back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Poradeci… Pesha e madhe e fajit Ferdinand Radi (1993)

Gazeta

Lasgush Poradeci dhe qeni i tij Cuci
Lasgush Poradeci dhe qeni i tij Cuci

Pesha e madhe e fajit…

nga Ferdinand Radi (1993)

Kujtim nga jeta e poetit të madh lirik, Lasgush Poradeci…

Kujtime Artistësh për Artistët…

Ky shkrim asht i botuem kahera.
Prej ma shumë se njizet vitesh u shfaq së pari dhe së vetmi te Arbëria 11… Atherë, kambngula që Ferdinand Radi që shpesh e rrëfente kët histori në shoqninë e tavolinave ta shkruente, pse midis rrëfimeve të tij, ky ishte padiskutim ndër ma të veçantët… po edhe ndër ma të bukurit… Nji perlë jo vetëm e kujtimeve të tij, po nji perlë edhe e jetës dhe filozofisë së Poetit Lasgush Poradeci! Nji perlë shembullore për çdonjenin prej nesh që e lexojmë, pse asht diçka që duhet të na shtyjë të reflektojmë pak ma mirë e pak ma thellë… Ky shkrim vlen ma shumë se leximi i çfardo romani, pse ka nji të vërtetë prekëse dhe njiherit aq madhështore që na mungon, dhe veç mbas leximit mund të kuptohet ajo vuejtja e madhe e Lasgush Poradecit, dhe e krejt atyne që e deshën sinqerisht kët vend… jozef radi

Ferdinand Radi (1942-2004)
Ferdinand Radi (1942-2004)

Një kujtim nga jeta e poetit të madh lirik

Lasgush Poradeci (Llazar Gusho)…

Ishte fundi i një dite të zakontë për Poetin… dhe i nji dite të pazakontë për mua…
Qytetarët e Gjolit më thonin, se Ai e kishte si  ai e kishte bërë “ves” shetitjen buzë Gjolit, ndërsa unë mendoja të kundërtën… Shetitjet dhe Gjoli kishin të bënin me virtytin e të jetuarit, me shpirtin e tij plot hapsirë dhe me artin e madh lasgushian…
Ajo pragmbrëmje në gjithçka dukej ndryshe. Rënia e gjetheve në atë fundvjeshtë, mjegulla e dendur që derdhej mbi liqen, shkretimi i fushës dhe ajo vdekje e ngadaltë e gjelbërimit… e kishin fundosur në një gjendje të çuditshme jo vetëm natyrën po edhe poetin…
E vura re nga larg, tek ecte ngadalshëm buzës së liqenit, ashtu trupvogël, vetmitar, i largët e pothuaj i shprishur nga mjegulla…
Iu afrova ngadalë e pa e trazuar… dhe u përqafuam si miq të vjetër…
Sa herë e takoja Poetin, megjithëse bisedonim për gjëra të rëndomta dhe krejt parëndësi, më dukej sikur ai befas merrte një tjetër gjendje shpirtërore. Kjo mund të mos ishte aspak e vërtetë; ndoshta ashtu më dukej mua, sa herë takohesha me të.
E vazhduam bashkë atë shetitjen në buzëmbrëmje…
E ndërsa ecnim në heshtje, nga një pijetore buzë liqenit u dëgjua një këngë melankolike, që dikush e këndonte më zë të ngjirur… Mbas pak, veç kur u dëgjua një sharje e rëndë ndaj kamarierit, i cili si duket në ato çaste po ia vononte vodkën dikujt…
Poeti i ndal dhe u kthye me pamje nga pijetorja… duke e vënë pak buzën në gaz, u drejtua nga unë dhe tha:
-Maqo Pelivani! E vetmja hare e qytetit!
Dhe e vuri cepin e buzës në gaz… Mbi liqen, dy mjelma çuditërisht të bardha, si dy zonja të rënda aristokrate, po vozisnin thuaj të patrazuara fare pranë bregut… Ai u ndal, sikur desh t’u fliste…
-Mjelmat, Mjeshtër! – u ndërfuta unë, pothuaj patakt, – Sa të bukura, mjelmat Mjeshtër!
-Eh… Mjelmat! – psherëtiu Ai, – Nuk janë të qytetit tonë… Janë mysafire… Vijnë prej larg, prej Shën Naumi… Qyteti ynë s’ka mjelma… Ka vetëm vodkë dhe vodkëpirsa… dhe heshti si të kishte rënë vdekja…
Papritur, midis asaj heshtje, diçka ndodhi… dhe zonjat e rënda aristokrate, u trazuan paksa, e humbën qetësinë, u trembën si duket… dhe me një të përplasur të fuqishmë të flatrave u ngritën në fluturim dhe tretën të zemëruara nëpër at muzg të mjegullt mbi Gjol…
Kthyem kokat për të parë se ç’kish ngjarë… dhe pamë aty pranë një djalosh të veshur ushtarak që u kishte lëshuar gjithë qejf gurë në drejtim të shpendëve! E pashë… Ndjehesh i lumtur. E pa edhe Poeti me nji shikim përçmues… të papërshkrueshëm, dhe i ndenjti përballë i qetë… si statujë.

Lasgushi me familjen... në Liqenin e Tij...
Lasgushi me familjen… në Liqenin e Tij…

-Po pse more djalë… Ato mysafire ishin… S’janë të qytetit tonë… Vijnë prej larg… vetëm për pak, për të na parë… dhe ikin në punë të tyre…
-Po ty ç’të duhet? – iu kthye i veshuri ushtarak, – Kush je ti? Ruajtësi i Patave? – dhe në fytyrë iu sajua një e qeshur sa e pështirë aq edhe fyese…
-Po jo mor djalë, ato nuk janë pata, – ia ktheu me një qetësi të habitshme Poeti – Janë mjelma!
-A ç’më çan b… edhe ti me gjithë ato mjelmat e tua! – ia ktheu ushtaraku, duke shkuar në ekstrem të fyerjes.
Gjithsesi u përpoqa ta përmbaja veten, veçse po vloja i gjithi. Qe e pamundur… se ai shpirti im rrebel tashmë kish dalë nga binarët…
-Po pse mor bir kurve, – iu hakërrova dhe iu sula si i tërbuar drejt tij – Pse përgjigjesh ashtu!!! – dhe duke vënë në përdorim gjithë zhargonin tim të ndyrë e të pasur të shqipes, në kësi rastesh, e derdha pa mëshirë mbi të… Iu turra ashtu i zemëruar dhe ai ia futi vrapit i trembur. I pataksur nga ai reagim i papritur imi, dhe nga ajo pamje prej bishe qe mora. Kapërceu kangjellat e një porte, më pas një mur dhe sa hap e mbyll sytë u zhduk nëpër ndërtesat e qytetit…
U ktheva te Poeti, pa pasur guxim ta shihja në sy. Po as ai s’denjoi fare të më vështronte… e kishte tretur shikimin në diku në pafundësi të liqenit…  dhe kushedi ç’mendonte, ndërsa me bastun rrihte ndonjë guralec…
Ashtu të heshtur e të fyer vazhduam të shetisim…
Dikur, papritmas ai u ndal, e tërhoqi shikimin prej andej nga ishin tretur mjelmat, dhe me nji qetësi, si të mos kishte ndodhur asgjë, m’u drejtua:
-E di ti, që shan bukur?!? Të gjithë shqiptarët shajnë bukur!!! E megjithatë… ti e shave fare kot atë mjeranin… Ai është krejt i pafajshëm!
-Si i pafajshëm?!? – gati sa nuk ulërita, duke mos i rënë në të llogjikës së tij.
-I pafajshën, se veprimi i tij, ka të bëjë me edukatën kombëtare… dhe heshti duke i rënë me bastun ndonjë guraleci…
Desha ta pyesja për diçka… por ai u shprish si mjegull dhe ashtu si pa u ndjerë… sikur desh të thoshte: “U thanë të gjitha!” I shkova pas pa ia ndarë shikimin. Diku u ndal. Mbasi më pa mirë në sy, i mbylli qepallat, ashtu siç bëjnë njerzit kur duan të përfytyrojnë diçka të largët e thuaj të harruar, e ndërsa i hidhte ata çapat e lehtë, nisi të fliste me një zë që s’më dukej më i tiji…

…Isha në vitin e fundit të studimeve në Vjenë. Për çudi at vit erdhi nji dimër i parakohshëm dhe i egër… një dimër krejt i pazakontë për vjenezët, që në gjuhën e tyre e quajnë “Vrapi i Stinës”.
Në të gjitha stacionet e radiove vjeneze çdo orë jepej lajmi: “Qytetarë vjenezë! Dimri i parakohshëm ka ndaluar shtegëtimin e dallëndysheve… Ju lutemi, hapini dritaret që të hyjnë dallandyshet. Është turp i madh që ato ta humbasin jetën në qytetin tonë!”

Ndodhi një çudi, një mrekulli e vërtetë… E tërë Vjena me atë dimër të parakohshëm, rrinte me dritare të hapura. Dhe radiot vjeneze vazhdonin: “Qytetarë vjenëzë. Dallandyshet e grumbulluara, vendosini nëpër kutia kartoni dhe i dorëzoni në pikat e grumbullimit më të afërta pranë banesave tuaja… Nxitoni qytetarë! Gjithë dallëndyshet e grumbulluara, do të nisen me një avion të posaçëm në Misir!”
E gjithë Vjena vraponte si ndër ethe! Një lëvizje e mahnitshme njerëzore… Burra, gra, pleq fëmijë, vajza vraponin me kutia ndër duar pranë pikave të grumbullimit… mes borës dhe të ftohtit, dhe si rradhë të gjata ushtarësh prisnin urdhërin për të shkuar në front…
Nga e gjithë kjo ngjarje në Vjenë dhe rrotull saj ngordhën vetëm shtatë dallëndyshe…!! dhe për shtatë vjet radiot vjeneze s’pushuan së foluri për kët fatkeqsi që i ndodhi qytetit të tyre…
Mbas këtij rrëfimi Poeti heshti për pak… dhe befas vazhdoi me pak buzagaz:
…dhe unë i them atij palo ushtaraku të mos i qëllojë mjelmat me gurë… dhe ai më quan mua një ruajtës hungarez patash… leri tjerat pastaj…
Ai s’tha më asnjë fjalë… u bë statuje që rrëshqiste lehtas mbi mjegullën e liqenit… Fjalët e tij tashmë e kishin humbur forcën, shpirti i tij e kish humbur qetësinë, mendimet e tija ishin ndër krahët e atyre mjelmave që iknin e iknin në pakthim…
Mbrëmja sa vinte e dendej. M’u duk sikur Ai nisi ta ndjejë të ftohtit e muzgut të vjeshtës dhe trupi i tij i imët sikur u mblodh edhe më… Silueta e tij i nxitoi hapat  midis shelgjeve lotues, muzgut dhe liqerit pakufi…
S’e mora vesh, u largua apo u venit ngadalë… pa më përshëndetur… Ndjehej i fyer nga të gjithë dhe vetëm te vetmia sikur gjente shpëtim… Asnji prej nesh nuk ishte fajtor…!!! Fajtorë, ishim të gjithë bashkë…

.
(Arbëria 11, shtator 1993)

Ditët e fundit të Lirikut të Madh...
Ditët e fundit të Lirikut të Madh…

 

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Eshtë nga shkrimet më të bukura dhe i përmbushur me shembuj nga më të dobishmit… Një shkrim mjaft reflektus për çdonjerin prej nesh, sepse na mëson jo vetëm si duhet të dimë të sillemi me kafshët, që janë pjesë e natyrës dhe të nevojshem për njeriun, por të dimë të sillemi me respekt, dinjitet dhe kulturë në rradhë të parë me vetë Njeriun!
    Me ka magjepsë me thjeshtësinë, sjelljen dhe njohurinë mbi gjithçka… Poeti! Gjithashtu dhe Aktori me mënyrën si e vlerson dhe si rrëfen çdo hollësi!!

  2. Ferdinandi Radi ka qenë i gjithanshëm: regjizor, dramaturg, aktor, humorist… dhe me këte skicë duket se i jep za asaj heshtje të stërgjatë të poetit Poradeci që gjithnji ka folë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.