Pragu i Braktisjes, i Andreas Dushit
romani i realiteteve që sjellin fund surreal
Në një bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Albas”,
shkrimtari Andreas Dushi sjell romanin e tij më të ri, titulluar “Pragu i Braktisjes”.
Ky është libri i katërt i Dushit, pas vëllimit poetik “Krishti vesh me t’kuqe”,
novelës “Kur vdekja të na bashkojë” dhe romanit “Marrja e Gjakut”,
ky i fundi botuar vitin e shkuar nga Shtëpia Botuese “Onufri” dhe
vlerësuar nga kritikë dhe shkrimtarë të ndryshëm si një roman post-modern.
.
Por me sa duket, “Pragu i braktisjes” është diçka krejt ndryshe, jo për nga pika në boshtin kohor të letërsisë, por për nga mënyra e të shkruarit. Në të trajtohet tema e braktisjes, pasojat që ajo sjell dhe ngjarje që mbrujten falë një pakujdesie të vogël, nxitur nga vetëtima që lind prej dëshirës për të ruajtur gjithçka krijohet para braktisjes. Personazhi kryesor i librit është poeti Noe Dajani i cili thur në nënvetëdije pyetje ekzistenciale mbi botën dhe, pa njohur pyetjet, i frikësuar u kthen përgjigje të ndrojtura.
Dashuria shpesh si pasojë ka zhgënjimin, por ky nuk është motivi i këtij libri, madje në të, një motiv i tillë mund të quhet banal. Ajo çka autori synon të përçojë është nevoja për t’u ndjerë i dashur, edhe në rastet kur nuk ke nga kush. Dajani e ka të vështirë të marrë përgjegjësi, prandaj me papërgjegjshmëri i jep vetes të drejtën të bëjë ç’të dojë.
Për të, gjithçka mund të kthehet në asgjë, por falë tij asgjëja kthehet në gjithçka. I frikësuar nga siguria që të tjerët kërkojnë prej tij, ai mendon që më mirë të sigurojë vetveten, ndaj edhe shkatërron çdo rrip sigurie me të cilin mund të jetë lidhur fati i botës ndër udhat e galaktikave shpirëtore.
“Pragu i Braktisjes” pritet të promovohet në Panairin e Librit të Tiranës ku i pranishëm, sipas një kalendari që do të publikohet së shpejti, do të jetë edhe autori Dushi.
N. D
.