back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Postmodern – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Herë-herë ndaj me ju miq krijimet e mija poetike në FB.
Por ndërkohë lëvroj edhe prozën artistike si përçuese
e ndjesive të mija letrare e të filozofisë time për jetën dhe artin.
“Postmodern” është njëra nga këto shkruar dhe botuar mbi dhjetë vite të shkuara.
Për natyrën e postimeve në FB është e gjatë, por ju premtoj se lexohet shpejt? 

Postmodern

nga Artan Kafexhiu 

Zentana është një vend po aq hipotetik sa ç’mund të jetë i vërtetë. Është një nga ato vendet që anglishtfolësit i quajnë “borderlands” (toka periferike, kufitare), jo më shumë për gjeografinë, sesa për gjeokulturën apo gjeopolitikën e tyre.
Njëlloj pastiço politike, ku të treguarit e historisë humbet nën terrenin thithës, gllabërues, të shumëllojshmërisë fetare apo të tarikateve politike. A më lejohet të përdor sarkazëm? Nuk e di, por përderisa më duhet të mbetem i vërtetë, rrezikohem të bie prè e një përafrimi të tillë. Hej! Në cilin planet ndodhesh ti! Jemi në epokën globale të një miqësie të thellë ndërkontinentale.
Njerëzit duhet ta ndjejnë këtë. Ah, harrova të përmend edhe bumet e fundit të Jahovait e kombinimet Maore-Bahiste. Njerëz çfarëdo, ngado, qofshin postsurrealistë apo postdadaistë, kur gjuhët i përziejnë, fragmentojnë ndërhyrjet me prezantimet shumëngjyrëshe, të krijojnë përshtypjen se gjuha na qenkërka veçse metropolitane.
Rastësia e momentit, na ka bashkuar të gjithëve, pa përjashtim, në kopertinën e të njëjtit eveniment historik që quhet tranzicion. Për saktësi të vendndodhjes, duhet të them që në krye, se bëhet fjalë për tranzicionin në Zentana, një lloj Ruritanije, sikur të ishte një motërzim postmodern me Shqipërinë “në tranzicion”. Po si mund të harrojmë ne, aleancat e përngjasimet globale!
Tranzicioni në thelb, duke qenë një sistem jo në balancë, i lënë jetim, mund të marrë edhe një konotacion negativ. Përshembull, tranzicionin fare lehtë mund ta përqasësh me baltosjen, që vjen pas reshjeve të rrëmbyera të shirave vjeshtake. Zentana në tranzicion, është njëlloj; një gjendje e pabalancuar e me shumë baltë. Të gjitha arritjet e mëdha dada-surealiste për t’iu afruar apo përkufizuar sadopak të vërtetën në Zentana, u shkërmoqën dhe u tretën, njëlloj si ato kështjellat e rërës nën baticën e mëngjesit.
Zentana e mbetur pa kështjellat e rërës, shtriqet nën diellin e një mëngjesi të ri, pa ditur e mësuar akoma përkatësinë dhe të vërtetën rreth saj. Nuk është as kristiane, as muhamedane, as perëndim, as lindje, as kapitaliste, as socialiste, as e djathtë, as e majtë, as duke u ngjallur, as duke dhënë shpirt, as… as…
Balta, baltosja fizike në trotuare, rrugë, sheshe, madje balta që futet deri në shtëpi është e shëmtuar. Por kurrsesi nuk është aq e frikshme. Baltosja shpirtërore, pezullia në ndërgjegjen e mendjen e njerëzve, ajo është vetë llahtaria. Kjo ndodh, kur të gjitha gjuhët janë në kokat e gabuara, kur fjalët edhe njerëzit përzihen. Kjo baltosje dyfishe, nuk është gjë tjetër, veçse një sistem i kalbur kokë e këmbë.

***
Në kopertinën e këtij tranzicioni, për shkak të perspektivës akoma tepër në modë postdada-surealiste, me shumë vështirësi mund të më pikasësh. Kam qëndruar krejt i skajshëm, në trotuarin përtej, duke soditur e u zbavitur mes turmës kalimtare. Përbri meje dëgjohet një postsurealist tek i drejtohet mikut të tij postdadaist: “Në këtë pikë, të dy jemi njëlloj. Ne besojmë që ëndrrat kanë rëndësi. Ne besojmë që ekziston një lidhje bashkuese, e cila nuk ka të bëjë aspak me psikologjinë e veçantë të kombeve. Është një marrëdhënie themelore mes kombeve që i rrafshon kufijtë. Gardhet janë vetëm në kokën e tribaleve, bota është një rrafshnajë pa gardhe.” Dadaisti i ekzaltuar, me imagjinatë, në kokën e tij ndërkohë, duket të kishte krijuar një përzierje të re, një bashkësi dadaiste. Një kombinim i tillë dadaist në kohë e hapësirë, me siguri që mendjen time të thjeshtë e konvencionale do ta kishte hedhur në një konfuzion total. Unë po mbaja frymën, për të dëgjuar reagimin e tij. “E vërtetë, përse bota perëndimore është kaq konservative me të ashtuquajturën mos përzierje e ruajtje të paprekur të vlerave? Për kë e ka fjalën? Mos e ka fjalën për traditën katolike? Për civilizimin greko-romak? Apo ndoshta për hegjemonizmin kultural anglo-sakson? Unë dua të përziej gjithçka, më kupton, gjithçka, në një transhendencë objektesh e kulture, ku ato të humbasin format e ngjyrat që i dallon si të veçanta, dua ti bëj të gjitha mishmash, duke bërë kollotumba. Unë nuk mund t’i shoh gjërat e ndara, dua ti shoh të fluturojnë në një hapësirë”.
“Ta qaj hallin or mik!”, – e ngushëlloi sakaq me një ton dashamirësi surealisti. “Po na zë frymën ajo ndjenja e superioritetit anglo-sakson, ai impulsi i racës së zgjedhur të borgjezit perëndimor. Është një superioriet që ka glorifikuar injorantin dhe filistinin”. Uhhfff… Gjuha po më lëvizte brenda kafazit të gojës, që mbahej e mbyllur nga një përpjekje e sforcuar e muskujve të nofullave. “Ja, më në fund dy mendje gjeniale! E shikon, të gjitha mendjet e mëdha punojnë njëlloj”. E dëgjova zërin tim të shurdhët thellë në brendësi. “Por ndalo more një minutë, e rrumbullako ato cepat e kokës të shëmtuar e me gunga. Ka edhe një mënyrë tjetër të menduari, që ti nuk ke mundur ta mësosh në ato ekzaltimet masovike të të folurit me zë të lartë e me gjeste për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve”. Patjetër që më duhej të thërrisja në ndihmë farefisin tim tribal nga Afrika e Jugut, për të treguar se superioriteti njerëzor, nuk i takon një kulture të vetme apo një race të vetme. Duhet t’i tregoja se çdo kulturë racore a etnike ka pjesën e vet superiore, që e bën të rrijë serbes e dinjitoze mes kulturave të tjera.

***
Sikur të më kishte dëgjuar monologun tim të brendshëm, surealisti vazhdoi bisedën. – “Çfarë? Ti do të thuash se nuk i përket asnjërës nga ato që përmenda? Por ti duhet të jesh diçka. Patjetër që ti duhet të jesh diçka. Ja për shembull, unë jam një surealist. Në të vërtetë, thellë-thellë, unë jam thjesht një poet, por që besoj thellësisht në surealizëm. Unë urrej gjithçka që nuk është mohuese, karshi gjithçkaje tjetër. Jam thjesht një zotëri, një xhentëlmen nga rrethinat e Rambamit, që zbavit veten me poezi, duke pikturuar gjithçka në një kompleks ngjyrash, ku përzihet e kuqja, e bardha dhe e zeza. Më kupton, jam një xhentëlmen përparimtar i rrethinave, më saktësisht i çfarëdo rrethine. A më kupton se çfarë dua të them?”. Dadaisti sakaq tundte kokën, kësaj radhe pa nxjerrë as edhe një pasthirrmë. Surealisti po e zbaviste pa masë. Dehjes së tij të zakonshme dada-artistike, po i shtohej një ndjenjë e një dizintegrimi total të gjuhës së artikuluar e të plastikës së formave fizike përreth. Nga artisti avand-gard revolucionar, ai ishte shndërruar në një artist i botës, një superkapitalist, me një market për ta patur zili. E tani jetonte në një dehje të vazhdueshme në zemër të qendrave luksoze – Paris, Londër, Nju Jork, Berlin, Romë. Për një moment sytë iu errësuan. Sikur ti ishte zgjuar ai instinkti vrasës thirri: “Unë e di se çfarë je zotrote! Eureka! Ti je një relike e kaluar, një aristokrat, një borgjez! Si mundem t’iu harroj unë juve, si mundem të mos e njoh unë një aristokrat apo borgjez zentanas! Hahaha! Ku është ajo bota dhe pjesa e juaj. Unë punëtori i botës, një artist i vërtetë, ua ktheva botën përmbys. Tani e sheh, unë mbretëroj. Jam superkapitalisti më i ri i botës. Por nuk e kam harruar ngjyrën e kuqe, atë të kuqen time tepër të ndezur. Mund t’ia dallosh feksjet e saj, si ato që kanë mbështjellë Lamburginin tim, parkuar në anën tjetër të rrugës. Pas një hezitimi disa sekondash, arrita të frenoja impulsin e parë për t’iu bashkuar dialogut të tyre. Shumë fjalë të thëna me pasionin e vërtetësisë, nuk janë po ashtu aq të vërteta. Sigurisht, nuk mund t’i shpëtoja përshtypjes se këta dy zotërinj, thjeshtë po zbavitnin veten. Unë ndërkohë, nuk kisha dëshirën më të vogël të mbroja Perëndimin në vazhdim të monologut tim.

Ziso Kamberaj - Totem der Moderne
Ziso Kamberaj – Totem der Moderne

***
Asnjëherë nuk kisha besuar, se e kuqja e Lamburginit të dadaistit, do të më bënte mua më të pasur. Por e dija që kompleksi i të kuqes së ndezur në mendjen e tij, afërmendsh do të ngrohte vetëm xhepat e tij, duke futur një çikëz(…) para në to. Mendja e tij, gjithmonë kishte qenë novatore. Ai kishte demonstruar atë, që unë nuk kisha mundur ta mësoja kurrë. Gjithmonë, ai kishte qenë një radikal e njëkohësisht gjithmonë kishte ndërruar kurorën politike të artit të tij, kur ishte dashur të përvetësohej e eksperimentohej një art i ri. – “Ah ju zentanas aristokrato-borgjez, ju nostalgjik i botës së kalbur e të përmbysur! Përse zotrote, nuk të pëlqen novatorizmi dhe radikalizmi i artit dadaist? Vetëm ky art i hap derën artistëve dhe poetëve që duan të eksperimentojnë.” Pavarësisht se toni i tij përpiqej të më transmetonte përshtypjen e një personi të fyer e në indinjatë, nuk më shpëtoi buzëqeshja e fshehur tinzake, që tradhtohej nga kapaku gjysëm i mbyllur i syrit të djathtë. Gjithmonë më kishin zbavitur masovikët. Në adoleshencë kisha patur një ndjenjë të ngrohtë për të dy palët, surealistët e dadaistët, e ëndrrën e tyre avand-garde, “…lëvizja jonë synon të shkatërrojë shoqërinë e artin plotësisht të kalbur perëndimor”, për mua kishte qenë një zbavitje, një nga ato ushtrimet kaq të domosdoshme për zhvillimin intelektual, por për fatin e mirë, tepër kalimtare. Ishte kufizuar në literaturë, e deri diku në ndonjë ndryshim të stilit të flokëve, modës së veshjes, e mbajtjes në qoshkun tim të dhomës, të ndonjë riprodhimi abstrakt dada-surealist pa vlerë, të blerë ilegalisht nën dorë, prej artistësh të dorës së dytë. Adoleshenca mendore, apo papjekuria, është faza e mungesës së balancës hormonale. Kjo e shkaktuar nga zhvillimi e rritja e menjëhershme e pjesëve të trupit, por e pa mbështetur prej baraz-zhvillimit të intelektit. Siç duket shprehja “mendje adoleshente”, e ka këtu zanafillën, duke dashur të përshkruaj dikë të papjekur intelektualisht, që s’mendon thellë, apo akoma me një cektësi kulturore. Ka njerëz, e ata nuk janë të pakët, që mbeten adoleshentë deri në fund të jetës së tyre. Në rastin më të keq, ka edhe kombe, që për shkak të një papjekurie masive të popullsisë, të ngelen psikologjikisht adoleshentë, të papjekur, e mjerisht, mizorisht emocionalë. Nuk di, por ndoshta për shkak të një vjeshte të gjatë në shpirtin tim zentan, në atë baltosje të Zentanës, më ishte ngjitur me kokëfortësinë e një gjetheje të vyshkur pas këpucës, një mendim i zymtë, i pashpresë. Konstatimi e konkluzioni im është se Zentana me popullsinë e saj kishte qenë ajo adoleshentja, shpesh edhe emocionalisht e trazuar.

***
Tranzicionet në Zentana apo “in extremis”, revolucionet, janë shfaqur historikisht në intervale po aq të rregullta, sa edhe ciklet mijëra vjeçare të ftohjes e ngrohjes së planetit tonë. Ato kishin qenë tepër tërheqëse për adoleshentët, ato romantizonin dashurueshëm me masën e papjekur, që ne jemi mësuar ta quajmë turmë. Tranzicionet ishin e vazhdojnë të jenë tepër të çuditëshme në Zentana; për të finalizuar qëllimin e tyre ato përdornin të njëjtën strategji të suksesshme. Së pari, e së fundmi, ato ndërronin renditjen e virtytit dhe nevojës. Ato shndërrojnë si pakuptuar çdo gjë të nevojshme, në virtyt. Më në fund, u zgjova nga përsiatja ime. “Por të më falni, nuk mund të jesh një politikan e artist njëherësh, e nëse ke fatin të jesh i dyti, më mirë ngel i tillë. Nëse ke vendosur të jesh politikan, ndoshta është një nevojë e juaja për të siguruar pushtet rreth vetes. Kjo sigurisht do të detyrojë të shkruash e të thuash plot broçkulla. Ngelet gjithmonë për tu pyetur: “Është niveli juaj mediokër i intelektit, i shoqëruar me budallallëqe të momentit arsyeja, apo është thjesht një strategji për një mision të madh, të fshehur, pra maksima makiaveliste “mjeti justifikon qëllimin”?

Globalizmi... sipas Salvator Dali
Globalizmi… sipas Salvator Dali

***
Surealistit sikur i ishte hapur qielli. Fytyra ju çel nga afeksioni i ngrohte për fjalët e thëna nga mikut të tij dadaist. “Imagjino se çfarë do të thotë, kur çdo vepër arti e shkruar apo e vizualizuar që ka bërë epokë këtë shekull, ka pasur nevoje për një literature të tërë për t’u shpjeguar. Çdo gjë që është klasike mund të kuptohet me një shikim, nuk ka asnjë përmbajtje sekrete për të kërkuar shpjegim. Sot asgjë nuk mund të më sigurojë mua për realitetin, as saktësia e logjikës, as forca e të ndjerit. A nuk mund të ndodhe fare mirë, që gjithçka nga ky super-realitet, prej ku mbështetemi për të udhëhequr ekzistencën tonë, të mos jetë një delir i interpretimit tonë. Siç mund të kuptohet nga të gjithë, nuk ka ndonjë sekret të fshehur kombinimi i thjeshtësisë dhe madhështisë të Homerit. Por ndryshe qëndron puna me artin tonë. Arti jonë ka një forme të veçantë. Është pikërisht mistifikimi i tij, që fsheh atë dëshira përvëlonjëse për përjetësi dhe pushtet. Prandaj ne preferojmë më shumë ta quajmë artin tonë, një ënderr se sa art. Ne, surealistët, pavarsisht nga ngjyra që pëlqejmë më shumë, e kemi mbështetur gjithmonë tranzicionin tonë në Zentana, në principin diabolik të super-realitetit. Endrra t’i imponohet të jetuarit material të jetës. Pra duhet që arti, pra ëndrra, të transhendojë në jetën tonë duke e shndrruar atë, duke u berë njësh me fantazinë tonë. Arti bëhet jetë. E nëse arti është militant, i zjarrtë, edhe jeta jonë bëhet militante dhe e zjarrtë. Përse, të pakta kanë qenë rastet kur me artin tonë, kemi realizuar mrekullira. Kemi evokuar logjikën e një terrori patologjik, me vargje të mrekullueshme e kurrajoze, kemi glorifikuar impulset që kanë tronditur moralin borgjez nga themelet. Përse duhet të pengohet një ëndërrimtar i tillë me një frymëzim të tillë oqeanik? Këtë unë nuk mundem ta kuptoj?! A nuk është poeti një shpirt modern i revoltës të ndërgjegjëshme kundër ethosit të kohës?”.

***
“Por Zentana nuk është rasti për t’u bërë radikalist. Është shumë e varfër për të mundur të përballojë një lluks, një aventure të tillë përsëri, me ato thërrime arti që i kanë mbetur të shpërndara andej-kendej.” – nuk m’u durua mua më në fund. Por për fatin tim të mirë, përsëri gjithçka ishte nën kontroll. Fjalët akoma të paartikulluara kishin vërshuar vrullshëm nga ngarkesat neurotike elektrike të trurit në kafazin e gojës, e ishin tulatur përsëri atje. “Zentana kurrsesi nuk mund të marrë më në mbrojtje një kurorë politike, apo të eksperimentojë më me artin e saj.” Dadaistit kishte filluar t’i ndizej fytyra, siç duket nga një ngritje e lehtë e tensionit të gjakut. – “E vërtet, përse artistin e revoltuar me realitetin, novatorin, duhet ta bëjmë një dhuratë-kurban, duke e viktimizuar tek filistinët? Si është e mundur që ju nuk e mbështesni një artist të tillë? Si mundet që vetëm ne e mbështesim artin origjinal?” – unë e kisha përgjigjen në majë të gjuhës. – “Por ju vetë jeni ata, filistinët. A nuk e shikoni që këtë botë kaq konfliktuale ju vetë po e krijoni? Forca intelektuale është gjithmonë pushtet, apo jo? E ju, doni pikërisht këtë force ta bëni monopolin tuaj. Ju doni ta grumbulloni si energjinë e një oqeani, e ta përdorni për qëllimet e juaja krejt të mbrapshta. Intelekti, për arsye të natyrës delikate të trurit tonë njerëzor, e për shkak të një shfrytëzimi të tillë djallëzor në Zentana, është varfëruar e ka degraduar pothuajse fare.”

***
“Çfarë thua ore! Ne filistinë! Si merr guximin të na akuzosh se kemi varfëruar e degraduar intelektin e kulturën në Zentana?” – E kuqja e fytyrës së dadaistit u bë edhe më e ndezur, por unë duhet të ruaja gjakftohtësinë. Vetëm kështu do të mundja të gërmoja pak me thellë në botën e tij. Nuk kërkon inteligjencën e një gjeniu për të kuptuar që e përditëshmja, e në mënyra të ndryshme jeta është e mbushur plot me gjëra të shëmtuara e qesharake. Njëra nga këto, padyshim është që të gjithë ne njerëzit, pa përjashtim, e perceptojmë vetveten, ose tepër njerëzorë, me një mirësi rrezatuese të dukshme, ose jashtëzakonisht tërheqës. Sytë e dikujt tjetër, mund të mos shohin asgjë nga një vetperceptim i tillë. Por ka një sekret njerëzor, që i bën njerëzit të krijojne atë sistem kaq të domosdoshëm tolerance, e që mund ta përmblidhja shkurtimisht si një marrëdhënie “me kruaj kurrizin të lutem, e unë do të kruaj me kënaqësi tëndin”. Besoj se me kuptoni, kjo kërkon durim të madh e sens të konsiderueshëm humori. Ndoshta po t’i ngjallnim edhe një herë, përshembull Sokratin e Makiavelin, si mëshirimin më të lartë të intelektit, do të kishim një seancë humori të paçmueshme. Me një analizë metodologjike sokratike do të bindeshim se banaliteti dhe budallallëku njerëzor është komponent kaq i natyrshëm i menusë të përditëshme të qenieve njerëzore.
Surealisti siç duket po përjetonte një moment, ku nuk ishte në gjendje të qartësonte veten për përkatësinë e tij në lidhje me fjalën filistin. A ishte subjekti, objekti, asnjëra nga të dyja, apo të dyja bashkë? – “Çfarë do të thuash me filistinë, a ma shkoqit pak të lutem?” – Unë këtë gjë e dëshiroja kaq shumë ta bëja kohë, shumë kohë më parë në Zentana, por një zog i vogël te veshi, gjithmonë më kishte cicëruar duke më këshilluar maturi. – ”Bëj kujdes! Nuk është koha të bëhesh theror tani. Dëshiron që ta bësh me të trashë dosjen tënde, që po prehet diku në ndonjë tunel-bunker, në qetësinë bardhoshe të bjeshkëve të Gurakuqit. Të lutem, nuk do t’i vlej kërkujt guximi i yt.” Këshilla e zogut kishte qenë e vlefshme; kjo është arsyeja që unë po mundem të shijoj mbasditet dhe fundjavat mes gjelbërimit të parkut, apo në bregun rënor të oqeanit, kaq shumë të dashur për mua, e të shkruaj këto rreshta.
“Hmm… ç’është një filistin? Më mirë ta nisim kështu. Ka dy lloj filistinësh, të paktën ashtu siç e shoh unë këtë punë.” Kryqëzova duart, ashtu siç bëja zakonisht kur doja të tregohesha i zellshëm e njëkohësisht i padëmshëm me ndonjë lëvizje të pakontrolluar të duarve të mija në vrullin e pasionit. – “Unë do të përpiqem të jem sa më cilësor për ta bërë sa më të qartë shpjegimin tim. Kush janë dy filistinët? Njëri sigurisht je ti, kurse filistini tjetër gjendet midis publikut të artit tënd, është pjesë e tij. Nëse do të konsideroja ty të ndarë nga pjesa e publikut, jam shumë i sigurt, që ti, pa një, pa dy, do të ishe gati të braktisësh artin, që prezantohesh se ke marrë përsipër të mbrosh e t’i dalësh për zot. Por kjo nuk ndodh, mbasi tani ti nuk mundesh që t’i shpëtosh publikut, prezantimit para tij. Duke qenë kështu, pavarsisht se prania jote e ka dëmtuar artin, në këtë gjendje të artit, e me këtë publik, nuk ka ngelur gjë tjetër vetëm të pranohet patronazhi yt mbi artin e publikun. Kështu që, nuk bëhet gjë tjetër, përsëri vazhdohet të mashtrohet filistini tjetër, pjesa e publikut. Tani zgjedhja bëhet më e vështirë, sepse duhet zgjedhur midis dy filistinëve. Është si të zgjedhësh midis dy djajve. Por duke ju parë ju si filistinin politik, ti je filistini më i rrezikshëm nga të dy. Kjo për arsye sepse ti je filistini i shkolluar në shkollën e militantizmit, i përgatitur për një luftë të tillë, nuk lodhesh të intoksikosh mendjet e publikut, e për më tepër ti hiqesh si miku, mbrojtësi, e sipërmarrësi i artit. E nëse ti do të ishe ai që pretendon se je, miku, mbrojtësi, e sipërmarrësi i artit, mua nuk do të më kishe kundra politikës tënde. Politikanët për mua pavarsisht nga ngjyra janë të njëjtë.”
Dadaisti kishte mbi dhjetë vjet, që ishte përpjekur ti fshinte ato gjurmë, njolla të mundëshme të së kaluarës, e që mund ta lidhnin sadopak artin e tij me politikën. Sigurisht që, një përafrim i tillë, apo më saktë një përcaktim, ku po dëgjonte një bashkëshoqërim të tillë me fjalët politikë e politikan, nuk po i pëlqente aspak. Kurrë nuk do të pranonte që dikush të ushqente një opinion të tillë për të, ta vishte atë përsëri me petka të tilla. – “Nuk po kuptoj fare! Çfarë është një filistin politik? Unë nuk jam politikan.” Ishte gjëja më e çuditëshme që po më ndodhte. Siç duket deri tash, unë nuk e dija që kisha një aftesi të tillë paranormale komunikuese. Megjithëse nuk kisha hapur gojën fare, unë i kisha angazhuar të dy, surealistin e dadaistin në një bisedë, që pa monologun tim të brendëshëm nuk do të merrte kuptim. Megjithatë duhet ta mbyllja faqebardhë këtë bisedë pa zë me ta.
“Nëse insiston se nuk je një politikan, atëherë shumë mirë, qenke vetëm një filistin i kulluar. Por kjo nuk të ndihmon, nuk është në favorin tuaj. Jo vetëm kaq, por kjo nuk të falet, e duke u shprehur kështu, ti nuk bën gjë tjetër, veçse një padrejtësi vetes tende. Ti mund të ishe i lirë të ishe banal, ta ndryshoje bisedën sa herë të doje, me fjalë të tjera ta dridhje, të ishe krejtësisht i pasinqertë, e për këtë mjafton të thoje: – “Pse jo! Unë jam një politikan! Tashmë një politikan i zhgënjyer, i neveritur si artist, si poet. Përderisa unë nuk kam respekt për artin ose për artistin, përveç në aspektin e dobisë politike e ekonomike, që mund të më sjellë.” Është e natyrëshme që si politikan, ti mund ta përdorësh artistin, në rastin tënd ndoshta edhe veten, si fshesë për të pastruar terrenin tënd, që të është dhënë nga publiku juaj, nga ne në politike. Ti mund ta përdorësh artistin për ta shpërndarë artin e tij të dizintegruar, të shpërfytyruar, të mbushur me të shprehurin e dhunshëm dhe torturues të një korrespondenti politik të artit. Nëse do të shpreheshe ashtu siç përmenda me sipër, do të ishte zgjidhur kjo punë. Por ja, ti përsëri vazhdon të insisitosh në tënden. “Unë nuk jam një politikan!” Kjo është arsyeja që ti do të ngelesh gjithmonë një problem për artistin dhe artin e lirë.”
Ⓒ AK

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.