back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Presidentët e Shteteve të Bashkuara, për Shqipërinë e Kosovën – nga Pertefe Leka

Gazeta

Katër Presidentët - Mount Rushmore Monument
Katër Presidentët – Mount Rushmore Monument

Presidentët e Shteteve të Bashkuara, për Shqipërinë e Kosovën

nga Pertefe Leka

Populli Shqiptar i përjetësoi në vepra monumentale

Në situata të luftës për ekzistencë, Urtësia shqiptare është përpjekur të gjejë rrugëzgjidhje, duke iu referuar shembujve të luftëtarëve më të lartë në botë, të sakrificës sublime për pavarësi. Ishin ngjarjet e vitit 1911, kur kryengritjet gjithë popullore në Shqipëri duheshin drejtuar kundër armiqve otomanë dhe fqinjëve veri-jug, që vazhdonin me aneksime territoresh.
Në këte lëvizje për bashkim ngre zërin Poeti i Lirisë, Ndre Mjeda,* i cili nga gjashtë sonete të poemit “Liria” katër prej tyre ia kushtoi Presidentit George Washington.
Sot të nderosh Washingtonin, ku reflektohet largpamësia e Mjedës, është ridimensionimi i sistemit të vlerave legjitime të identitetit tonë kombëtar, që është fokusuar në thirrjen “Lirim, lirim!”
E për këtë Mjeda i drejtohet, Yllit Polar të Amerikës: “Washingtoni na thrret”
Ju duk për së lergu, e qe po vjen lirija;….

…Të lumtë, o Washington! u zhvillat qielli,
E njom toka për mall me brohorië
E mbi flamuj të zotnuem ndejt luan..

…Lirimi, tuj britun në Filadelfie:
“Amerikën e zhgon Amerikani”… Vargje nga poema “Liria”

Petku i priftit nuk ia mbylli krijimtarinë, përkundrazi ai çfarë akumuloi, falë talentit të jashtzakonshëm e shpërndau me fuqinë e koncentruar të intelektit dhe të shpirtit, si një bard i eposit shqiptar në veprat Juvenilja, Liria, Vaji i Bylbylit, I tretuni, Lisus, Scodra… Ku përfshihen tingëllima, kushtruese për liri dhe himne për vlerat njerëzore me një admirim për tiparet morale të njerëzve të thjeshtë.

Në sheshin Wilson, Tiranë, Monumenti i Presidentit  që mbrojti Pavarësinë e Shqipërisë
Në sheshin Wilson, Tiranë, Monumenti i Presidentit që mbrojti Pavarësinë e Shqipërisë

Në shenjë nderimi të Ditës Përkujtimore “Presidents Day”, që përkon me ditëlindjen e Presidentit George Washington,** bashkohet urimi me zërin e poetit Mjeda “Lirimi, tuj britun në Filadelfie”: ku transmetohet shembulli i lartë i luftës së drejtë për pavarësi, të cilës i dha zgjidhje vetë populli amerikan “Amerikën e zhgon Amerikani” ndaj forca e thirrjes “Lirim” merr përmasa që shtrihet ndër kontinente, për të realizuar ide të mëdha.
Me këte rast, hedh vështrimin njëkohësisht, edhe me të tjerë autorë tejpamës, që vlerësuan drejtuesit e një shteti të madh me demokraci të konsolidueme.
Me vlerë janë veprat biografike “Lincoln” 1961 dhe “John F. Kennedy” 1980, të publicistit të mirënjohur shqiptaro-amerikan, Xhevat Kallajxhi.***
Dy veprat biografike të shkruara shqip për presidentët, që patën të njëjtë fatin e fundjetës:
Abraham Lincoln (12 shkurt 1811-1868) dhe John Kennedy (1917-1963) luftëtarë të zjarrtë për të drejtat e njeriut dhe bashkimin e kombit.
Autori i trajton Presidentët, si shembuj të lartë për mbarë njerëzimin.
Në veprën “Lincoln” 1961, autori inkludoi të përkthyer në shqip poezinë e poetit, Walt Whitman, kushtuar Lincoln-it pas vrasjes tragjike, që i ndodhi në një kohë, kur i dha fund Luftës Civile dhe ngriti lart flamurin e SH.B.A-ve.
Atëhere kur po përgatitesh me tërë fuqinë e tij për të rindërtuar kombin dhe për të vllazëruar të gjithë Amerikanët

O kapiten, o Kapiten i im
Udhëtimi i tmerrshëm u mbarue!
Anija jonë e kapërceu furtunën
Dhe qëllimi ynë u plotësua…

Me të tillë presidentë krenohet Kombi Amerikan, figura universale, kampion të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë në botë.
Një nga presidentët që depërtoi shpejt me idetë e tijë, siç e quajti Fishta “Filozofia Wilsoniane” u reflektue me ndikim konkret në Kryeveprën e Anton Harapit**** “Andrra e Pretashit” publikuar 1959 (pas vdekjes) ku kam shkëputur një frag. f. 98.
“Nji ditë prej ditësh, përveç projektit të bamë për pajtimin e gjaqeve… kishëm qitë cekën m’u ra mbrapa atyne krahinavet në rasë qi do t’u zbatojshin 14 pikat e Wilson-it e do t’u dajshin kufijt e shtetevet mbas gjuhet e mbas kombsijet. Në marrveshtje me nji komitet të përkohshëm, të ngrehun në Bashki të Shkodrës po për këso çashjesh, kishim sajue:
1-me ba nji shkresë me sa ma shum nënshkrime për ta dërgue në Konferencën e Parigjit me lypë të njiten me Shqipni Hot-Grudë e Triepsh:
2-me ngrehë nji Bashki të përkohshme me flamurin shqiptar në Hot:
3-me ra në Shkodër me përfaqsuesa të bajrakëvet të Cemit për nji dimostracjon…”
Ky peticion drejtuar Konferencës së Paqes në Paris e bëri shpejt efektin, plani i Presidentit Wilson u dha shpresë malësorëve, të cilët manifestuan në demostratën në Shkodër duke brohoritur:
“Hot e Grudë ishin betue
Pa gjak malet mos me i l’shue…”
Kështu vepruan mendjet e ndritura me vlerësime për Presidentin Wilson: “Si një lis i Madh në të cilin Kombet e Vogla kanë ndërtuar Foletë…” shkruante Fan Noli, i cili në takimin me Presidentin amerikan i foli në gjuhën e tij, me zemër shqiptare dhe gjeti përkrahjen e sinqertë për ruajtjen e pavarësisë. Fjalimet e studiuara nga At Fishta, Imzot Bumçi që u lexuan, përballë Presidentit Wilson. Letra e peticione nga Konica, Nikoll Ivanaj, Kristo Dako, Motrat Qirjazi pasqyronin shqetësimin e madh për padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar.
E thjeshtë por e fuqishme ishte letra e bijës së Çamërisë, Lejla Dino, dhënë direkt në dorë Znj. Wilson për Presidentin, ku i drejtohej kryetarit të Konferencës së Paqës me besim të plotë, te shpëtimtari, për popullsinë shqiptare, që po shkonte drejt shfarosjes prej genocidit grek. Të gjitha përpjekjet së bashku bënë efektin e vet, u ruajt pavarësia e Shqipërisë së cunguar.
Kështu janë transmetuar dhe kanë depërtuar idetë progresive në të mirë të njerëzimit. Patër Anton Harapi, shqiptari i urtë i përhapi shpejt idetë Wilsoniane dhe i ngriti peshë malësorët, për të kërkuar nga fuqitë e mëdha, zbatimin e tyre. Ndërsa, Presidenti Wilson gjeti ide të përbashkëta me ideologun e bashkimit të Italisë, Mazzinin:
Modest dhe njerëzor ishte Presidenti Wilson kur shkruante: “I not only use all the brains that i have, but all that i can borrow”
Ndaj, Presidenti Wilson në detyrë, kur ishte në Europë në Konferencën e Paqës në Paris, u shkëput dhe vizitoi në Genova të Italisë, Monumentin e Giuzzepe Mazzinit, ku u përul me respekt përpara ideologut “Mendim e Veprim, Zoti dhe Populli” Ndaj sot historiografia botërore i përmend si dy njerëz të mëdhenj që influencuan në ideologjinë e nacionalizmit modern:
“I stand in the prezence of this monument and bring my greetings and the greetings of America with our homage to the great Mazzini.
We have studied the life of Mazzini with almost much pride as if we shared in the glory of his history. I am very glad to acknowledge that his spirit has been handed down to us of a layer generation on both sides of the water.”; “It is delightful to feel how the voice of one people speaks to another through the mouth of men who have by some gift of God been lifted above the common level and therefore, there words of your prophet and Leader will, i hope, be deeply planted in the hearts of my fellow countrymen…”

“Enough is Enough”  Presidenti Bush në Shqipëri 2007
“Enough is Enough” Presidenti Bush në Shqipëri 2007

Mazzini projektuesi i “Risorgimento” (Ripërtëritja) ishte i pari që denoncoi doktrinën marksiste, si përçarëse, ndaj dhe Presidenti Wilson e quajti liderin e ideve përbashkuese, kundër urrejtjes dhe luftës së klasave.
Mazzini nuk heshti Ai e pa rrezikun që po i kanosej popujve, prandaj, iu kundërvu teorisë së tij.
Marx preaches he is the absolute ruler of his Party, admittedly he does everything himself, but he is also the only one to give orders and he tolerates no opposition”
(Marksi predikon, se Ai është sundimtari absolut i Partisë tij, padyshim, Ai bën gjithçka vetë, por Ai është gjithashtu i vetmi, që jep urdhëra dhe nuk toleron asnjë kundërshtim)
Ai e përshkruan Marksin “as a destructive spirit whose heart was filled with hatred rather than Love of mankind” Me një shpirt destruktiv zemra e të cilit është mbushur më shumë me urrejtje, sesa me dashuri për njerëzit. Marksi beson në revolucionin proletar, kundër të pasurve dhe në një luftë të ashpër nacionale midis klasave”
“Marx believes in a proletariat revolution against the bourgeois (the rich) national struggle between classes…”
Kjo linjë në vazhdimësi e Presidentëve të ShBA-ve, duke mbajtur lart flamurin e demokracisë, ka dhënë resultate në rritjen e mirëqenies dhe të drejtat njerëzore.
Presidentët e ShBA-ve, në situata kritike për Shqipërinë si Presidenti Wilson e ndaloj coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Ndaj sot, është i nderuar dhe i përjetësuar, ku ngrihet madhështorë, me Përmendoren në qendër të Tiranës në sheshin me të njëjtin emër.
Presidenti Clinton ndaloi genocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, ngjarje e tmerrshme, në mbyllje të shek. 20-të.
Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës (5 vjet më parë) bëri urimin: “…Kosova do do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time dhe jam shumë mirënjohës, që si President i SHBA-ve kam mundur t’ju ndihmoj për të ndjekur një të ardhme në liri, prosperitet dhe tolerancë… Unë vazhdoj të besoj se Kosova ka vend si anëtare e barabartë e Bashkimit Europian, NATO dhe Komitetin Ndërkombëtar…”
…Populli i Kosovës me mirënjohje të thellë, e nderoi Presidenti Clinton me përmendore në qender të Prishtinës.
Edhe Presidenti Bush me veton “Mjaft!” I dha drejtim pavarësisë së Kosovës. Në urimin 5 vjet më parë, në ditën e Pavarësisë shkruante: “Laura dhe unë përgëzojmë popullin e Kosovës në këtë rast të rëndësishëm dhe dërgojmë urimet më të mira për një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë…”

"There is nothing wrong with America that cannot be cured by what is right with America."Clinton
“There is nothing wrong with America that cannot be cured by what is right with America.” Bill Clinton

Sot me të njëjtin qëndrim vjen urimi nga Presidenti Biden, me rastin e 15-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndër të tjera shkruante në letrën e urimit “…Gjatë viteve të fundit, Kosova dhe SHBA-të kanë forcuar Institucionet Demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet tona…”
Duke garantuar mbështetjen e plotë siç shprehej edhe më parë: “Asnjëherë nuk do t’ju lëmë vetëm!” Gjithashtu kur Presidenti Biden pranoi të merrte Medaljen për djalin e ndjerë, Beau, i cili kishte shërbyer me dashuri e përkushtim për shtetin e Kosovës mbas mbarimit të luftës, shprehu mirënjohje për nderimin që iu bë dhe vendosmërisht u foli shqiptarëve: “Unë angazhohem për ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mbeten partner të palëkundër të Kosovës…”
Pritshmëritë janë të mëdha… populli shqiptar në trojet e veta, autokton mijravjeçarë në zemër të Europës jeton i ndarë në 6 shtete dhe i kërcënuar nga fqinjët në veri dhe jug, të cilët vazhdojnë me pretendime territoriale, ndërsa 50 Shtete të Amerikës të bashkuara nën një Flamur, jetojnë në harmoni në SHBA-të, shembulli më i mirë që na mbushin me shpresë e krenari.
Në Shqipëri, në Krujën e Skënderbeut, shqiptarët kanë ngritur monumentin e Presidentit Bush me një titull të veçantë “Enough is Enough”, që ta dëgjojnë të gjithë ata që e copëtuan Shqipërinë dhe të gjithë ata që hyjnë natën në Shqipëri me kalë troje dhe gdhijnë të nesërmen si zot shtëpie.
Thirrja “Mjaft” është për gjithë shqiptarët, pa dallim pasurie, të betohen në një flamur. Të Shpresojmë që kjo mbështetje në vazhdimësi, t’i shërbejë bashkimit tonë, mirëkuptimit reciprok, që kufijtë mos të jenë pengesë për popujt nga kokat e nxehta, t’i lënë njerëzit të lirë të vizitojnë shtëpitë në tokën e tyre dhe të jetojnë në paqe e vellazërim si në SHBA-të. Mirënjohje ndaj mbështetjes të SHBA-ve për integrimin dhe bashkimin e shqiptarëve në botën e lirë pa kufinj.
Po e mbyll me thirrjen e Sekretarit të Shtetit James Baker, më 1991 në Sheshin Skenderbej, Tiranë: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”.

Pertefe Leka
Pertefe Leka

*Ndre Mjeda lindi në Shkodër 1866 ku u shkollua për teologji dhe e vazhdoi në disa vende të Europës. Më 1887 ishte mësues muzike në një kolegj, Kremona. Iu kushtua lëvizjes atdhetare, 21 vjeçar shkroi poezinë alegorike “Vaji i Bylbylit” Shqipëria pas Kongresit të Berlinit. Si albanolog, kontribuoi në fushën e gjuhësisë, krijoi alfabetin, një tingull një shkronjë, hartoi tekste shkollore me prozë e poezi, gramatika, transkriptoi disa nga autorët e vjetër. Ishte pjesëmarrës në “Kongresin e Manastirit” 1908. Si politikan ishte deputet i Shkodrës 1921. Mori pjesë në lëvizjen demokratike 1924, u burgos 1925.

**Tingëllimat kushtuar Washingtonit,“Luanit të Amerikës” kanë qenë të fshira në tekstet shkollore gjatë diktaturës, për t’i lënë vend urrejtjes ndaj vendit më të madh të lirisë dhe demokracisë. Si mësuese letërsie e periudhës së realizmit-socialist, kurrë nuk m’u dha mundësia t’i komentoja katër sonetet e shkëputura, ndaj sot gjej rastin t’i inkludoj, pa koment, në këtë përshendetje.

***Xhevat Kallajxhi, editor i gazetës “Demokratia” në Shqipëri 1930-37, “Dielli” në Boston si dhe “Shigjeta” organ frontit antikomunist shqiptar në USA. transmetues në “Zërin e Amerikës”, VOA. Autor i shumë veprave me subjekt historik “Skënderbeu,” “Lot e Shpresa”, “Tingëllimat e zemrës” “Larg Atdheut”

****Anton Harapi, 20 shkurt 1888-1946, Frat françeskan, mësues, shkrimtar, publicist, politikan, atdhetar i devotshëm antikomunist, i cili punoi për t’i shërbyer bashkëkombësve edhe pas vdekjes: Edhe në varr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt e temelit t’njasaj binaje sot e quejm Shqypni”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.