Porosia e Prof. Arshi Pipës… nga Fritz Radovani
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
20 Shkurt 1991…
Rrëzohet shtatorja e diktatorit në Tiranë…
Shumë pak shtete të vogla si Shqipnia kanë nxjerrë Personalitete të Mëdha sa né!
Mund të jetë kenë mueji korrik ose gusht i vitit 1990, kur e kam ndigjue në radio “Zëri i Amerikës” tue porositë Popullin Shqiptar, pra plot 24 vjet ma parë Prof. Arshi Pipa tha: “Pa u hjekë nga Sheshi Skënderbe shtatorja e diktatorit Enver Hoxha, kurrë Populli Shqiptar nuk mund ta vendosi demokracinë…” E ndigjova, po m’u duk e pamujtun!
Prof. Petro Fundo shpesh persëriste mbas vitit 1985: “Diktator si ay, vazhdojnë për të sunduar edhe për së vdekuri.” Edhe këte kur e kishe ndigjue më dukej e pamujtun!
Me thanë të vërtetën, mbas muejt janar 1990, kur u pat ba protesta e heshtun në Shkodër për heqjen e bustit Stalinit, dhe revolta e Burrave të Malësisë në korrik, me arkivolin e Djalit të ri Pllumb Pllumbaj, para komitetit partisë me thirrjet “Poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Nexhmije kur..a!” etj… Thirrje plot duf e urrejtje për vrasësit diktatorë, na dukej vetja se jemi tue jetue “dikund” …por, gënjejmë me dashtë me e përcaktue se ku?
Data 11 Nandor 1990, në Rrëmaji, vazhdonte me na u dukë nji “andërr”… Edhe pse Don Simon Jubani, i këputi njiherë e përgjithmonë prangat e robnisë komuniste.
Na dukej nji “vegim” ardhja e Tij nga burgu i shfarosjes së Burrelit, dhe ecja e Tij Burrnore drejt Fitores për Ringjalljen e Fesë, kur shpresat tona ishin pothuej vyshkë…
Kush mund të besonte se pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, anadollaku Ramiz Alia, strukej si qen i zgjebosun nga frika e nji Don Simon Jubani, që e kishte mbajtë të pranguem mbi 26 vjet ndër birucat e akullta e të pashpresë me pa me sy Lirinë?!
Popullit Shqiptar tashma i kishte ikë frika… Ai po shihte Dritën e Lirisë së dishrueme!
U zgjuen studentët… U zgjue Kavaja… U zgjue Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë… Shkodra edhe njiherë bastion i Demokracisë…
13 Dhjetori 1990, shembi përjetsisht diktaturën ma barbare që kanë kalue Shkodranët e Rozafës Heroike… Ata të parët e shkrryen përdhé surratin e pasardhësit të sulltan Mehmetit II, që zbatoi porosinë se: “Nuk duhet të mbesi i gjallë asnji shkodran!”
A ju kujtohet çka ngjau mbi bust?
Edhe pse këto ngjarje sollën Demokracinë në Shqipni… Po mundohen me u “harrue” dhe me kenë e mujtun me u “fshi” nga Historia e Lavdishme Shqiptare.
E nuk zgjati… U zgjuen minatorët e Valiasit… U zgjuen puntorët e fshatarët e të gjitha krahinave të Shqipnisë… E ky ishte fundi i diktaturës komuniste edhe në Shqipni!
E fundi i diktaturës komuniste kërkonte shpagimin nga vetë diktatori…
20 Shkurti 1991, ishte dhe mbetet në Historinë e Popullit Shqiptar “Dita e Fitores” mbi rrënojat 47 vjeçare të komunizmit gjakatar e shpërfytyrues, Dita e Fitores mbi diktaturën komuniste që sundoi në Shqipninë Martire të Gjergj Kastriotit!
Asht Dita e Fitores, kur as armët e diktatorëve nuk mujtën me ndalue hovin dhe guximin e minatorëve të Valiasit, që e tërhoqen zvarrë bishën e ngordhun e të qelbun përgjat Kryeqytetit të fundit… që shembi komunizmin, Tiranës Heroike.
Ndoshta, them ndoshta, se shpesh kujtoj humnerat nëpër të cilat kemi kalue tash 70 vjet, e në fund çoj mendjen tek të Parët tanë që më thonin: “Ju jeni të rij e me siguri, nji ditë keni me pa Ditët e Lirisë!..” Ishte Besimi i Tyne i vendosun tek permbysja e asaj ideologjie shkatrruese marksiste-leniniste që kishte plandosë miliona njerëz në Botë!
Po edhe né u plakem… dhe po ua trashigojmë disa kujtime Brezave ma të rij, mbasi me kohë po fshihen shumë fakte e ngjarje nga Historia e Shqipnisë.
***
Një Mik i nderuem nga ShBA, (VD, të cilit i mora leje për publikim), më shkruen: “Jeta e Shqiptarve nuk vlen aq sa jeta e Jahudijve! Pse? Asnji Jahudi nuk e lëvdon Hitlerin? Gjysa e Shqiptarëve (e ndoshta ma shumë) vazhdon edhe sot me e lëvdue dhe me e vajtue “shokun” Enver. Sikurse Enver Hoxha, do t’u konsideronte nji agjent serbo-rus, (ashtu si ishte) i vumë në pushtet për me shkatrrue elementin Etnik Shqiptar në Ballkan, atëherë, ndoshta, të gjithë Shqiptarët do ta urrejshin. Pra, duhet të identifikohet “figura” e Enverit me ata të Rankoviçit e Stalinit, me Çausheskun e Rumanisë, për me krijue në gjeneratat e reja urrejtjen që meriton. Gjeneratat e vjetra janë përtej mundësisë së shpëtimit. Nuk e kuptojnë endè se të gjithë Shqiptarët janë persekutue prej Enverit. Pushkatimet dhe dënimet që janë ba prej tij, kishin për qëllim me i shti frikën në palcin e çdo Shqiptari. Kooperativat e bunkerat kishin për qëllim me e vorfnue gjithë popullin. Shkollat kishin për qëllim me e mashtrue popullin që në fëmini. Interrnimi ndër kampe ishte nji institucion skllavizimi që furnizonte krahë pune për me ushqye dhe me pasunue Bllokun e Tiranës dhe kryesisht familjen e Enverit. Fushat e Tepelenës e Lushnjës, Myzeqeja dhe minierat e qymyrit, kromit dhe bakrit janë shfrytzue me skllavët që janë plakë në kampe pune për me i shërbye Enverit falas, por zyrtarisht, gjoja pse ishin “anmiq të popullit”. Familja e Enverit asht pasunue aq sa Shqipnia ka kenë e vorfën, pse Enveri, ka shitë edhe gjakun e Popullit Shqiptar.
Duhet të përmblidhen statistika mbi sa vetë janë vra e pushkatue, sa u burgosën dhe ia shtetizuen shtëpijat e pasuninë e tyne dhe kush e çfrytzoi atë, tue fillue nga Blloku i “udhëheqsave”? Sa kjenë interrnue, si dhe ku punojshin, në çfarë konditash dhe sa e çka prodhojshin, sa u paguejshin ata?
Bota interesohet për fakte të dokumentueme me statistika, me përshkrime të kjarta e të sakta. Edhe pa u hapë dosjet mund të krijohet nji përshkrim i hatashem në kjoftëse çdo kush prej nesh, bahet dishmitar tue dokumentue informatat që ka.
Jo Shqiptarët, po edhe mbarë bota do të kërkonin hapjen e dosjeve, po kje se vehet në dritë në formë masive barbarizmi i diktatorit Enver.
Me respekt, VD…” (Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit. Fr. 2014).
***
E përballë opiumit që po i jepet përditë Popullit Shqiptar, asht e domosdoshme që në çdo shtëpi Shqiptarët sot, duhet të mbajnë nji Liber!
E ky Libër asht Libri i “Kujtesës së Historisë”!
Titulli i Librit asht: “Tyrants” nga Nigel Cawthorne.
Në librin “Tiranët”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd. Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë në faqe 172 të shkrueme me shkronja të mëdha: “Enver Hoxha”.
Aty autori i Nderuem, ka paraqitë të vërtetën e pashkrueme deri tashti për Shqipninë dhe Shqiptarët. Bota e njeh E. Hoxhen, po Shqiptarët, vazhdojnë gjumin…
Melbourne, 2014