back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Profesor Mina Gero, një shembull i pedagogjisë e gjuhësisë shqiptare për ne… nga Ëngjell Zerdelia

Gazeta

Profesor Mina Gero (1946-2016)
Profesor Mina Gero (1946-2016)

Profesor Mina Gero,

një shembull i pedagogjisë e gjuhësisë shqiptare për ne…

nga Ëngjell Zerdelia

Afro 40 vjet më parë, mbasi përfundova gjimnazin fitova të drejtën e studimit në Shkodër, në degën ëndërr për kohën Gjuhë-letërsi, duke refuzuar çuditërisht; inxhinierinë e ndërtimit dhe shkollën e sigurimit…
Vjen në atë vit në qytetin e Përmetit zv/ministri i brendshëm dhe së bashku me babanë më kërkojnë në afërsi të gjimnazit ”Sami Frashëri”, dhe unë duke qeshur, sepse babai rrallë shumë rrallë vinte në shkollë, zbrita ato 100 shkallë, duke dredhuar herë njerën dhe herë tjetrën dhe ndërkohë zv/ministri i jep ok-in tim eti (sepse ishte i informuar për përgatitjen time gjimnastikore, atletike dhe të shumë sporteve; futboll, basketboll, volejboll, not, alpinizëm e të tjera) duke i thënë se djem të tillë na duhen në dikasterin tonë. Takoj me shpoti mikun dhe mandej e përqafova fort babanë. Biseda filloi e çiltër dhe me ofrohet dega e Sigurimit, të cilën unë e refuzova, duke kërkuar prej tyre që ta mendonin këtë punë e të më ndihmonin të shkoja për gjuhë-letërsi. Kështu ndodhi u paraqita në Shkodër në kohën e duhur, u prezantova me studentet dhe studentët, që fatmirësisht kishin një shtrirje gjeografike në tërë Shqipërinë: Isai nga Tropoja, Besimi nga Kukësi, Xhaferri, Liria dhe Fatmiri nga Peshkopia, Rroku nga Puka, Vlera dhe Suzana nga Shkodra, Maria nga Lezha, Dava nga Laçi, Tereza nga Rrësheni, Isufi nga Burreli, Afërdita nga Gramshi, Thomai nga Fieri, Ylli nga Vlora dhe unë nga Përmeti.
Aksioni ishte muaji i parë në shkollën e lartë. Ne si studentë të rinj diskutonim dhe jepnim mendime për gjithçka që na rrethonte. Vrulli dhe energjia nuk mungonin edhe në realizimin e detyrave të ngarkuara. Në atë muaj, të atij viti luante Vllaznia e Shkodrës dhe Austria e Vienës. Dhe meqë s’të jepnin leje, shkoj në Shkodër, kënaqem me lojën dhe rezultatin e ndeshjes. Të nesërmen na nxjerrin neve që shkuam të shihnim ndeshjen para shtabit të aksionit. Secili dha arsyen dhe mundohej me të gjitha mënyrat për t’u justifikuar, kur më pyetën mua iu përgjigja, që përpos gëzimit të shkollës së lartë për degën e kërkuar, në qytetin e duhur, kam menduar edhe për këtë ndeshje, që më jepet mundësia një herë në një shekull ta shoh për shkak të largësisë së qytetit tim me Shkodrën. Ata u nevrikosen më shumë, por një zë i kthjellët u dëgjua, – mirë se do ta diskutojmë me studentat e grupit tim. Ishte profesor Mina Gero, i cili u bë shumë i dashur me ne, se na kishte në vitin e kujdestarisë. Interesimi i profesor Mina Geros për grupin tonë, por edhe për vitet e tjera ishte tepër lavdërues e korrekt.

Foto klasës sonë me profesor Geron
Foto klasës sonë me profesor Geron

Mbarëvajtja jonë në leksione, seminare dhe kollokiume ishte shumë e mirë, ndoshta ndonjë cilësi e lartë jo, po gjithmonë në vijën e mesit e më lart, por që nuk mungonte, frekuentimi dhe vlerësimi i gjithçkaje që kishte të bënte me procesin mësimor. Nuk është mendjemadhësi, as harbutëri, por guxoj të them se asnjë student nuk mungonte kurrë në leksione, seminare e kolokiume. Ishim një grup që qëndronim tek mesatarja ose më lart. Po kështu në muajt e stërvitjes ushtarake, në përfundim te kurorëzimit stërvitor që ishte qitja; nga grupi ynë shquheshin studentë në të gjitha vitet e shkollës së lartë duke grumbulluar 27-28-29 apo 30 pikët e mundshme dhe falenderimi s’mungonte kurrë. Mbaj mend që të gjithë profesorët; Jup Kastrati, Safet Hoxha, Hysen Alibali, Simon Pepa, Selami Tabaku, Neki Lezha, Hasan Leka, Tomorr Osmani, Lazër Siliqi, Vildan Tufi, Faik Hebovia dhe profesori që na qendronte më pranë se kushdo tjetër, si kujdestar i klasës sonë Mina Gero. Profesoreshat Fatbardha Fishta, Geti Franja, Dhora Lloja, na ndihmonin, dirigjonin, trajnonin si e si ne të arrinim rezultate të larta, të cilat nuk munguan në gjuhësi, morfologji, sintaksë të gjuhës shqipe, në historinë e gjuhës shqipe, dialektologji, hyrje në gjuhësi, praktikum, letërsi shqipe dhe të huaj, në albanologë e autorë shqiptare e të huaj, në historinë e letërsisë, në gazetari, estradë, teatër, dramë e të tjera. Nga ne filluan të drejtonin rininë e studentore, të luanin teatër, të këndonin, t’i binin veglave muzikore, të luanin të gjitha sportet e të ishin në krye të tyre. Profesor Mina Gero ishte dhe mbetet timonieri ynë. Në vitin e dytë hodha tezën: ”Një gjuhëtar është gazetar, e kundërta një gazetar s’është gjuhëtar”. Debat i gjerë mes studentëve dhe pedagogëve, kur më dhanë të drejtë profesori u gëzua shumë, vendosi duart tek syzet sikur i rregulloi mirë ato, siç e kishte zakon dhe na premtoi se ditën tjetër do të shkojmë tek kalaja ”Rozafat”, ku dhe u kënaqëm shumë. Interpretuam rolin e personazheve më të spikatur të atyre viteve të dramës së dramaturgut tëshquar Fadil Kraja ”Gjaku i arbërit”. Një student nga jugu, një nga Shqipëria e Mesme dhe një nga veriu mbronin mendimin e gjuhëtarit të shquar shqiptar Ilia Dilo Sheperi, i cili citonte tek libri i tij, ”Gramatika dhe sindaksa e Gjuhës Shqipe” i botuar në Vlorë, 1927, në Romë 1972, në Tiranë 2001. Vepër e vlerësuar si më e arrira, libri më i shenjtë që i rezistoi kohës dhe i parapriu gjuhës së njëhesuar. ”Ndryshimet mes gegërishtes dhe toskërishtes janë shumë më të vogla nga ndryshimet që kanë dialektet e gjuhëve të tjera të botës. Thekson idenë e vlefshme ”Gegërishtja e toskërizuar ose toskërishtja e gegërizuar”… njëri dialekt do derdhet tek tjetri, atë që nuk e ka njëri dialekt ta marri nga tjetri që e ka”. Na mbrojtën në atë kohë profesorët; Jup Kastrati, i cili në studimin e tij (1972), që është e para analizë shkencore që i bëhet veprës së Ilia Dilo Sheperit, në një periudhë kur botimi i veprës për arsyet që dihen ishte i pamundur, për të mos thënë i ndaluar… Jup Kastrati jep gjykime dhe vlerësime për çdo kapitull; profesori Hasan Leka dhe sidomos profesori ynë kujdestar Mina Gero na u gjendën shumë pranë, ky ishte triumf shkencor i studentave të grupit tonë dhe një guxim qytetar i studenteve e mbi të gjitha i profesorëve tanë. Një ditë, ne djemtë e grupit tonë ishim mbledhur në katin e parë të fakultetit, sepse ishim dezhurn me profesor Mina Gero. Ishte ditë dimri, siç bën ai, i acartë në Shkodër, kur pa pritur zbret shkallët ngadalë-ngadalë profesor Neki Lezha duke na thënë: -Natën e mirë! Me kostum, e pasi hipën në biçikletë e bën nja 50 m kthehet e na drejtohet ne të gjithëve që po qeshnim, por që fjala jonë s’kishte të bënte me personin e tij. “Djema, – na thotë – isha duke studiuar ndërgjegjen dhe harrova materien… (ishte fjala për pallton)” – e qeshura jonë në kupë të qiellit e ai thotë për të na ngacmuar, – po ju për këtë po qeshnit. Jo,- tha prerë profesor Mina Gero, – mos ua thuaj këtë gjë se nuk është e vërtetë. Ai buzëqeshi, se nuk mbante kurrë mëri e na u drejtua, – lum ju për profesorin kujdestar që keni.
Ditët, muajt dhe vitet ikën dhe po afronte diplomimi dhe mbrëmja studentore, profesori ndejti me ne në të gjitha përgjigjet dhe e shprehte gëzimin dhe lumturinë e tij në gjithë qenien njerëzore. Ajo ditë e mbrëmjes studentore nuk do të harrohet kurrë nga studentat dhe pedagogët tanë. Ne kënduam këngë të Veriut, Shqipërisë së Mesme, të Jugut; serenata, jare shkodrane e çfarë nuk kënduam e kërcyem, gaz e shend, të gjithë në parajsë, sikur ndonjëherë përshkuam intenerarin Universitet-Ura e Bunës dhe kthim më këmbë, bashkë me profesorin kujdestar Mina Gero, duke vallëzuar e kënduar e përshendetur me popllsinë vendase që u prishëm dhe qetësinë… Këtë ma kanë shprehur të gjithë studentët e grupit tonë dhe profesorët; Hasan Leka, Tomorr Osmani, Dhora Lloja Selman Sheme, Fatbardh Sokoli, Vildan Tufi… këto vitet e fundit.
Së fundmi pas gati 35 vjetësh takohem me profesor Mina Geron së bashku me profesor Thoma Gogën. Ishim në përurimin e librit të prof. as. dr Mina Geros ”Fjalori rimor i Dritëro Agollit” Gjuhëtari i njohur tregoi se kishte punuar e hulumtuar për vite të tëra ne veprën e poetit Dritëro Agolli për të evidentuar morfologjinë e rimave, konkordancat dhe fjalësitë në veprën e tij. Botimi i parë i një vepre të tillë, megjithëse vetë profesori pohoi për dorëshkrime të profesorëve Kol Ashta dhe Shefqet Karaj. Lamë takimin një orë para përurimit, i cili u shoqërua me mall, kujtime e vlerësime nga profesori, duke na pyetur në detaje për gjithë grupin. Pastaj i kërkova një nder, qe profesori të ishte në ballinën e librit konsulent gjuhësor dhe ai me atë lëvizjen e dorës së majtë tek syzet, për të më dhënë siguri mua, m’u drejtua: “Edhe e diskuton, me të vetmin kusht që tekstin e librit te ma dërgosh me email ta shoh të tërin” – “Patjetër profesor!”  -ia ktheva. E kështu bëra. Brenda 4 ditëve më korrektoi 220 faqe. U lumturova edhe për faktin tjetër se kam kujtim edhe tre pjesët e poemës së ”Fjalorit rimor të Gjergj Fishtës”. Shkëmbyem libra me njëri-tjetrin, më përgëzoi fort për punët e mia dhe e lamë që së shpejti të takoheshim si grup…

Profesor Mina Gero ne mes, Engjell Zerdelia dhe Thoma Goga
Profesor Mina Gero ne mes, Engjell Zerdelia dhe Thoma Goga

Mina Gero (05.11.1946-18.07.2016)

Mina Gero, personalitet i spikatur i arsimit kambëtar, gjuhëtar, edukator, filolog e gojëtar, pedagog, drejtues i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë i Institutit (më vonë) Universiteti i Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”. Në vitin 1996, kreu një kurs specializimi në Universitetin e Sorbonës ne Paris-Francë. Gjatë 32 viteve në Universitetin e Shkodrës dha lëndët; Sintaksë torike dhe Sintaksë e gjuhës shqipe, Dialektologji, Hyrje në gjuhësi, Praktikum i gjuhës shqipe. Autor dhe bashkautor tekstesh universitare për lëndë të ndryshme të gjuhës shqipe. Fusha kryesore e studimeve të tij ka qenë gramatika dhe sidomos sintaksa. Lindi në Fier, arsimin elementar dhe shtatëvjeçar i kreu ne Tiranë dhe Durrës, të mesmen në shkollën pedagogjike ”Luigj Gurakuqi” në Elbasan, ndërsa studimet e larta në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në fakultetin Histori-filologji në Universitetin e Tiranës, të cilat i përfundon me rezultate të larta në vitin 1968. Pas diplomimit u emërua asistent pedagog, më pas pedagog i Institutit e më vonë Universitetit të Shkodrës për 3 dekada e gjysëm. Në dhjetor të vitit 2000 me gradën Prof. as. dr Mina Gero la punën në Universitetin e Shkodrës për t’u vendosur me banim në Sh.B.A, por edhe këtu nuk e ndërpret punën studimore në fushën e shqipes. U shqua në karrieren e tij profesionale për përkushtimin e thellë ndaj punës, për frymën e kërkesës dhe për korrektesinë, çka e bëri atë ndër pedagogët më të dashur për studentët…
Humbja e jetës se Prof. as. dr. Mina Geros në Fort Collins (Kolorado ShBA), më 18.07.2016, pikëlloi bashkëshorten dhe tre vajzat me familjet e tyre, studentët e shumtë që e admironin, kolegët për shokun e çmuar, dhe gjuhësinë shqiptare për një studiues të palodhur e të përkushtuar.
New York, Amerikë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.