njëri prej të cilëve është ulur mbi tryezë, kurse tjetri, Nikolla, ulur në karrige. Mbi tryezë një telefon dhe asgjë tjetër. Nga e majta ime, mbështetur pranë murit prej dërrase, janë nja 10 bishta kazmash. Nga e djathta, ngjitur pas murit, një dollap druri. Brenda dollapit më kap syri nja 3-4 baromina rreth një metër të gjata. Një fuçi metalike, e përshtatur për sobë, skuq nga nxehtësia. Policët duken të djersitur. Më hetojnë gjatë me sy. Edhe unë i shoh drejt në sy. Luftë nervash. Përpiqen të dukem i qetë. Do të kap barominën, përdoret lehtë dhe një goditje në kokë mbaron punë. Të parin do të godas Nikollën. Shoh që nuk e kanë atë entuziazmin e parë. Buzëqeshjet e kënaqura u ikin nga fytyrat prej idiotësh. Nikolla, si më i mençur, fillon të më pyesë:
-Nga je, i dënum?
-Nga Durrësi.
-Sa vjet je dënu?
-Më dënuan me vdekje, por më lanë 25 vjet. Kam bërë vetëm tre vjet, kam edhe 22 vjet.
-Për çfarë krimesh të kanë dënu?
-Nuk është puna jote të dish për çka jam dënuar unë.
-Ashtu, ee? Do ta marrim vesh edhe atë punë… Pa na thuj njiherë, pse shet pordh? Pse nuk i zbaton urdhnat që merr?
Mat me bisht të syrit largësinë prej barominës. Mjafton të bëj një hap djathtas dhe mund ta rrëmbej lehtësisht. I përgjigjem duke e parë drejt në sy:
-Ti e di mirë që unë jakën e kapotës e kam pasë të ulur, sepse gjatë gjithë rrugës për në galeri ke qenë një hap mbas meje. Bjeri drejt, ku e ke hallin?
-Shife more Marka Gj., si rren! A nuk e don edhe ky nji dajak si ai tjetri? – dhe çohet në këmbë. Unë bëj një hap drejt barominës. Mjafton të zgjat dorën; kam kohë t’ia hap trutë derisa të zbresë tjetri nga tryeza ku është ulur. Bie telefoni. E kap polici kaçurrel:
-Nikollë, asht Mark Tuci, të don ty.
-Përshnetje Mark Tuci! Si asht puna? Ehe… po… jo mor burrë, ça thu. Jooo, për zotën, jo… E mora vesht, pra, s’ke nevojë me bërtitë qe tash, po s’besove ajde vet ktu. Hajt tujtjeta Marka Tuci !… Ti, mushu vrap e shko në galeri! E provo mos e kap ciklin, se e shef… Ajt, zhduku!
Vdekja ishte fare pranë në Spaç.
Mjaft të zgjasje pak dorën…