back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Portret i Bajo Topullit dhe vdekja e tij – nga shënimet e Musine Kokalarit

Gazeta

Ceremonia e varrimit të atdhetarit Bajo Topulli
Ceremonia e varrimit të atdhetarit Bajo Topulli

Portret i Bajo Topullit dhe vdekja e tij

nga shënimet e Musine Kokalarit

Në verën e vitit 1930 Gjirokastra pati një humbje dhe një dëshpërim. Vdiq Bajo Topulli. Ishte kryetar bashkie. Veç punës patriotike, ai bëri të dielën pushim, duke zëvendësuar xhumanë (të premten).
Të gjithë e donin, e nderonin shumë, po një gjë nuk ia aprovonin në heshtje: gruan që kishte marrë. Ishte Merushja, me një ngjyrë të errët në fytyrë. Dikush thoshte se ishte cigane, dikush thoshte që kishte qenë balerinë. Po asnjëherë nuk u muar vesh me të vërtetë se ku e kishte gjetur këtë grua të egër, se ç’qe cigane apo jo.* Njeri s’kish, njeri s’i vinte nga larg. Ulërinte në banesën e saj dhe i bërtiste një djaloshi që e mbanin për shërbim. As familjarët e Bajos nuk e honepsnin. Dhe në fund, ajo e tregoi veten se nuk qe e denjë për atë burrë të ndershëm. Duke vajtur e ardhur në Tiranë, qe njohur me Mitat benë, që ish dhe miku i Bajos. Ata u dashuruan, filluan marrëdhëniet (Mitat beu qe i njohur jo vetëm si feminist edhe në pleqëri, po kishte edhe një të keqe: luante me gratë e shokëve të tij).
Në këtë kohë Bajo Topulli u sëmur, shkoi në Vjenë i shoqëruar nga vëllai. Atje i thanë se kishte kancer në grykë dhe duhej të banonte në një vend bregdetar. Kur u kthye në Shqipëri, zuri një barakë në Sarandë dhe atje kaloi muajt e fundit të jetës. Vëllezërit i rrinin pranë. Merushja e mori vesh, u kthye menjëherë në Sarandë. Shkoi në shtëpi, po Bajua e nxorri jashtë. Nuk e pranoi. Dhe kështu ai vdiq pas pak kohe pa arritur të ndahej zyrtarisht me Merushen, e cila shkoi te bejlerët e Delvinës, për të kaluar kohën.
Bajon e vdekur e prunë në Gjirokastër.
Nuk është parë varrim më i madh. Nuk ishte madhështia zyrtare, jo, po pjesëmarrja e gjithë popullit, fëmijëve, djem e vajza, që qanin me dënesë dhe me lule në dorë, që ia hodhën mbi varr. Mbeti për ne një kujtim i dashur që e mbanim në zemër dhe s’e harruam kurrë…
.
Shkëputur nga kujtimet e Musine Kokalarit, botuar në librin “Letërkëmbime, shënime, kujtime”.
***
*Bajo Topulli, burrë i vërtetë i Gjirokastrës! Patriot dhe intelektual i shquar, që gjithë jetën punoi për kombin! Fjalën e lamtumirës, në ceremoninë e varrimit, i shqiptoi gjirokastriti i madh, Eqrem Çabej! Për dijeni, gruaja e Bajos, Merushja ishte nga Kaukazi i largët! (Artan Xhaxhiu)
***
Në foto: Moment nga ceremonia e varrimit të atdhetarit Bajo Topulli. Në foto dallohen Kryetari i Bashkisë Sami Kokalari, Javer Bej Hurshiti, Qemal Kokalari e të tjerë.
Përsa i përket kësaj fotoje, ajo s’mund të ishte e publikueshme për kohën, pasi të paktën dy prej personaliteteve në foto (të identifikuar prej meje) u konsideruan armiq, madje përmenden edhe personalisht në kujtimet e “udhëheqësit”, pa u shpjeguar se ç’kishin bërë për t’u konsideruar të tillë. (Arjeta Kokalari)
.
Marrë nga muri i FB Muzeu Kokalari, 12 janar 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.