back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 2 Janar, 2025

Pranvera – tregim nga Muçi Xhepa

Gazeta

Pranvera Kati & Muçi Xhepa sot...
Pranvera Kati & Muçi Xhepa sot…
Pranvera
tregim nga Muçi Xhepa

Natën fjeta fare pak. Ëndrrat e bukura më ngatërroheshin. Më sillnin trishtim. Agoi. Hapa dritaren. Flladi i freskët më solli aromën e mimozës te porta. Kishte ardhur pranvera. Ndeza radion.
Grupi “Dik Dik”, “Il primo giorno di primavera”,
“Tashmë është pothuajse ditë…” E ngrita zërin.
-Pranvera! Na dëgjojnë jashtë. Ule pakëz.
Mama Fedra, e bukura e dheut, kishte gjithnjë frikë se na përgjonin.
-Jam e lumtur, mama. Dita e parë e punës. Në televizion, – thirra e gëzuar.
Kisha mbaruar liceun dhe, pas një pritjeje plot ankth, më kishin pranuar të punoja pranë specialistëve që bënin montazhet e filmave. Perëndia e kishte dëgjuar dëshirën time. Ngjita shkallët e godinës së mermertë. Aty merrte krahë arti. Më buzëqeshi një djalë i pashëm, i gjatë, flokë me onde. Si të ishte artist filmi italian.
-Jeni Vera e bukur. Vajza më e bukur e Tiranës, do thosha. Buzëqeshi. U skuqa. U meka. Ula kokën.
-Këtu, në të majtë, është zyra e kuadrit. Mbaro formalitetet dhe shkojmë bashkë në studio e të prezantoj. Eh, ata të njohin të tërë… – qeshi.

***
Prej ditësh na kanë vënë të prashisim misër. Është rritur shumë, i gjatë sa një bojë njeriu. Unë në krye të rreshtit, mamaja në fund. Disa radhë më larg fillojnë të lëvizin gjethet. Shkunden kërcinjtë. Fëshfëritje. Bëhet më e fortë. Afrohet dikush. Mbërthej shatin. Ka ndodhur që vajzave u është kërcënuar nderi. Njëra vari veten. S’e besuan që një i ri, anëtar partie, e kishte përdhunuar. Pas disa lëvizjeve, hapje rruge me duar, shfaqet drejtori i sektorit. Djalë i ri, i pashëm, jo prej kësaj bote. Më vështron me sy të dhembshur blu të thellë.
-Vajza e Vasilit këtu? – lëviza shatin, – E ka marrë djalli këtë punë. Durim. Kini durim.
– Pranvera, hajde këtu. Ke lënë pa prashitur… Mama Fedra kërkon të më mbrojë. Drejtori thotë diçka me vete dhe largohet. Nuk do të kalojë shumë dhe një ditë, i veshur keq, i dobësuar, por krenar, vjen të punojë pranë meje. E kanë dënuar. Njeri me karakter.

Pranvera Kati para se të internohej
Pranvera Kati para se të internohej

***
Redaktori i filmit kishte ditë që më shoqëronte kur dilja nga puna. Shtëpinë e kisha pranë RTSH-së. Më përgjërohej se më donte. Më kishte zënë edhe mua qymyri. Por, diçka më ndalonte. Si një instinkt vetëmbrojtjeje. Impuls i lindur. Nga mama Fedra. Frenim në përgjigje të ngacmimit, stimulit të jashtëm: sjelljes tij.
-Nëse nuk e beson dashurinë time, sot po vij në shtëpi. Të njihem me familjen.
-Unë s’u kam thënë gjë.
-Aq më mirë. Të kuptojnë që jam i vërtetë. U shkunda nga gëzimi që më pushtoi. Që nga ajo ditë, dashuria jonë s’kishte kufi. Jetoja në ëndërr. E lumtur. Në jetë më kishin ndodhur vetëm gjëra të mira. Isha shumë e kënaqur me të. Dhe…
-Pranvera, dasmën do ta bëjmë… në prag Krishtlindje. Iu hodha në qafë.

***
Pas prashitjeve, një grup të internuarash, vajza të reja, na dërgojnë të hapim kanal për nevojat e ushtrisë. Është buzë rrugës. Fushë e hapur. Fryn erë e marrë. Më mbërthen një dhimbje beli. Mama Fedra më ka dhënë trikon e saj. I punon vetë. Shqep ato pak qilima që na kanë lejuar t’i marrim në internim dhe na thur triko, tre fëmijëve të saj, bashkë me Denin e vogël, djalin e motrës së madhe, Kozarës. Shumëngjyrëshe. Dukemi sikur kemi hedhur qilim në trup.
-Po ta fus në torbë. Kur dhimbja të bëhet e paduruar, lidhe rreth brezit, shtrëngoje fort. Ashtu bëj dhe ndjej se jam liruar disi. Veshja ime ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve të kooperativës. Brigadieri, i ngrysur, më thërret ta ndjek pas. Në zyrë janë katër burra, që duken se do t’më bëjnë copë. Më i larti në detyrë partie, pasi më vështron nga koka deri te këmbët, ndalon shikimin te brezi. S’po ndjehem mirë. Shikimi i tij më duket se po ngulet thikë në pjesën e shenjtë… Mbledh këmbët. I shtrëngoj fort.
-Pranvera! Modernistja e RTSH-së! Këtu nuk të lejojmë të na sjellësh shfaqjet e huaja. Vajzat e fshatit janë të pastra si kristali dhe të mbrojtura nga mësimet e Partisë…
Më erren sytë. Filloj të dridhem e tëra. Do t’më burgosin si babanë, mendoj e turbulluar. Pa bërë gjë. Fjalët që të mbroj veten më mbesin në grykë.
-Ç’është kjo triko që ke lidhur rreth belit? Si të ishe artiste e një filmi të huaj, dekadent. Ku e mësove? Në RTSH-në e Todit? Plehra jeni.
S’më lë të shpjegohem. Tërheq me forcë trikon. Mirë që s’më rrëzon.

***
1975. Tetori kishte nisur me shira. Vajtonte nëna natyrë. BÇ-ja ndaloi te porta e shtëpisë. Tre oficerë të sigurimit hynë pa trokitur. Babai na bëri shenjë që të mbaheshim. Net të tëra na kishte shpjeguar se i marri po i vinte flakën çdo gjëje të mirë, që disa të ditur ishin munduar të bënin për vendin, i cili po shkonte drejt humnerës. Radha i kishte ardhur babait. S’i mbaja lotët. Shtëpia më vinte rrotull. Qava pa zë. Jo babanë! Kriminelë, jo babanë! Dhe më ra të fikët. S’kishin kaluar vetëm dy orë pas arrestimit të babait, kur në derë u shfaq ëndrra ime. Dashuria ime. E vërtetë. Qëndronte i ngrysur. Pa m’i hedhur sytë, më tha me zë tjetër, ndryshe, drithërues:
– Bashkë s’kemi punë më. Që nga ky moment.
Iku. Hije. Në antijetë.

***
Kooperativa Ndërnënas. Bashkë me disa familje të internuara na kanë prurë të hapim kanale kulluese: me bel… jemi kthyer mbrapa në kohë. Kur s’është shpikur ende makineria, ekskavatori. Moçalishte. O Perëndi, përse kaq shumë mushkonja? Tufa-tufa. Nxijnë qiellin. Sulen të uritura dhe ti ndjehesh e pambrojtur. Bashkë me dy vajza të tjera po hapim një të çarë. Uji i mbledhur në një gropë të madhe, me llucë, të kullojë jashtë. Vështroj ujin, fundin. Lëshoj belin. Hedh një hap në gropë. Këmba zhytet. Tjetrën. Uji arrin gjurin. Po shkoj e hidhëruar drejt… Ç’të ardhme kam…? E bllokuar nga të tëra anët, pa mëshirë. Pasionet më janë mbytur dhunshëm. Dashuria më tradhtoi. T’i jap fund jetës. Jetës-burg. Antijetës.
-Pranvera, ç’bën ashtu? Ndalu motër. Mos.
Uji i akullt më thërret poshtë. Në cilin rreth do ndaloj? Vajzat kërcejnë në llucën thithëse dhe më tërheqin jashtë. Shtojnë vuajtjen time. E pafund.

***
Fshati Sheqëz.
Jemi vendosur prej vitesh këtu. Të pa liruar nga internimi. Pranverë. Refia vendos drurin në supin e djathtë. Unë mëngjarashe bëj të njëjtën gjë. Megjithëse e kam të vështirë të mbaj ekuilibrin. Në mes, kazani gjigant me jashtëqitje. Njeriu. E mbushëm me kova.
-Këta të ngratë nuk kanë ujë të lajnë… dhe është i ngurtësuar. I rëndë. Na duhet ta bëjmë komposto.
S’e mbaj dot të qeshurën. Por hiqem sikur nuk e kam mendjen te fjalët e saj.
– Hë, Pranvera, se ke edhe emër të bukur. S’po thua gjë. Aromën. Mirë që s’më shpërthejnë mushkëritë nga e qeshura. Kompostoja “kineze”, mësuar nga specialistët e lartë, ardhur nga motra e madhe, Kina Popullore, përgatitet poshtë fshatit, buzë lumit. Kanë hapur një gropë të madhe, ku, pasi shkarkojmë ngarkesën, disa të moshuara i hedhin ujë dhe e hollojnë. Pastaj e shpërndajnë në fushë me tufëza thuprash të holla, që i kanë lidhur si të ishin fshesa. Era, që kundërmon anë e kënd, të futet në qelizë. O Perëndi, vuajtja s’ka fund.
-T’i kisha këmbët njëlloj, do ta kisha edhe më të lehtë zbritjen.
Refia është e çalë. Kazani lëkundet pas çdo hapi. Kur e mbushim deri në buzë, ashtu është urdhri, na spërkat me…
-Po na e hëngri sot kazanin, do t’i bëj qindin.
Dje, Refia mirë sa nuk u çmend. Brigadieri na thoshte se kishim sjellë katër kazanë. Refia i ulërinte.
-Ore, po si hëngre një kazan të tërë? Je në vete? Para syve na e hëngre.
Gratë përreth qeshnin me të madhe.
-Hë, merrja asaj këngës që të pëlqen.
“Erdhi pranvera.
Pothuajse po zbardhet dita
Në krahë më ka mbetur
Veç kujtimi tënd,
U bë vonë, më duhet të vrapoj,
Nuk është koha të vajtoj…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.