Martin Camaj në një botim special
nga Behar Gjoka
Në dy numra të revistës “Paqyra e t’rrëfyemit”, botim i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, përkatësisht në numrat 6 dhe 7, është vënë në qendër vepra e gjerë letrare dhe gjuhësore e Martin Camajt. Pjesën kryesore të kërkimeve dhe hulumtimit të vlerave shkrimore të Camajt e përbëjnë aktet e konferencës shkencore të mbajtur me datë 28 tetor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Materialet janë ndarë në dy rubrika: Gjuhësi, ku paraqiten njëmbëdhjetë kumtesa dhe Letërsi, me tridhjetë e shtatë kumtesa, të cilat së bashku sjellin një kontribut të mendimit shkencor mbi vlerat e trashëgimisë letrare dhe gjuhësore të Martin Camajt.
Pjesë e rëndësishme e këtij numri special është edhe botimi i letërkëmbimi që Camaj pati, vite të shkuara, me Prof. Anton N. Berishën. Shtatëmbëdhjetë letrat botohen për herë të parë dhe sjellin pranë lexuesit mendimet e Camajt për gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Në këtë numër, përveç editorialit dhe kronikave, është paraqitur edhe një shënim i Martin Camajt për veprën e Fishtës, gjë që u mundësua në mirëkuptim me filologun Bardhyl Demiraj, të cilin e falënderojmë.
Ky botim është një përpjekje për të hyrë në marrëdhënie më të ngushtë me tekstet e autorit, sidomos për të zgjuar interesin e lexuesit shqiptar mbi figurën dhe veprën e gjerë letrare, gjuhësore dhe shkencore të Camajt.
.
Prania e veprës së Camajt në arealin e shqipes
nga Behar Gjoka
Me Martin Camajn, fati ka qenë i dyzuar dhe me jo pak ndërlikime. Madje, edhe tani, kur formalisht janë hapur portat e komunikimit, trashëgimia e tij shkrimore, më tepër është një prani e papranishme, në kuptimin e hipotekës që meriton të jetë pjesë thelbësore e arealit të shqipes bashkëkohore. Fati i shkrimtarit, në gjallje dhe amshim, ka qenë lodërtar dhe i mbrapshtë, sepse Camaj e përjetonte në thellësitë e vetëdijes, por ndërkaq e tha me sublimitet: Unë jam i juej, e ju jeni të mitë! Mërgimi i gjatë nuk e zbehu aspak aspiratën e autorit për të qenë pjesë e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Po ne, bashkëkombësit e shkrimtarit, lexuesit e veprës letrare dhe gjuhësore, a ia kemi mbërritur momentit ma ia kthye po me atë klithëm dashnie, që poeti e la vjerrë në çastin që e pranuan në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës?! Camaj dhe vepra e gjerë gjuhësore dhe letrare, ende notojnë në rrethin vicioz, që pati përmendur më herët Ardian Klosi: …në çdo epokë kemi të bëjmë me një luftë pa mëshirë kundër elitës kulturore shqiptare, që kositet sapo hedh rrënjë, e cila në shenjimin e vet parathotë fatin e secilës kohë, pra edhe fatin e Camajt dhe të veprave të tij.
Thirrja që buron vetvetiu prej vetëdijes së vlerave letrare të endura prej M. Camajt, në laminë e gjuhës dhe në shumicën e zhanreve letrare, do të jetë: Ti je yni e na jemi të tutë! Një pohim logjik ky, që nuk ka shkaqe me mbet ende në nivelin zero të patetizmit. Pronëzimi i vlerave estetike të veprës së gjerë të Martin Camajt duhet të vijë organikisht nga lexuesit dhe studimet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Në këtë komunikim tejet largvajtës, madje gati kozmik, shumëçka ende asht pezull, në pritje të një moti ma dashamir e mirëkuptues, që vlerat e pranishme letrare të teksteve të autorit të radhiten në krye të shenjave moderne të letrave shqipe. Po kaq, trajtimet gjuhësore dhe kritike duhet të jenë tashmë pjesë e optikave të verifikimit dhe interpretimeve të dukurive studimore, gati të asfiksuara nga baza metodologjike e ngurtësuar. Në thelbin shkrimor ka qenë lodërtar jo se deshi vetë, po se nuk pati shteg tjetër, duke hyrë dhe mbetur unik, në kuptimin e një dukunie atipike të gjuhës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore. Atipikja, që përveçon dhe identifikon vepra letrare e autorit, lidhet me lavrimin e gegnishtes dhe shkrimin letrar modern, gjë që në Shqipëri ishin ndërprerë prej rrethanave jashtëletrare dhe jashtëgjuhësore.
Martin Camaj, në marrëdhënie me gjuhën dhe letërsinë, ka rendur vetëm se në kundërpërpjetat jetësore dhe intelektuale, me lartsynimin që të mbajë ndezun kandilin e gegnishtes. Jeta dhe vepra e Camajt, në shumicën e treguesve është kundër rrjedhës së kohës, kundër rrjedhës letrare dhe gjuhësore (në Shqipëri pas vitit 1944), ndonëse kurrë nuk bani beteja “gladiatorësh”, por me një punë prej murgu, si dijetar dhe shkrimtar, e mbajti të ndezun kandilin e gegnishtes dhe arbërishtes, njëherit edhe lavrimin modern të letërsisë.
Kontributi i vyer me tekste gjuhësore dhe letrare ruajti shenjat e përfaqësimit të vet, si pjesë thelbësore e sistemit të shqipes. Beteja për gjuhën, për të mos humbur variantet e shqipes, të gegnishtes dhe arbërishtes, të dëshmuar në diakroni, pati pranë edhe betejën për të shpëtuar diçka nga letërsia, e cila në shtetin amë qe kredhur në modelin e realizmit socialist. Akti i Camajt, që përkon me sipërmarrjen e vetëdijshme të ndërthurjes së problematikave të gjuhës e të letrave shqipe, na jep mundësinë me kuptu që edhe në këto rrethana, me librat e shkrum, bani të mundur shpëtimin e gegnishtes nga fshimja përfundimtare, si gjuhë e shkrume e letërsisë. Po kaq, me shkrimin letrar në gegnishte dhe arbërishte, ruajti shpirtin organik të fillit të pakëputun të letrave shqipe, në shumëzashmëni dhe bashkëtingëllim.
Qanësia e Camajt si dukuni unike dhe atipike e harkut të bashkëkohësisë lidhet ngushtazi me praninë e të tria përmasave të këtij personaliteti të rëndësishëm të periudhës bashkëkohore, që përkon me zhvillimin e betejave më të vështira të ekzistencës së gjuhës shqipe, e po kaq edhe të funksionimit të letërsisë:
-Shkrimtari që nuk reshti së shkruari letërsi, madje në të tria gjinitë e letërsisë, si dhe në shumicën e zhanreve letrare të tyre, duke ndërfutur realisht tiparet e letërsisë moderne në këto tekste.
-Shkencëtari i gjuhës shqipe, shoqëruar me shumë akte, ku përveçohen mbrojtja e doktoraturës me Mesharin e Gjon Buzukut, botimi i Gramatika e gjuhës shqipe, 1969 dhe 1984, ku janë përfshirë të gjitha variantet e gjuhës shqipe, me tepër si një rast vetmitar i trajtimit të gjuhës shqipe, si sistem me disa anë dhe aspekte të ligjërimit të folun e të shkruar.
-Dijetari, i cili duke vijuar shkrimin e gegnishtes dhe të arbërishtes, e mbajti gjallë lavrimin e gjuhës shqipe në disa variante, e po kaq bëri të mundur që letërsia shqipe jo vetëm të zhvillohej më përtej realizmit socialist, por të mbërrinte më shqiptu shenja moderne në lavrimin e letërsisë.
.
Me laryshi të rrokshme, pa bujë dhe zhurmë, madje duke u thelluar në shprehësinë letrare, i kundërvihet amullisë së unitetit dogmatik, që përthekon proceset gjuhësore dhe letrare të pas Luftës së Dytë Botërore. Rrethana e veçantë e shkrimit të përkundërt me realizmin socialist dhe vijimi i lavrimit të gegnishtes janë dy treguesit që e bëjnë fatin e tij të mbrapshtë në letërsinë bashkëkohore, por njëkohësisht mundësojnë fatluminë që gjuha dhe letërsia shqipe të mos përllomet përfundimisht në shtjellat dogmatike. Treguesit e përveçimit nga pjesa tjetër e letërsisë bashkëkohore, të cilat dukshëm parashtrojnë veçanësinë, janë:
A-Shenjat e pranishme letrare në shkrimin e poezisë, prozës, dramatikës, të cilat bartin dy cilësi:
-Mungesa e realizmit socialist, që lidhet me refuzimin fillimtar, sidomos arratisja për shkaqe politike e shkrimtarit, i dhanë dorë për të shpëtuar nga shkrimi ideologjik në letërsi.
-Falë shtegtimeve në Prishtinë, Beograd, Romë, Mynih, falë kontakteve me letërsinë moderne, gjurmimeve të vlerave letrare, kurba e lavrimit letrar shndërrohet në një përvojë moderne dhe unike në letërsinë shqipe bashkëkohore. Moderniteti, si prani dhe shenjë, që ngjizet duke gërshetuar traditën e letrave shqipe me frymën moderne të letërsisë europiane, spikatet në përmbledhjet poetike Nema, Bualli, Palimpsest, e sidomos në madrigalin Dranja, si dhe në romanet Rrathë dhe Karpa.
B-Sendërgjimi i veprës në poezi, prozë dhe dramatikë, me anë të variantit të gegnishtes, shoqëruar edhe me ndonjë element të arbërishtes. Fakti i shkrimit të veprave letrare me variantin e gegnishtes, të përpunuar në nivelin e gegnishtes letrare bashkëkohore, formulon dy tipare:
-Ndërlidhjen e letërsisë me traditën e shqipes, Mesharin e Gjon Buzukut.
– Shkallën e përpunimit të gjuhës me kahje të rrokshme moderne.
Shkrimi letrar në variantin e gegnishtes vijon që të mbetet nyja gordiane e teksteve letrare të Camajt, si dhe pika e referencës prej nga ku niset leximi dhe vlerësimi i kontributit të madh në interes të gjuhës dhe letërsisë shqipe të shekullit të njëzet. Qasja ndaj lavrimit kaq të gjerë të gegnishtes, gjermëtani është lënë në heshtje, me gjasë, është nënkuptuar si çështje e qartë, e cila nuk ka nevojë për thellim argumentesh. Faktologjia e teksteve të shkrimit në gegnisht, ndërkaq është tregues i shenjave unike që bart krijimtaria letrare. Hapësira tekstologjike, botimi i veprës letrare dhe gjuhësore të autorit, është përgjigjja më e mirë ndaj përpjekjeve për ta lënë atë në hije.
Shtrimi dhe zgjidhja e problemit të poetikës së Camajt, mishëruar në poezi, prozë dhe dramatikë, nuk ka më gjasa që të tejkalohet. Shtysat që e detyruan autorin të lëvronte gegnishten, madje ta ngrinte gjer në zenitin e ligjërimit bashkëkohor, fillimisht kërkohen te gjurmët personale, te kontekstet jetësore dhe rrethanat e shkrimit të gjuhës e letërsisë shqipe në periudhën e bashkëkohësisë. Me gjithë atmosferën e shumëfishtë, ndërmjet tyre, dy shkaqe shihen si më kryesoret:
E para: mundësia e ngallicave siprane, që e nxitën Camajn për të vijuar lavrimin e gegnishtes, është një ndjesi e brendshme, e thellë, që lidhet me ligjërimin bisedor me të cilin u rrit, në Temalin ku lindi dhe kaloi rreth nëntëmbëdhjetë vitet e para të jetës. Kur autori la atdheun, e vetmja “pasuri” e patundshme që mori me vete kudo që shkeli, ishte gjuha gegnishte. Në një kuptim më të ngushtë, gegnishtja për Camajn ishte djepi ku u përkundën dëshirat, aspiratat, andrra për një jetë ma të mirë, e sidomos për liri kreative në lamitë e letrave. E dyta: fakti që pjesa dërrmuese e teksteve është plasuar me gegnishten dhe arbërishten, në kuptimin logjik, është vijimi i kundërshtisë së Kongresit të drejtshkrimit të vitit 1972, gjë që gegnishten e përvijon si “vorri” ku fle magjia e shkrimit. Camaj e dinte se çka ndodhte në Shqipëri, madje e ndiqte me shqetësim të posaçëm, sidomos rrëshqitjen e letërsisë në binarët e realizmit socialist, si dhe përpjekjen sizifiane të fitimtarëve të komunizmit për të rrudhur praninë dhe rolin e gegnishtes, arbërishtes dhe të secilës ngjyresë të gjuhës shqipe. Kjo rrethanë e përjashtimit absurd, e cila vijon edhe sot e gjithë ditën, krijoi ndarje sociolinguistike, si dhe përthau ma tepër ligjërimin bisedor e letrar, si pasojë e trysnisë jashtëgjuhësore të ushtruar nëpër këto vite.
Refuzimi gjuhësor dhe letrar, shpallur më se njëherë nga autori, mbi të gjitha materia letrare e endur në librat me poezi, prozë dhe dramatikë, e shndërron në një fakt kokëfortë të mbijetesës së varianteve të gegnishtes dhe të arbërishtes, por edhe të shkrimit letrar më përtej modelit të realizmit socialist.