Prof. Aleksandër Xhuvani
nji skicë mbi jetën dhe veprën
dhe fjala e tij në varrimi e At Gjergj Fishtës…
Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880, në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor, dhe vdiq më 23 nëntor 1961. Mësimet e para i kreu në vendlindje, dhe të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.
Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit. Qe anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit për Studime Shqiptare, dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit të Studimeve, anëtar i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore. Në kulmin e veprimtarisë si gjuhëtar e pedagog, Universiteti Shtetëror i Tiranës i dha titullin Profesor Doktor Honoris Causa.
Që nga viti 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. Prof. Aleksandër Xhuvani vdiq më 23 nëntor 1961.
La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Po kujtojmë disa prej tyre:
“Libri i gjuhës shqipe” 1924;
“Njohuritë e para të sintaksës shqipe” 1925;
“Fillimet e pedagogjisë didaktike” 1926;
“Pestaloci” 1927;
“Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme (me Kostaq Cipon) 1930;
“Fillimet e psikologjisë 1933, etj.
Me studimin e jetës së tij janë marrë Bardhyl Graceni në monografinë “Aleksandër Xhuvani: Jeta, vepra” Tiranë 1980 dhe Hajrullah Koliqi në monografinë “Aleksandër Xhuvani”.
Po të krahasojmë shkrimet e para, që na zbulojnë bindjet e tij të formuara, e shkrimet më të vona, do të vërejmë menjëherë se edhe ai, pavarësisht nga rrethanat, që e shpëtuan nga prangat dhe i krijuan kushte të favorshme pune, duhet ta ketë ndjerë thellë në shpirt peshën e tmerrshme të diktaturës, që për njerëz si ai donte të thoshte vdekje e mendimit të lirë e e krijimtarisë së lirë. Këtë e dëshmon fakti se miqtë më të mirë i pat në radhët e intelektualëve me formin perëndimor, ndërmjet të cilëve, me gjuhëtarin e madh të panjohur, At Viktor Volajn, asokohe Rektor i kishës françeskane në Tiranë, me të cilin takohej rregullisht për të diskutuar mbi probleme gjuhësore e letrare, ndonëse asokohe takimet me një frat mund të konsideroheshin veprimtari armiqësore. Falë Profesor Xhuvanit, At Viktori vijoi, fshehurazi dhe pa emër, bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave duke dhënë një kontribut të madh për Fjalorin e shqipes. Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Profesor Xhuvanit, që mbajti mbi varr të At Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:
Profesor Xhuvani në Varrimin e At Gjergj Fishtës
“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë
lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar,
At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare,
tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë”
që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë,
që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë.
E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë,
se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë,
njashtu dhe epopeja e “Lahutës”,
odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave”
e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë
dashuninë e pamasë për truellin e të parëve
dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale:
Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit,
lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet
rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës.
E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve
që kemi pasë e kemi nëpër duer
edhe ua kemi mësue nxanësve poezitë e tij,
që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij,
e cila sot si një far i madh dritëdhanës
ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë,
si një Ungjill shkëndimadh morali
ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.
http://www.revistadrini.com