back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Profesor Guljelm Deda – Intelektuali i pamposhtun… nga Lek Pervizi (101 vjetorin të lindjes)

Gazeta

Lek Pervizi & Guljelm Deda - Perugia 1994
Lek Pervizi & Guljelm Deda – Perugia 1994

Profesor Guljelm Deda – Intelektuali i pamposhtun…

nga Lek Pervizi

Në 101 vjetorin të lindjes

Profesor Guljelm Deda
mbetet bir i denjë dhe krenari e Shkodrës,
ai e përballoi diktaturën me kurajo e qëndresë
të jashtzakonshme duke mbetë intelektual i pamposhtun.
Ashtu siç me ndodhi vjet edhe me Profesor Lazër Radin,
që më kaloi 100 vjetori tij pa një shkrim për të
(e realizova në 101 vjetorin e tij),
për një lapsus kujtese
më iku 100 vjetori i Profesor Guljelm Dedës,
të cilin po e plotësoj me këtë shkrim.
Lek Pervizi
.
Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljelm Deda Padova 1937
I lindun në Shkodër më 1916, Profesor Guljelm Deda u afirmue si një intelektual i mirëfillte dhe i talentuem.
Qysh në vitin 1937, ai fillon punën si profesor në Gjimnazin e Shkodrës. Mik dhe shok i ngushtë i Ernest Koliqit, ai i përkiste asaj gjenerate që ishte destinue me çue ma përpara kulturën shqiptare në vazhdën e shkrimtarëve të mëdhej të historisë sonë.
Por një kuadër i tillë i përgatitun për t’i shërbye atdheut mbi baza kombëtare dhe humaniste, nuk mund të pranonte me iu nënshtrue komunizmit kriminal.
U përplas qysh në 1944 në burg. Ishte dëshmitar i tmerruem i shfarosjes së inteligjencës shkodrane pa gjyqe e me gjyqe speciale, ku u çuen në pushkatim me qindra e qindra njerëz, fajtorë të pafajshëm, të ndershëm, patriotë, me kulturë dhe antikomunistë të vendosun. Shkrimtarë e talente të shqueme shkodrane shkuen para skuadrave të ekzekutimit, sipas dënimit të prokurorit famëkeq, gjakatarit e xhelatit Aranit Çela, i cili nuk pritonte me ekzekutue edhe me dorën e vet!
Guljelm Deda, për fat shpëtoi prej plumbit dhe litarit, por jo prej burgut dhe kampeve të shfarosjes, internimeve e persekutimeve shtazore. Nuk u lejue me shkrue dhe më shprehë aftësitë e tij si letrar, si studiues dhe si njohës mrekullueshëm i gjuhës shqipe dhe i atyne të hueja, përparësisht atyne greko-latine, me kompetenca të plota, i denjë me përfaqësue atdheun dhe kombin në katedrat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Por komunizmi nuk donte njerëz të ditun me kulturë të thellë e të ngritun, për ma tepër reaksionarë, pra disidentë e opozitarë, të cilët nuk pranonin në asnjë mënyrë me u vue në shërbim të klikës staliniane, prandaj i eliminoi fizikisht dhe me dënime çnjerëzore, tue u mundue me i zëvendësue me një kategori të paaftësh dhe mediokrësh, ndër të cilët la me ndritë ndonjë yll të kuq, të zotin me i thuer himne e lavdërime e me një krijimtari hipokrite, absurde e mohuese, në kurriz të mija e mija viktimave të pafajshme.
E ndërsa Guljelm Deda me shokë vuente të zezat e ullinit, (pse kishin mbetun gjallë) tue përfundue me hapë kanale faraonike në kampet e çfarosjes dhe punës së detyrueme, e me prashitë e me kanalizue parcelat bujqësore, banda e realizmit socialist me në krye shefat e mirënjoftun, shkruenin vepra servile e neveritëse, ulun në kolltuqe të buta e të rehatëshme, tue paraqitë Shqipnine socialiste si baçe me lule dhe xhelatin Enver si hero e humanitar(?!) Pra tue e veshun kasollen me lule dhe ujkun me lëkurë qingji, ndërsa kolegët e tyne ishin stivosun si sardele në qelitë e qelbuna të burgjeve komuniste. Të mohosh këtë të vërtetë, do të thotë te jeshë kokë e kambë i komprometuem dhe bashkëpuntor i terrorit! Dhe këtë punë, shkrimtarët komunistë e banë për 46 vjet me kënaqësi, dhe e vazhdojnë edhe sot e kësaj dite me fodullëk të papërmbajtun.
Aq mirë i ka kthye diktatura në robotë të kurdisun, sa edhe sot vazhdojnë punën destruktive që ajo u ka programue.

.

Guljelm Deda & Marie Muzhani
Guljelm Deda & Marie Muzhani
Ndërkaq ndodhën ngjarje të paprituna. Përkthyesi i “Komedisë Hyjnore” të Dante Alighierit, profesor Pashko Gjeçi, i burgosun politik, i cili ishte afirmue për këtë punë me randësi kulturore, me keqardhje të komunistëve, ndërmorri një inisiativë të guximshme, që mund të quhet disidente, pse u angazhue me kolegët e burgosun, të internuem e të persekutuem, me përkthye kryevepra të letërsisë botnore, kryesisht të poezisë, siç ishin poemat e poetëve të mëdhej, duke fillue nga të lashtësisë si: Homeri e Vigjili, Ovidi, Horaci, etj., e me radhë te poetët e shquem të Rilindjes italiane si: Dante, Ariosto, Tasso, Bojardo, Pulci e Marini. Përkthimi i këtyne veprave poetike, kërkonte aftësi dhe kompetenca të veçanta, njohuni të gjuhëve të vjetra e të reja dhe të artit poetik. Këto kushte i plotësonin vetëm disa intelektualë e letrare të persekutuem e të burgosun, që kishin krye studimet në vendet evropiane. Qëllimi i Pashko Gjeçit ishte me e ngritë këtë problem me vepra konkrete, që asnjë prej të ashtuquejtunit letrarë komunistë nuk ishin në gjendje me e krye me i përkthye as prej gjuhëve origjinale as të huazueme e me nivel të naltë.
Në këtë aksion të madh i ndërmarrë me inisiative personale, u aktivizuen profesorët Pashko Gjeçi, Guljelm Deda, Henrik Lacaj, Mark Dema, Gjon Shllaku, Dhimitër Pasko, etj.
Guljelm Dedës i ra për rrisk, një kryevepër e poezisë epiko-kalorsiake “Orlando Furioso” i Lodoviko Ariostos, të cilin ia pruni fillimisht i vëllai Pashku, në kampin e izolimit të Kuçit të Vlorës.
Ketu Lem Deda e filloi përkthimin, që gjeti vlerësim nga intelektualët e lartë me të cilët Lemi ndante dënimin në kampin e izolimit të Kuçit të Vlorës. Këta intelektualë të diplomuem në universitete evropiane, mbetën entuziastë për përkthimin, ku dëgjuen recitimin nga Lemi të kangës së parë. Një kryevepër poezie në shqip, po aq nalt sa niveli i Ariostos.

.

Guljelm Deda - skica Lek Pervizi (Pluk 1960)
Guljelm Deda – skica Lek Pervizi (Pluk 1960)
Këta intelektualë ishin emna të njoftun të botës shqiptare si: Mikel Koliqi, Ali Erebara, Mit’hat Araniti, Lazër Radi, Ali Cungu, Sandër Saraçi, Zef Shiroka, Nedim Kokona, Mihal Sherko, Ibrahim Sokoli, Loro Muzhani, Spiridion Kacaroci, Estref Frasheri, Ekerem Janina, etj.
Kur u transferuem në Lushnje, me Lemin fillimisht zumë vend në sektorin-kamp të Plukut. Me ta marrë vesh, aty erdhi Profesor Mark Dema, i cili i solli Lemit nje botim te mire italisht të Orlandit të pajisun edhe me komente. Mark Dema ia pëlqeu se tepërmi përkthimin e dy e kangëve të para dhe e inkurajoi me vazhdue në atë mënyrë. Kështu ai iu vue punës ma me ngulm, dhe ne që rrinim me të, e dëgjonim me andje recitimet që ai na bante herëmbashere.
Lemi tashma po e rikrijonte atë vepër shqip.
Në verën e atij viti, 1962, Lemi martue me Marie Muzhanin, e bija e Profesor Luigj Muzhanit. Martesa u ba në Gjendjen Civile të Lushnjës, ku dëshmitarë ishim unë e Dedë Gjonmarku. Me këtë rast Dega e transferoi në Savër, ku iu dha një dhomë në barakat e të internuemve. Ne kishim mundës me lëvizë dhe unë shkoja shpesh dhe e takoja në Savër. Puna e përkthimit po ecte mirë. Familja a grues, kryesisht vllaznit e saj, u përpoqën me ia lehtësue disi atë jetë me sakrifica, në mënyrë që Lemi të kishte mundësi me u marrë me atë punë letrare, ndonëse pa asnji përfitim e në kushte miserable.
Fatkeqsisht edhe një e zezë ma e madhe i ra Shqipnisë: Lidhja me Kinën. Në Shqipni u zbatue egërsisht revolucioni kulturor kinez dhe u ashpërsue në kulm lufta e klasave. U pezullue botimi i veprave të letërsisë botnore (perëndimore), të cilat u quejtën dekadente, fetare e borgjeze. Intelektualët e përndjekun në fjalë u degdisën keq e ma keq, disa përfunduen edhe në burgje. Guljelm Deda, që më 1964 përfitoj lirimin, dhe shkoj në Tiranë pranë familjes së grues, dhe u mendue se s’do të kishte ma trazime, ndodhi e kundërta.

.

Savër 1964 - Baraka e Lazrit - Gulielm e Marie Deda, Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Savër 1964 – Baraka e Lazrit – Gulielm e Marie Deda,
Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Një ta marrë dhe e degdisin, tashma jo prap në kampin e Savrës nga kishte ikë, po në një fshat të humbun kooperativist të Myzeqesë, në rrethin e Fierit. Atje s’ishte ma e mundun të shkonim e ta vizitonim. Aty intelektuali i klasit të naltë Guljelm Deda, kaloi edhe 24 vite internim, tue prashitë arat, ndërsa shkrimtarët e afirmuem komunistë shkruenin veprat e mohimi të të gjitha të drejtave të njeriut! Vepra absurde ndaj realitetit tragjik të një vendi që ishte kthye tashma në burg e në vorr të krejt një populli! Por këto të vërteta, nuk iu interesonin shkrimtarëve të oborrit hoxhian me i dijtë. Atyne u interesonte afirmimi personal me çdo kusht, edhe pse shkelnin mbi kufomat e vllazënve e motrave të tyne…
Po Guljelm Deda as u dorwzue e as u mposht. Tue shfrytëzue çdo çast të lirë të mundshëm e të pamundshëm, ai ia mbrriti me krye përkthimin e “Orlandit të çmendun” me 17 vjet punë në kushte të pamundshme e të pabesueshme.
Kjo ishte qëndresa e patundshme dhe stoike e këtij biri të denjë të Shkodrës, e këtij intelektuali të naltë të Shqipnisë dhe Kombit shqiptar.
Patjetër në këtë përballim të pabarabartë midis një diktature të egër dhe një të burgosuni pa mbrojtje, Profesori ynë, Guljelm Deda doli moralisht fitimtar. Ai e sfidoi diktaturën me talentin e aftësitë e tij intelektuale, dhe e mposhti. Vepra e tij duhet vështrue e çmue në kët kontekst. Sado që diktatura u mundue ta luftojë e ta dënojë përjetësisht (sipas saj), ta varrosë, ai u çue si Gjergj Elez Alia, përballë balozit të zi, duke e mundë në at duel të pabarabartë: ku fuqia dhe qëndresa shpirtnore e heroit shqiptar fitoi mbi gjigantin e hukubetshëm. Aspak ndryshe kishte ndodhë me Lemin, ku shpata e tij ishte vepra madhore që ai krijoi në ato kushte mizore, që e banë triumfues mbi të keqen e të pavdekshëm në altarin e atdheut.
Ndërkohë Lemi ishte marrë edhe me përkthime të tjera, për të përmbushë misonin e tij si intelektual, edhe pse me kushte e pa kushte.
Për t’u permendë, janë përkthimet prej shqipes në një italishte të përkryeme, të “Juvenilias” së Ndre Mjedës; “Skanderbeu” i Naim Frasherit apo kanga kreshnike e Gjergj Elez Alisë, të cilën ai e shoqnoi me një koment të bukur. Këto, përkthime në gjuhën letrare italiane, e veçanërisht në poezi, demostrojnë aftësitë e tij letrare e mjeshtërinë e vargjet poetike, si ma i miri poet italian. Gjithë kjo veprimtari e tij, ndonëse e kufizueme mbeti e heshtun. Rrethi tij familjar e shoqnor nuk qe në gjendje me ia nxjerrë në dritë, sikur edhe formalisht. Por Lem Deda s’ishte një figurë formale, por një monument që duhej ngritë në piedestal e për t’u admirue.
Tue qenë se vendosëm me e përkujtue në këtë përvjetor shekullor të lindjes së tij, themi t’ia plotësojmë biografinë, edhe pse të cungueme nga periudha fatkeqe e mizore e diktaturës komuniste, që ia hangri ma shumë se gjysmën e jetës.

.

Ariosto - Orlando i çmendun 2013
Ariosto – “Orlando i çmendun” 2013
Kujtojmë se ne vitin 1937, në mbrojtjen e diplomës, ai bani një dizertacion italisht mbi Pjetër Bogdanin, tue nxjerrë në pah me kompetencë dhe erudicion figurën dhe veprën historike e letrare të këtij shqiptari të madh: “Cuneus Prophetarum” (Çeta e Profetënve), gur themeltar i gjuhës e letërsisë shqiptare në shekujt. Kjo kumtesë prej 150 faqesh të daktilografueme, u prit me vlerësim të naltë dhe la përshtypje të madhe ndër profesorët e shquem italianë dhe të tjerë të huej. Ai u vlerësue me notën ma të naltë që mund të jepej “Summa cum Laude”. Duke qenë se askush nuk u intersue as po interesohet për t’ia nxierrë në dritë këtë vepër, më mbetet si detyrë të ia botoj në tekstin orgjinal italisht, sepse Lemi ma kishte dorëzue dorëshkrimin e daktilografuem prej tij. Kjo vepër vlen për studiuesit shqiptarë, dhe asht unike, përsa i përket një studimi mbi Pjetër Bogdanin.
Por e randësishme për Guljelm Dedën, ishte dhe krijimtaria që ai kishte ndërmend me nisë me shkrue e me ia kushtue jetën. Mjerisht kjo periudhë përkoi me burgosjen e tij. Megjithatë, dhe në kushte aq të vështira, në vitin e parë ku nuk i qitnin në punë të detyrueme, aty në burg arriti edhe me punue në një poemë mbi historinë e njerëzimit, me titulli, “Vegim” në tingëllimë klasike, si ato të Mjedës. Kur kushtet u banë të padurueshme e të tmerrëshme, vepra mbeti e cungueme. Shpëtuen vetëm pesë tingëllimet fillestare, të cilat ia kemi botue disa herë në Kuq e Zi.
Si për konceptin ashtu për formën, gjendemi para një poeti të potencialit të naltë, me kulturë të thellë dhe me talent të fuqishëm, çka shprehet në atmosferën e poemës, gjithë pathos të një vizioni global dhe esencial të momenteve kryesore dhe vendimtare të historisë së njerëzimit. Këto të dhana jepen nëpërmjet një vargu të përkryem, që të rrëmben me kadencën e vrullëshme dhe të një ritmi konstant, veti e domosdoshme e vargut endekasillabik (njëmbëdhjetrroksh). Këto pesë tingëllima janë të pakta në dukje por të mjafta në vlere, me na dhanë të kjartë idenë e saktë mbi talentin e padiskutueshëm të Guljelm Dedës, i prirun me krijue vepra të plota dhe me pasunue kulturën shqiptare me emna të rinj e të lavdishëm.
Po e këtij mendimi nuk ishte partia komuniste dhe kreu i saj gjarpën e monstër.
Por, Guljelm Deda dhe shumë të tjerë si ai, nuk u nënshtruen. Të vetëdijshëm që mund t’i priste vdekja ose burgu ata vazhduen. Kësaj i thonë rezistencë, disidencë e opozitë e mirëfilltë. Aq ma tepër i thonë heroizëm i vërtetë! Këto janë mendjet e ditunisë dhe të kulturës shqiptare që duhen
respektue e nderue, që duhen pritun, përcjellë dhe ndihmue për botimin e veprave të tyne të kullueta e të pastra si dëbora e maleve tona kreshnike.
Mjerisht, disa të huej dhe shumë shqiptarë kanë ra në rrjetin e merimagave të disa përfaqësuesve të dyshimte e të implikuem deri në fyt me kulturën komuniste. Veprat e këtyne personave janë shkrue me pena e stilo të njomuna në gjakun e kolegëve e vllazënve të tyne. Librat e tyne pikojnë gjak e lot viktimash të pafajshme. Nëse sot ata gëzojnë ndonjë famë ekuivoke, asnjë mashtrim e kamuflim nuk ka me i shpëtue prej gjyqit final të historisë.
Kjo paraqitje e Profesor Guljelm Dedës, para lexuesve dhe opinionit shqiptar, merr kuptimin e një solidariteti ndaj krejt atyne që mbajtën mbi shpinë peshën e randë të kryqit të mishnuem në terrorin bolshevik. Shërben gjithashtu edhe me e vlerësue punën e krijimtarinë e tyne në ato kushte tepër të vështira, që pasqyrojnë periudhën ma të kobëshme të historisë së Shqipnisë e të Kombit Shqiptar. Shërben mos me lejue që kush poshtnojë e sakatojë atdheun, e të mund të përfitojë prap në dam të atyne që sakrifikuen jetën dhe talentin e tyne dhe nuk u mposhtën. Ata meritojnë nderim e respekt, kujdes e përkrahje të domosdoshme. Dhe krenaria dhe burrnia e shqiptarit këtu shihet e tregohet!
Prof. Guljelm Deda kaloi 46 vite ne burgje e kampe internimi…

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.