back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Portretizimi i atdheut nga Silvana Leka (Poeteka)

Gazeta

Revista Poeteka
Revista Poeteka

Portretizimi i atdheut

nga Silvana Leka (Poeteka 38)

I.Fytyra detare e fshehur pas malit

Në thellim të hulumtimit tonë lidhur me vendin që zë deti në mendësinë dhe letrat shqipe, interes paraqet edhe fakti se jo vetëm në krijimtarinë pa autor, në epos, në fabulistikë, në proverba, në mënyrat e sjelljes dhe në rituale, por edhe në krijimtarinë e autorëve tashmë klasikë për letrat shqipe, te korifejtë e tyre madje, në një momentin e ngjizjes dhe afirmimit të ndërgjegjes kombëtare, në periudhën para dhe gjatë Rilindjes Kombëtare, poetët u propozuan shqiptarëve një atdhe/ mëmëdhe me fytyrë të bukur dhe të dashur.
Vizatimin e Shqipërisë si një vend të idealizuar, parajësor e gjejmë që herët në letrat shqipe. Letra e Pjetër Budit, drejtuar Kardinalit Gozzadini, në Romë, gjatë vitit 1621, e dëshmon këtë idealizim. “Shqipnia është vendi i majmë e i mbushun me gjithçka lypet për jetesë, ka ajër kaq të butë e të shëndoshë sa s’gjindet mi faqe të dheut…, ka vise të këndshme me gjithfarë gjojet, me vena fort të zgjedhshme, me vaj e grunë të pashoq, me frymorë te panjehun, plot me luma e prozhme e liqeje me gjithfarë peshku; shkurt për mbrenda e për jashta e gjithkund duket si Parajsë toket…”
Siç vihet re, madje edhe nga përcaktimi i Budit për Shqipërinë si një“Parajsë toket” sa “s’gjindet mi faqe të dheut”, Shqipëria vizatohet si një hapësirë që, në dukje të parë, nuk i mungon gjësend. Përmenden begatitë, produktet e saj cilësore, njerëzit, ajri, lumenjtë, liqenet, peshqit, por jashtë vëmendjes mbetet deti. Deti shfaqet pak, aq pak sa mund të thuhet se përfytyrimet mbi vendlindjen që, përveç tokës ka edhe det, në letrat shqipe të asaj periudhe, por edhe në ato të mëvonshmet, janë të prirura të shkojnë më shumë drejt malit në veçanti, drejt tokës në përgjthësi, sesa drejt detit.
Edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare jemi sërish midis mailt dhe detit. Te enciklopedia historiko-gjeografike në gjashtë vëllime dhe me 4830 faqe, në KÂMÛS AL-A’LÂM të Sami Frashërit, autori, në ftesën që i bën “tjetrit” për të njohur Shqipërinë, deti thuajse mungon krejtësisht edhe pse aty përshkruhen e përmenden territore e vise, male e fusha, kasaba e qytete, liqene e lumenj.
Në krijimtarinë letrare të periudhës së Rilindjes Kombëtare vërejmë këtë prirje: përfytyrimet arbëreshe të De Radës, të Gavril Darës, Zef Serembes, njëlloj si krijimtaria e autorëve joarbëreshë, priren gjithashtu drejt atdheut, i referohen një të kaluare të lavdishme të shekujve më parë. Por “përfytyrimet arbëreshe” shkojnë drejt detit dhe në det, ndryshe nga përfytyrimet e poetëve të tjerë të kësaj periudhe që rindërtojnë kujtesën duke iu drejtuar malit kryesisht.
Poetët arbëreshë vizatojnë një Shqipëri të largët, shpesh pamje e fundit e viseve të atdheut, vështruar nga deti, vetëm pak para largimit. Kthimi pas, në epokën e Motit të Madh, është i pashmangshëm, edhe kur kemi të bëjmë me vepra liriko-epike, edhe kur lexojmë elegji apo lirika simbolike të mallit e të dashurisë.

Jeronim de Rada (1814-1903)
Jeronim de Rada (1814-1903)

“Pse të venë në det
mendimet, zemra ime?”1
apo
“Dhe ja, para sysh më dalin
Gjith’ bujarët e fuqishëm,
Të helmuar e të vrenjtur,
si m’u dukën për së largu
Çukat e maleve t’dashur
Kur iu fala që nga deti
T’fundit herë e më si pashë.
Ju, o bij të motit t’madh,
Hapët një të ndritur udhë
Në të vjetëvet thellësi.
Zulma juaj ndriçoi si djell
Përmbi botën e përmbysur;
Ajo eshtrat jua shkëlqen
Ashtu si dielli mbulon,
Edhe pasi perëndon,
Valët e trazuara
Me zjarr edhe me shkëndija.2
apo
“Dejtënori ëndrrat harron.
E ka për nuse fjamurin,
Për mall detin këndon.
“Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti,
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë.
………
Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe.”3

Këtyre pamjeve u vihen përballë përfytyrime të tjera, të cilat në përngjitjet at + dhe/ mëmë + dheun e përcaktojnë si primus, ndërsa atdheun si një botë tokësore, ku deti nuk shfaqet, fshihet apo mungon. Për ta vëzhguar më nga afër këtë prirje mund të marrin në shqyrtim vjershat e cilësuara me temë “patriotike” apo “atdhetare” të disa prej poetëve më përfaqësues, vjersha të
cilat krijojnë portretin e atdheut dhe ngallmojnë te lexuesi stampën jo vetëm se si është, por edhe se si duhet të jetë ai.
Veç krijimtarisë së Gjergj Fishtës, të cilin në vijim do e trajtojmë si rast më vete, qoftë edhe për faktin se vepra e tij, sidomos “Lahuta e Malcis” të bën të mendosh “se jé tue veshtrue popullin shqiptàr kah i këndon vedvedit, me fjalët e Fishtës, mâ të kulluetën kangë, e cila shpërthen nga nji gjak misterioz që rrjedhë në zemër të tij ilire”4, te krijimtaria e një autrori tjetër të periudhës së Rilindjes Kombëtare, te Andon Zako Çajupit gjejmë shembuj të përfaqësimeve ku atdheu nuk përkufizohet, por kufizohet brenda një hapësire më të ngushtë se ç’është ai vetë, qoftë në hartën fizike, qoftë në hartën politike.
Në vjershën “Mëmëdheu” të Andon Zako Çajupit, jo vetëm përfytyrimet, por edhe fjalëkyçet (toka, guri, shtëpia, varret) janë përjashtimisht tokësore:

Andon Zako Cajupi - Baba Tomori
Andon Zako Cajupi – Baba Tomori

“Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
dhe
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë.”5

E këtij rrafshi përfytyrimesh është edhe vjersha “Ku kemi lerë” e po këtij autori, ku fjalëkyçet vijnë sërish prej tokës, kur vjen fjala e përfytyrimit të asaj që përkufizojmë si atdhe:

“Ku i duket balta
m’ë e ëmbël se mjalta?
– Në vend të tij.”6

Hapësira gjeo-politike dhe emocionale te kjo krijimtari është malore, kulti i malit dhe i atdheut përmes tij, vjen i përfaqësuar jo vetëm nga “Baba Tomorri”7. Edhe rastet kur poeti vesh petkat e profetit dhe këshillon në mënyrë sentenciale sjelljen ndaj atdheut, ai i adresohet sërish dhe përjashtimisht tokës dhe kulturës alpine:

“Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.”

Me këto tone, trope dhe modele përfytyrohet refuzimi ndaj pushtimit dhe pushtuesit. Ky refuzim te Çajupi nuk është i llojit kryengritës, që mund të sillte përfytyrime ujore, detare, si te Fishta apo Noli për shembull, konkretisht si përfytyrimi i shkumëzimit, dallgëzimit, tallazeve të zemëruara të valëve. Ky adresim i llojit tokësor dhe i lidhur me përfytyrimet e saj sjell këtë figuracion:

“Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.
Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?”8

Në ato pak raste kur deti shfaqet në krijimtarinë e Andon Zako Çajupit, ai vjen thjesht si përmendje, jo më shumë se një mënyrë për të mbërritur në shtëpi, një opozicion i udhës dhe një kujtesë e demonizimit të detit, që përveçse të keqen e luftës dhe pushtimeve na solli edhe kurbetin.

“Shtatë dit’ e shtatë net
bëri Mitrua në det;
mbaroi udhën e gjatë
dhe vate në fshat me natë.”9

Por një nga rastet më përfaqësues dhe më ndjellëse njëkohësisht për ta marrë në shqyrtim, lidhur me përfytyrimin e atdheut si hapësirë tokësore, detare apo të dyja bashkë dhe si hapësirë e marrëdhënieve sociale, sipas mendimit tonë e gjejmë të projektuar dhe të shprehur në poemën “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit dhe te një pjesë e krijimtarisë së tij poetike që lidhet me të ashtucilësuarën “temë atdhetare”.
Poema “Bagëti e Bujqësia”, me 450 vargje, e cilësuar si vepër e apostrofimeve të mëdha me frymë romantike, me rimarrje tematike prej gjedheve të mëdha paraardhëse, si prej “Punë dhe Ditë” të Hesiodit, prej “Gjeorgjikave”10 të Virgjilit krijoi modelimin e poezisë së madhe të Atdheut.
Kjo poemë e Naim Frashërit, “me plot shembëlltyra e tablo të atdheut të tij malor”, shndërrohet kësisoj në “një himn për natyrën… me thelb realist e tokësor…” ku poeti “u këndon tufave të dhenve e kopeve të bagëtisë, si dhe gëzimit dhe djersës së jetës fshatare.”11
Padyshim që atdheu i propozuar nga Naim Frashëri është një atdhe jorealist, pasi peizazhi, për të mos thënë sureal, na paraqitet mbi realen, ndoshta jo i jashtëzakonshëm, por mbi të zakonshmen. Ky atdhe është jo vetëm një vis ideal, por edhe i idealizuar përmes vargjeve. Shqipëria e Naim Frashërit është një parajsë utopike, një vend pa të metë, ndjellës dhe grishës si për shqiptarët e larguar prej saj, ashtu edhe për shqiptarët e tjerë që jetonin aty, por që as ia shihnin dhe as ia çmonin bukuritë këtij atdheu. Po ashtu, të idealizuar janë edhe shqiptarët.
Veç tipareve të sjelljes poetike brenda kanoneve të romantizmit rajonal dhe europian, emfaza idealizuese që shoqëron çdo varg të kësaj poeme, madje edhe atëherë kur autori ndjen brengë dhe mall, vjen e përligjur. Kjo pasi poeti duket sikur po shkruan një guidë poetike për Shqipërinë. Ai dëshiron t’i ftojë bashkëkombasit e tij në këtë parajsë verbale, në atdheun virtual ku, veç bukurisë së natyrës, gjejmë edhe njeriun e punëve të stinës dhe zejeve të tokës.
Sigurisht, kategoria e vetme estetike e kësaj poeme, ku projektohet në formë programatike se ç’është, ç’duhet të jetë dhe ç’kuptim ka atdheu, është vetëm një: e bukura, Bukuria. Bukuria është arsyeja e dashurisë dhe e idealizimit. Por kjo bukuri dhe ky idealizim ka vetëm një fytyrë dhe një pamje. Ky atdhe është pjesë e një parajse vetëm tokësore, e një harte të ngulur fort dhe thellë në tokë, është një apostrofim thirror ndaj kultit alpin të malit, si tempulli i ruajtjes së vlerave.
Për një analizë thjesht formaliste, mjafton që të zgjedhim mes 50 vargjeve hyrës të poemës fjalët që na mbajnë lidhur me tokën (malet’, lisat’ e gjatë, fushat, lule, bregore, lumenjt’, çuka, kodra, brinja, gërxhe, pyje, bagëtinë, qengji, dhenë, buron ujët e ftohtë, veriu në verë, tek mbin lulja, ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija, ku mërzen cjapi me zile, pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë. Mendje! merr fushat e malet, thëllëza, qyqja, bilbili, trëndafili, shpest, kedhërit’, shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë, vashë bukurosh’e bariut, Dashi sysk e me këmborë, manar, qeni. O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija! Vinë posi mblet’ e plotë! Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat, E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat) për të kuptuar se elementi bazë i piezazhit është dheu, toka, se vetë është krejtësisht tokësor dhe mbitokësor dhe se i munguari i vetëm në propozimin që u bëhet shqiptarëve për të pasur një atdhe, është deti.
Edhe profesionet që përmenden në poemë, siç mund të vërehet lehtësisht nga leximi i tekstit, janë profesione dhe zeje tokësore, siç edhe premtohen që në titullin e veprës poetike:

Naim Frasheri - Bageti e bujqesi
Naim Frasheri – Bageti e bujqesi

“Bariu plak krrabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;”
apo
Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.”

Pa vështirësi vërehet se në këtë poemë – hymn dhe portret i atdheut, deti mungon thuajse krejtësisht (nëse nuk do të merrnim në konsideratë për ta quajtur prani përmendjen e detit në poemë vetëm në dy raste dhe në mbyllje të veprës.) Përmendja e detit vjen një herë në formë të metaforizuar dhe herën e dytë në formën e lutjeve, urimeve dhe bekimeve të poetit ndaj Perëndisë (det i paanshëm i mirësisë) ndaj atdheut të tij.

“Det i p’an’i mirësisë…”
dhe
“Edhe detit uj’ e kripë…”

Po aq sa deti, në këtë poemë mungon edhe qytetit dhe atmosfera e tij. Ky konstatim, ndonëse është paralajmëruar që në titull, na bën të mendojmë se perceptimi i autorit për një atdhe me det dhe qytet, ndihmohet dhe përligjet edhe nga vargu “Mendje merr malet/ larg, larg nga qyteti”, gjë që është në përputhje me idealin romantik të largimit dhe të mërgimit.
Deti i organizuar, me porte, kantjere, jetë detare ndodhet pranë qyteteve, ndërkohë që poema e Naim Frashërit i drejtohet një ideali të ndryshëm. Megjithatë, kjo qasje, ndonëse përligj pjesërisht mungesën e “qyteteve-port” dhe “detin qytetas”, nuk arrin të na bindë edhe për mungesën e “detit si peizazh” që shfaqet përballë maleve, që lag brigjet dhe që shoqëron thujasje në të gjithë gjatësinë e tyre viset e këtij atdheu të kthyer me shpinë nga deti. Eshtë e kuptueshme se çështja e ngulmët, që vihet re thuajse në të gjithë krijimtarinë e poetëve të Rilindjes Kombëtare dhe veçmas te krijimtaria e Naim Frashërit, është çështja e origjinave, e vendit zanafillor dhe e rolit të shqiptarëve të parë – pellazgjikë, në kulturën e kontinentit Europian duket se nuk ka qenë objekt trajtimi në këtë poemë.
Në veprën “Bagëti e Bujqësia” nuk shtrohet me vëmendje aq të posaçme, sa në poezi të tjera më të ndjeshme dhe më të shprehura të këtij autori, çështja e autoktonisë: nëse janë apo jo shqiptarët parahënorë (porselinoi), popull autokton apo popull detar. Për poetin është me rëndësi që ata njerëz janë me rrënjët aty, si malet, lisat, pyjet, lulet e Shqipërisë dhe që shqiptarët kanë një atdhe, një tokë, një truall, një at/mëmë/dhe të bukur, që u duhet bërë edhe i dashur përmes bukurisë.
Atdheu i tyre, pikturuar me ngjyra të pakursyera prej Naim Frashërit, është krejtësisht tokësor, një atdhe me fytyrë të kthyer nga elementet e tokës, nga mali i lartë, deri në fushën e rrafshët. Por ndërkohë, edhe thjesht për efekt enumerativ, përkrah maleve, kodrave, fushave, brinjave, sukave, gërxheve, duhet të shfaqej e të bëhej i dukshëm deti – ai det që jo vetëm metaforikisht, por realisht si skajim gjeografik ishte pjesë e trojeve të shqiptarëve, të cilëve u përkisnin dy dete, madje dy dete të përmendur si në mitologji ashtu edhe në histori.
Është ndjellëse t’i vihesh pas një hipoteze, e cila do të bënte të kuptonim më mirë nëse:
1.Kemi të bëjmë me një shmangie, me një harresë të këtij elementi të rëndësishëm të ‘inventarit’ të një etnie, të një populli, të një kombi, të një kulture?
2.Apo në nënvetëdijë, forma eufemike e mospërmendjes e ka ruajtuar të pandryshuar konturin e saj: qëndrimit ndaj detit si vendi prej nga në mos përherë e keqja, nuk na ka ardhur as begatia.
Për ta zgjeruar disi hulumtimin e nisur dhe për të mos e trajtuar si një fenomen të mbyllur, përveç krijimtarisë së Naim Frashërit, marrim në shqyrtim edhe disa “poezi me temë atdhetare” të Gjergj Fishtës, të dy të cilësuar shpesh si “poetë kombëtarë”.
Thuajse me të njëjtin nderim kulti, përfytyrim ndaj atdheut malor, jo aq të shprehur ndaj detit, por gjithsesi më gjithëpërfshirës në enumeracion, na vjen edhe Gjergj Fishta në poezitë e tij të përkushtuara ndaj atdheut.
Në krijimtarinë e këtij autori Gegë e Toskë janë përherë bashkë, ndërsa deti dhe mali veç; fusha e mali janë pranë, kultura detare nga ajo malore të ndara. Në poezinë e kushtore “Atdheut”, Fishta i drejtohet me adhurim pamjeve – kult, përjashtimisht tokësore të atdheut: fushës, malit, lumit.

De Rada - Fishta - Frasheri
De Rada – Fishta – Frasheri

“Por nji fushë ma e bleret nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.”

Te vjersha “Shqypnia”, edhe se fjala “det” përmendet dy herë (Dridhet toka e gjimon deti. I a lshojn udhën dete e male.) kjo fjalë jo vetëm që vjen e shoqëruar me elementet “tokë” dhe “mal”, por në vijim, kur vizatohet bukuria e atdheut, ky atdhe ka përsëri tipare vetëm tokësore:

“Fusha t’gjâna e kodra t’blera,
Zijes s’mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’Parrizit t’larmet shtroja.”
……..
“Nën nji qiellë përherë t’kullueme,
N’ reze e n’ ritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ajrí.”

Paksa më ndryshe për interpretim vjen poezia “Gjuha shqype”. Fjala “bregu”, përmendur në fund të poezisë, për të cilën megjithëse nuk mund të thuhet me siguri se është toponimi i pastër dhe i njëmendtë që ne përdorim për “Bregun” (e detit) në Jug të Shqipërisë, vlen për t’u marrë në shqyrtim dhe se as formalisht “bregu” te Fishta nuk veçohet me nistore të madhe, siç ngjet me “Malcija” – emër i përveçëm dhe lehtësisht i dallueshëm.

“Prandej, prá, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhè Malcija
Prej njaj goje sod t’brohrisin:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnija!”

Edhe pse në dukje atipike (jo për nga forma dhe emocioni) vjen poezia “I dbuemi”. Në këtë poezi, ndonëse përmenden më gjerë se kudo tjetër në poezinë e Fishtës elemente të fjalësit të detit (det, valë, zogjt e detit) …

“Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.”

…sërish atdheu shfaqet me fytyrë malore:

“Oh! Ju bjeshkët e Shqyptaris’!”

Malli për vendlindjen nuk e bën poetin t’i rikthehet brigjeve, detit, valëve, peizazhit detar, sikundërse ndodh te Dara dhe Serembe, por të kujtojë malin dhe peizazhin malor:

“Por, oh vaj!Malet e mija,
qe, po zhduken dalë-kadalë:”

Përshëndetjet e poetit i adresohen…:

“Lamtumirë, pra, bjeshkë e malë!
E ju shkrepa edhe ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale,
E ju prroje e ju gurra!
Lamtumirë, ju mriza e stana!
Lamtumirë, kumbona e berr’e!
Lamtumirë, ju fusha t’gjana,
Ju livadhe, ene ju djerre.”

E njëjta frymë vjen edhe nga poezia “Lamtumirë, vendet e mija”, një version strofik i poezisë monokolonë “I dbuemi”.
Toka, mali, si kujtim i fundit i pamjes që merr me vete nga vendlindja, përputhet te Dara (“Kënga e sprasme e Balës” – nga deti sheh tokën), te Fishta (“Lamtumirë”, “I dbuemi” – nga deti sheh malet) dhe te Naimi, në poemën “Histori e Skënderbeut”.

“Dhe shokët’ e njerëzija.
Hipnë në kuajt e shkuan
Si zogu kur lë folenë,
Njerëzin’ e përvëluan,
Shkretuanë mëmëdhenë.
Kapëtuan më tjatr’anë,
Nga mali kokënë kthyen,
Krujën e bukur s’e panë,
Më tepër u mallëngjyen;”

Poeti Naim Frashëri
Poeti Naim Frashëri

II.Raste asimetrie tematike brenda krijimtarisë me fytyrë nga mali
Oksimoroni naimian

Duke iu rikthyer Naim Frashërit si rastin më tipik vërejmë edhe se ky poet shfaq dy qasje në krijimtarinë e tij të mëvonshme dhe që lidhet jo më me poezinë, por me poemën. Të dyja qasjet poetike i drejtohen origjinave si materie narrative. Bëhet fjalë për ato origjina që do t’i përkatësonin shqiptarët si të lidhur e të shprehur më fort se zakonisht me:
-kulturën tokësore (pjesë e telurokracisë),
-me kulturën detare (thalasokracisë),
-me të dyja apo në mes të të dyjave.
Te këto dy tekste poetika Naim Frashëri shfaq disa prirje. Te poezia “Shqipëria”, për shembull, Naim Frashërit duket sikur i intereson vetëm dëshmimi për rrënjët dhe kontributet e shqiptarëve, jo më shumë dhe jo më thellë se kaq. Në vargjet e tij, veç qortimeve në mbyllje të poezisë (Shqipëri pse s’qe e zonja/ Të bënjë tri-katrë shkronja?) poeti ngulmon fort te kujtesa. Ai sikur do t’u kujtojë botës, por edhe të vetëve, lashtësinë edhe motet kur e gjithë Europa sillet rreth shqiptarëve, të cilët janë fillesë dhe qendër e Europës moderne – vetë fillimet e albanocentrizmit në fakt:

“Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjall ka qënë.”12
apo
“Atë kanë Shqipëtarët,
Si q’e kishin dhe të parët
Gërqishten ajo e polli,
Llatinishtja andej dolli.
Bijtë tanë jan’ Elinët
Sindëkur edhe Llatinët,
Edhe gjithë Evropanët,
Qi duallë nga Romanët.
Neve jemi më të parë,
Në Evropë nga çdo farë.”13

apo kur i adresohet qortueshëm Shqipërisë:

“Sikur të paskëshe shkruar,
Gjësendi s’të ish harruar,
Do të kishimë Pllatonë,
Aristotel’ e Strabonë,
Omir, Pindar e Esqille,
Dant’ e Senek e Virgjillë
Do të ish sot Shqipëria,
Që t’i mir botën zilia.
Po të shkuarat i lerë,
E mso mënt për tjatër herë.”14

Në këtë poezi fillesash, origjnash, kontributesh, nuk përmendet në asnjë rast ndonjë marrëdhënie, qoftë edhe formale e shqiptarëve me detin, ndërkohë që me me malin (Tomor) po.

“Gjithë bota vij qëmoti,
Në Tomor tek ishte Zoti,
apo
I faleshin Perëndisë,
Zotit math të Shqipërisë.
Zëri dhe flaka s’ish kot,
Që nxjer Tomori dhe sot.”15

Në një tjetër krijim poetik, te “Pellazgët-shqipëtarë”, poezi kjo me të njëjtën ndërmejdje dhe vokacion, botuar në të njëjtin vit me poezinë “Shqipëria”, por në numrin vijues (Nr. 4) të revistës “Albania”, Naim Frashëri, si rrallëherë tjetër në krijimtarinë e tij, na sjell dy grupvargjesh që dëshmojnë njëmendësi në dobi të tezës ndaj së cilës po sjellm argumente lidhur me praninë, zotërimin, ndikimin dhe marrëdhënien e paraardhësve tanë me detin dhe me kulturën detare, jo vetëm si banorë, por edhe si njohës e lundërtarë.
Për më tepër bëhet ineresant fakti se në këtë poezi origjinash, Naim Frashëri i paraqet paraardhësit edhe si banorë të tokës, por edhe si zotërues të tokave (dhenë), të detit (denë) dhe të brigjeve detare (sterenë) ku paraardhësit tanë kulturorë, heronjtë e poemave jetuan: (Duall ng’ Asia/ Si mizëria/ Dhe me ania/ E hodhë denë.), por edhe (Të tërë dhenë/ Den’ e sterenë/ Sa kombe qenë/ Në këmb’ i vumë).

“Ishte një ditë,
Që Pellazgitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë;
Duall ng’ Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.”16
si edhe
“Të tërë dhenë,
Den’ e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb’ i vumë;
Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.”17

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

III.Fishta detar

Një rast më vete dhe majft interesant për trajtim përbën poema epiko-historike me 30 Këngë dhe 15.613 vargje e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcis”. Kjo për faktin e pranisë së pazakontë të detit në poemën epike, në zemrën e “kulturës heroike të vendlindjes, të malësisë shqiptare të veriut, së vetmes shoqëri heroike të pacenuar në Evropë.”18
Padyshim që edhe në krijimtarinë pararendëse të Fishtës e kemi ndeshur detin: detin si peizash, detin si metaforë, thjesht si përmendje apo edhe detin si nëmatë etj., siç e gjejmë te “Lahuta…” (Eh ju dhaça ujuet e detit) apo në rastin e poezisë “Një gjamë dëshpërimi”:

“E mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti,
E shoftë me fise, popuj e qytete
Edhe premtoftë që dersa t’endet moti,
Kurrë lufta mos iu daftë për tokë e dete.”

Por te “Lahuta…” detin e ndeshim edhe në shumë funksione të tjera me vlerë stislitike, estetike, shenjuese, me vlera përshkrimore si në shembujt në vijim.

E po bâni e t’ kcej dalldí
Bregut detit me u baritë,
Për me u lá, për me u flladitë,
Për n’ mos daç kaluer me shkue
M’ bedeví, qi kem’ n’ katue:
Bishtalec kripin trimnue: (Koha e re)

Marash Uci e t’bijt e Calit:
Dy djelm t’letë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
Anë e m’ ânë i kisht’ rá detit. (Marash Uci)

Porsi njaj tallazi i detit,
Qi dyndë mal e bardh prej shkûme,
Dekë e mnderë tue lânë mbas vetit,
Vjen e thehet m’kep t’ndo i gûme: (Lidhja e Prizrendit)

Me i rá – detit ânë e m’ ânë (Kuvendi i Berlinit)

M’Shkam të Pejës e kû rreh deti
N’pellg të detit div shperthye,
Kur, dyndë mal, vala shkumuese. (Gjaku i marrun)

Aty gjâmë muer toka e deti.
S’i ka toka, s’ia ka deti.
Shungullue ç’ká bregu i detit (Dedë Gjo’ Luli)

Deti si simbol poetik
Deti si simbol poetik

Por ndërkaq theksojmë se është mbajtur disi larg trajtimit dhe qëmtimit të imët fakti se si “Lahuta e malcis”19, poemë që përshkruan jetën, qëndresën, luftën, mitologjinë, besimet dhe bëmat e njerëzve dhe fise të Alpeve në Shqipërinë e Veriut, se si kjo poemë që e shfaq që në titull prirjen ndaj malit dhe lokalizon toposin e vet – Malcinë, e ka në më shumë se gjysmën e tekstit të vet detin si përmendje, si orientim gjeografik (Deti i Zi, toponime detare lokale të Shqipërisë të përmendura kryesisht në “Kangë e Njizetetetët” të tilla si: Lezhë, Shkodër, Durrës, vargu 440, Rrushkull, vargu 447, Tale, vargu 410, Patok, vargu 378, Zejmen, vargu 401 apo edhe mikrotoponime si “jallija” fushë bregdetare), si përfytyrim metonimik dhe metaforik, si toponimi e viseve detare, si cilësim me emra lokalë apo pak të përdorur të anijeve (Donamet: anijet e luftës – Kangë e Tridhetët, vargjet 310-315; të guaskave-boska: karkuqagoska -Kangë eTetëmbëdhetët, vargjet 830- 835) si dhe vise pranë bregdetit – zhareve: vend me bimë knetash, Kangë e Njizetetetët, vargjet 410-415.20
Në dobi të tezës dhe të mendimeve që mbrojmë këtu, i gjejmë me vlerë për t’ia bashkuar argumentit tonë mendimet e albanologut austriak Maximilian Lambertz i cili shprehet: “Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm se ka randësi në pikëpamje artistike, por edhe pse ajo porsi vêna e mirë sa mâ shum vjet të kalojnë aq mâ vëlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekëjeve, e luftës dhe e dekës së Shqiptarëve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut. E prejsé doket e lashta të fiseve malore janë gjikue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiku i nesërm ka për të ia dijtë për nderë në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat të Shqiptarit, të përshkruem nga goja e dishmitarëve njikohësorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX me atë ndryshim të vogël, që Shqiptari pësoi çë prej kohëve të largëta të Ilito-Thrakëve”.21
Përmendja e shpeshtë e detit, me kuptime të gjera, të plota, në një ep, krijuar e mbledhur disi larg vendndodhjes reale të “detit gjeografik”, bëhet orientues për vendin dhe rolin që luan kujtesa, gjurma e kësaj kujtese në mendësi, elementetet e tjerë të besimeve apo ritualeve që zënë vend në poezinë orale apo me autor. Për t’i dhënë më shumë vëmendje këtij teksti po rendisim disa nga vargjet dhe strofat e zgjedhura mes tridhjetë Këngëve të poemës, ku përmendja e detit në veprën “Lahuta e Malcis’”, shkruar me “stil malsorisht” nga Gjergj Fishta, bëhet më e qenësishme, sidomos ku forca poetike ofron maja në poezinë e peizazhit, në poezinë me sfond dhe narracion historik, në poezinë mistike dhe mitologjike, në poezinë që përdor mjeshtërisht tropet që nga metafora e deri te personifikimi.

Vepra e Fishtës "Lahuta e Malcis"
Vepra e Fishtës “Lahuta e Malcis”

“Me u bà zot i tokës e i detit;” Kangë e Parë

Për shërbim qi i baka Mbretit tej e andej valën e detit. Kangë e Dytë

Eh ju vraftë buka e Dauletit;
Eh ju dhaça ujuet e detit Kangë e Tretë

E mârrë t’kenë do skele detit Kangë e Katërt

E si atà shkulmat e detit,
……
Vîn , plandosen per aní, Kangë e Gjashtë

Si edhè Pirri, qi, mbrefë pallën
E dalë detin si duhí, Kangë e Nandët

Thom, s’ del mâ kndej ujt e detit
…….
Si ajo vala m’ buzë të detit. Kangë e Shtatëmbëdhetët

U thyen krenat si t’i’n boska:
Si t’i’n kênë karkuq a goska.22 Kangë e Tetëmbëdhetët

N’flakë të zjarmit, n’ujë të detit, Kangë e Nandëmbëdhetët

Thue, dyndë deti prej tallazit Kangë e Njizetët

Porsi deti çue tallaz, Kangë e Njizetetretët

Kan me dalë t’Bukrat e detit
E giatë bregut, Shtouzovallet!
Ká me u thânë pulbardha e detít,
Manà, ju t’Bukrat e detít, Kangë e Njizetekatërt

Kah po siell Baca Lucë Deti,
………
Ishin breshkat, breshka detit,
Aq të mdhaja, sa ‘i samar; Kangë e Nizetepêstë

Janë pulbardhat neper
Drî, Bardh si bora n’Haramí,
M’shpinë ndonjanes ke me i kcye…
Por, aman tý t’kjosha true,
Per qafë t’sajë mirë me u shterngue…
Se ti jé nji rreze drite,
S’të ká randë pulbardha tý:
E mbi tê mandej vozite
Rrjedhes s’Drinit dér në dét.
Kúr të dalish n’atê dét,
Aty bregut ké me pá
Floçka e Kshetza ndêjë n’shullâ,
Tuj u krefë, tuj u bubitë,
Shoqja shoqen tue ngallitë
Turr e vrap nper ranë të hjedhne:
Shkaterr flokësh, rizat e zhdredhne,
Kmishat kapë me trîza t’dredhne.
Se ato janë do grá të detit,
Qi, si ushujzat e breshkujzat,
Po jetojshin n’ujë e m’tokë,
E po flitshin si tue krrokë,
Si tue krrokë, si tue gervallë.
Por me pasë per t’i zânë gjallë
E me i mbajtë te shpija niri,
Me folë shqyp zêjshin mâ s’miri. Kangë e Njizetegjashtë

N”daç per fusha e per rudina,
Bjeshkë e vrrî edhè zallina,
Me kullosa e tokë t’punueme
Me liqêj, me prroje e lume:
Kroje fushës e gurra shpatit:
E puthë deti per s’të giatit:
Peshku plymë nder kalimere:
Gjâja e gjallë reshë shqere shqere:
Endë mëndashi e endë hardhija:
Ambel synin t’mushë robnija:
N’shndet kerthneset mare natyra,
Qiella kthiellet si pasqyra:
Sh’Ndré në bjeshkë e Sh’Gjergj në vrrî:
S’ká mâ bukur n’rrokullí.
Me na pasë gjithkush lakmí. Kangë e Njizeteshtatët

Aty gjâmë muer toka e deti.
………
Se me djelm qi ká mbas veti
S’i ká toka, s’i ká deti:
…………..
Shungullue ç’ká bregu i detit
Kúr Malcorët msyn m’askjer t’Mbretit,
………….
Si ‘i kulsheder dalë prej detit,
Maça Grizhi t’madhe bzâni: Kangë e Njizetetetët

Si dý rê qi ‘i natë dimnore,
Njana shkputë prej jugut fíll,
Turr lshue tjetra rribës verjore,
Vîn e ndeshen per nen qiell:
E kû t’ndeshen nper ajrí,
Per mbas rrymet qi i ngarmon,
Si kulshedrat me furí,
Njana m’ tjetren rrebtë sulmon:
Edhè at herë, ashtû t’u bue,
Flakë per flakë i a ep vetima,
Lvitë rrfeja tue vershllue,
Rreh permnershim bumbullima,
Ushton toka, gjimon deti,
Edhè brej, aha e çetina
Rriba e erës i rrmen me veti
Si ato coklat nper zallina:
T’i a ep breshni edhè shtergata,
Shamen currat gjatë rrmoreve,
Prroje e shé nper gryka t’thata
Gallamarde rrmejn fushoreve: Kangë e Njizetenandët

Ç’merr prej Shkodret del n’ Janinë
Për urë detit ajo shtrî,
N’dorë me pushkë nuk e pat shtî,
Si Greqín e njat Serbín
……….
Donamet n’Shqypní kann çue,
Kû Admiralat m’ breg sa dolen, Kanga e Tridhetet

Duke iu rikthyer çështjes së fytyrimit të atdheut poetik, atdheut ideal të poetëve shqiptarë të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë, mund të themi se përfytyrimi i atdheut prej poetëve si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Andon Zako Çajupi, madje deri edhe te Ernest Koliqi dhe propozimi i tyre mbi ikonën e atdheut, pikërisht si një at/mëmëdhe më shumë tokësor sesa me të dy elementet tokë – det, ndikoi edhe në krijimin e një tradite shkrimore të ngjashme me thelbin konceptual dhe frymën e romantizmit ballkanik në momentin e krijimit të shteteve kombëtare.
Kjo qasje bëri të mundur dhe lehtësoi punën që këtij idealizimi t’i bashkangjitej lehtësisht edhe ideologjia e viteve në vijim. Përfytyrime, simbolika dhe asociacione të ngjashme të atdheut – tokë, por jo edhe det, mbetën sunduese edhe për poetët e shkollave dhe metodave të ndryshme krijuese që u shfaqën më pas në letrat shqipe.
Letërsia pas viteve ‘50, ruajti ndaj atdheut të njëjtën qasje. Ajo i krijoi atdheut një aureolë të re, që iu mbivendos të parës: himnizimin e atdheut jo për shkak të së kaluarës, por sidomos për shkak të së tashmes dhe mbi të gjitha të së ardhmes. Adhurimin jo thjesht për shkak të historisë dhe gjeografisë, por për shkak të ideologjisë socialiste. Këta autorë shqiptarë gjetën në këtë sjellje arketipin ndaj atdhekrijimit, përfytyruan një atdhe të idealizuar dhe utopik gjithashtu. Deti në këtë qasje mbeti po ai – vendi prej nga mbërriti rreziku. Bajlozi i zi u shndërrua në armik ideologjik, imperialist apo revizionist me njëqind ngjyra. Atdheu i letërsisë së këtyre viteve e më pas, është jo larg përfytyrimit dhe realizmit romantik të rilindasve. Është një bashkim i romantizmit ideologjik dhe futurizmit. U emetua stampa e një atdheu me fytyrën e qëndresës, kthyer me sytë nga mali, i identifikuar me simbolikat e lartësive, kështjellës, vetmisë, mbylljes, i mbajtur disi larg detit, i drojtur dhe i trembur prej detit, një atdhe pa det të përmendur bindshëm si ndikues në jetë, mendësi dhe kulturë. Edhe në ato raste ku deti është i pranishëm në letrat shqipe, si i përshkruar apo i përmendur, kjo përmendje ka ardhur si periferi e atyre funksioneve që krijimtaria letrare i ka njohur detit. Kjo, qoftë në përkufizimin e përgjithshëm të vendit që zë dhe rolit që luan deti në letërsi, ashtu edhe në krijimtarinë e emrave më të spikatur të letërsisë në rrafsh botëror, që krijimtarinë e tyre e mbështetën mbi temat dhe subjektet detare23. Temat e detit, si instrument i një qëllimi të epërm hyjnor, duke filluar që nga tekstet e shenjta (si për shembull temat e kërkimit, të aventurës, të ndëshkimit, të ndriçimit, hyjnizimit, providencës, pastrimit shpirtëror, për të ardhur më pas në temat e detit si ndërmjetës, bashkues për njeriun lundërtar, dilemat dhe deliret, gjendjet e vagullta shpirtërore, perspektivat deri në unifikim të njeriut me natyrën, të qëndresës dhe dobësisë përballë furisë detare, zejet detare të ndërtimit të anijeve, të navigacionit, të peshkimit dhe besimeve që erdhën prej detit, të pushtimeve dhe përcjelljes së kulturave, vetë deti i vëzhgimeve, metaforika e detit, heroika e detit, romantika e detit, kthimi në gjenezat kur ujërat ndaheshin nga ujërat) patën pamjaftueshmëri qasjesh dhe afrish për letrat shqipe. Me gjithë ngulmimin, jo aq lehtësisht mund të gjenden në letrat shqipe raste aq të begata ku temat prej lashtësisë homerike (temat e lundrimeve, të vetmisë, të pafuqisë romantike, kodifikimit dhe misterit të simbolistëve, të lirisë, temat e mërgimit, të vdekjes, të ndëshkimit dhe përvojës, të fuqisë, thellësisë, të rilindjes, madje dhe vetë multivalenca dhe bivalenca e së Mirës dhe e së Keqes që deti mbart në vetvete, simbioza e fatit të njeriut, fataliteti dhe transhendenca, të shprehen aq qartë sa të na bindin se, me gjithë përjashtimet, të cilat i marrim në shqyrtim në vijim të kësaj teze, deti ka qenë një temë dhe trajtesë e qenësishme për vepra të njëmendtta dhe të plota letrare.
Prania e këtyre veprave do të përmbushte dëshirën që edhe në letrat shqipe, sidomos në ato që u shkruan brenda kufijve politikë të Shqipërisë, deri në kufirin e mbramë të shekullit XX, deti të ishte një hapje, një grishje e madhe tematike. Është pikërisht kjo prani e vagullt, që mund të quhet një ndëshkim me heshtje, me mospërmendje, si një formë e demonizimit estetik ndaj detit.

1.Jeronim De Rada, Këngët e Milosaos, Kënga V, Shtëpia Botuese “Argeta”, Tiranë 2009.
2.Gavril Dara (i Riu), Kënga e Sprasme e Balës.
3.Zef Serembe, Dejtënori (Detari).
4.Ernest Koliqi, Genesi del poema “Il Liuto delle Montagne” di Giorgio Fishta, dispensa dattiloscritta, Roma.
5.Andon Zako Çajupi, Mëmëdheu, Vepra, V.I, “Baba Tomorri”; ”Vjersha të tjera”, Toena, Tiranë 2008.
6.Andon Zako Çajupi, Besa – Besë, Vepra, V.I, “Baba Tomorri”; “Vjersha të tjera”, Toena, Tiranë 2008.
7.Andon Zako Çajupi, Ku kemi lerë, Vepra, V.I, “Baba Tomorri”; “Vjersha të tjera”, Toena, Tiranë 2008.
8.Andon Zako Çajupi, Besa – Besë, Vepra, V.I, “Baba Tomorri”; “Vjersha të tjera”, Toena, Tiranë 2008.
9.Andon Zako Çajupi, “Kurbeti”, Vepra, V.I, “Baba Tomorri”; “Vjersha të tjera”, Toena, Tiranë 2008.
10.Për më shumë shih: Robert Elsie, “Historia e letërsisë shqiptare”, fq. 120, Botimet Dukagjini, Pejë 1996. 11. Po aty.
12.Naim Frashëri, “Shqipëria”. Botuar për herë të parë në Rev. “Albania”, Bruksel, 1897, nr.3, f.34-35.
13.Po aty.
14.Po aty.
15.Naim Frashëri, “Shqipëria”. Botuar për herë të parë në Revistën “Albania”, Bruksel, 1897, nr.3, f.34-35. 16. Naim Frashëri, “Pellazgët-shqipëtarët ”. Botuar për herë të parë në Revistën “Albania”, Bruksel, 1897, nr.4, f.50.
16.po aty.
17.Po aty.
18.Rreth trajtimit epikës dhe heroikës shih Robert Elsie: “Historia e letërsisë shqiptare”.
19.Citimet prej këtej e në vijim janë mbështetur në versioni “Lahuta”, Botim i II, Romë 1958.
20.Idem.
21.Lambretz, Maximilian: “Gegj Fishta und das heldenepos Lahuta e Malcís”, Leipzig 1949, fq. 75 – 6.
22.Boska: krypca.- kakruq: arra (Mird.).- goska: goca deti
23.Për më shumë rreth trajtimit të temave detare në letërsi të mbahen parasysh tekstet letrare të Homer, Daniel Defoe, John Keats, Walt Whitman, Herman Melville, R.L.Stevenson, Edgar Alan Poe, Joseph Conrad, Samuel Taylor Coleridge, G.Byron, Hans Christian Andersen, Stephen Crane, Jack London, John Steinbeck, Ermenst Hemingway, Derek Walcott etj.
Marre nga Revista Poeteka 38 (faqe 118-139)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.