back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Prenkë Jakova – Njeriu dhe artisti – nga Robert Prennushi

Gazeta

Kompozitori Prenkë Jakova
Kompozitori Prenkë Jakova
Prenkë Jakova – Njeriu dhe artisti
nga Robert Prennushi

Çdo 16 shtator nxanësit, bashkpunëtorët e miqtë e Prenkë Jakovës, kudo që janë, në mënyra të ndryshme, kujtojnë e diskutojnë për humbjen e parakohëshme e të papritun të asaj figure që Shkodra e arti shqiptar patën fatin ta kenë mes tyne. Vdiq tragjikisht 53 vjet ma parë, me 16 shtator 1969, kur ishte vetëm 52 vjeç; në moshën kulmore të krijimtarisë për nji kompozitor.
Këtë radhë, ky përvjetor i trishtë, më gjeti tue reflektue për Prenkën jo vetëm si kompozitor, por ma shumë edhe si njeri, si karakter, edhe përmes kujtimeve personale. E kam pasë mësues në klasën e parë fillore dhe për 17 vite kam qenë ‘nën baketën e tij’.
Sot nuk asht ditë me ba analizë veprash. Asht ditë kujtimesh e lutjesh për Prenkën. Ai ka qenë e mbetet talenti e kompozitori për antonomazi; por ka mbetë edhe si legjendë për jetën e tij.
E kush nuk e njeh jetën e veprën e Jakovës!
Njeriu dhe Artisti, tek ai ishin të lidhuna e u trasmetuen natyrshëm edhe tek vepra e tij. Populli njohu në krijimtarinë e Prenkës nji ‘produkt’ që kishte dalë nga shpirti i nji njeriut që jetonte me gëzimet e hallet e tij, që kishte shijen e kërkesat, sjelljen e zakonet e njerëzve të thjeshtë që e rrethonin.
Me Jakovën mbyllet edhe cikli i kompozitorëve ‘atipikë’ shkodranë, që filloi me Palok Kurtin e F. Ndojën, Át Martin Gjokën e Dom Mikel Koliqin, që sot nuk egzistojnë ma. Mbas Prenkës, gjithshka do të ndryshonte. Kompozitorët, tash e mbrapa, do të ishin për publikun, madje edhe për egzekutuesit, pak ma shumë se emnna abstraktë. Kompozitori do të kompozonte, vetëm muzikë, të cilën do ta merrte në dorë një dirigjent, për ta luejtë me nji orkestër me shumë instrumentistë e koristë; të gjithë këta të mësuem nga shumë mësues të tjerë të specialiteteve të ndryshme. Gati si nji ‘prodhim-zinxhirë’, sikur ndodhë në nji fabrikë, ku pjesë-pjesë del një produkt i plotë. Prenkës, si paraardhësit e mësuesit të tij At Martin Gjoka, ju desht të ishte i pranishëm në të gjitha proceset e atij “zinxhiri prodhimi”, si krijues, organizator, mësues e dirigjent.
Si u formue Prenka si njeri dhe artist. Si u formue ai shpirt i ndjeshëm, por edhe burrnor, që zgjodhi muzikën si gjuhë për t’u shprehë?
Asht reduktive të thuesh se krijimtaria tij asht ‘produkt i rrethanave’, si shpesh përdoret kjo formulë. Në fakt ishte ai që u imponoi rrethanave kundërshtare drejtimin e jetës dhe krijimtarisë së tij, me talentin e vullnetin e tij të hekurt.

Prenkë Jakova dhe nxënësit e tij - Shkolla Françeskane - Shkodër 1944 (foto Shpend Bengu)
Prenkë Jakova dhe nxënësit e tij – Shkolla Françeskane – Shkodër 1944* (foto Shpend Bengu)

***
Lufta ja preu andrrat për shkollimin që kishte fillue në Romë, por përfundimi i konfliktit botnor që zhgënjeu pjesën dërmuese të vendit e posaçërisht Shkodrën, e gjeti familjen e Prenkës në një situatë vërtet dramatike.
Fillimi i punës si muzikant, mbas asaj që i ndodhi atij dhe familjes, dukej se ishte nji ‘aksident’. Por edhe nëse e quejmë kështu, ky ‘aksident’ u provokue nga zotësia e tij. U lirua nga izolimi vetëm pse dikujt ju kujtue që përvjetori i mbarimit të luftës po e gjente Shkodren ‘reaksionare’ pa asnji aktivitet artistik. Prenka u thirr me urgjencë për nevojë të madhe. Kjo ndodhi në shtator 1945. Me 28 nandor duhej festue përvjetori i parë! Mbas boshllëkut që krijoi vdekja e At Martinit, Prenka ishte i vetmi që mund ta përmbushte kët detyrë e në atë afat. Në ma pak se tre muej do të kompozonte tragjedinë e Fishtës, “Juda Makabe”! Dhe jo vetëm kaq. Duhet ta orkestronte e duhet t’ja mësonte solistëve, korit dhe orkestres. Vetëm Prenka mund ta bante këte.
“Pa Prenkën nuk mund të bahej vepra”, ishte “aut-auti” që ju vu autoriteteve dhe Prenka u lirue”, – thotë regjizori Zef Zorba në nji artikull.
(Vepra pati shumë sukses edhe pse regjimi, ende s’kishte vendosë që Fishta të quhej shovinist)
Ngjarjet rrodhën me shpejtësi për të keq e Shkodra, pra edhe Prenka, pau e provoi egërsinë e pashoqe të regjimit të ri. Sa peshoi tek ai ajo përjudhë që u skuq nga gjaku i mësuesve të tij françeskanë, i vëllaut të vramë e i shokëve të tij, askush s’e di. Ai zgjodhi muzikën për të komunikue, për të punue, për të jetue edhe me u përpjekë disi edhe me harrue?
Falë talentit të tij të padiskutueshëm, dukej se krijimtaria e Jakovës rridhte shpesh jashtë kontekstit politik që për pak po e eleminonte edhe atë si krijues. Dukej se ai kontekst që Prenka trimnisht u përpoq ta mundë, tue zgjedhë lidhjen e thellë me shpirtin e popullit, e bani atë të jetonte në nji sferë që ishte mbi atë realitet, ta anashkalonte atë me frymëzimin e tij.
Por ndodhi ajo që vërtetë nuk pritej. Mbas suksesit të “Dasmës Shkodrane”, Prenkën e arrestojnë përsëri.
Se çfarë i ndodhi n’atë vit e se çfarë pësoi ai, duhet t’ja ketë tregue ndoshta vetëm njerëzve të familjes.
Ashtu si u arrestue, ashtu edhe u lirue.
Me siguri ndonji ‘i madh’ mendoi se nuk mund të bahej pa Prenkën. Shkodra, që ishte mësue të kishte nji jetë muzikore të gjallë, që kishte pasë disa orkestra frymore e disa formacione orkestrale e ansamble korale, (7 salla shfaqjesh me mbi 350 vende), thotë në veprën e fundit akademiku V. S. Tole), mbas ‘thithjes’ në Tiranë të muzikantëve ma të mirë shkodranë, duhet të fillonte përsëri nga e para, duhet të mendonte për vete.
U desh nji përpjekje e jashtzakonshme e muzikantëve shkodranë me në krye Prenkë Jakovën, që të fillohet pothuej edhe nji herë nga e para. Nën shembullin e mësuesit të tij, At Martin Gjokës, Prenk Jakova i vuni gjoksin punës, pa pritë që të vinte kuadri i shkolluem nga jashtë ose nga Tirana. Ai ishte mësuesi, dirigjenti e kompozitori e mbi të gjitha shpirti i gjithë veprimtarive muzikore. Kjo ‘veçanti’ veç ja shton vlerën e veprës që na la Jakova, veç ja shton madhështinë e figurës dhe jetës heroike të tij. Por kjo ‘veçanti’ ka ba edhe që krijimet e tij, gjatë procesit të mësimit dhe përgatitjes, të jenë objekt i verifikimit për ate vetë. Amatorët, egzekutuesit, baheshin ndigjuesit e parë e vetë Prenka, kompozitori, bashkë me ‘ta ndigjonte realisht tingllimin në orkestracion, hamonizimin në koralet. Kështu vetë Prenka u rrit sëbashku me amatorët, që shpejt i kaloi kufijtë e Shkodrës. Shkodra muzikore ishte si Feniksi…
Puna e Prenkës dhe e muzikantëve të tjerë krijuen bazat për të kalue në krijimin e egzekutimin e veprave ma të mëdha. Prenka, mos të harrojmë, ishte autodidakt, por talenti i tij i madh ja fshihte këte mungesë. Por kjo gja e bante edhe ma të lirë, do të thonte për këte ‘difekt’ Prof. Eno Koço. Ai zgjodhi melodinë, si mjetin ma shprehës në krijimtarinë e vet dhe ma shumë muzikën vokale, pra jo atë instrumentale, për të shprehë ndjenjat e veta. Pse kryesisht muziken vokale? Pse atë populli do ta kuptonte ma mirë, por edhe pse në atë fushë ai e ndjente vehten ma të aftë?
Vendi i tij i punës dhe kërkesat që vinin ‘nga lart’ banë që edhe veprat e tij nuk mund të ishin të shkëputuna nga konteksti politik e jashtë zhvillimeve që regjimi donte t’i propagandonte e t’i glorifikonte përmes artit. Por me veprën e Prenkës ndodhi çudia.
Fatmirsisht karakteri abstrakt i figurës muzikore, në krahasim me artet e tjerë, asht shumë ma specifik. Abstragimi shkon deri tek e mistershmja, që e ban atë ‘produkt’ të pëlqehet ose jo, por në mënyrë të subjektive, pra pa parametra të përcaktueme objektivë, shkencorë. Mund të themi se krijohet nji lidhje që kalon nga shpirti i krijuesit tek shpirti i ndigjuesit, tue anashkalue disi edhe analizen objektive. Kështu ndodhi edhe me muzikën e Prenkës. Populli ndjente muzkikën e tij, nuk ndigjonte fjalët, sepse dihej se fjalët ishin të diktueme.
Opera “Mrika” asht kryevepra e Jakovës-për deri sa nuk i asht ba nji analizë e mirë operës “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”. Asht dhe opera ma e bukur shqiptare e krijueme deri më sot. Ajo vepër nuk asht vetëm një gur i çmueshëm në gjerdanin e muzikës shqiptare, por edhe nji dhuratë e madhe që autori i bani qytetit e amatorëve të vet. që i ngriti me vullnetin e mësuesit, dirigjentit e organizatorit të tyne. Me këte Jakova i bani që edhe ata, në nji farë mënyre, të hyjnë në historinë e muzikës shqiptare. Teatri i Operas dhe Baletit do ta kishte pasë për nder që të kishte qenë i pari ta shfaqte atë vepër. Por ky ‘opcion’, si thohet sot, as i ka shkue nëpër mend Prenkës. Ai nuk mendonte për vedi, po për çdonjenin prej nesh që patëm nderin të ishim pjesmarrës në atë debutim historik.
Të më falni, por për autorin e këtyre radhëve, pra për mue Jakova ishte ai që i dha drejtimin jetës sime. Ka qenë mësuesi im i klasës së parë fillore; ishte ai që i tha babës tim të më dergonte tek i apasionuemi mësues i violinës Zef Alimhilli e, pa mbushë pesëmbëdhjetë vjeç, më mori në orkestrën simfonike. Ishte ai që më transferoi në qytetin e Shkodrës, vetëm dy muej mbasi isha emnue e po punoja mësues në Mirditë. Atëherë isha vetëm 17 vjeç e më quejti ‘të domosdoshëm për orkestren’ para shefit të Arsimit, Nuri Çaushi. Dhe ndodhi e pabesueshmja: po atë ditë Prenka më mori me vete në Shkodër me atë autobus që kishte ardhë në Rreshën me bandën në festën e Rrëshenit. E nuk jam i vetmi. Nji shok imi, moshatar, trasferohet nga nderhymja e Prenkës nga Peshkopia si violinist.
Prenka! Sa shokë tonë janë zbritë nga makina, ditën që do të niseshin ushtarë? Sa të tjerë me ndihmën e mikut të Prenkës, shpirtmirit, dirigjentit Gaqo Avrazit, kryen ushtrinë në Ansambël?
Njeriu e artisti tek Prenka nuk mund të ndaheshin. Jam dëshmitar që nji muzikanti, i cili ma vonë bani emën, Prenka i dhuroi nji kostum të ri, sepse i duhej vërtetë për nji rast; ishte Prenka që ja lehtësoi vorfninë dy koristeve jetime e kujdesej, si për nanën, për punëtoren e shërbimit të shtëpisë së kulturës të mos lodhej. Kujdesej të përcillte sidomos vajzat e reja me grupe: e kjo bani që të gjithë ta ndjenin veten si pjesë e nji familje të madhe.
Pas shfaqjes me sukses të operas “Mrika” në Shkodër me 1 dhetor 1958, trupa u ftue për shfaqje edhe në Tiranë, ku asistoi vetë E. H. Në të nesërmen i priti autorët sëbashku me disa përfaqsues trupës artistike.
Tashmë dukej se Prenka ishte reabilitue plotësisht. Por për ne që punonim me te, dukej qartë se kjo gja as e ngrohte e as e ftohte.
Prenka ishte si ajo makina me motorr të fuqishëm. Emni që kishte fitue veç e bani edhe ma punëtor. I ndershëm, kërkues ndaj vetes e të tjerëve, ai ndiqte jo vetëm veprimtaritë muzikore të shtëpisë së kulturës, por edhe të gjithë rrethit.
Edhe pse muzika e tij ishte e vazhdoi të jetë kryesisht vokale, pra edhe me tekst (si në rastin e operas ‘Mrika’), ‘çuditnisht’ ajo muzikë si atëherë edhe sot, nuk na kujton atë realitet, por na trasmeton ndjenja njerëzore. Gjenialiteti e talenti i madh i Prenkës, që ‘foli’ në atë vepër me nji gjuhë thellësisht të frymëzueme e shqiptare, na trasmeton edhe sot ndjenja njerzore universale, të çdo kohe: dashuninë e pastër, dashuninë e nanës, idhnimin, gëzimin… Mrika, Dava, Doda, Daja Gjin, janë përsonazhe të besueshme, e muzikalisht të tipizuem mjeshtrisht. Suksesi që vazhdon të ketë kjo vepër edhe kur jepet në formë koncertale, asht dëshmi e dashunisë që ka ndigjuesi shqiptar për atë vepër të frymëzueme.

Prenk Jakova - Babai i Operas Shqiptare
Prenk Jakova – Babai i Operas Shqiptare

***
Kur marrim guxim të shkruejmë për Prenkën, tue hy në majë të gishtave në panteonin e jetës e veprës së tij, pa dashtë na shkon mendja, edhe tek vdekja tragjike e tij. E kjo na ban të jemi edhe ma të kujdesshëm kur shkruejmë për të. Por Jakova pati jetën e vet, që e jetoi në gjithë plotëninë e saj, denjësisht e trimnisht, tue gëzue e vuejtë me njerëzit, tue dashunue e jetue me parimet e veta morale e zakonore, që e banë atë edhe të veçantë, origjinal.
Prenka dashunoi me të vërtetë vetëm nji herë e ajo ishte Klotilde Shantoja, sopranoja me za brilant!
‘A ke tregue çdo gjà që di për Prenkën?’ – i them vedit në këto orë të vona. Madje, tue rreshtue këto ngjarje – grimca në jetën e Jakovës – ftoj edhe shokët e miqtë e mi që u rritëm nën baketën e shembullin e tij, të plotësojmë, qoftë edhe me grimca kujtimesh, atë mozaik madhështor, që asht jeta e trashigimia muzikore e Prenk Jakovës, tue dhanë kështu edhe një ndihmesë në portretizimin e plotë të figurës së tij të papërsëritshme në historinë muzikës shqiptare.

Prenk Jakova (1917-1969)
Prenk Jakova (1917-1969)

***
Do të kremtohej 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Kush mund ta bante nji opera kushtue heroit. Jakova! Ishte vendosë nga nalt, natyrisht. Kompozimi e sidomos kalvari i diskutimeve për të heqë e ndërrue skena të tana, e lodhën Prenkën. Vërtet kremtonim 500 vjetorin e heroit të madh, gjà që ishte vendosë edhe nga UNESCO, por lidhja ma e ngushtë e Shqipnisë me Kinën, kulti i individit që po merrte pëmasa gjithnji ma të dukshme, lidheshin edhe me qëndrimin ndaj Skënderbeut. Kush do të ishte Heroi i Popullit tonë në jetë të jetëve? Sigurisht jo Gjergj Kastrioti, por Enveri. Dhe të afërmit e tij – që e kishin edhe ma shumë frikë – banë ç’banë dhe krijuen nji atmosferë jo të favorshme për operen ‘Gjergj Kastrioti -Skënderbeu’, ende pa u shfaqë.
Erdh edhe dita e provës së përgjithëshme. Nji pjesë e muzikantëve nga Shkodra dhe vendi, tue mos pasë mundësi të jenë në premierë, preferuen me asistue në provën e përgjithëshme. Nji triumf i vërtetë! Ma shumë se 15 minuta duertrokitje. Dikush tha 17 minuta. Unë vetë isha në atë provë të paharrueshme. Prenka ishte i gëzuem, por përmbahej.
Erdhi dhe premiera e 17 janarit 1968. Ishte nji publik ‘i zgjedhun’, por jo nga ana artistike… Me protokoll, si thohej atëherë. Kryetarë, sekretarë por dhe studjues vendas e të huej. Njerëzit në sallë ma shumë shikonin me bisht të synit nga llozha qendrore, për të pa reagimin e ‘të madhit’, se sa ndjenin operën, megjithqë ngjarja artistike ishte e jashtzakonshme. Shqiptarët, për herë të parë shkruenin nji vepër madhore për heroin e tyne, Skënderbeun, ma të madhin e të gjitha kohëve. Ndër dymijë e sa veprat që Europa i kishte kushtuar heroit tonë, ishte dhe opera që kishte shkrue Vivaldi. Volteri i madh kishte thanë për heroin tonë: ‘Sikur perandorët e Bizantit të kishin qenë Skënderbegë, nuk do të kishte ra Konstantinopoli’.
Po ‘ai’ në llozhë qendrore ç’mendonte? Ai kishte sfidue Bashkimin Sovjetik dhe tashti kishte sfidue edhe vetë Zotin me revolucionion kulturor ‘alla kinezçe’. (Jemi pak muej mbas fjalimit të 6 shkurtit). Figura e Skënderbeut i bante hije. E çfarë hije! Nji ditë ma parë, në mbledhjen jubilare për Gjergj Kastriotin, Mehmet Shehu, këte herë edhe në rolin e ‘historianit’, e quejti Skënderbeun pak ma shumë se nji feudal…
Opera u prit ftohtë. Duhej rishikue.

Personazhet dhe aktoret e Operë "Mrika"
Personazhet dhe aktoret e Operë “Mrika”

***
Thuhet se mjellma këndon vetëm nji herë në jetë. E kjo ndodhë para se të vdesë. ‘Kanga e Mjellmes’ e Prenkës ishte Hymni i Republikës. (Atëherë mendohej të ndërrohej Hymni Kombëtar, madje ishte shpallë edhe nji konkurs) Çuditrisht tashti që e ndjejmë, strofa na tingllon krejt si nji lutje… Kur ishte në konservator në Romë, e para pjesë me peshë që kishte shkrue Prenka ishte ‘Ave Maria’…
Me lutje e filloi, por edhe e mbaroi jetën e tij!j
Dritë të ban shpirti!
Pushofsh në paqë, mësuesi ynë i dashtun!
Robert Prennushi, 25 shtator 2022

*Autori i shkrimit është i pesti në rreshtin e poshtëm nga e majta. (shën. j.r.)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.