Probleme të Vlorës dhe deputetët ushtarë të partive
nga Gëzim Zilja
Janë gjithsej 12 deputetë të qarkut të Vlorës, dy të Foltores, një i PD-së zyrtare, një i çamërve dhe gjashtë të PS-së. Ata janë përfaqësues të popullit në parlament dhe si të tillë problemet themelore të banorëve të djathtë apo të majtë të Vlorës, duhet t’i trajtojnë në parlament me anë të ligjeve (të propozohen) ose me kërkesa për investime. Prej tridhjetë vitesh deputetët pjesën më të madhe të kohës e harxhojnë, duke punësuar militantët, ndërhyrë në polici apo drejtësi për favore, duke nxjerrë leje ndërtimi për miqtë, duke ndikuar në pushtetet lokalë për të fituar një copë tokë qyl apo tenderin e radhës ndonjë miku i tyre dhe allishverishe të tjera. Nëse ata do të ishin përfaqësues të popullit për problemet themelore të qytetit në raste të veçanta do të bëheshin bashkë e do të flisnin me një gjuhë të unifikuar, që u shërben banorëve dhe jo interesave të caktuara të oligarkëve, grupeve të majta apo të djathta.
Devijimi i lumit Shushica për ta çuar në bregdetin e Himarës.
Është një problem ekzistence, jetik për fshatrat e Lumit të Vlorës e më gjerë. Nga banorët e këtyre zonave (të djathtë e të majtë) dhe shoqatat ambjentaliste ky vendim i qeverisë është kundërshtuar, duke nxjerrë arsye shumë të forta, që kanë të bëjnë me florën, faunën dhe zhvillimin ekonomik të atyre zonave. Me përjashtim të deputetit Bujar Leskaj që e ka kundërshtuar me forcë devijimin e Shushicës në parlament dhe per çeshtje të tjera, nuk kam dëgjuar deputet tjetër të djathtë të cicërijë ose recitojë diçka interesante kundër këtij projekti. Deputetët e majtë si zakonisht heshtin dhe pranojnë çdo veprim të KM-së së gjithëditur dhe të pakundërshtueshëm edhe pse e kanë për detyrë të flasin në parlament, për këto vendime që shkatërrojnë jetën e një krahine të tërë. Fundja të shprehen pro futjes së Lumit Shushica në tubo, duke e argumentuar pse duhet bërë ky devijim?
Instalimi i TEC-ve lundruese në Zvërnec.
Shumë politikanë, analistë, gazetarë, ekonomistë, janë shprehur qartë se kjo është një aferë e madhe korruptive, ndërsa shoqata dhe specialistë të ambjentit shprehen dhe argumentojnë se vendosja e tyre në punë do të sjellë pasoja katastrofike për florën dhe faunën detare dhe do të ndotin ajrin e qytetit me pasoja për shëndetin e banorëve. Përfaqësuesit e popullit heshtin. Edhe kur i kërkojnë TV-të kombëtare apo lokale për t’u shprehur, edhe kur i thërrasin ambjentalistët të bashkohen me ta në protesta, as marrin mundimin të hapin telefonin.
Furnizimi i Vlorës me ujë të pijshëm
Vlora me rrethinat në pjesën më të madhe të saj vuan sidomos në verë nga mungesa e ujit. Janë hedhur miliarda euro për rrugë, beton, janë bërë, ç’bërë e ribërë nga dy e tre herë sheshe e rrugë të qytetit por asnjëherë nuk është bërë investim në rrjetin e ujësjellsit të Vlorës. U investuan rreth 140 milionë euro për Tunelin e Llogarasë (Tuneli i Zamirit e quajnë) dhe rrugën Orikum-Dukat (Rruga e Gjikurisë, thonë) dhe asnjë nuk është ngritur e t’i thotë strategut të rilindjes së Vlorës, në parlament: “Zoti kryeministër: Pse kaq shumë para për një tunel apo rrugë ekzistuese, kur qyteti me rrethinat ka nevojë uluritëse për ujë?” Vetëm njëzetë milionë euro mjaftojnë që Vlora me gjithë fshatrat të ketë ujë çdo njëzetekatër orë. Në verë ka fshatra e lagje ku uji mungon me ditë të tëra. E di që militantët me grada e pa grada do më thonë: “Duhet Tuneli. Duhet rruga Orikum-Dukat se sjellin zhvillim,” Sigurisht që duhen them edhe unë. Po banorët e Vlorës thonë, që ka prioritete, dhe zgjidhja e çështjes së ujit është para asaj të Tunelit e të rrugës ekzistuese Orikum-Dukat.
Nga dhe si do të zgjerohet qyteti dhjetëvjeçarët e ardhshëm?
Këto tridhjetë vjet Vlora është “zgjeruar” sipas parimit kaotik: Gjej vend e shesh bosh në qytet e ndërto ose duke kafshur, rruar e qethur kurorën e kodrinave (një kryevepër e natyrës) rrugë pa rrugë, nga hyrja e Vlorës deri në Jonufër e më tej, duke zhdukur sipërfaqe të tëra të gjelbra. Në shpatet e pjerrëta të kodrinave gjen edhe ndërtesa tetëkatëshe që është marrëzi sipas gjeologëve, inxhinierëve të ndërtimit dhe ambjentalistëve. Mendoj që deputetët e Vlorës në këto probleme duhet të jenë bllok dhe të kërkojnë një plan rregullues dhe zgjerues të qytetit për të ardhmen, duke ndërtuar lagje të reja. Nuk është e nevojshme të thërrasin miqtë e KM-së nga Danimarka apo Belgjika. Inxhinierët arkitektë, urbanistë, të ndërtimit në Vlorë janë të aftë ta bëjnë në mënyrën më të mirë. Ata e filluan projektin për zgjerimin e qytetit qysh në vitin 1996, por lufta e vitit 1997, rrënoi gjithçka.
PS. Ka një projekt që para ish Akademisë së Marinës do të ngrihen së shpejti disa kulla. Nëse bëhet referendum, deputetët dhe KM-ja do të mësojnë se vlonjatët janë kundër këtij projekti. Ata shprehen se në tokën para Akademisë (e vetmja hapësirë e lirë në Llungomare) duhet të ngrihet Muzeu Kombëtar i Detarisë. Deputetët si përfaqësues të popullit, duhet ta çojnë kërkesën në parlament e jo të sillen si ushtarë të partive.
Marre nga Muri i FB Gezim Zilja, 13 tetor 2023