kompozitori Prenkë Jakova me krijimtarinë e tij muzikore –
pjesë e thesarit të paçmuem të artit shqiptar –
hyn në shekullin e dytë të jetës.
Në Shkodër po përkujtohet denjësisht.
Po e kujtoj në këte mënyrë, me këte shkrim:
Çdo 17 qershor, nxanësit, artdashësit, bashkpunëtorët e miqtë e Prenkë Jakovës, kudo që janë, në mënyra të ndryshme, kujtojnë e diskutojnë për krijimtarinë e tij, – tashma pjesë e thesarit tonë komëtar, – por edhe për humbjen e parakohëshme të atij personaliteti që Shkodra e arti shqiptar patën fatin ta kenë mes tyne. Mjerisht për pak kohë. Vdiq 52 vjeç, në moshen kulmore të krijimtarisë për nji kompozitor. Pikrisht për këtë, ky përvjetor, më gjeti tue reflektue edhe për një anë ma pak të njohun të krijimtarisë së Jakovës, atë me temë fetare, pra për muziken sacra o sakrale.
Tue shfletue kët fond, të forcohet bindja se Prenka ishte thellësisht besimtar.
Në librin me vlerë “Prenkë Jakova” të studiuesit Spiro Ll. Kalemi, që asht nji rrokje e përgjithëshme e figurës dhe veprës së kompozitorit, në fund, tek katalogalizimi i veprave, në zanin “Vepra fetare”, autori vetëm i citon, pra nuk i analizon, këto pjesë:
1)Ave Maria për zë e harmonium, (1942);
2)Tantum Ergo për katër zëra e harmonium, (1942)
3)Litanitë e Zojës – për tre zëra e harmonium, (1943);
4)Kënga e Zojës së Shkodrës. (pa datë)
Ndër veprat me temë fetare Ave Maria e Tantum ergo, janë padyshim ato ma me peshë të këtij cikli. Për Ave Maria ka mendime të ndryshme, për datën, ndërsa për Tantum ergo, në kopertinë, me shkrimin veçanërisht të kujdesshëm të autorit kemi këto shënime: Kangëtarëve të “Schola Cantorum” të Kishës Françeskane Shkodër – i a kushton Prenkë Jakova. Shkodër, 20 Kallnduer 1942.
Për Ave Maria, të cilën pata fatin ta botoj së bashku me Litanitë, tue falënderue përzemërsisht familjen, do të them dy fjalë në fund të këtij shkrimi, por asht me interes fakti që në Bibliotekën e familjes Jakova gjeta dhe tri litani të tjera, shkrue në periudha të ndryshme, e fundit në vitin 1953, (pra nji vit pasi shkroi veprën skenike “Dritë mbi Shqipni”), gja që të ban me mendue se vepra e Jakovës, sidomos ajo me temë fetare, nuk asht e katalogalizueme ende plotësisht.
Pjesa Litanitë e Zojës, e citueme nga S. Kalemi, edhe pse me titull të shprehun në numrin shumës “litanitë”, asht nji, aq ma tepër që specifikohet “për tre zëra dhe harmonium” dhe, në fund të saj ka shënimin Roma, 5 Maj 1943.
Në liturgjinë kishtare litanitë janë nji formë e thjeshtë muzikore (ndonjiherë edhe vetëm orale), ku solistit ose drejtuesit i përgjigjet kori, masa e njerëzve. Por Jakova nuk asht mjaftue të krijojë melodi të thjeshta e të bukura, por kët dialog e ka ngritë në art nga njena litani në tjetrën, tue rritë edhe rolin artistik të korit. Në sa në pjesën Litanitë për tre zëra (e vitit 1943) që përmend Kalemi, (në fakt asht shkrue për Bass solo dhe dy zane të tjera), ku mungon teksti (sepse shpesh edhe nënkuptohet), në dy pjesët e tjera, Litanit(ë) n. 1 dhe Litanit(ë) n. 2, që edhe pse nuk kanë datë, kuptohet se janë të mavonëshme, teksti asht vue me kujdes poshtë notave, për çdo za veçmas, dhe ndjehet qartë se autori i ka ngritë kërkesat artistike ndaj vetes edhe për këte zhanër “kaq popullor”. Kjo gja vërehet edhe në nevojën që ndjen autori me i katalogue këto dy pjesë, tue i dallue me n.1 dhe n. 2, (sepse vertetë janë të denja për nji gja të tillë). Të dy pjesët janë shkrue për sopran, alt, tenor I e II (që këndojnë, këto dy të fundit, në këte rast, në unisson) dhe bass solo. Nuk asht i rastit aktivizimi i basit si solist, sepse Prenka e çmonte shumë zanin e basit Llukë Kaçaj, që ishte seminarist në korin e françeskanëve. Pa dyshim këto dy pjesë i takojnë periudhës së mbas luftës (cilësia e harmonizimeve, por edhe kaligrafia muzikore tashma e formueme që nuk do të ndryshojë pothuej fare deri në fund të jetës, të ban të arrish në kët konkluzion).
Sa të vështira kanë qenë për Prenkën vitet e para mbas luftës, e dijmë mirë. Dalja në mal e ma vonë vrasja e vëllaut, Ndocit, nga forcat e ndjekjes, burgosja e tij dhe e vëllaut ma të vogël, Çeskut, lanë gjurmë të pashlyeshme në karakterin e formimin e tij shpirtnor. U lirue nga burgu (i mbajtun pa asnji akuzë) vetëm pse dikujt ju kujtue që përvjetori i mbarimit të luftës po e gjente Shkodrën (“reaksionare”) pa asnji aktivitet artistik. Po me çka? Duhej Prenka… (Lufta “parimore” e klasave vepronte me seleksionime: pushonte së vepruemi kur nevoja për elementin “e deklasuem” ishte e paevitueshme, por deri nji ditë… për ta hedhë mandej në kosh të harresës e shpesh ma keq… E kështu për Prenkë Jakovën rifilloi puna si organizator e kompozitor. Lindën veprat e tija të para: Juda Makabe, në fillim “të lira, të paporosituna” dhe ma vonë gjithnji e “ma të porosituna, pra dhe të ideologjizueme”. Por Prenka nuk i përkiti kurrë elitës edhe pse miklimet nuk munguen. Karakteri i tij tashma ishte i formuem: “një ashkël nuk mund t’ia hiqje”, mbeti deri në fund “nji cope”, pa kompromise. Sepse ai ishte formue tek françeskanët që kishin si busull binomin “Për fe e atdhe”! Sepse ai ishte nxanës i At Martin Gjokës, ndoshta nxanësi ma i dejë i tij! (Nga dora tij, Prenka mori, pa mbushë 20 vjeç, drejtimin e Bandës Muzikore të Shoqnisë Antoniane, tue u shque me at formacion edhe në aktivitete kombëtare). Këndej spjegohet fakti që ai vazhdoi me shkrue edhe muzikë me temë fetare edhe kur, tashma, arti “i realizmit socialist” ishte ba dogma e detyrueshme për çdo krijues. Por Prenka bante përjashtim: mbasi kishte shkrue “Dritë mbi Shqipni”(1952), ai vazhdonte t’i këndonte edhe Zojës sepse tek Ajo gjente qetësi e paqë. Dhe këte e dokumentonte pa frikë. Po pse pikrisht Litani?
Kush mban mend Muejin e Zojës, Majin e Zojës në Shkodër, me Sakramendet e mbas drekës plot me devocion, folklor e festë, me rrugët që mbusheshin me djelm e vajza të reja që niseshin nga shtëpia me drandofillet e lulet e bukura të oborreve shkodrane në duer me ja dhurue Zojës dhe mandej, tue dalë nga Sakramendi, mbushnin shetitoret, nuk çuditet aspak që Prenka, edhe pse punonte në Shtëpi të Kulturës e shkruente muzikë të realizmit socialist, (por që nuk e fshehu kurrë devocionin e vet tek besimin në fe e në Zot), të ndjente nostalgjinë me qenë edhe ai i pranishëm herë personalisht, kur kishte mundësi, dhe herë me muzikën e tij në atë devocion të madh popullor. Ato ditë e ato mbasdreke të veçanta, me atë atmosferë të çiltër, të gëzueshme e kaq rinore, nuk mund të mos e frymëzonin Prenkën. Dëshmi asht dhe një tjetër Litani Zojës (pa numër, por me datën 3 Maj 1953), në kohën ¾ për solo dhe dy zane shoqnuese dhe harmonium (po me shkrimin e Prenkës).
Për të gjithë ne, që kemi pasë fatin me punue me të dhe nën drejtimin e tij, kaligrafia tij shumë e veçantë, të ngjall ndjenja e kujtime të pashlyeshme. Të duket me të vërtetë se ajo mënyrë e të shkruemit: e përpiktë, pa teprime në zbukurime, ishte edhe shprehje e personalitetit të tij si njeri e si artist. Por kjo litani ka diçka të veçantë..
Vërtet Litania, si formë muzikore e liturgjisë asht relativisht e shkurtë, por po të vemë re, kjo litani ka nji crescendo që autori ia beson, ma shumë, korit, mbasi pjesa e solistit asht shkrue për bas bariton. Teksti – sikur në të gjitha veprat, me karakter fetar të Jakovës, me përjashtim të kangës së Zojës së Shkodrës – asht në latinisht, sepse asht shkrue para se Koncili i thirrun nga Papa Gjon i XXIII, të vendoste që liturgjia dhe gjithë Mesha e Shejtë të celebroheshin në gjuhët kombëtare.
Litania fillon me “thirrjen”, që solistit i drejtohet Zojës: “Sancta Maria” (“Shejtja Mari” madje në shumë kangë popullore emni i Zojës asht edhe ma i shqiptarizuem: “Shejtja M’ri”), që kori i përgjigjet, po në regjistrin realitivisht të ultë: “ora pro nobis” (“lutu për ne”). Në fjalinë e dytë, me sekuencë, nji ton ma nalt, solisti përsërit “thirrjen”, por me nji atribut tjetër: “Shejtja M’ri, Nana e Tenzot”, ndërsa kori, që shpejt bahet “protogonist”, i përgjigjet “lutu për ne”, nji kuartë ma nalt, në maxhore, (si me dashtë mne nënvizue kët rol, autori përdor një masë 4/4 – pjesa asht shkrue në kohen ¾ -) dhe menjëherë (tue “thye rregullin”) e fillon prap kori “thirrjen” ndaj Zojës, ma me forcë: “Shejtja Virgjin e virgjineshave” dhe këtu kori, protogonist, (asht ai që tashma i drejtohet Zojës) me këte frazë, që përban edhe kulminacionin e pjesës, tue vazhdue në mbyllje kor e solist bashkë, por jo në unisson, me “lutu për ne”. Dhe pse Litania asht lutje (dhe kur njeriu i lutet dikujt “nuk e ngre zanin”) Jakova dëshron të arrij tek Zoja me nji thirrje në maxhor, ku ka vërtet devocion, adhurim, por edhe krenari e dashuni për Te, që shfaqet me maxhorin e tij.
.
Por në kët pjesë të shkurtë të ban shumë përshtypje firma e tij e shkrueme bukur, si gjithnji, por me shkronja shumë të mëdha (krahasue me madhësitë e notave). Ka krenari, knaqësi në at firmë. Ka edhe gëzim që krijimi edhe pse i thjeshtë, kishte dalë veçanarisht i bukur. Ka dhe sfidë, sepse Prenka e dinte se autoritete nuk do t’ia falnin nëse do të mirrnin vesh se autori i “Dritë mbi Shqipni”, vazhdonte me shkrue edhe muzikë fetare. Thamë dhe ma nalt: të kesh përpara një partiturë me shkrimin e Prenkës dhe tue e pasë njoftë atë shumë afër, njeriu përpiqet me lexue “përtej” asaj partiture, të kuptojë si e ka shkrue, pse e ka shkrue, kush ja ka porositë… Ndoshta askush. Ishte devocioni i madh i Prenkës që mes qinda detyrave që ia ngarkonin dhe shpesh herë edhe vetngarkohej, gjente kohë, ose ma mirë me thanë gjente paqë, qetësi, tue krijue për Zojën. Nuk asht e rastit që pothuej të gjithë pjesët me karakter fetar të Prenkës janë shkrue në muejin Maj. Kjo asht dhe litania “ma e thjeshtë” si formë, 14 batuta gjithsej. Solistit i përgjigjen dy zane të tjera (me terca të thjeshta) dhe vetëm në dy masat e fundit zani i solistit bashkohet me ato të dy zaneve shoqnuese. Partì vokal asht kaq i thjeshtë sa që mund të mësohet në pak minuta. Koret e kishave, me presione të ndryshme, po zvogloheshin dita ditës. (Preka e dinte mirë se koristët tashma nuk kishin mundësi me ardhë për prova; vinin vetëm pak minuta para ceremonisë fetare, ndaj u duhej përshtatë atyne kushteve). Por në rastin e litanisë për të cilën flasim, thjeshtësia me bukurinë shkonin mirë pse krijimi ishte vërtet i frymëzuem. Ky ishte Prenka,. që nuk rrinte festë fetare pa kremtue edhe me vizita ndër miqtë të dy besimeve; Prenkë Jakova që ndihmonte edhe ekonomikisht shokët e tij të punës, pa qenë vetë kurrë i mëkamun ekonomikisht; ky ishte Prenka që besonte e jetonte si njeri me besim të thellë tek Hyji. Por temën e besimit e gjejmë edhe në veprat e tjera të Jakovës. Në 11 numurat muzikorë që Prenka kompozoi mbi vargjet e Fishtës tek tragjedia Juda Makabe (ku përfshihen kangë, korale, duete, romanza, ariosa e arie) ka dhe korale si “Për fe shejte” që nënvizojnë preferencën e Jakovës edhe për kët temë.
.
Sa ma shumë kohë që kalon nga humbja e tij e parakohshme, (që simbas meje ndodhi nga atmosfera e randë që ju krijue rreth tij, mbas shfaqjes së operës Skënderbeu), aq ma shumë figura e tij si kompozitor e njeri ngrihet ma e qartë, ma e pastër, e bukur dhe burrnore.
Ave Maria, që po botojmë, (me partin e harmoniumit të redaktuem, simbas shënimeve të autorit, nga miku e bashkëpuntori tij ma i ngushtë, kompozitori Tonin Harapi), asht shkrue, simbas Harapit, në Romë, në vitin 1943. Vepra asht e ndërtueme në dy pjesë, në formen A B, të barabarta në përmasa (16 masa secila), e para në mi minore ndërsa e dyta në Mi maggiore. Minori i Prenkës nuk asht kurrë vajtues. Edhe pse jemi para nji lutje – para lutjes ma të njohun e popullore për të gjithë krishterimin – në pjesën e parë, edhe pse në minor, melodia asht nji thirrje që del nga thellësia e shpirtit e me forcë
Nji thirrje e tillë që ka përveç forcës edhe adhurimin, por edhe lutje e përvujtni para Asaj, që asht Nana e Hyjit. I gjithë ky devocion shpërthen në pjesen e dytë (në Mi maxhore) si shprehje e nji gëzimi, gjithnji burrnor, për të mbarue me nji nderim e gëzim të përmbajtun, tashmë me “bindjen” se kjo lutje asht ndigjue nga Nana e Hyjit. Krijimi asht i frymëzuem, origjinal dhe tregon për nji autor që tashma kishte fillue të krijonte gjuhën e stilin e vet. Edhe pse kjo lutje asht trajtue muzikalisht në literaturën muzikore botnore, Ave Maria e Jakovës asht shqiptare dhe paksa, në formë, ndjehet influenca e klasikëve.
Interpretimi i denjë i kësaj pjese nga basi Frano Lufi, nën drejtimin e dirigjentit Aleksandër Qyteza, e ka ba edhe ma konkrete vlerën artistike të muzikës sakrale të Jakovës.
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.