back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Prof. Beqir Haçi, student dhe mësues i Shkollës Amerikane, viktimë e komunizmit – nga Pertefe Leka

Gazeta

Beqir Haçi
Beqir Haçi

Prof. Beqir Haçi, student dhe mësues i Shkollës Amerikane,

viktimë e komunizmit

nga Pertefe Leka

(Një ndihmesë për mësues dhe nxënës të shkollës shqipe)

Përshëndetje Jozef,
Shkrimin që po ju dërgoj është për një personalitet të njohur, Prof. Beqir Haçi
Pas burgut komunist, Ai vazhdoi të shkruante në mësheftësi, në pamundësi të botonte.
Djali i tij Inxh. Sopot Haçi, pas viteve 90-të mori përsipër të botonte
të gjitha dorëshkrimet e të jatit, por sapo publikoi “Këngë të Pëshpëritura”
edhe Ai ndërroi jetë, duke lënë një mal me dosje të pa botuara.
Sopoti ishte i martuar me vajzën e Injac Zamputti, me origjinë italiane,
studjues, albanolog, përkthyes, historian, mësues letërsie,
mik i Prof. Lazer Radi, për të cilin duhet një studim me vete.
E kam njohur personalisht, Zotin Haçi kur të gjithë e thërrisnin Profesor,
ndaj u përpoqa ta përshkruaj aktivitetin e tij në të gjitha etapat e veprimtarisë tij.
Përzemërsisht, Pertefe
.
Pertefe Leka
Pertefe Leka

Beqir Haçi (1907-1990), personalitet i shquar i arsimit kombëtar, publicist, përkthyes dhe poet, nuk mund të lihet pa u kujtuar.
Bilbil Labi e ka vendin e merituar në historinë e letërsisë shqiptare.
Botimet e autorit në fjalë, deri në vitin 1946, ishin krijime letrare, pedagogjike, folklorike, përkthime që janë me vlerë edhe për sistemin arsimor aktual. Nga përkthimet po veçoj veprën “Njeriu i Detyrës” të Elbert Hubbard, për mesazhin e vyer që transmeton (botuar në Tiranë, me 1929 nga shtypshkronja “Teknike”, e titulluar “Një mandatë për Gjeneral Garcia-n”. Elbert Hubbard, 1856-1915, shkrimtar amerikan, filozof, publicist, critik, piktor, biznesmen…).
Përkthimi në shqip nga Prof. B. Haçi, ishte një akt mirënjohje për misionarët e Kryqit Kuq Amerikan për të cilët ndiente një detyrim moral për shkollën e kryer tek” Harry Fultz.”
Mesazhi që transmeton, është vlerësimi, për njeriun korrekt në kryerjen e detyrës, njeriun e ndershëm, kur sot më shumë ka përparësi puthadori i partisë se sa njeriu i punës, të cilët po marrin arratinë.
Duke lexuar poezitë e Haçit “Këngë të Pëshpëritura” të publikuara pas viteve ’90- të, të zgjohet një ndjenjë e veçantë krenarie, pasi nëpërmjet vargjeve njihet jeta e një veprimtari shoqëror me karakter të fortë.
Prof. Beqir Haçi, lindi në Borsh të Sarandës. Fshati piktoresk, u bë djepi I frymëzimit tij, ku lindi dhe u rrit talenti i tij. Borshi i poetit, vendi më i privelegjuar nga natyra shqiptare, zotëron të gjitha bukuritë. Gjithë ajo lartësi hijerëndë e Borshit reflektohet si në pasqyrë buzë Detit Jon, duke i dhënë një pamje madhështore të admirueshme për vizitorët.
Ashtu si ujërat e këtij vendi që gjarpërojnë si argjend mes një gjelbërimi të përhershëm, buron i pastër, një shpirt i sinqertë, te poezia Haçjane. I ekzaltuar prej saj ai shprehet:
“I habitur,i hutuar// Kjo natyra ç’ka krijuar// 
Nuk gjej fjalë për ta lëvduar,// Fluturoj duke menduar// n’amëshim//
Bukuria e vendlindjes dhe dashuria për të janë kredhur në shpirtin e poetit, nga ku përbëjnë temën kryesore të këtyre këngëve të botuara.
Borshi, si kryevepra e rivierës shqiptare është e përmendur edhe për numrin e madh të intelektualëve, pasi brezat e shekullit të kaluar kanë pasur një interesim të veçantë për shkollimin e djemve dhe vajzave brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shkolla e vjetër e Borshit shumë vjeçare dhe shtëpia e ndërtuar nga Avokat Rakip Leka, të cilën e la për shkollë, janë dëshmi e këtij interesimi për zhvillimin arsimor të kësaj treve edhe pse e djegur dhe e përvëluar disa herë nga andartët grek.
Në këtë vazhdë, i riu Haçi ndoqi studimet e mesme në shkollën teknike Harry Fultz të Tiranës. Për aftësitë e tij pedagogjike mbahet aty si mësues. Pas një dekade në atë shkollë, vazhdoi studimet e larta, Dega Pedagogji, në Firence të Italisë. Me largimin nga vendlindja, provoi mallin e Atdheut, që u bë më vonë motivi kryesor në temën patriotike.

Beqir Haçi - Këngë të Pëshpëritura I
Beqir Haçi – Këngë të Pëshpëritura I

Poezia e mirëfilltë e Dedë Bratit, një pseudonim tjetër i B. Haçit, është projektuar në bazën e përjetimeve, konstatimeve nga jeta reale, nga historia e vërtetë. Tema patriotike e trajtuar në librin “Këngë të Pëshpëritura” të kujton rilindësit, të cilët me Zjarr në gji i kënduan Atdheut dhe krenarisë kombëtare.
Në poezinë “Shqipëria e bukur” autori shpërthen me ndjenjat më të zjarrta, për Shqipërinë dhe popullin shqiptar që ishte “Kudo çelnik nga Preveza në Kaçanik”
Qënia e tij nuk mund të kuptohet pa Shqipërinë, Ai e dashuron ate pa kufi dhe vuan për te kur ajo është e plagosur 

“Se si mëmëdheu im nuk ka askërkund në botë/
Dhe një gisht po të m’i preket, mua më mbysin lotë.”

Ndjenja atedhedashurie gjejmë edhe te poezitë: “S’dua veç vendin tim!”, “Shkëmb i detit mesdhetar, mu si Kombi Arbëror”.
Në poezinë “Shqipëria të më rrojë “poeti nuk joshet nga asnjë vend tjetër në botë, duke përshkruar kryeqytetet më të përmendura të botës si “Parisi me bukurira”, “Berlini me kopshte si pasqyra”, “Londra madhështore”, “Nju Jorku me godina 100 kate”, si Shqipëria “Asnjë vend s’ë magjiplotë sa kjo toka Arbërore”.
Prof. B. Haçi, pas studimeve të Larta Pedagogjike në Firence të Italisë e ushtroi profesionin e mësuesit edukator, deri në vitin 1946.
Kur ushtronte profesionin e arsimtarit në Dibrën e Madhe, gjatë pushtimit fashist, u vu në pozitat e një revolucionari të vërtetë, në luftën kundër padrejtësive, që shtetet Evropiane shkëputën nga mëma Shqipëri pjesët më të frutshme, tokat më pjellore duke e lënë ate të ndarë në shumë shtete. Zëri i protestës ushton edhe sot në poezinë “Dibr’e Madhe e Shqipërisë” dhe përputhet me vetë qëndrimin e mësuesit liridashës. Për këto pikëpamje, me 1942, arrestohet nga fashistët sepse shkruante:
“Por Evropa mëkatare// me traktatet e këqija// Me dredhinat ma barbare//
të shkëputi nga jot ‘amë// të mohoi gjak e besë”
Ndërsa refreni:
“Çou se t’erdh dit’e lirisë// Ditë e shenjtë që ke pritë//
Dibr’e Madhe e Shqipërisë// Të shkëlqesh si yll e dritë”
Vargje që u kthyen në këngë dhe kënga nuk mund të ndalesh. Si Marsejeza.
Hyri në familjet dibrane, u këndua nga fëmijët e të rriturit, ishte një thirrje për shpëtim. Dibranët e kënduan, bashkuan zërat si revoltë për të shpëtuar patriotin e madh kur Ai vuante burgun fashist. Qëndresën e tij heroike autori e deklaron në vargjet:
“Se gjithë besën kemi dhënë Ja të lirë gjithë Atdhenë
Ja të vdesim që të tanë// S’e korisim Skenderbenë”
Ëndrra e poetit ishte Shqipëria Etnike. Kurrë nuk pajtohet me qëndrimin shovenist të serbomëdhenjëve, të cilëve ua bën të ditur:
“Dije mik, herët a vonë// Kosova do gjejë të zonë
Sado forcat të pengojnë, kosovarët do fitojnë 
sepse janë me të drejtë, kërkojnë “mëmen” e vet//Edhe lirinë e vërtetë.”
Po me këtë vrull proteste i drejtohet forcave reaksionare greke, duke iu drejtuar Zervës së Greqisë: 
“Pse ma dogje Çamërinë// Janë bij të Shqipërisë// 
Këtë tërë bota e dinë…// Kufirin e ka çdo hartë//Në Prevezë edhe në Artë”
Ashtu si i Madhi Fishta, autori mban qëndrim të prerë si ndaj Evropës që e copëtuan Shqipërinë “me dallavere, pazarlleqe e mashtrim” ashtu edhe ndaj Shteteve fqinjë që s’i shuan lakmitë e tyre deri në gjenocid për të mbrojtur “me turp padrejtësisht” trevat shqiptare.
Poeti insiston që “kufijtë e Atdheut timduhen ricaktuar drejtësisht” (nga poezia “Une nuk e di…” me 70 vargje
Unë nuk e di në jam “shovenist”// Por një gjë e di sigurisht
Që kufijtë e Atdheut Tim//Janë caktuar me turp padrejtësisht… 
Me dallavere, pazarllëqe e mashtrim// Dhe duheh ricaktuar drejtësisht…  Tiranë 1960
Në poezinë patriotike autori i çmon heronjtë, të cilët bënë emër në histori.
Nga Skënderbeu, deri te Vasil Laçi që janë shembuj të qëndresës e sakrificës ndaj okupatorit barbar. Në vazhdimësi brezat kanë nxjerrë trima e do të vazhdojnë. Për këte ka vënë në gojën e Vasil Laçit fjalët e trashëguara nga brezat: “Nëna në gjak ma ka lënë: Ta urrej okupatorin”
.
Beqir Haçi - Këngë të Pëshpëritura II
Beqir Haçi – Këngë të Pëshpëritura II

Kështu autori kërkon të dalin përsëri këta gjigandë të forcës fizike dhe të mendimit e të futet në popull “xix e mendimtarit” se vetëm atëhere “Çdo pushtonjësi e tirani do t’i vijë festja rrotull “(XiX’ e fortë e mendimtarit, Tiranë 1975)
Ashtu si iluministët francezë dhe gjithë rilindësit tanë e shihnin primare ngritjen e ndërgjegjës revolucionare, vetëdijën kombëtare në vargjet: “Zjarr’i mendimit”, “krejt një popull ngre në këmbë”,
Liria e Atdheut dhe Liria e individit janë gërshetuar të dyja të pandara për progresin shoqëror. Kështu poezia e Beqir Haçit është një dëshmi e madhe e dashurisë për njeriun që dëshiron ta shohi të lirë, të ditur, të lumtur, të virtytshëm e të bukur. Poezitë “Djali shqiptar” dhe “Vajza shqiptare” me epitete të zgjedhura, portretizon nepërmjet djalit dhe vajzës shqiptare, brezin e ri të cilët do të trashëgojnë “Bukurinë dhe trimërinë”. Vajza është punëtore, luftëtare, është stërmbesë e Skënderbeut. “Nga nderi e karakteri është mu si gur i çmuar.”
Edhe djali është i bukur fizikisht, është simbol i virtytit shqiptar, ai s’ka emër, por identifikohet me këto cilësi:
“Syn’e mprehtë m’a dha zhgaba//Zemërbardhën m’a dha bora
Bujarinë m’a dha dera// Trimërinë m’a la fisi
Besën ma dha malësia//Ja kush jam e ku kam lerë.
Poeti nuk mund të pajtohet me asgjë të keqe që mund të bartë shqiptari, kështu e koncepton atë brenda kushteve konkrete dhe rrethanave të cilat shpesh janë jo njerëzore.
Autori qëndroi në lartësinë e këtyre kërkesave historike në radhët e mendimtarëve përparimtar të shoqërisë sonë i panjohur deri tani sepse vuajti letargjinë e gjatë komuniste nga e cila priste ditën e Zgjimit, për të mos fjetur kurrë. Pasioni për poezinë nuk iu shua kurrë, shumicën e të cilave i shkroi nën diktaturë dhe kundër saj, në atë kohë as që mund të botoheshin.
Ai ishte betuar se edhe në rrethana pa rrugëdalje do të punonte për përparimin e Atdheut e të shoqërisë:

“Ndaj të gjithë djersën time do ta derdh për mëmëdhenë/
Do ta derdh për vendin tim, ku shqiponja ka folenë”
Burgosja nga komunistët, si student i shkollës amerikane e dërrmoi fizikisht, por jo shpirtërisht. Pas daljes nga burgu punoi si korrektor letrar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” deri sa doli në pension. Edhe pas pensionit punoi po me të njëjtin përkushtim duke dhënë mësime të gjuhës angleze.
Patrioti i flaktë udhëhiqej nga motoja “100 herë të biesh, përsëri të ngrihesh”Poezia “Skeleti im”
Skeleti im// Qëndro,dëgjon?// “armikut” thuaj: Këtu s’kalon// 
me hekur dru// e me kamzhik//Me çdo torturë//
Me plumb në ballë// Të mbytur po// N’at’ gjak e lot// 
Që i derdhi kombit// kot me kot// Për një përrallë.//
“Pishtari i Demokracisë” e ekzaminoj rendin më të egër diktatorial kur Ai ishte vuajtës i duruar si gjithë populli për një përrallë. (mendimi i tij përputhet me shkrimin e Branko Merxhanit “Pse nuk jam marksist” ku analizohen pasojat e shoqërisë bolshevike në Rusi, duke e quajtur komunizmin një eksperiment pa të ardhme) Ai s’u përkul, përherë në këmbë. E tërë puna e tij për të ardhmen e Shqipërisë ishte mbledhur në “shtëpizën” e tij nga ku pohon në poezi do ta bëj “Çerdhe pune për studime”
Jashtë kësaj shtëpize urtësia e tij nuk mund të dilte jashtë. Si i përndjekur do ta vazhdonte aktivitetin brenda me njerëz të besuar.
Me zotësinë intelektuale, me aftësinë krijuese, duke qenë ekzigjent ndaj vetes, e ktheu laboratorin e punës në shkollë. Edhe pse i izoluar e gjeti vetveten duke punuar me penë në dorë duke pasur kujdes në ruajtjen e konspiracionit.
Një ditë do të vinte që nga ato sirtare të mbyllura do të dilnin mesazhe madhore për brezat që të ruanin identitetin,vendin dhe origjinen.
Kam patur fatin që në ato rrethana të rrezikshme ta vizitoja studion e z. Haçi, ku u befasova me guximin e një mendjendrituri i cili na besoi ta vizitonim vendin e punës si miq të vjetër të familjes Leka. Dhoma ishte e mbushur me dosje, ku përfshiheshin shkrime të shumta, “Libra Popullorë” me artikuj të shumtë pedagogjikë – edukativ dhe patriotikë të botuar në Revistat dhe gazetat e kohës para 1944. Dhoma përreth nuk kishte piktura zbukuruese, por citate dhe këshilla me vlera edukative të shkruara me shkronja të mëdha përreth.
.
Beqir Haçi - Proverba Popullore
Beqir Haçi – Proverba Popullore

Për të nxjerrë në dritë shkrimet e dijetarit, u betua djali i profesorit, Inxh. Sopot Haçi.
Ai u gjend përballë një pune voluminoze, nga ku do të ngrinte kolonen e botimeve të njëpasnjëshme duke i ndarë sipas tematikës përkatëse. Sapo botoi pjesën e dytë “Këngë të Pëshpëritura” (1940-1990). Inxh. Sopoti ndërroi jetë, duke lënë një mal me dosje të papërfunduara.
Librat e botuar, pjesa e parë dhe e dytë të cilët i mora dhuratë nga Inxh. Sopoti, përmbajnë përveç temës patriotike, plotësohen edhe me poezinë filozofike dhe didaktike që të rrëmben me këshillat e urta nga të cilat nuk mund të ndalesh. Si të mirën dhe të keqen i ka dhënë të konceptuara brenda kushteve konkrete historike. Në krye të mirësive vë diturinë. Një popull i kulturuar dhe i emancipuar futet më lehtë në rrugën e qytetërimit, pavarësisht nga kushtet e rrethanat në të cilat ai jeton. Dituria është investim për të ardhmen, por njëkohësisht ai nuk nënvleftëson edhe shkollën e jetës siç e vlerëson te poezia “Mëso nga libri i jetës” 1980
Poezia didaktike e Prof. Haçit është shumë e përshtatshme sot për tekstet shkollore. Karakteri edukativ merr përmasa për t’i shërbyer brezave në vazhdimësi sepse në çdo kohë ato ruajnë aktualitetin. Duket qartë ndikimi i Pedagogut të madh amerikan John Dewey (1859-1952) themeluesi i Pragmatizmit ( pragma=veprim), teori e quajtun Eksperimentalizëm, Natyralizëm në U.S. Pionier i Psikologjisë Funksionale, lider i lëvizjes në Edukimin Progresiv… si edhe Maria Montessori, Rusoi… etj., të cilët në praktikën e edukimit ndërthurnin arsimin me jetën praktike dhe shoqërore. Këte praktikë të shkollës amerikane e zbatoi Mësues Beqiri në ushtrimin e profesionit në shumë shkolla, në qytete e fshatra të Shqipërisë. E quante edukatën nevojë jetësore edhe mbas mbarimit të arsimit shkollor. Edukimin jashtëinstitucional e lidhte me përparimin e përvojës të të rinjve që të inkuadrohen në rrjedhat e jetës shoqërore, për të qenë vizionar.

Lexo sa më shumë libra/ Dhe merr mësim nga çdo fletë
Por më shumë perfito/ Nga ç’dëgjon në jetë!
Nuk ka libër më të madhe// Nga kjo jeta, nga përvoja,
Dyqind libra nuk ta mësojnë/Sa ç’të mëson në çast nevoja!

Ai i jepte rëndësi pastërtisë morale, duke filluar nga vetja që të bëhej shembull për të tjerët. Poezia “Në luftë me vdekjen” e mishëron karakterin e vetë poetit, ku çdo thënie përputhet pikë për pikë me jetën e tij.

Nëqoftëse më gjen duke thurur thashetheme,
Nëqoftëse më dëgjon duke sajuar të rreme
Nëqoftëse kombin e përçaj si ujeme,
Nëqoftëse marr pa të drejtë edhe një kokërr peme
Ose tradhtoj atdhenë për regjime e sisteme 
Eja merrëm se këto vese karakteri s’i duroj 
I kam luftuar gjithë jetën dhe do i luftoj.

Duke mbajtur një qëndrim mohues ndaj të keqes dhe duke i lënë rrugë veprimi triumfit të së mirës. Duke i vlerësuar njerëzit e punës, ai largohet nga predikimi moral, sepse çmon punën si burim të mirëqenies dhe si lartësim dhe si fisnikërim të njeriut, si zbukurim të vendit, “Njeriu është faktori” Na duhen burra të punës//. Poeti i kundërvihet pronës së përbashkët në komunizëm, punës në brigada, që stimulonte përtacët, ato që i kishin krahët e mbrojtura nga e ashtuquajtura “biografi e pastër”.

Beqir Haçi - Njeriu i Detyres
Beqir Haçi – Njeriu i Detyres

Ky lloj organizimi bëhej burim i shumë veseve morale, të cilat e dëmtonin kombin dhe traditën e për këte nuk i ndalet faktorit Njeri.
“Njeri! po të ndalësh hovin, luftën dhe përpjekjen// s’je veç kandidat për të pritur vdekjen.
Këto këshilla kaq të vlefshme janë futur në poezi natyrshëm dhe s’kanë asnjë dyshim që jetëgjatësia e tyre do të jetë sa e vetë Shqipërisë dhe Shqiptarëve.
Në letërsinë shqiptare, poezia haçjane sjell një element të ri, në trajtimin real të individit në shoqërinë komuniste.
Rrafshimi i individualiteteve njerëzore në vitet e egra të diktaturës e habit e revolton. Shpirti i tij vlon për ta demaskuar këte të metë të madhe.
“Si the? Edhe punëtorin e trajton si puthadorin?// Njësoj e ke si patriotin dhe horrin?//
Intelektuali i shquar nuk mund ta kuptojë tufëzimin e njerëzve ndaj dhe satira politike bëhet therëse:
“Si s’të vjen turp të trajtosh luanin si kërmillin//
Ismail Qemalin njësoj si Haxhi Qamilin!”
Ai e shihte se si sistemi komunist e shihte njeriun vetëm si objekt, si mjet pune, si instrument në Shërbim të politikës së vet.
“Politika në plan të parë”… e drithëronte kjo shprehje, kur një popull vuante ekonomikisht dhe mbante mbi shpatulla luftën e klasave.
Poezia “Armiku i brendshëm” thekson:
“Armiq të brendshëm do të ketë në një vend ku s’ka liri// ku ka shtypje politike dhe përçarje për parti//”
Kësaj kategorie njerëzish i përkiste edhe vetë autori i klasifikuar “armik” sepse kishte zotësi të rralla pedagogjike, por s’mund të ishte edukator, sepse bënte përkthime, por s’mund të vinte emrin e tij si përkthyes, s’mund të predikonte kulturën përendimore, kur ishte një pionier i saj dhe as të botonte një vepër se nuk i përshtateshin ideologjisë sunduese.
Duke qenë në pozitat “armik i popullit”, shikonte se si i ngriheshin përmendore një krimineli të lindur, të cilin e quan “bukëshkelës” e “Tradhtar” (te poezia Një “Miku”… Bukëshkelës)
Sa bukur që këndon// me shpirt e deklaron// ti këngën tradhëtare// fq. 49
E për këtë njeri ai nuk e pranonte dashurinë e imponuar.
Autori ishte artist në shpirt dhe e kishte të qartë nocionin e të bukurës, por kur shikonte se edhe kjo dukuri e estetikës duhet t’i nënshtrohesh kritikës m-l edhe në veprat e gjenive të botës, i përgjigjet me poezitë “Mësimi nga njerëzit e shquar”
Shpirti i trazuar i poetit nga këto perversitete monstruoze nuk heshtëte. Me një ton të ashpër kundërshton historiografinë e kohës që kishte zëvendësuar “Trimat e lirisë, heronjtë, zemërfortët” me “filistinët, iskariotët me maskarejtë e idiotët” “që i nxijnë jetën të ndershmëve dhe i mbytin në lot”
Pas gjithë këtyre, autori e parashikonte fundin e komunizmit. Ai besonte se Shqipërinë do ta bëjnë Njerëzit e ndershëm dhe te pa komprometueshëm, njerëzit e punës e të sakrificës.
“Tani fuqinë do ta marrë punëtori… kush derdh djersë do të rrojë!”

“Kërkoni njerinë, jo biografinë “se shtetin s’e përparon dot paaftësia//
Njeriu njihet se ç’është në të vërtetë// nga puna që bën dhe sjellja që mban në jetë.

Në rrethanat e një regjimi të egër ky njeri që kërkon autori s’mund të vihet në krye sepse: “Front në të katër anët” dhe “Lufta ë frontale, e hapët, pa doreza// kush s’e luan lojën, shkoi, e preu e zeza…”
Duke vëzhguar me sy kritik poeti akumulon nga të këqijat e sistemit dhe hidhet në sulm duke përdorur larmi vargjesh e rimash, figura të goditura poetike deri në sarkazëm ku stigmatizon armiqtë e tij dallkaukë e demagogë, spiunë e tradhtarë.
Poezia “Një kameleon tipik” autori filozofon me fjalët unë dhe ne.
“Një parim, që na ngel në kartë” ishte… vini interesin e përgjithshëm mbi atë personal” e cila sipas autorit mund të realizohet vetëm kur paqa të mbretërojë…
Përgjigjja e autorit është kjo:

“Asgjë nuk vë njeriu mbi interesin personal//
Dhe po t’ia prekësh atë bëhet bisha më e fortë//
E të vërsulet më keq se egërsia në mal//
Mëshirë, edukatë e kulturë i hedh në shportë!

Me të drejtë autori ngre çështjen e pronës private dhe studimet shkencore nga individ të shquar, që akoma sot pas 30 vjet pluralizem nuk janë institucionalizuar. Kjo plagë e trashëguar nga e kaluara e hidhur gjysmë shekullore ka shkaktuar mosmarrëveshje shumë të rënda në shoqërinë shqiptare.
Tek autori duket qartë ndikimi, nga shkrimtarja ruso-amerikane Ayn Rand, (1905-1982) e cila në veprën “Anthem” (himni) pasqyron një shoqëri kolektiviste ku njerëzit kanë një emër të përbashkët, kooperativist. Ajo i kishte jetuar ngjarjet pas Rev. të Tetorit. Ishte larguar nga Rusia në Amerikë me 1926, dhe atë eksperiencë të hidhur e paraqiti në kryevepren e saj “Fountainhead” (vendburimi) ku ngre lart figurën e protagonistit, arkitektit novator, i cili refuzon të bëjë kompromis me kundërshtarët që nuk pranojnë inovacionin. Me këte autorja ngre lart forcën krijuese të individit lidhur me progresin, që është superior ndaj kolektivizmit. Filozofia e A. Rand e quajtur “Objektivizëm” kishte në thelb arsyen absolute të bazuar në realitetin objektiv.
Qëndrimi realist, praktik i mësuesit edukator të shkollës amerikane pati shumë goditje të rënda në jetë. Pas daljes nga burgu, izolimi në shtëpi, kishte nevojë për ripërtëritje, kështu i bën studim vetevetës si autopsikolog dhe i vetmi mjet shtytës për të ndryshuar vetveten, për t’ju përshtatur situatave të reja ishte “Besoni te vetja” dhe kërkojeni kënaqësinë vetëm në punë të dobishme që t’i shërbejë njerëzimit.
Kjo të kujton Faustin e Gëtes kur qëndrestari Haçi si punëtor i palodhur, udhëhiqet nga parimi: “Vdekja të më marrë, kur të më gjejë pa punë”
Ngulmues në studimet etolologjike që shqyrtojnë sjelljen dhe përcaktojnë kufijtë e të mësuarit njerëzor, zbulon shtigje te reja drejt vetëdijes dhe vetëkontrollit duke qenë i përmbajtur në të gjitha veprimet që bën, për t’ju përshtatur mjedisit, për këtë këshillon:

Dryrin më të fortë t’ia vemë gojës
Nga porta dhe dera na hyn një kusar
Goja bir i dashur të çon në litar
Ku s’ka liri fjale, mbylle gojëshkretën
Që të shpëtosh kokën dhe të ruash jetën…

Beqir Haçi - Ne vitet e fundit
Beqir Haçi – Ne vitet e fundit

Kjo heshtje publike nuk do të thotë se Ai tërhiqej nga qëllimi, idetë, aktiviteti, puna, sepse nuk pushoi së shkruari e punuari në shtëpi.
Përshtatja me ndryshimet e reja të jetës, sipas autorit i shtensionon njerëzit, i jep një impuls njeriut të vazhdojë jetën. Urrejtja ndaj komunizmit nuk do të thotë të urresh jetën.
Në poezinë “Gëzoje jetën”
Gëzo të tanishmen, çastin që kalon
Nesër kush e din fati ç’do na thotë
Na ngjit majë malit o na hedh në hon!
Kjo kurajë që lind nga një i përndjekur është mësim për brezat; Njeriu në çdo rrethanë sado e pakapërcyeshme të jetë do të gjejë mënyra të ndryshme për të jetuar duke ruajtur gjithmonë vetitë e larta morale pa të cilat njeriu është një kërm siç e cilëson poeti.
Urrejtja për diktaturën nuk do të thotë të shkatërrosh të ardhmen, sepse jeta vjen vetëm një herë ndaj duhet jetuar me dashurine dhe optimizmin më të madh për te.
Poezia “Gruas sime” (në bisedë ditën e daljes nga burgu i drejtohet me respekt)

Plot stuhi edhe rrebeshe// Ne kaluam disa vjet//
Po ti zemër arbëreshe! Më qëndrove plot pushtet//
Ndaj çil arkën që të vesh// Rrobat moj të dhëndërisë//
Rrobat e zeza të çvesh// Më vish rrobat e lirisë…

Asnjë ditë pushim s’i dha vetes, pasi plotësoi dënimin komunist e quajti veten të lirë në raport me burgun. Fillon ecjen me nxitim, diku… në kërkim të lirisë së vërtetë. Ardhja në familje është një moment i bukur që duhet gëzuar dhe e shijon. Koha ecën shpejt, Ai është në lëvizje dhe bashkë me te rriten krijimet. Edhe pse poezitë e tij nuk mund të botoheshin, gjen forcë për të vazhduar me besimin, se një ditë krijimet me një tematikë aq të larmishme, do të shihnin dritën e publikimit.
Në se shkenca m-l nuk pati nevojë për emrin e Prof. Haçit, pedagogjia e re shqiptare ka nevojë për këte thesar të çmuar, për përvojën e vyer të një edukatori, për “Thërrimet filozofike “1930, për “Proverbat popullore shqiptare” 1931, për “Udhëheqësi i mirësjelljes” 1932, për “Mësuesi, punëtori idealist i shoqërisë” 1937, të cilat i jepen popullit prej mësuesit të vet. “Mësues i Popullit” e “Pishtar i Demokracisë” që i gëzon sot krijimtaria haçjane e kanë bazën në kontributin e madh në fushën e pedagogjisë, psikologjisë, sociologjisë, letersisë, përkthimeve, publicistikës, folklorit, duke e radhitur figurën e nderuar të Prof. Beqir Haçit me njerëzit më të shquar të kombit tonë.

.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.